Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Maqedoni, luleshtrydhe dhe Skënderbe


(Botuar në gazetën “Illyria”, Nju Jork, më 14 qershor 2011)

Ndërsa projektonim ftesën për një vizitë në Shqipëri të Giorgio Maria Castriota Scanderbeg (Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg), ne në Institutin Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nuk mund ta parashikonim dot se për arsye fare të rastësishme asaj do t’i krijohej një rrethanë tepër delikate. Duke qenë se në intenerarin e atyre katër ditëve të pranisë së tij në trojet kombëtare, 4 deri 7 qershor, do të shkonte edhe në Dibër të Madhe për të parë e vënë një tufë me lule në monumentin e stërgjyshit të vet Gjergj Kastriot Skënderbeut, e diela, data pesë, më e mundshmja për ta realizuar, përkoi me zgjedhjet politike në Maqedoni. Kështu një javë më përpara vumë në dijeni ambasadën tonë në Shkup. Duhej patjetër kolegët të qenë të informuar dhe në rast se nga ndonjë person apo rreth ultranacionalistësh maqedonas vinte ndonjë shpërdorim apo manipulim mediatik, ta parandalonin apo në ndodhte edhe ta neutralizonin.
Rreziku që këtë prani fare të rastësishme e krejtësisht jashtë politikës jo vetëm në vendin fqinj, por edhe në Shqipëri, ndokush ta interpretonte si ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti tjetër apo si manovër të Tiranës për të ndikuar në zgjedhjet politike duke i shtuar votat në favor të partive shqiptare, nuk mund të përjashtohej dot.
Kështu vendosëm që në Dibër të Madhe të qëndronim sa më pak. Pra të ishim transit. Para pritësve dhe njerëzve të medias lokale do të kishte vetëm fjalë për Gjergj Kastriot Skënderbeun, veprën e tij në mbrojtje të Evropës, pasardhësit e familjes së tij që ekzistojnë, duke theksuar prirjen e natyrshme të popujve për liri dhe shmangur butazi termave si lufta çlirimtare apo troje etnike. Rreptësishtë larg formulimeve për bashkime të këtyre tokave shqiptarfolëse. Në ndodhte që një fjalor të tillë do ta përdornin të tjerët, nuk do të reagohej me asnjë lloj qëndrimi: as jemi dakord apo as shprehemi kundër.
Të gjitha këto ia shpjeguam edhe Xhorxhos. Ai në fillim u hutua pak, siç mund të qe e natyrshme për një drejtor dege banke, pra financier, por pastaj premtoi se na kishte kuptuar fare mirë.
Kur hymë në pikën doganore të Qafës së Thanës, në pikëkalimin shqiptar, punonjësit sapo panë në kartën italiane të identitetit emrin Giorgio Maria Castriota Scanderbeg, i përfshiu emocioni dhe kërshëria për ta parë nga afër. Nisën të zgjasnin kokat nga xhamat e kabinës së tyre të punës dhe një më i guximshmi doli prej saj duke iu vërtitur ngulazi përreth makinës tonë. Pastaj ata brenda kabinës dhe kuriozi kokëkrisuri jashtë saj tundën duart për ta përshëndetur. Nga entuziazmi sytë u lëshonin xixa.
Në pikëkalimin maqedonas nga tre doganierë, dy qëlluan të ishin shqiptarë. Edhe ata nuk dinin çfarë të bënin për t’i shprehur gëzimin stërnipit të Heroit Kombëtar.
Rruga e spërdredhur nëpër ije e brinja malesh, gjithnjë duke lënë në të majtë kufirin tonë, deri sa më në fund në fillim lumi Radika dhe pastaj shfaqet qyteti i Dibrës së Madhe dhe liqeni, e bën të heshtur Xhorxho Marinë si edhe të shoqen e tij Stefania Monachello (Stefania Monakelo), bijë e një fotoreporteri të Agjencisë Italiane të Lajmeve, ANSA. Me siguri kanë emocione. Ndoshta i kemi sugjestionuar ndopak tek u patëm shpjeguar se emri i Dibrës ka dymijë e pesëqind vite që dëshmohet në dokumente, duke nisur nga dijetari grek Herodoti dhe më vonë, në shekullin e parë të erës sonë. nga Straboni dhe Plini. Këta kanë cituar posaçërisht si autokton fisin ilir të Doberëve me qytetin e tyre Dober. Në shekullin e dytë të erës sonë në hartat e tij këtë e konfirmon dijetari tjetër grek, Ptolemeu.
