|
Libra që bashkojnë hapësirat shqiptare
(Botuar në 8 maj “Gazeta Shqiptare”, shtojca kulturore “Milosao”)
Në Tiranë dhe pastaj në qytetet e tjera të Shqipërisë hyjnë pak libra nga Kosova apo trojet e tjera amtare në Maqedoni dhe Malin e Zi. Duket sikur ka kundërshti me zhvillimin real dhe rënie ndesh me logjikën, sepse tashmë prej vitesh në të dy anët e kufirit organizohen panaire me pjesëmarrje shtëpish të shumta botuese.
Mirëpo pikëllueshëm është pikërisht kështu.
Dhimbja etnike shqiptare prej përgjysmimit të vitit 1913 është e thellë dhe lyp kohë të mbushet pak nga pak me mish të ri dhe enë gjaku. Ajo nuk shërohet patjetër vetëm sepse me mijëra bashkëkombës nga Kosova blejnë apartamente në Tiranë apo shtëpi në brigjet e detit Jon dhe Adriatik, se tashmë hyjmë e dalim tek njëri-tjetri për turizëm. Është kultura ajo që ka forcë të madhe për zbutjen e dallimeve tona ndarëse.
Hapësira e Përbashkët Shqiptare, ajo që një bashkëkombës e ka vendosur nëpër inicialet HPSh, në këtë shekull të ri dhe mijëvjeçar, nuk mund të mbijetojë si pjesë e natyrshme dhe e domosdoshme e Bashkimit Evropian pa qenë në të njëjtën kohë edhe Hapësira jonë e Përbashkët Kulturore.
Mes mjeteve speciale të ngjizjes së këtyre dy hapësirave është libri.
Duke qenë se në Prishtinë apo në Shkup dhe Ulqin nuk ka bollëk të librit të shkruar e botuar në Tiranë dhe ca më shumë ndodh e anasjella, për të shkëmbyer një mendim për këtë temë, por edhe për të shkuar përtej saj, zgjodhëm dy botime. I pari ka për autor Profesor Ismail Berishën, bashkëkombës nga Gjakova. I dyti Xhevat Mustafën nga Tirana. Botimi i Ismailit e ka titullin “Hendbolli gjakovar”, ai i Mustafës “Mëkatet e vetmisë”.
Libra të pangjashëm dhe megjithatë shumë të afërt: të dy rrëfejnë jetën në Kosovë për gjëra që në Shqipëri nuk i dinë dhe as i përjetojnë. Tamam si të bëhet fjalë për një popull tjetër.
ooo
Prerja e trojeve të shqiptarëve për gati një njëqind vjeçar bërë të ndërpriten dhe humbin gjymtyrë të rëndësishëm historikë të kombit, po ashtu edhe gjeografikë. Gjakova ka qenë qytet kapërcyell në “Via della Zenta”, rrugën Zenta, korridorin që për shekuj të tërë ka bashkuar Shkodrën me Kosovën dhe që i nisur nga porti i Shëngjinit, shkonte drejt Kostandinopojës (Stambollit të mëpasshëm), Sofjes, po ashtu dhe Selanikut. Kjo arterie e madhe komunikuese e shqiptarëve kërkon kohën e vet të ringjallet, edhe pse është një punë që sidoqoftë ka nisur.
Tek lexon librin e Ismail Berishës, themelues e trajner i parë i ekipit të hendbollistëve nga Gjakova, e kupton se duke mos qenë trase rruge apo një tunel i hapur në një brinjë shkëmbore mali, ai është po aq i rëndësishëm sa ata. Në ato fletë të mbushura harmonishëm me tekst dhe foto ndjen dhe kupton se si na kanë ndarë jo vetëm padrejtësitë shoviniste, por edhe dritëshkurtësia ideologjike e politikanëve tanë në pushtet. Në ish-Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë zbatohej ashpërsisht fryma askete dhe dogmatike e stalinizmit. Për shembull në të nuk lejohej hendbolli. Kur u ndalua sporti i boksit u tha se kjo u bë sepse qe i dhunshëm dhe u shkaktonte ushtruesve të tij trauma të rënda fizike. Ndërkaq hendbolli nuk u lejua as të mendohej, jo më të funksiononte ndonjë ditë. Fajin e kishte më të madhin e mundshëm: qe sport borgjez.
