Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI


Foto:
Studiuesi boton librin “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”


Intervistë e Ylli Polovinës me gazetaren Fatmira Nikolli, botuar në “Gazeta Shqiptare”, më 23 maj 2011.

- “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia” është romani juaj më i ri.

Ylli Polovina: Po, është libri im i fundit. Mund të quhet edhe roman historik. Kur marrë tema nga historia në pasionin dhe karakteristikën time është që ngjarjet e vërteta t’i rrëfej në mënyrë romaneske, pra nëpërmjet mjeteve shprehëse artistike.

-Përse ky titull?

Ylli Polovina: Mesazhi i tij i parë mund të “lexohet” që në kopertinë, në paraqitjen figurative. Atje janë spikatur disa elementë: pamja e Nju Jorkut në një ditë mëngjesi plot ndriçim, foto e Mehmet Shehut e botuar në tetor 1960 nga revista e përjavshme amerikane shumë e lexuar “Life” dhe titulli i librit me fjalë ku ngjyrimet e tyre nuk janë të njëjta. Fjala Amerikë është me të bardhë, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia janë me një të kuqe të fortë. Emri im në blu, zgjedhje kjo thjesht për të realizuar dhe harmonizuar të tre ngjyrat e flamurit amerikan (bardhë, blu, e kuqe). Sigurisht e kuqja tek Shehu dhe Alia paraqet figurativisht edhe përkatësinë e tyre ideopolitike. Ndërkohë vetëm në kopertinë i kam lejuar vetes ta shpreh qëndrimin tim në favor të një opinioni që nuk e kam vetëm unë, por milionat e shqiptarëve: mirëdashjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe refuzimin ndaj çdo përpjekjeje, të bërë në çdo kohë, për t’i dyshuar apo djallëzuar këto marrëdhënie. Në brendësi të librit kam bërë të kundërtën e asaj që shpall në kapakun e kartontë të tij: nuk kam mbajtur asnjë qëndrim ndaj ngjarjeve dhe personave që vë në lëvizje nëpër shtjellën e subjektit.

-Si ta kuptojmë këtë mosqëndrim? Si neutralitet?

Ylli Polovina: Po bashkoj dy konceptet që sapo shprehët. Mbaj një qëndrim neutral. Në raste të tilla nuk mund të mburresh shumë, sepse subjektivizimi është një forcë e stërfuqishme tunduese, veç ju pohoj se në dyluftim me këtë cen njerëzor kam bërë gjithçka të mundur të mos i bie viktimë. Kjo është edhe arsyeja, pra një lloj betimi që kam bërë me veten për të mos e tradhëtuar qëndrimin neutral, kur ende pa nisur rreshtat e para të rrëfimit, kam shkruar këtë hyrje: “Duke sjellë një sasi të madhe dokumentesh arkivore të papublikuara ndonjëherë, në mënyrë të veçantë për udhëtimin e Mehmet Shehut në vjeshtë të vitit 1960, me transoqeanikun britanik “Queen Elisabeth”, për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastaj 21 ditët e qëndrimit të tij në Nju Jork, i mbetet lexuesit të gjykojë në se ajo që ndodhi më pas me kryeministrin shqiptar ishte pasojë e një lufte të brendshme pushteti apo pjesë e një beteje të gjatë agjenturash të huaja”.

-Atëherë cilat janë vijat kryesore të subjektit të librit?

