|
Foto: .jpg | “Ju rrëfej 21 ditët e Mehmet Shehut në Amerikë në vjeshtën e vitit 1960”
Intervistë për “Telegraf”, botuar në këtë gazetë më 1 gusht 2011. Shoqërohet me një fragment nga libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”.
(Pjesa e parë)
- Zoti Polovina, sapo kini nxjerr një libër të ri...
-Po, ka dy muaj. Është një libër, të cilit për herë të parë nuk i bëra asnjë publicitet dhe tek dy gazetare të kulturës, Oliverta Lila në “Shqip” dhe Fatmira Nikolli në “Gazeta Shqiptare” mjaftoi vetëm shqiptimi në telefon i titullit. Pasi e lexuan secila në të përditshmen e saj, dy muaj të shkuara, botuan nga dy faqe speciale. Të them të drejtën u gëzova dhe kështu hoqa dorë nga çdo përpjekje për t’i bërë librit publicitet. I lashë ngjarjet të rridhnin spontanisht.
-Formulimi “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia” në të vërtetë është intrigues.
-Kështu rezultoi. Ndërkaq meraku im për ta gjetur fillimisht qe si t’i përfshija në një bashkim sa më të shkurtër fjalësh tre personazhet kryesorë të atij libri, të cilin e kisha përfunduar dhe titullin ende nuk ja kisha pikasur: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku zhvillohet dinamika kryesore e subjektit, Mehmet Shehu që është protagonisti i parë dhe Ramiz Alia i cili shfaqet pak, por gjatë gjithë kohës rri si hije në sfond apo, thënë më saktësisht, ndodhet prapa perdes së ngjarjeve.
-E kini fjalën se në atë që ndodhi natën e 18 dhjetorit 1981 Alia i lëvizte duart nga pas...
-Nuk kam asnjë dëshirë të hyj në atë teatër të përgjakshëm, siç ishte kasaphana në grupin udhëheqës të Partisë së Punës të paktën në periudhën e luftës së brendshme për pasonjësin e Enver Hoxhës, të goditur në 1973 nga një infarkt total zëmre, ku disa autorë seriozë e shumica amatorë rrëfimesh bulevardeske hyjnë e dalin si në një pazar oriental, jo duke kthjelluar, por tashmë duke turbulluar çdo të vërtetë, duke shkelur e fshirë çdo gjurmë akoma të mbetur. Të gjithë këta të fundit shkruajnë sikur i dinë të gjitha, ndërsa asgjë nuk kanë në kokë e në duar, sepse të paktën nuk janë futur në asnjë arkiv. Disa vite të shkuara botova një artikull për Mehmetologjinë ose malin e madh të të shkruarave për ish-kryeministrin komunist, ku turmën e madhe të “mehmetologëve” e bëjnë shitës-blerësit e thashethemeve “e vranë” apo “u vetvra”, “gota e zhdukur nga komodina”, “tuneli i nëndheshëm” e kështu me radhë. Libri im shkon në një drejtim tjetër. Ai merret me ndriçimin e njërës prej intrigave politike më të mëdha në historinë e shtetit tonë të mëvetësuar në 1912, të asaj që ka mbetur me emrin bombastik dhe po aq djallëzor “Tabloja Sinoptike”. Për t’iu përgjigjur ndërhyrjes suaj për praninë e duarve të zgjatura të Ramiz Alisë natën e 18 dhjetorit 1981: atë natë dhe një vit më pas teatrin makbethian të pastrimit mizor mes pretendentëve për fronin e diktatorit qe i pari Enver Hoxha që lëvizte fatet e njerëzve. I kishte gjërat ende nën kontroll. Alia ka bërë më shumë nga çmund ta dinë shqiptarët për të zotëruar atë patentë trashëgimie, por Hoxha në 1981 apo 82 kishte fuqi t’i përmbyste ngjarjet edhe në kahun e kundërt.
-Libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia” është e vërtetë që vijon një rrjedhë tjetër, duke i zbuluar opinionit publik jo hamendje dhe mistere të vogla, por të fshehta shumë të rëndësishme, kurrë më parë të bëra të ditura: udhëtimin e kryeministrit shqiptar në vjeshtë 1960 për në një mbledhje të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ikje me avion e tren për në Itali e Francë, pastaj me transoqeanikun britanik “Queen Elizabeth” për në Nju Jork, gjatë tre javëve të qëndrimit në metropolin gjigand amerikan lëvizjet me një makinë të blinduar, në kthim ikja me anijen franceze të pasagjerëve “Liberte”, sërish me tren hyrja në Itali dhe në fund fluturimi me avionin qeveritar të Tiranës nga aeroporti i Barit për në Rinas.
-Sepse besoja se ky ishte një libër krejt ndryshe dhe herët ose vonë do ta gjente me durim lexuesin e vet, siç ju thashë më parë, tërheqjen e vëmendjes mbi të e lashë të vinte lirisht. Kishte edhe rrethana politike që ndikuan mbi këtë zgjedhje. Përreth gjëmonte mëndjempirëse fushata e fundit zgjedhore dhe në opinionin publik bllokonte çdo interes tjetër sidomos ankthi i madh për numërimin e rezultatit të garës bashkiake në Tiranë. Më parë libri kishte pritur jo pak pa u futur në shtypshkronjë sepse qe fushata parazgjedhore. Kur ajo u mbyll dhe njerëzit hodhën votat në kutitë e të preferuarve libri nisi të shtypej. Pritej që rezultati të jepej në fund të javës së parë, ose sapo do të hynte e dyta. Por “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia” u paketua për të shkuar nëpër librari, kur fushata zgjedhore në vend të fashitjes u ndez edhe më shumë. Kështu për kolegët e të përditshmeve dhe të ekraneve u shumuan ditët e punës me politikën. Koha qe e pafat për këtë libër. Mbeti në heshtje.
-Mos doni të thoni se nuk ishte kohë librash?
-Pse nuk e kini vënë re se këtë herë zgjedhjesh ranë në kolaps shfaqjet teatrore, hapja e ekspozitave, numri i spektatorëve nëpër sallat e kinemave, ndjekësit e ndeshjeve sportive, ngrënësit e pasionuar të ëmbëlsirave, frekuentuesit e restoranteve, amatorët e udhëtimeve turistike brenda dhe jashtë vendit? Në kohëra të tilla libri që të vë në mendime është i bezdisur, i tepërt, punë aristokratike, në mos edhe një luks tepër i madh për hallet që kanë njerëzit. Duhet qetësi shpirtërore dhe kohë e lirë për veten. Kjo fushatë zgjedhore ia mori të dyja qytetarit dhe lexuesit shqiptar. Për fat tani kjo kohë politike është më e përmbajtur, njerëzit iu drejtuan shlodhjes dhe brigjeve të detit e mbase pa i bezdisur shumë disave prej tyre mund t’u bëj sinqerisht një ftesë ta kenë për një fraksion sekonde në mendje edhe titullin “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”.
-Përveç se intrigues ky është edhe një titull mjaft pretencioz.
-Sigurisht që kam dëshiruar të krijoj një gjë të pashkruar gjer tani. Prandaj më shumë se një pretendim qe edhe një sipërmarrje tepër e vështirë. Ishte një subjekt mjaft i ndërlikuar dhe i ndodhur tepër larg, një gjysmë shekulli shkuar. Dëshmitarët kryesorë të grupit udhëtues me Shehun qenë pushkatuar më pas ose vdekur për shkaqe natyrore. Një i vetëm kishte mbetur gjallë, por edhe ky për shkak të distancës kohore nga ngjarja, nuk mbante mend asgjë të rëndësishme. Arkivat po ashtu, me depërtimin e parë, ngjanin të zbrazura. Mbi Mehmet Shehun pas shpalljes së tij nga Enver Hoxha si armik dhe agjent i shumë shteteve të huaja, ra një kërdi e tërë e shfarosjes së dokumenteve që lidheshin me të vërtetën e jetës dhe të fatit të tij. Prandaj aq rraskapitës ishte ai kërkim dëshmish sa për herë të parë mes nëntëmbëdhjetë librave që kam botuar, tre edhe për lexuesin e huaj i cili është shumë sqimatar dhe kërkon cilësi të mirë krijimi, pësova një përkeqësim të frikshëm të shëndetit.
