|
Për t’u bërë me barrë apo me lajm?
(Botuar në gazetën “Shqip” më 4 qershor 2011)
Ne jemi shumë ndryshe të paktën për një pasion të madh të
temperamentit tonë protagonist: duam të prodhojmë patjetër lajme. Në
rast se rreth shqiptarit bie heshtja kjo për të do të thotë se ai
ndihet në mos ekzistencë. Kështu në ndodhtë që për shembull do të
kryejë zgjedhje për qeverisjen lokale ai do të thërresë nga të gjitha
anët e globit përfaqësues të shumtë me mision t’i ruajnë votat që hedh
në kuti. Duhet të jenë patjetër me qindra. Të ftuarit, më saktë të
thirrurit, vijnë të jenë të pranishëm në një numërim të thjeshtë vote,
kaq ti dhe kaq unë. Mirëpo pikërisht njehsimin më fillestar, atë një,
dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, dhjetë ne nuk e
bëjmë dot. Një mendje shumë në të kundërt me rendin e zakonshëm të
gjërave na e thotë se njehsimi më i saktë është një, dy, tre, pesë,
gjashtë, tetë, dhjetë e kështu me radhë.
Dhjetë ditë para se të ndodhte e diela e 8 majit dhe që prej këtij
çasti të niste kokëçarja tjetër e shqiptarëve na telefonoi Masimo
Shaka, fotoreporter italian. Përsëriti motivin e njohur të
bashkëpunimit për një film metrazh shkurtër për rolin e medias
italiane gjatë diktaturës, punë kjo e përbashkët e nisur kohë më parë.
Kur mbërriti në Tiranë dhe pimë kafe, qe në shoqëri të Silvia Nuçinit,
kryeredaktore e “Vanity Fair”, një revistë e përjavshme italiane
dyqind faqëshe me tirazh afro treçerek milioni kopjesh. Prania e saj e
butë si edhe biseda larg gjendjes politike, na përforcoi bindjen se me
gjithë zgjedhjen e kohës së udhëtimit në një klimë zgjedhjesh, ata nuk
prisnin lëndë prej saj, pra lajme skandalesh. Na thanë se mes qindra
të ardhurve për të ndihmuar teknikisht pothuaj nuk kishte asnjë
gazetar të huaj. Lanë të kuptojnë se në Perëndim ndihen të lodhur nga
ky egoizëm i shqiptarëve për të qenë në qendër të vëmendjes dhe se po
ta duan këtë sy që i vështron pa ndërprerë, “fat” të dëgjohen, do ta
kenë vetëm në rastin kur do të qëndisin ndonjë prej marrëzi të
padëgjuar. (Nuk gabonin. “Corriere della Sera”, e përditshmja më e
madhe italiane, me tirazh karte në një milion kopje, e nxori menjëherë
në faqen e parë prodhimin tonë më të fundit, shtatzaninë imagjinare,
rrëmbyesit imagjinarë, kallashin imagjinar, operacionin imagjinar,
fëmijën imagjinar të zhdukur, çka po vijon tani edhe nga interpretimet
më fantaziste të mundura).
Të shtunën e para zgjedhjeve, Silvia Nuçini mori avionin e kthimit,
kurse Masimo Shaka mbeti. Thjesht i duhej të punonte edhe ca kohë për
temën e tij artistike.
Fotoreporteri Shaka ka qenë i pranishëm në Shqipëri që në nëntor 1991
dhe vetëm prej këtij takimi të parë ka pesë mijë foto. Më pas ka
vrapuar drejt brigjeve tona edhe shumë herë të tjera, duke mos munguar
as në 1997, prej të cilit vit foto të tij janë blerë dhe publikuar jo
vetëm në mediat më të mëdha të vendit të vet, por edhe nëpër
kontinent, si edhe kanë marrë një çmim të njohur ndërkombëtar në
Budapest. Masimo Shaka ka qenë që në orët e para në të gjitha luftërat
e pas prishjes së Jugosllavisë. Nuk ka munguar kurrë as në Afganistan,
as në Irak, as në Libi, në poteret e përgjakshme të disa vendeve të
Afrikës. Me një fjalë ai është një fotoreporter lufte. Për pak është
vrarë në Sarajevë, por i ka ndodhur edhe në Durrës. Ndërkohë
Shqipërinë e do dhe që nga viti 2004 ka ndërmarrë fotografimin e
gjërave pozitive, ndryshimin dhe rritjen. Ç’është e vërteta për këtë
temë të re ai nuk ka shumë kërkesa nga tregu mediatik italian dhe i
huaj, por kjo ngjan me çdo të mirë. Ajo ka “vesin” të mos përbëjë
lajm.