Mirëpo në Kosovë, në trojet me shqiptarë autentikë, ai u ushtrua lirisht që në fillim të viteve pesëdhjetë të shekullit të shkuar dhe shërbeu jo vetëm si veprimtari shëndetsjellëse, por mes njëri-tjetrit edhe bashkuese etnikisht. Profesor Ismail Berisha në librin e tij të shkruar me mjaft fjalë të zgjedhur e njëkohshëm të ngrohtë, të qartë e të ngjeshur me dije dhe informacion, shpjegon se sporti i hendbollit, ekipet e tij meshkuj dhe femra, duke garuar me të gjitha ekipet e kombeve të tjera përbërëse të Federatës Jugosllave, i shërbyen shumë përhapjes së imazhit të një shqiptari vital, guximtar dhe garues, shumë herë edhe fitimtar. Po ashtu edhe të një shqiptari modern, që ecën lehtësisht me hapin e kohës.
Vetë Ismail Berisha, tashmë një burrë 77 vjeçar, universitetin e kulturës fizike e pati kryer në Novi Sad dhe një specializim përfunduar në Beograd. Hapin e parë profesional e nisi në verë të sezonit sportiv 1954-1955, kur në poligonin sportiv të gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë, bashkë me një shok të tij, që të dy ende studentë në Novi Sad, organizuan ndeshjen e parë të hendbollit në qytet. Ndërkohë qenë ndër të parët edhe në të gjithë Kosovën. Ishte koha kur ky sport mjaft tërheqës dhe shumë i pëlqyer në Perëndim, nisi të përhapej rrufeshëm në të gjitha shkollat e mesme, uzinat, fabrikat, repartet ushtarake, aksionet vullnetare të rinisë. Kudo kishte ekipe për meshkuj dhe femra. Kampionati i parë i Kosovës, në garimin mes 12 ekipeve, mori jetë në 1963-64. Nuk po e ndezim kërshërinë nëpër kampionatet e tjera dhe kupat e fituara. Një çast po ndalemi në datat 29 dhe 30 dhjetor 1992, kur ekipi gjakovar i hendbollit mbërriti në Tiranë dhe luajti një ndeshje me “Studentin”. Në librin e Profesor Ismail Berishës ku kapitull ka titullin “Një dëshirë e kahmotshme, u realizua”, si edhe nëpër rrëfimin e tij prekës të rreshtuara fjali e togfjalësha si “...kështu ekipi u nis për Tiranë me lejen e federatës sportive, por pa lejen e organeve policore serbe”; “Në udhëtim ishin kryetari i klubit Ahmet Hoda, kryetrajner Ismail Berisha, vozitës Riza Krasniqi, ndihmës i vozitësit Gëzim Rudi”; “Ekipi përbëhej prej këtyre lojtarëve: N.Dobroshi, B.Ramaja, Y.Rudi, A. Rexha, A.Kryeziu, L. Nagavci, Sh. Nagavci, A. Bajraktari, M. Kastrati, B. Idrizi (i ndjerë), D. Dylhasi dhe S. Hoda”.
Takimi tjetër i përmallshëm, tashmë në formën e kampionatit të parë gjithëkombëtar shqiptar, u mbajt në Tiranë prej majit deri në 3 qershor 1993. Garuan katër ekipe nga Shqipëria (“Labinoti”, “Studenti”, “Tirana”, “Vllaznia”) dhe nga Kosova “Vllaznimi” dhe “Kastrioti”.
Profesor Ismail Berisha shkruan se kampionati i parë hendbollistik i pasluftës në Kosovë mori jetë në kapërcyellin e viteve 1999-2000, në pallatin e sporteve “Shani Nushi”. Ai tregon se shumë gara qenë bërë në 28 nëntor 1999, Ditën e Flamurit, nën thirrjet e pa pushuara të pjesëmarrësve “Kuq e zinjtë e Gjakovës”.
Pastaj ai dëshmon se nga ekipi i hendbollit Bashkim Idrizi, i ditëlindjes 1967, pati dhënë jetën në rreshtat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu se pjesëtari tjetër Milot Roka, u plagos në luftën për çlirim. Me plagë në trup po ashtu mbeti edhe Uran Luzha. Se lojtari Agron Kryeziu, i ditëlindjes 1972, qe komandant i brigadës 137 me emrin “Gjakova”.
ooo
Xhevat Mustafa librin e tij “Mëkatet e vetmisë“ e ka menduar dhe shkruar nëpër disa vite, duke nisur nga mbrëmja e Vitit të Ri 1998. Qe në Zyrih, i emigruar që nga shtatori 1997, me punë pranë gazetës “Bota Sot”. Atë mbrëmje ndodhej në shtëpinë e një atdhetari, i ftuar prej tij ta kalonin festën së bashku. Me ta gjendej edhe një bashkëkombës tjetër. Dukej njeri i përkorë dhe me rregulla morale. Një çast në ekranin e televizionit, ndërsa me satelit po ndiqnin stacionin shtetëror të Tiranës, mes shumë refugjatëve të porsaardhur në qytetin kufitar të Kukësit, ky dalloi gruan e tij, pastaj dy fëmijët, të atin plak dhe nënën shumë të munduar nga udhëtimi nëpër borë.