-Kur e lexon librin tuaj duket sikur kërkimi dhe mbledhja e dokumenteve ka qenë më e lehtë.
-Po ju tregoj vetëm një hollësi për të kuptuar sadopak se qe krejtësisht e kundërta. Në Arkivin Qendror të Shtetit nuk kishte asgjë të rëndësishme për këtë temë dhe mbeta vetëm me dy dosje të gjetura në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Aty me shumë dobi qenë dy-tre raporte për Tiranën të Reis Maliles, i cili ishte atë kohë shefi i Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në OKB. Mirëpo prej tyre nuk gjeja dot të dhëna të mjaftueshme çfarë veprimesh kishte kryer kryeministri Shehu. Mua më interesonte të dija çfarë pati bërë përditë dhe prej kësaj analize të nuhatja nëse kishte kryer ndonjë kontakt agjenturor me amerikanët. Shpresat i humba edhe më shumë kur në një ditar sekret, por të botuar për përdorim të brendshëm gjatë viteve të fundit të diktaturës, gjeta një shënim të Hoxhës, në të cilin thoshte se po i dërgonte Fiqirete Shehut disa nga radiogramet e të shoqit nga Nju Jorku. Sigurisht që ajo të shmallej. Ato çaste e akuzova Hoxhën me vete se me këtë mënyrë, duke i shpërndarë nëpër duar të ndryshme, i kishte zhdukur dokumentet shtetërore. Vetëm një kërkim tjetër, dëshpërues, thjesht për të hequr merakun e fundit, në arkivin e Shërbimit të Jashtëm Shqiptar, depërtim që këtë herë e bëra duke përdorur kompjuterikisht kode të shumta, më vuri në dorë dosjen me të gjitha radiogramet e shifruara që Mehmet Shehu ia dërgonte personalisht Enver Hoxha. Aty e kuptova përse e kisha atë “fat”. Në MPJ ato raportime, kur deshifroheshin, shkruheshin në dy kopje. Njëra ikte duar me duar, por tjetra mbeste aty.
(Vijon numrin e ardhshëm)
Fragment nga libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”
“Më 8 gusht nga Beogradi në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë mbërriti një telegram i shifruar, i cili informonte se për herë të parë ambasada amerikane i kishte dërguar numrit një dhe dy të legatës së tyre ftesa për të qenë të pranishëm në hapjen e një ekspozite. “Mendojmë t’ia kthejmë të dy ftesat”, qenë fjalët e prera me të cilat mbyllej radiogrami. Në 11 gusht zëvendësministri u dërgonte si udhëzim vetëm këtë rresht: “Ftesat nuk mund të kthehen, por ju mos shkoni në ekspozitë”.
Në 13 dhe 19 gusht dy radiograme fluturake të mbërritura në Tiranë nga Moska dhe Sofja informonin për politikanë vendas që do të ishin në përbërje të delegacioneve për në Nju Jork si edhe nuk mungonin të dhëna rreth qëndrimeve të tyre të pritshme gjatë punimeve të Sesionit të 15-të të Kombeve të Bashkuara.
Tashmë më shumë se çështja e mosmarrëveshjeve mes komunistëve sovjetikë dhe kinezë vendet e kampit socialist i merakoste ajo që në mes të shtatorit do të ngjante në OKB. E njëjta gjë ndodhte edhe me shqiptarët. Në 20 gusht me telegramin numër 487 Ministria e Punëve të Jashtme u dërgonte urdhër dy legatave të saj në Paris dhe Romë t’i bënin një panoramë të plotë mbi oraret e vaporëve të udhëtarëve që prej këtyre dy vendeve niseshin drejt Nju Jorkut. Dijeni kërkonin vetëm për ato linja lundrimi, të cilat mbërrinin në kryeqytetin amerikan para njëzetë shtatorit.
