|
Foto: .jpg | “Mehmet Shehu në Amerikë”
Pjesa e dytë e intervistës për “Telegraf”, botuar në këtë gazetë më 2 gusht 2011.
Shoqërohet me një fragment nga libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”.
-Po arkiva të huaja a kini parë?
-Shumicën dërmuese të atyre tashmë të hapura online, duke nisur prej qendrave në Budapest e deri në Londër. Pamjen e vetme me lëvizje, video, të Mehmet Shehut në sallën e Kombeve të Bashkuara, pra në Nju Jork, e gjeta prej një arkive britanike. Një tufë fotosh që kryeministri solli prej andej është zhdukur gjatë pastrimeve. Kështu edhe fotografinë e tij që kam vendosur në kopertinë të librit e sigurova prej revistës amerikane “Life”.
-Libri është i ngjeshur...
-Pas ripunimit të tretë lexuesit i kam afruar vetëm tre të katërtat e asaj që shkrova. Ai është intens, në kohë dhe në përmasën e numrit e të veprimit të personazheve. Libri ka një kohë ngjarjesh të vendosur në tre rrathë të harmonizuar me njëri-tjetrin. Në të parin si pikë fillimi është viti 1959, periudhë përkeqësimi i shpejtë i marrëdhënieve mes Tiranës dhe Moskës dhe ku Nikita Hrushovi dhe Enver Hoxha përgatisin goditjet e ndërsjella, mes të cilave zgjerimi i bazës ushtarake të Vlorës dhe vendosja e një tjetre plasdarme sovjetike në Butrint, të dyja pjesë e Traktatit të Varshavës të drejtuara kundër NATO-s. Po ashtu paralelisht ndodh edhe fabrikimi agjenturor në Tiranë, nën presionin e KGB-së, të grupit çam të Teme Sejkos me legjendën e gjoja një sulmi të kombinuar të Flotës së Gjashtë Amerikane mbi Shqipërinë. Ky rreth i parë mbyllet pas një gjysmë shekulli, në vitin dymijë, kur dy djemtë e mbetur të Mehmet Shehut gjejnë më në fund eshtrat e të atit të tyre, hedhur në një varr të fshehtë dhe në fill të shpëtuara nga djegia e tretja tërësore me një lëndë speciale kimike. Në 1994 ata kishin gjetur në një rrëpirë varrezash pa emra në Zejmen të Lezhës, një grusht kockash të Fiqirete Shehut.
Rrethi i dytë i lëvizjes së kohës në libër përfshin gjysmën e dytë të vitit 1960, nis në muajin korrik dhe përfundon në nëntor 1986. Ato fillojnë me përgatitjet e Mehmet Shehut për të shkuar në Nju Jork dhe në sfond të Hysni Kapos në një takim përgatitor në Bukuresht të partive komuniste të vendeve të dikur kampit socialist, kuvend i cili vendosi që në nëntor të mbahej e famshmja Mbledhje e Moskës, për të cilën regjimi i kohës na ka tejngopur, përpunuar e doktrinuar me qëndrimin stoik të palës shqiptare, Enver Hoxhës kryesisht. Mbyllet ky rreth i dytë me të quajturin Kongres i Vazhdimësisë, ku Ramiz Alia, ndërsa Perëndimi priste ndryshimin apo të paktën liberalizimin e kursit politik, e nisi leximin e raportit të tij me akuzën e njohur të Hoxhës se Mehmet Shehu qe një armik i betuar i partisë dhe i popullit si edhe një poliagjent në shërbim të të huajve.
Rrethi i tretë i zhvillimit të ngjarjeve në libër përfshin periudhën nga 12 shtatori deri në 12 tetor 1960, koha e udhëtimit të Shehut për në Nju Jork dhe kthimi prej tij. Ato kanë të bëjnë me nisjen nga aeroporti i Rinasit, hyrja në Itali, udhëtimi nga Roma në Paris, prej këtu, në 14 shtator në portin detar francez të Sherburgut dhe nisja me anijen oqeanike “Queen Elizabeth”, për pesë ditë e gjysmë, drejt Nju Jorkut. Pastaj vijojnë të treguara hollësisht, një për një, që prej 20 shtatorit deri në 12 tetor, ditët e kryeministrit shqiptar.
-Ju këtë tregim të hollësishëm...