Ylli Polovina: Në shtator 1986 në Buones Aires punonjësi i arkivit të ambasadës së ShBA-ve, vendasi me emrin Mendes, vë në dijeni kryetarin e shoqatës Shqipëri-Argjentinë, sipërmarrësin Hernando Farrani dhe ky menjëherë ambasadorin shqiptar të kohës, Piro Andoni, se në raftet e saj ka gjetur një dokument sekret të CIA-s. Sipas tij një politikan i rëndësishëm shqiptar në shtator të vitit 1960 kishte kryer një takim të fshehtë me ta, shërbimin inteligjent amerikan për zbulimin me jashtë vendit. Hartuesit e shkresës top-sekret e cilësojnë fare qartë njeriun e lartë të Tiranës si agjent të tyre, madje edhe pse pa e thënë emrin, i bëjnë një përshkrim të tillë që nuk lë shteg për të dyshuar se për cilin e kanë fjalën. Është Mehmet Shehu. Marrëveshja e CIA-s me bashkëpunëtorin e tyre, siç përshkruhet në dokument, tipike agjenturore, paraqet qëndrimin e të dy palëve. Shehu duhet të likuidojë fizikisht Enver Hoxhën, mundësisht me helm në ushqimet që do t’i shtrojë kur ta ftojë për drekë në shtëpinë e tij. Pastaj brenda një viti ka rënë dakord të vendosë njerëzit e tij në pikat kyçe të partisë dhe shtetit dhe të nisë vënien në jetë të një vije të re politike. Sipas premtimit të tij ajo do të jetë socialiste, por e hapët ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe organizmave të ndryshme ndërkombëtare, e fqinjëruar miqësisht me grekët, italianët dhe serbët e kështu me radhë. Në rast dështimi të tentativës për vrasje të Hoxhës dhe këmbim të kursit politik, pra në ndodhte që rrezikohej të zbulohej, Mehmet Shehu bashkë me familjen e tij do të nxirrej jashtë kufirit dhe do të sistemohej në një vend sekret të botës. Për të jetuar do t’i jepeshin tre milion dollarë. Si rrodhën rrethanat që me porosi të vetë Ramiz Alisë, atëherë në prag të mbajtjes së Kongresit të Nëntë të PPSh-së, të quajturit të Vazhdimësisë së doktrinës enveriane, një fotokopje e këtij dokumenti u rrëmbye nga arkivi i Ambasadës Amerikane në Buones Aires, iu dërgua Tiranës dhe si u përdor ai pastaj prej Ramiz Alisë, mund të lexohet në libër. Rikujtojmë se këtë histori dokumenti të CIA-s e ka bërë të ditur për herë të parë vetë dikur ambasadori ynë në Argjentinë. Kështu në parim ky mister u çsekretua pesë-gjashtë vite më parë, por në rast se për shumë qe thjesht një kërshëri, për mua jo. Ishte fillimi i një hetimi jo për të gjetur patjetër një viktimë e një fajtor, apo për të bërë një akuzë. I hyra kësaj pune për ta plotësuar sadopak historinë e Shqipërisë me një nga ngjarjet e saj të munguara. Për fatin tim si krijues ajo e kishte të gjithë magjepsjen marramendëse të një trilleri. Arsyeja tjetër ngasëse për të zbritur në këtë shpellë të fshehtash ishte prania e qartë në të e një intrige të stërmadhe politike të kohës. Intrigat janë ngjarje tek të cilat pleksen dhe sintetizohen më mirë se kudo kodet më kryesore të një periudhe, kohe apo epoke.

-Ka qenë fillimisht Enver Hoxha që e ka cilësuar Mehmet Shehun një poliagjent, spiun të sovjetikëve, amerikanëve, të anglezëve, të jugosllavëve e kështu me radhë. Përse në titullin e librit nuk vini përballë kryeministrit atë të Hoxhës.