Të shtunën e 14 majit ndërsa e kishim për drekë në shtëpi dhe duke
qenë se prej aty “Vasil Shanto”, qendra zgjedhore e cila në betejën e
fundit elektorale mori emrin “Beteja e Stalingradit”, është vetëm
katër-pesë minuta larg kur u dëgjuan brohoritjet e ankthshme herë të
njërës dhe herë të tjetrës palë partiake, Masimo papritur kërkoi leje
të ikte drejt vendngjarjes. Ishte formuar lajmi. Objektivin e aparatit
të tij të madh e të ngjashëm me një armë të rëndë e bëri gati duke
zbritur ngutshëm shkallët.
Më 19 deri 21 maj gjendeshim në një kuvend studimor përtej detit dhe
herë pas here në diskutimet e profesorëve italianë, pothuaj të gjithë
sociologë, hidhej ndonjë fjalë për çfarë po ndodhte në Shqipëri.
Mënyra se si e bënin adresimin linte të kuptoje se në vendin tonë po
niste trazira e radhës, ajo me kallash në duar dhe me detin e mbushur
me refugjatë të ngjeshur mbi vaporë apo të ngushtuar nëpër skafe. U
desh dy herë të ndërhynim për të saktësuar se prej Shqipërisë nuk do
të vinte ndonjë zhvillim anarkik, rebelim apo kundërveprim me të
shtëna armësh, por për fat të keq ndër ta 21 janari qe ende i freskët.
Mos vallë edhe Ismail Kadare nga Parisi e shkroi letrën e tij të shumë
diskutuar në Tiranë pikërisht nën një gjendje të tillë shpirtërore,
pra nën një trysni shqetësimi të perëndimorëve dhe opinionit të tyre
publik për t’u thënë shqiptarëve “Mjaft më me këto sherret tuaja
banale! Na e keni plasur buzën!” Dhe shkrimtari i njohur, si gjithnjë
me ndjenjë kombëtare shumë të spikatur, gjeti si rrugëzgjidhje dhe
shpëtim thirrjen “Ju lutem bëni diçka, bëni gjithçka, çdo kompromis të
mundshëm, vetëm e vetëm t’u shpëtojmë mediave të huaja dhe
nëpërgojimit të tyre se jemi marrëzia e kësaj kohe!”
Ajo që ndodhi së fundi me simulimin jo thjesht të një shtatzënie, por
edhe të një lajmi të rëndë politik, duhet të na bëjë të vetfrenohemi
në këtë ves protagonizmi. Më së pari këtë duhet ta bëjë politika,
sepse me trysninë e tejmë që ushtron mbi shoqërinë jo vetëm ka
shproporcionuar, por edhe deformuar vëmendjen e opinionit publik, po
ashtu edhe çfarë kujtesa kombëtare regjistron dhe ruan. Në këtë
atmosferë të politizuar rëndë nuk “lexohet” dot qartë më asgjë, nuk
kuptohet asnjë dramë dhe hall njerëzor, nuk perceptohet kthjellët
asnjë nevojë dite. Po i japim qytetarinë të keqes për t’u ngrefosur e
bërë lajm, ndërsa duhet të bëjmë gjithçka që edhe e mira, e cila
gjallon mes shqiptarëve, të fitojë të drejtën të jetë të paktën gjysmë
lajm, të ngjitet edhe ajo deri në ekranin e televizionit apo në
kolonat e shkrimeve të të përditshmeve.
Ditët e fundit nga Bosnjë-Hercegovina erdhën për ta njohur nga afër
Shqipërinë një dërgatë e tërë me gazetarë, operatorë turistikë dhe
qeverisës. Qenë pesëdhjetë vetë. Asnjë lajm nuk prodhuan këtu,
absolutisht, kurse në vendin e tyre pas kthimit për tre ditë rresht
media vendase shkroi dhe opinioni ende diskuton. “E kemi paragjykuar
Shqipërinë” thonë, ajo është shumë mikpritëse, ka ushqim mjaft të
shijshëm, bregdet joshës dhe qytetet e objekte historike antike tepër
mbresëlënëse.
Në kërkim të një arsyeje më shumë për t’iu larguar sa më shpejt
dëshirës për t’u bërë “me barrë“, pra me lajm, pa pyetur fare se është
tepër i keq dhe vetrënues, për t’iu larguar gjesteve apo projekteve të
çmendura, kur koha na afron fat krejt tjetër, të mbarë, na vjen ndër
mend çfarë kishte shkruar kundër letrës së Ismail Kadaresë një
bashkëkombës jo pa emër. E akuzonte se sipas tij shkrimtari
gjirokastrit qe kundër gegëve, se ai i urrente ata, por kjo,
deklaronte, do të merrte fund njëherë e përgjithmonë sapo të bëhej
Shqipëria Etnike dhe toskët të shndërroheshin në pakicë.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|