|
Foto: .jpg | “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”
Pjesa e tretë e intervistës për “Telegraf”, botuar në këtë gazetë më 3 gusht 2011. Shoqërohet me një fragment nga libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”.
-Pra ju mendoni se “Tabloja Sinoptike” ka krijuar iluzionin e Mehmet Shehut si njeri të Perëndimit?
-Si çdo politikan i fuqishëm dhe Shehu ishte i tillë, një protagonist i madh i luftës për pushtet, ai qe edhe pragmatik. Kjo do të thotë se po t’i propozohej edhe ndryshimi i kursit politik me kusht që ai të qe i pari i vendit, ai sadopak do ta kthente timonin. Veç realisht nuk ishte i lidhur shpirtërisht e ca më tepër thellësisht me Perëndimin. Mehmet Shehu nuk ishte as demokrat. Enver Hoxha e falsifikoi si proamerikan për ta djallëzuar para opinionit publik vendas, të cilin e kishte doktrinar, dhe para atij ndërkombëtar edhe si poliagjent të shpëlarë. E vërteta është anglishtfolësi Shehu qe adhurues i pasionuar i teknologjisë moderne, pra edhe i asaj që prodhohej me hekura apo plasmas në Perëndim, por ideologjikisht ishte një stalinist i vendosur dhe mjaft i ashpër, një bashkëpërgjegjës i parë me Enver Hoxhën për çfarë ndodhi në vendin tonë dhe ndaj të cilës duhet të mos ndalemi duke kërkuar e zbuluar të vërtetën historike, duke e thënë atë për opinionin publik. Historia jonë e gjysmëshekullit komunist ka nevojë, madje edhe më shumë se njerëzit që jetuan atë kohë, ku hyj edhe unë, për një vetëpastrim të madh. Ajo nuk bëhet me botimin e procesverbaleve të mbledhjeve apo të hetimeve të asaj periudhe, vendimeve të gjyqeve apo teksteve të akuzave, një epidemi që për fat të keq ka përfshirë dopio faqe speciale të shtypit tonë dhe edicione të pafund. Kjo do të thotë të ribiesh në grackën e atij regjimi. Ai i ka lënë pas arkivat dhe ky është një fat, të paktën atje ku interesa dhe pleksje individësh të fortë para dhe pas vitit 1990 nuk kanë mundur të ndërhyjnë. Në raftet e skedarët e tyre duhet të studiojnë dijetarët dhe të palidhurit me politikën e djeshme apo korrente. Duke ua vënë në dispozicion të politizuarve apo partiakëve, sidomos të emëruarve prej tyre, ata pa dashje (të paktën) kanë bërë të riciklohet PPSh, ia kanë ringjallur logjikën dhe mendësinë. PPSh nuk ka më, por tanimë fantazma e saj është më kanosëse se dikur, kur funksiononte me strukturën e saj kapilare. Po u punua kështu me arkivat, me të vërtetën e manipuluar apo të fshehur dhe mbuluar tinëzisht në tufat e letrave të procesverbaleve, pra të ngasim më tej këtë pseudokulturë të cilën do ta quaja të Historiprocesbalit, do të na kapë nga këmba e moslëshojë litari i regjimit, për këtë kurth i lënë posaçërisht jashtë varrit të tij në fillim të vitit 1991.
-Libri lexohet edhe si roman, pra si një vepër artistike. Cili është raporti midis të vërtetave historike dhe krijimit artistik?
-Kjo është mënyra ime e të shkruarit të historisë. Subjektet që zgjedh duhet të përmbushin të paktën tre kushte kryesore: të jenë ngjarjeve të pabëra më parë publike, të përfaqësojnë fragmente të rëndësishme e kyçe në fatin e shqiptarëve dhe të më japin mundësinë në shkrim të përdor mjetet artistike. Janë romane të vërteta, por asgjë nuk është e trilluar, ca më pak e fantazuar. Përjashto ndonjë detaj të dorës së dytë, një shi që bie papritur apo një shatërvan që spërkat ujë. Edhe tek “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia” lexuesi duhet të jetë i sigurt se vërtetësia është totale. Madje jo vetëm për çka lidhet me kryeministrin, por edhe me Nikita Hrushovin, me Josif Bros Titon apo Vladislav Gomulkën, me Antonin Novotnin, George Dezhin, Janosh Kadarin, Teodor Zhivkovin apo Fidel Kastro, personazhe të këtij libri. Po ashtu edhe me presidentin amerikan Ajzenauer.