-Edhe dokumentim të hollësishëm. Hoxha tek “Tabloja Sinoptike” e ka akuzuar se takimin me Josip Bros Titon dhe të dërguarin e Inteligjencë Servisit, djalin e kryeministrit anglez Uinston Çurçill, Randolfin, madje edhe me ndonjë tjetër, Shehu e kishte kryer në një kthinat e fshehta të “Queen Elizabeth”, jo në Nju Jork. Ndërkaq një dokument i vlerësuar tepër sekret në arkivin e ambasadës amerikane në Buones Aires, i cili nëpërmjet një miku argjentinas me emrin Farran u sigurua nga ambasada shqiptare të merrej i fotokopjuar dhe iu dërgua me ngut Tiranës, drejt për drejtë Ramiz Alisë, nuk e përmendte fare transoqeanikun, por thoshte se marrëveshja Mehmet Shehu-CIA qe kryer në Nju Jork gjatë ditëve të pranisë së kryeministrit shqiptar në punimet e OKB-së. Kjo mospërputhje, të cilën e zbulova shumë herët dhe u bë një nga shtysat kryesore t’i vihesha shkrimit të këtij libri, qe fare flagrante. Ajo jepte shenjën e sigurt se “Tabloja Sinoptike” ishte një gënjeshtër e madhe, një manipulim mjaft tinëzar dhe i sofistikuar i të vërtetës, pra ishte një legjendë e mirëfilltë agjenturore. Me pak fjalë qe një antihistori nga ato që politika prodhon pa fund dhe na i imponon.
-Pra ju mendoni se tridhjetë vite pas eliminimit fizik të Mehmet Shehut dhe thurjes së “Tablosë Sinoptike” kjo mund të quhet e rënë.
-E rrëzuar.
(Vijon numrin e ardhshëm)
Fragment nga libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”
“Ishte gdhirë dita e tretë e udhëtimit në “Queen Elizabeth”, kur Behar Shtylla e vuri në dijeni Mehmet Shehun se në vapor mes udhëtarëve ndodhej edhe ambasadori i Bullgarisë në Tiranë. Shkonte për në mbledhjen e OKB-së. Do të përforconte delegacionin e vendit të vet.
Kryeministri e porositi menjëherë t’i organizonte një takim sa më të shpejtë. Do t’i thoshte diplomatit bullgar se qenë mjaft të pakënaqur prej ndihmës së paktë me grurë dhe se ambasadori do të bënte një gjest shumë miqësor nëse do të ndikonte në Nju Jork, ku do të vinte edhe shefi i tij Teodor Zhivkov, për tua plotësuar të gjithë kërkesën.
Takimi u krye që atë ditë, në një shëtitje të shkurtër nëpër kuvertë.
Ndërkohë në qytetin e madh amerikan Misioni Shqiptar qe në mobilizim të ethshëm për të qenë i gatshëm të përballonte dërgatën e rëndësishme dhe ditët intensive me punë në seancat e Sesionit të 15-të të Kombeve të Bashkuara. Tensioni u shumëfishohej edhe nga ankthi që do të përjetonin në rrethanat e një shtrëngimi shumë të madh për të qarkulluar. Në pasditen e pesëmbëdhjetë shtatorit të gjithë drejtuesit e përfaqësive diplomatike të vendeve socialiste u ftuan në ndërtesën e Misionit Sovjetik dhe gjenerali Zaharokin informoi me hollësi për masat e sigurimit ndaj kryetarëve të delegacioneve. Oficeri i lartë i shërbimit të fshehtë tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve posaçërisht për kanosjen nga veprime armiqësore kundër Janosh Kadarit dhe Mehmet Shehut. “Kujdes, shumë kujdes!”, përsëriti ai disa herë. Po ashtu këshilloi që secila përfaqësi për çështjen e sigurisë duhej të mbante kontakte të drejtpërdrejta me autoritetet amerikane. Ndryshe as ata vetë, me njerëzit e tyre të specializuar për trupmbrojtje, nuk do të dinin si të vepronin.
Në radiogramin informues që me këtë rast Reiz Malile i dërgoi Ministrisë së Jashtme, në përfundim të tekstit, bëhej e qartë se në Nju Jork “Përgjithësisht atmosfera është shumë armiqësore. Para misionit sovjetik kanë filluar të bëjnë demonstrata”.
Më 16 shtator 1960, ditë e premte, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi një deklaratë rreth masave jo të zakonshme të sigurisë, të cilat qenë të detyruar t’i merrnin për delegacionet e shumta pjesëmarrëse në punimet e OKB-së. Ato priteshin të ishin nëntëdhjetë e gjashtë. “Kubanët, sovjetikët dhe të gjitha delegacionet e tjera janë njoftuar t’i lënë armët e tyre të zjarrit në shtëpi”, paralajmëronte një fragment i saj. Shtohej se për të realizuar sigurinë e krerëve të dërgatave nuk do të lejoheshin truprojat e tyre, sikur edhe të paarmatosur të qenë. Këta mund të rrinin në një rreth të dytë afërsie fizike të udhëheqësve, por nuk do të kryenin asnjë detyrë mbrojtjeje. Kjo do të realizohej vetëm prej agjentëve vendas, lokalë apo federalë. “Prandaj”, vijonte Departamenti, “janë marrë përsipër të gjitha masat e duhura”.