Ylli Polovina: Po e shpjegoj. Sigurisht Enver Hoxha është arkitekti i asaj që njihet në jetën politike të regjimit të tij si “Tabloja sinoptike....”, ku Shehu akuzohet si shumëagjent. Porse në atë analizë të tij të bërë publike në vitin 1982, ku sigurisht kanë ndërhyrë për të realizuar qëllimet e tyre si pasues të diktatorit pas vdekjes së tij edhe ushtrues të tjerë të politikës së kohës, për shtator-tetorin 1960, kur në krye të një delegacioni zyrtar të Shqipërisë Mehmet Shehu mori pjesë në Sesionin e 15-të të OKB-së, akuza është vetëm për takime të tij agjenturore në mjediset e transoqeanikut “Queen Elizabeth”. Ndërkohë dokumenti i rrëmbyer nga mjediset brendshme të ambasadës amerikane në Buones Aires, ndërsa nuk e përmend fare anijen e madhe britanike dhe ndonjë takim të fshehtë të Shehut aty, thotë se kjo ka ndodhur jo gjatë lundrimit në oqean, por kur ky zbriti në tokë, në Nju Jork. Ky mister mospërputhjeje më mjaftoi të kërkoj dokumente të hapura, por të paditura ose të pabëra publike, jo vetëm në arkivat shqiptare, por edhe në ato të huaja. Ky në thelb është edhe libri: së pari rrëfimi i hollësishëm çfarë ka bërë Mehmet Shehu gjatë udhëtimit të tij prej pesë ditësh e gjysmë që nga porti detar francez i Sherburgut deri sa zbarkoi në molin e Nju Jorkut. Në transoqeanikun “Queen Elizabeth” qenë me të vërtetë edhe Josip Broz Tito si edhe i biri i Cërçillit, Randolfi. Në vijim të zbardhjes së të vërtetës, akuzës së Enver Hoxhës, të cilën e mbështeti gjer në prishjen e diktaturës edhe Ramiz Alia, për takimin spiunor në mjedise të anijes britanike, kërkova dhe grumbullova një sasi imponuese dokumentesh për Mehmet Shehun dhe 21 ditët e qëndrimit të tij në Nju Jork. Madje jo vetëm për të, sepse ngjarja është tepër e ndërlikuar dhe momentet që kalon historia shumë intense dhe të acarta. Për t’i shërbyer edhe dëshmimit të vitit 1960, ku Tirana zyrtare ishte në një betejë kundërshtuese me Nikita Hrushovin dhe vetë kampi socialist, siç quhej atëherë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore, i sjell lexuesit pamje krejt të reja deri për Titon (u shtrëngova të lexoj disa nga librat e tij), pa lënë mënjanë madje as Fidel Kastron apo krerët e tjerë bolshevikë që morën pjesë në atë shtator-tetor 1960 në punimet e Kombeve të Bashkuara. Kështu i kam verifikuar dhe rrëfyer të njëzetë e një ditët e qëndrimit të kryeministrit shqiptar në Nju Jork në një mënyrë maksimalisht të faktuara, sa që shpresoj se lexuesi në mënyrë të pavarur mund të dalë në një opinion të vet në se ajo që ndodhi në pasmesnatën e 18 dhjetorit 1981 ishte aksident pas një krize nervore, vrasje e drejtpërdrejtë, pasojë e një beteje të brendshme për pushtet apo përleshje mes agjenturash të Lindjes dhe të Perëndimit për të mundur të vendosnin në krye të Shqipërisë, pas vdekjes së Enver Hoxhës, njeriun e ndikuar prej tyre apo të afërt me ta. Në hetimin tim për t’iu afruar të vërtetës kam shkuar edhe më tej: vëzhgimin e pesë ditëve të kthimit me anijen “Liberte”, të Mehmet Shehut, deri në brigjet franceze, udhëtimin e tij me tren drejt Parisit, më pas Romës, pastaj qytetit të Barit, prej ky avioni qeveritar i ardhur nga Tirana e ngriti në ajër dhe e uli, në 22 tetor, në aeroportin e Rinasit.

-Pra ju nuk mund të na tregoni diçka të pazakontë nga ditët e udhëtimit të Mehmet Shehut në “Queen Elizabeth” dhe as në Nju Jork?