Po ashtu Xhorxhos dhe Stefanisë u patëm rrëfyer se nëpër këtë qytet gjatë shekujve të pranisë së Perandorisë Romake kalonte korridori i madh rrugor i saj, Via Egnatia dhe se deri në vitin 1913 qe në atë rajon një qendër shumë e rëndësishme zhvillimi. Numëronte 11.000 banorë dhe 462 shitore.
Dobësimi i rolit të qytetit dhe rënia e zhvillimit të tij pati ngjarë me shkëputjen nga trungu etnik amë dhe shtyrja në një pozicion të pafavorshëm gjeografik, si edhe shpërfilljeje politike, në përbërje të Jugosllavisë shumëkombëshe.
Kur në shpat të malit, i mbushur me dritë njëherësh të rënë nga qielli dhe të ardhur në të majtë prej reflekset të ujërave të liqenit, Dibra e Madhe u shfaq e tëra, Xhorxho Maria u çlirua nga heshtja. Nisi të fliste. Tha se ndjente mahnitje. Në të vërtetë që kur shkeli në tokën shqiptare, në mëngjesin e të shtunës, në 4 qershor, ai filloi të thoshte se gjithçka që po shihte, sidomos natyra, i pëlqente shumë. Xhorxho është banor i Napolit dhe ato vende ku jeton janë tepër tërheqëse për turistë nga e tërë bota, prandaj komplimentet e tij deri ato çaste i kishim marrë me një rezervë të arsyeshme: ai ndodhej nën efektin e dashurisë për tokën e stërgjyshërve të tij.
Vetëm pak minuta më vonë e kuptuam përsenë e asaj dallge emocionesh. Kishim qenë ne shkaktarët. I patëm premtuar se do ta çonim në vendlindjen e familjes Kastrioti, në Dibër, dhe ja pse kishte atë fuqi magjike, tek sa u nder para syve, qyteti i Dibrës së Madhe.
Argëtim Fida, kryetari i bashkisë, i shoqëruar prej një grupi të madh vendasish, mes tyre edhe një kandidate për deputete, me kohë qenë në pritje të ardhësve. Kur u futën në sallën e madhe të takimeve, e gjitha pothuaj një kuti e xhamtë dhe në mes me një tavolinë të madhe të rrumbullakët, Argëtimi, i cili ishte natyrë e gëzuar, tha një çast se duke qenë mjek, ishte plotësisht i sigurt se Xhorxho Maria ishte stërnip i Skënderbeut. “Unë merrem e gjenetikë”, bëri humor ai, “tek kromozomet i kam dokumentet e mia”.
Pjesëmarrësit qeshën shpengueshëm, madje me një shkulm të hovshëm. Xhorxho Maria është tepër shtatlartë dhe trupin e mban shumë të lidhur. Si paraardhësi i tij i shquar edhe hundën e ka me pamjen e njohur: kurrizin e saj si shqiponjë.
“Sikur sot të marr edhe lajmin se nuk kam fituar për deputete”, tha kandidatja, “gjithsesi mbetet dita më e bukur e jetës sime”.
Ndërsa bisedohet ndokush pi kafe, më të shumtëve u afrohet një lëng frute. Etiketën mbi shishe e ka sllavisht.
Atë çast kujtohem se në rrugën e kthimit mund të ble luleshtrydhe. Të prodhuara në Maqedoni, nga shqiptarë dhe sllavë, ato janë shumë të shijshme, bio dhe mjaft të lira në çmim. Është një mënyrë edhe për t’i sjellë diçka “nga jashtë“ bashkëshortes time, zakon që besoj e kemi të gjithë kur udhëtojmë e kthehemi nga vende të huaja.