Shtypi që atë ditë, sapo u shpërnda deklarata dhe u formuluan lajmet e para rreth saj, shpjegoi se kjo siguri e shtuar këtë herë ndodhte për shkak të një viti plot me tensione ndërkombëtare dhe vatrash të tejnxehura në të gjithë globin. Acarimet mes mjaft shteteve qenë shumë të mëdha, përplasjet ndërmjet dy blloqeve politikë, atij kapitalist dhe komunist, mbërritur në vijë të kuqe alarmi. Nuk mungonin tonet nervoze të polemikave edhe mes vetë kampit bolshevik, ku Bashkimi Sovjetik me Kinën flitej se e patën prishur rëndë harmoninë e mëparshme. Për pasojë kolonat e lajmeve në gazetat e mbrëmjes së 16 shtatorit, por edhe ato që dolën në mëngjesin e të nesërmes, vinin në dukje se në “Romën e kohëve moderne”, siç kishin ditë që e thërritnin Nju Jorkun në prag të ardhjes së aq shumë delegacioneve të huaja, numri i agjentëve amerikanë me uniformë dhe të veshur civilë arrinte një shifër gjer ato kohë të paparë. Ajo armatë e madhe për ruajtje jetësh mund të quhej e paprecedent në të tërë historinë e vetë organizatës.
Edhe pse deklarata publike e Departamentit të Shtetit nuk i thoshte konkretisht gazetarët kishin rënë në gjurmë të disa hollësive. Kështu nga e gjithë masa e delegacioneve në pritje të zbarkonte në Nju Jork krerët që duhej të mbuloheshin në mënyrë të dendur me roje qenë pesëmbëdhjetë deri njëzetë persona. Kjo ishte “bërthama” e madhe. Ndërkohë brenda kësaj gjendej një tjetër “bërthamëz”, masat e sigurisë për të cilën ishin ekstra. Këta qenë Nikita Hrushov, Fidel Kastro, Janosh Kadar dhe Mehmet Shehu.
Midis këtij rrethi të ngushtë ultrasigurie dhe atij të madh përmendej edhe emri i udhëheqësit të Republikës Arabe të Bashkuar, Gamal Abdel Naser. Veçanërisht për këta udhëheqës grupi i afërt i sigurisë si rregull normal prej gjashtë deri tetë vetë tashmë qe pesëfishuar. Nga zyra e sigurisë së Departamentit të Shtetit ishte bërë e ditur se për gjithsecilin do të qenë plot tridhjetë truproja.
Për këtë skemë garancie fizike, tashmë më formën përfundimtare, patën rënë dakord të dy palët përgjegjëse: Departamenti i Shtetit dhe ai i Policisë së Nju Jorkut. Ky i fundit përbëhej nga 23.596 oficerë dhe qe pikërisht ai i cili do të mbante ngarkesën kryesore për sigurinë e mbledhjes së Sesionit XV të Asamblesë. I shtuar edhe me agjentë federalë gjithsesi mbrojtja fizike e delegacioneve vlerësohej e pamundur pa e bërë të kufizueshme lëvizjen e tyre në Nju Jork dhe jashtë tij. Kështu edhe pse kjo gjë do të shkaktonte pakënaqësi dhe në mos sulme politike kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për territorin e lëvizjes së dërgatave u caktua një “vijë e verdhë”. Kjo menjëherë iu bë e njohur çdo Misioni pranë OKB-së.
Për Hrushovin, Kastron, Kadarin dhe Shehun kjo vijë u ngushtua edhe më shumë: vetëm lagjja ishull Manhatan”.
Që të katërve cenimi i sigurisë dhe për pasojë dëmtimi i punimeve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, parashikohej t’u vinte nga pakicat e të emigruarve në ShBA, shumica dërmuese e tyre kundërshtarë politikë, antikomunistë.
Në interpretim të deklaratës publike për shtyp të Departamentit të Shtetit gazetarët informonin opinionin se prej katër më të rrezikuarve ardhësi më i kanosur për të qenë objekt sulmi dhe për pasojë problemi më i madh për punonjësit amerikanë të sigurisë nuk gjykohej Nikita Hrushovi, por Fidel Kastro. Kjo ndodhte sepse ai në qëndrimet e tij qe më i paparashikueshmi. Truprojat e Kastros duke iu përshtatur stilit të sjelljes së shefit të tyre nuk do të pajtoheshin me heqjen dorë nga roli i mbrojtjes dhe do t’i rezistonin me mosbindje agjentëve vendas që do të ngarkoheshin me këtë detyrë. Kjo do të shkaktonte kaos në të gjithë skemën e sigurisë.
Kryetari problematik i Partisë Komuniste të Kubës pritej të vinte të nesërmen, më 18 shtator, ditë e diel, dhe menjëherë do të shkonte në hotelin “East Side Shelburne”, në lagjen Harlem. Atje përveç simpatizantëve jo të paktë kishte me shumicë edhe refugjatë kubanë, të gjithë armiq të betuar të regjimit komunist. Tridhjetë e katërvjeçari Fidel, shkruante një e përditshme e së shtunës, mund të kthehej në dhembjen e parë të kokës për autoritetet amerikane”.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|