-Po për qëndrimin gjithnjë mëdyshës të Ramiz Alisë për këtë çështje, ç’mund të thoni? A mund të ndihmonte sadopak ai për t’i dhënë fund diskutimeve dhe pikëpyetjeve për Mehmetin?
-Unë përshkruaj disa nga reagimet e tij që para 1990-tës e deri kur kapërceu viti dymijë, në gjuhën tonë, madje në 1992 edhe në italisht, në një libër-intervistë me Lino De Mateis. Aty mund të kuptohet fare qartë se ai nuk do ta pohojë kurrë as të gjithën dhe as të vërtetën.
Fragmenti nga libri
Vorioepirotët u shfaqën shumë shpejt. Dukej sikur kishin qenë fshehur në një nga kthesat dhe me të parë që shqiptarët ikën, hynë në shesh. Nisën të demonstronin, por edhe ata nuk dukeshin se kishin ndonjë mllef të veçantë. Për një gjysmë ore nuk hodhën me zë asnjë thirrje. Mbajtën pllakate nëpër duar dhe vetëm erdhën rrotull në heshtje. Dallohej qartë që i kishin shtuar kartonët me sipër fjalët “Vorio Epiri është tokë greke”. Pastaj u shpërndanë.
Malile trokiti në derën e apartamentit të Mehmet Shehut për t’i thënë se tashmë mund të niseshin. Ky sapo e pa i zgjati tekstin e një radiogrami për Enver Hoxhën. “Të niset ky”, tha prerë, “Pastaj ne!”
Malile shkoi menjëherë tek zyra e shifrës dhe përcolli urdhrin e kryeministrit. Mesazhi nuk ishte shumë i gjatë dhe mund të kodohej brenda dhjetë minutave. Në njërin nga paragrafët e shkurtra, të gjitha të nisura me numra rendorë, Mehmet Shehu shkruante “Mbrëmë natën, për inat kërkuam të shëtisim në Broduej, rruga kryesore. Duallëm me makinë gjysmë ore dhe u tund Nju Jorku nga sirenat shurdhonjëse si edhe karvani prej 10 makinash e shumë motoçikleta me dedektivë e policë, që na shoqëronin, e mijëra policë që kishin bllokuar gjithë rrugët prej 15 kilometra nga kaluam. Mileti shikonin të habitur nga karvani policor”.
Reiz Malile vuri buzën në gaz. Shehu i raportonte çdo gjë Enver Hoxhës, menjëherë sapo ajo të ndodhte. Po të qe për të, si Përfaqësues i Përhershëm pranë OKB-së, ato çaste nuk do t’i jepte rëndësi raportimit për një kalim gjysmë orësh në zonën e të pasurve të Nju Jorkut, në Broduej. Do ta bënte këtë njoftim në një përmbledhje të mëpasshme, kur të raportonte me nge edhe vizitat shlodhëse të kryeministrit. Në momentet që po kalonin, kishin rëndësi informacionet politike dhe analizat e para mbi to. Në një nga paragrafët e atij radiogrami të mesditës së 21 shtatorit Mehmet Shehu ia bënte një të tillë “Atmosfera është e nderë. Sundon policia sikur të ishte ngritur gjithë Nju Jorku për të na vrarë dhe ata të na mbrojnë. Unë ngado që shkoj jam i rrethuar nga 20 policë e detektivë me makina me sirena të vazhdueshme e shurdhonjëse si zjarrfiksa dhe të armatosura etj. Tek porta rrinë vazhdimisht mbi 20 policë, shkallët e korridoret ruhen nga njerëz të tjerë. Atmosferë terrori. Rrugës çdo 10 metra ka policë. Kavaleria, kamionët e armatosur, veturat me detektivë, bllokojnë rrugët e demonstrojnë. Para OKB-së qëndrojnë mbi 1000 policë. Hrushovi është mbyllur në Mision e del vetëm për në OKB. Por, si gjithë herët, bën shakara me këdo që i del përpara e gazetarët e rrethojnë ngado. Çfarë do të ndodhi nuk dihet, vetëm se Ajzenaueri do të flasë e thuhet se do kërkojë që t’i jepet ndihmë Afrikës. Flitet se Tito pas presidentit amerikan do të paraqesë mendim për grupimin e neutralëve rreth tij. Hrushovi do të flasë pas tyre”.