Të dyja përgjigjet e arritën Tiranën në të njëjtën ditë, 23 gusht.
Sipas Legatës në Paris të tillë që i përmbushnin kërkesat për sa u kërkonte qendra, ishin gjashtë anije. Vapori “United States” nisej nga porti francez Havre në 7 shtator dhe mbërrinte në Nju Jork në datën 12. “Queen Mary” do ta fillonte udhëtimin nga porti i Sherburgut në 8 dhe do të ndodhej në kryeqytetin amerikan në 13 shtator. Trageti “Flandra” do ta merrte rrugën Havre-Nju Jork në datën 9 dhe do ta mbyllte në 15. “Queen Elizabeth” do ta niste lundrimin nga porti i Sherburgut në datën 15 shtator dhe do të zbarkonte në brigjet amerikane në 20. Vapori “Liberté” do të nisej nga Havre më 16 dhe do ta kapte Nju Jorkun në datën 22. Radiogrami informonte po ashtu se “Roterdam” do të udhëtonte nga Havre për në kryeqytetin amerikan nga data 7 deri në 14.
Në përfundim të këtyre të dhënave mesazhi i koduar bënte të qartë se “Për vende është shumë e vështirë mbasi marinarët e vaporëve anglezë janë në grevë dhe nuk dihet kur do të përfundojnë”.
Radiogrami i dytë i 23 gushtit, ai i ardhur nga Legata e Romës, jepte informacion vetëm për dy anije udhëtarësh. Nga Gjenova do të ishte “Cristoforo Colombo”, i cili do të nisej në 13 shtator dhe do ta mbyllte në Nju Jork në datën 21, kurse prej Napolit do të qe vapori “Augustus”. Ky do ta fillonte udhëtimin në 17 dhe do ta përfundonte në datën 28 shtator.
Në 24 gusht, në orën 15.30, i nisur nga Legata e Parisit, një radiogram me 28 fjalë i rikujtonte Ministrisë së Punëve të Jashtme se “Dje, 23 gusht, ora 11.00, ju kemi dhënë përgjigje për vaporët mbasi të shtunën e të dielën agjencitë ishin mbyllur”. Njëzetë e tre gushti qe e hënë. Telegrami sqarues prej Parisit i vinte Tiranës për të justifikuar vonesën e dukshme prej tre ditësh të përgjigjes për urdhrin e ardhur që në 20 gusht. Mirëpo kjo ditë ishte e shtunë, pasardhësja binte e diel. Duke qenë se agjencitë e udhëtimeve në fundjavë qenë të mbyllura legata shqiptare në kryeqytetin francez për zbatimin më të shpejtë të mundshëm të urdhrit të dhënë nuk kishte veç të hënën.
Në ditën e njëzetë e katërt të gushtit nga Nju Jorku Reis Malile i bëri një mesazh Tiranës, duke e vënë në dijeni se “...Ka mundësi që Hrushovi të vijë. Për vendimin definitiv të ndiqet çështja në Moskë...Në OKB flitet se Ajzenauer e Tito do të vijnë. Nehrui ka shfaqur hezitim”. Një ditë më pas Malile sërish e informoi qendrën e vet: “Nga bisedimet në OKB rezulton se Sesioni i 15-të i Asamblesë do zhvillohet në një atmosferë të rëndë lufte të ftohtë. Koha më e madhe do t’i kushtohet problemeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet Lindje-Perëndim... Deri tani rendi i ditës përmban 83 çështje, por parashikohet të shtohen edhe të tjera. Asnjëherë nuk ka pasur kaq probleme. Lidhur sa më sipër mundësisht të kihet parasysh përbërja e delegacionit...”
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|