Pastaj më kalojnë rrëshqitazi në kujtesë pamjet e kapura rastësisht nga syri, ndërsa i afroheshim godinës së bashkisë së Dibrës së Madhe: një skuadër me trupa speciale të policisë maqedonase.
Këtu Skënderbeu dhe gjithçka lidhet me të, përmban një kumt që nuk është tërësisht i njëllojtë si në Shqipëri. Në një farë mënyre në Tiranë, Korçë, Shkodër, Malësinë e Madhe apo Devoll e Labëri, mesazhi i luftës së tij të përhershme kundër pushtuesit të huaj, me një rigjallërim gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka afro një njëqindvjeçar që nuk përbën aktualitet. Ndryshe është nga këto anë. Në Dibrën e Madhe dhe në të gjitha vendbanimet me shumice shqiptare në Maqedoni kjo domethënie kryesore e veprimit të tij historik, lufta për çlirim, vetëm një duzinë vitesh më parë ka nisur, pa u zbehur asnjëherë, të zhvendoset nga simbolika numër një.
Ndërsa në Shqipëri i kanë nxjerrë në pah vlerën e tij si luftëtar i bashkimit me Evropën, pra në një farë mënyre e kanë shndërruar në një diplomat, në Maqedoni Gjergj Kastriot Skënderbeu mund ta kryejë të njëjtin mision: atë të bashkëpunimit mes shqiptarëve dhe sllavëve. Pra sërish atë të diplomatit.
Bashkë me Xhorxho Marinë të gjithë pjesëmarrësit, tashmë një turmë manifestuese, shkojmë tek monumenti i Skënderbeut, i punuar nga skulptorët Muharrem Turkeshi dhe Agim Sela. Vendosen tufa me lule, bëhen foto të shumta, përqafohen fëmijë dhe sërish kryetari i bashkisë shqipton diçka që duket të gjithë shqiptarëve vendas u është për zemër: në një ditë të afërt bashkëkombësit në të dy anët e kufirit do të ndihen pa të në mes. Shpresojmë se e ka fjalën për bashkimin e madh me Brukselin, BE-në. Veç hajde ta marrësh vesh gjuhën e Ezopit që përdor inteligjenti Argëtim Fida.
Vazhdojmë rrugën drejt Peshkopisë, ku për nder të Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg do të ketë dy ditë veprimtari të spikatura. Doganierët shqiptarë, ndërsa kalojnë traun dy makinat tona, sërish ndihen të emocionuar dhe tundin duart.
Kur sërish u kthyem në Dibër të Madhe për të vijuar rrugën drejt Qafës së Thanës dhe më pas Tiranës, trilli im për të blerë luleshtrydhe nuk pati fat. Edhe pse kontrollova pothuaj të gjitha shitoret e qytetit ato qenë mbaruar. Me një trishtim të lehtë, por që me pak vullnet nuk e vlente t’i jepeshe, kur u larguam nga Dibra e Madhe dhe qëndruam në një hotel shumë modern, në bar-in e tij, ku të gjithë qenë bashkëkombës, na informuan se në zgjedhjet politike partitë shqiptare, për shkak të grindjeve nga brenda, kishin humbur dy deputetë.
Vazhdojmë rrugën për në Tiranë. Xhorxho Maria dhe Stefania e tij janë në qiellin e shtatë. “Po ëndërrojmë“, thonë çiltërsisht.
Kurse autori i këtyre radhëve kalonte nëpër mend një merak: kur, kudo qofshim, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi e gjithkund në botë të emigruar, do të bëjmë mes nesh më pak grindje, më tepër marrëveshje. Do të kemi më shumë mirëkuptim.
Jemi popull i çuditshëm. I bëjmë kaq nderim veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe nuk veprojmë përherë si ai. Të paktën në cilësinë e tij të mahnitshme të forcës së bashkimit.

Ylli Polovina








Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com