Në radiogramin raportues për Enver Hoxhën atë pasdite Mehmet Shehu nuk kishte harruar edhe përleshjen e antikomunistëve me vorioepirotët. “Dje para OKB-së u rrahën shqiptarët me grekët. Nuk dimë çfarë shqiptarë qenë”. Më pas e informonte “Gazetat thonë se Titon e shanë një grup tek porti kur zbriti e gjoja këta qenë shqiptarë simpathizantët tanë, po ne s’dimë gjë”.
Reis Malile ishte duke u kthyer në zyrën e tij dhe radiogrami akoma tërësisht i shifruar, kur kryeministri doli nga apartamenti. “Ikim për në OKB!”, i tha. Pak minuta më pas u hipën makinave dhe si përherë të shoqëruar nga policët, detektivët, motoçikletat dhe sirenat e shumta, u nisën për në seancën e dytë. Ndërkohë Reis Maliles i ra në sy se rojet amerikane silleshin disi më kujdesshëm, qenë më të butë.
Kur nuk ishin veç njëqind metra larg Pallatit të Xhamtë papritur Mehmet Shehu shqiptoi emrin e Fan Nolit. Pastaj në pak sekonda e bëri të qartë gjithçka. Donte nga Malile që në rastin e parë të mundshëm të pinin së bashku një kafe dhe të bisedonin lirisht për jetën e tij në ShBA.
Kur u futën në sallë fjalimet e përfaqësuesve të shteteve Shehu i ndoqi ulur në vendin e vet, në heshtje dhe duke mbajtur ndonjë shënim. Megjithatë një çast u ngrit e shkoi tek Antonin Novotni. E përshëndeti ngrohtësisht, por edhe ky ia shtrëngoi dorën me dashuri. Kështu ndenjën bashkë për disa çaste kur seanca e dytë u mbyll dhe delegacionet, para se të iknin nëpër hotelet apo rezidencat e tyre, kishin zakon që në Pallatin e Qelqtë të kryenin kontakte pune. Mehmet Shehu dhe Novotni u takuan në sallon. “Kush e priti Titon në port nga qytetarët amerikanë?”, pyeti një çast presidenti çekosllovak. “Titos as ja kam parë fytyrën e jo të di se kush e priti”, iu përgjigj kryeministri shqiptar. “Po juve cilët ju pritën në port?”, vijoi tjetri me sa duket i shtyrë jo thjesht prej ngasjes së kërshërisë. “Vetëm policia dhe disa të dërguar nga vendet miq”, i tha Shehu. “Sikurse edhe mua”, shtoi Antonin Novotni.
Të kthyer në Mision kur nata ishte bërë e thellë në fillim kryeministri hëngri darkë dhe pastaj u mbyll në apartamentin e vet. Kishte pyetur një çast t’i kujtonin orarin e transmetimit në valë të shkurtra të radios të emisionit shqip dhe kur i thanë se për atë ditë ajo mundësi kishte kaluar, u përgjigj se do ta provonte të nesërmen. Ishte edhe mjaft kurioz për forcën e zërit dhe cilësinë e programit.