Ylli Polovina-Në nderim të lexuesit dhe tuajës do ta kisha këtë dëshirë, por është e pamundur. Kjo histori është aq komplekse sa duhet treguar çdo faqe e librit. Ju siguroj se vetëm kështu mund të dalësh në një opinion për atë që realisht ka ndodhur. Jo një faqe të mungojë, por edhe një paragraf, e mjegullon apo edhe e pështjellon sqarimin e gjërave. Libri në formën e tanishme ka 240 faqe, ndërsa kur e përfundova në dorën e parë, madje edhe në të dytën, kishte pothuaj dyfishin e përmasave. Kam kondensuar gjithçka, maksimalisht. Të mos harrojmë se ajo që lidhet me arsyet e jetëhumbjes së Mehmet Shehut dhe shkatërrimit të të gjithë familjes së tij (u vetvra njëri nga tre djemtë, Vladimiri dhe vdiq në rrethana të paqarta Fiqireti, bashkëshortja) hyn, gjithnjë sipas meje, në intrigën më të madhe që ka thurur ndonjëherë politika shqiptare pasi u pavarësuam si shtet në 28 nëntor 1912. Në një farë mënyre kjo ku kam depërtuar është “mbretëresha” e intrigave të trojeve tona. Dëshiroj shumë që bashkëkombësit ta njohin për të kuptuar ligësinë e saj dhe kështu qenë më të imunizuar nga dhjetëra e qindra kurthe të tjera që politika ngre në luftën për pushtet. E kam bërë fije për pe “Tablonë sinoptike” jo për hatër të personave të veçantë, në këtë rast të Mehmet Shehut apo të Ramiz Alisë, por për të bërë të ditur mekanizmin dinak të intrigave dhe trysninë e madhe deformuese që ato bëjnë mbi të vërtetën historike.
-Viti 1960, ku libri juaj ngërthen ngjarjen, është tepër i largët. Keni gjetur ndonjë dëshmitar të gjallë.
Ylli Polovina: Prej njerëzve të pranishëm në delegacionin që shkoi në Nju Jork ka mbetur vetëm njëri: Agim Popa. Atë kohë ishte i ngarkuar me detyrën e përkthyesit. Gjithë të tjerët nuk jetojnë më. Disa, ata që në “Tablonë sinoptike...” nuk u akuzuan si bashkëpunëtorë të Mehmet Shehutu, janë ndarë nga jeta për shkaqe natyrore. Të gjithë ata për të cilët u tha se qenë bashkëpunues agjenturorë me kryeministrin, janë pushkatuar. Asnjë nuk mbeti gjallë.

-Cili ka qenë sipas jush raporti mes Ramiz Alisë dhe Mehmet Shehut? Çfarë nuk shkonte?

Ylli Polovina: Karakteret e tyre, po ashtu edhe temperamentet qenë shumë të kundërt. Alia nuk është tip konfliktual, Shehu shumë i tillë. I pari nuk priret nga dhuna, të paktën atë masive e ka mospëlqyer. Kryeministri shqiptar ishte i anasjelltë. Ndërkohë inteligjenca e Mehmet Shehut ka qenë shumë më e epërme. Po ashtu adhurimi për teknologjinë perëndimore. Ideologjikisht të dy mbeten të njëjtë, komunistë të profilit stalinist. Por në atë që ndodhi, pra në të gjithë funksionimin dhe egërsinë e intrigës me titullin “Tabloja sinoptike” në çështjen përse Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia nuk kanë shkuar ka një shtysë të parë dhe një arsye shumë kryesore. Luftohej për vendin e pasuesit të Enver Hoxhës. Në këtë përleshje Alia nuk ka qenë aq fort i butë dhe Shehu aspak aq i dhunshëm sa dukej.

-Pas botimit të librit a keni pasur ndonjë reagim nga familja e Mehmet Shehut, Enver Hoxhës apo nga vetë Ramiz Alia?

Ylli Polovina: Jo. Do të mirëkuptoja çdo sjellje e qëndrim të tyre. Ndërkohë duhet të them se vetëm pak libra janë shpërndarë në rrjet. Sistemi ynë librar është aq mosfunksionues sa fati i çdo libri është aq fort makbethian sa mund të rrëfehet me një tjetër. Autorët i gëzohen ndonjë shpërndarësi që ka mirësinë t’i ndihmojë e të mos e vjedhë dhe një grupi librarësh me sqimë që dinë ta lexojnë këtë mall që e nxjerrin në treg për të ushqyer modestisht familjet e tyre.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com