Pastaj u përul mbi tufën e fletëve të fjalimit që do të mbante në 26 shtator. Ndërkohë ai i plotësuar i duhej nisur sa më shpejt Enver Hoxhës në Tiranë.
Nuk kishte shkuar ende ora 22.30 kur Mehmet Shehu i dha Reis Maliles radiogramin e dytë të asaj dite. Në kthinën e tij sekrete shifruesi i vuri numrin 339: “Shokut Enver, 1)...Do veprojmë sipas porosisë…3) Ata që u rrahën dje me grekët ishin ballista… Sot pas dite disa dhjetëra vorioepirotë demonstruan para Misionit, por ka më shumë policë rreth nesh se sa protestues. Gazetat botojnë fotografi sensansionale me policë duke rrahur e zvarritur demostronjës. Atmosfera e alarmit policor sundon rëndë. Neve nuk na bëhet qejfi qeder… 5) Unë do flas javën që vjen. Merak mos kini, nervat i kemi në rregull, armiqtë na duken si miza e i pështyjmë. 6) Hrushovi do flasi të premten por gjer tani nuk na kanë thënë asgjë mbi çfarë do shtrojnë dhe ne as që kemi për t’i pyetur vetë. Ne jemi të qartë për qëndrimin që duhet mbajtur. Përqafime. Mehmeti”.
Tek rikthehej për në zyrën e tij Maliles ende nuk i ishte hequr nga mendja ajo mënyrë të shprehuri e kryeministrit “Merak mos kini, nervat i kemi në rregull”. Edhe tek radiogrami i pasdites kryeministri pati “Merak mos kini. Jemi shumë mirë. Nervat i kemi të qeta”.
Ndërkohë nuk qe rikujtuar për atë kafen e përbashkët dhe bisedën e shpenguar rreth Fan Nolit.
22 shtatori ishte dita kur do të fliste presidenti amerikan Duajt Ajzenauer dhe Josip Broz Tito. Ndërkohë që në mëngjes dy të përditshme njujorkeze shkruanin se pasditen e shkuar delegacionin ukrainas si edhe godinën e Misionit jugosllav e kishin qëlluar me domate dhe vezë. Nuk thuhej cilët qenë të zemëruarit, të çfarë kombësie apo bindjeje politike.
Para se delegacioni shqiptar të nisej për në sesion mbërriti një buqetë e madhe me lule. E kishin dërguar nga Komiteti i Partisë Komuniste të Nju Jorkut. Në kartëvizitën shoqëruese nuk mungonte edhe një tekst i shkurtër përshëndetës. Mehmet Shehu u emocionua dhe e ngarkoi menjëherë Reis Malilen të hartonte disa radhë falënderimi, veç t’i bënte bukur. Do të qe në emër të tij. E porositi t’u thoshte komunistëve amerikanë se qenë të ftuar për një drekë. Pastaj shtoi nëse do të ishte e mundshme që atë tufë lulesh ta mbante në apartamentin e tij.
Në sallën e Asamblesë, tek po uleshin në vendin e tyre, u afrua menjëherë përfaqësuesi i Përhershëm i Bullgarisë dhe i vuri në dijeni se kishin rënë dakord që kur presidenti amerikan të hynte për të mbajtur fjalimin ata të ngriheshin në këmbë, por jo të duartrokitnin.
Mehmet Shehu u zbeh nga një zemërim i beftë. “Ne as edhe në këmbë nuk do t’i çohemi”, shqiptoi me fjalë të ngurtësuara si kallëpe akulli. Diplomati bullgar heshti. “Nuk do t’i ngrihemi në këmbë, as Titon nuk do ta duartrokasim”, vijoi kërcitshëm kryeministri, “Do të shkojmë edhe më tej, pra do të dalim demonstrativisht nga salla, në rast se ai agjent i imperialistëve sulmon vendin tonë”.
Bullgari vuri buzën në gaz, tha “Ju kuptoj” dhe iku për t’u ulur fare pak metra më tej, në vendin e vet.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|