“Ik që nesër t’i ndihmosh!”, e nxiti menjëherë i zoti i shtëpisë, “Lum ti që më në fund i gjete!” Mirëpo tjetri nisi të justifikohej me arsyetimin se nuk mund ta bënte dot këtë gjë dhe se në fund të fundit ndihmën kryesore ua pat dhënë: pare në franga zvicerane u kishte dërguar. Pastaj mërmëriti se një udhëtim në Shqipëri do ta rrezikonte të binte në duart e pamëshirshme të bandave të rrugës...
Megjithatë i zoti i shtëpisë nguli këmbë të mos vononte dhe në rast se nuk i ndodheshin pare, do t’i jepte ai, veç të ikte të takonte të vetët. Por tjetri sërish nuk ndërroi mendim.
Doemos që pas këtij episodi mjaft të rëndë, realisht një ngjarje ndër qindra të ngjashme, Xhevat Mustafa preku dhimbshëm një problem shumë të njohur të emigrantëve kosovarë: ata që kanë nga dy gra. Në “Mëkatet e vetmisë“ ai tregon se sa i ndërlikuar gjithsesi është ky fenomen i vënë re në trojet e Kosovës dhe i panjohur fare në Shqipëri. Mjafton të tregosh thelbin e vetë subjektit të këtij romani për ta kuptuar.
Në “Mëkatet e vetmisë“ Mustafa rrëfen fatin tronditës të një gruaje kosovare, e cila ende e re dhe e bukur, burrin e saj e ka të emigruar prej shumë vitesh në Zvicër. Ai kthehet tek ajo vetëm gjatë verës, në disa ditë të pakta përmalljeje, prej të cilave u kishin lindur edhe dy fëmijë. Ndërkohë Skënderi, ky bashkëkombës kurbetlli, punon në restorantin “Weisshof” “pesë minuta në këmbë larg stacionit qendror hekurudhor të Zyrihut”. Atje nuk gjendet vetëm kamarierja siçiliane Bruna, por edhe pronarja vendase Kristina. Kjo e fundit e tundon shqiptarin për ta futur në shtrat. Ky, i ndarë fizikisht prej gruas së tij të ligjshme, nuk reziston dot dhe i shndërrohet në të dashur.
Ndërkohë që Skënderi lëshohet në krahët e zviceranes, në Kosovë e shoqja, Besa, u bën qëndresë të gjitha tundimeve, edhe pse ato janë të mëdha e shpesh me shumë zor të kapërcyeshme. Natyrshëm i afrohet një dashurie të pastër me një student, madje është ai ngasësi, jo ajo, por më në fund, në emër të fëmijëve dhe moralit të familjes, i shmanget. Sigurisht Besa kujton se edhe i shoqi sillet në të njëjtën mënyrë. Do ta marrë vesh tradhtinë e tij bashkëshortore tepër vonë dhe pikërisht këtë çast drama e saj bëhet më e rëndë, rrëfimi i autorit edhe më shprehës, jo vetëm më tërheqës në stil, por edhe që të vë në lëvizje dëshirën e të menduarit dhe të mbajturit qëndrim.
Besës, kësaj gruaje me shumë dinjitet, i avitet një ditë edhe Drita, një shoqe, e cila e fton të marrë pjesë, futur në një shtëpi, ku mblidhen pa rënë në sy të opinionit gra me burrat jashtë vendit, në parjen të një video porno. Prej atyre seancave, në pamje të parë pa asnjë pasojë, vinte gracka. Organizatorja kombinonte prostitucion. Ajo u ofronte femrave të rekrutuara me ca videokaseta adresa meshkujsh.
Besa e kapërcen edhe këtë rrezik, përherë duke mbajtur shtrënguar fort në pëllëmbët e saj duart e dy fëmijëve. Mirëpo rreziku i erdhi prej një kahu, të cilit nuk mundi t’i bëjë dot qëndresë. Këtë herë ajo u dhunua. Ishte mjeku serb Mirosllav, i cili i bëri një gjilpërë për t’ia mpirë rezistencën dhe pasi mbi të shfreu epshin, kreu të njëjtën gjë pas tij edhe një oficer i UDB-së. Pastaj e lanë në një skaj rruge, ende me rrobat e shqyera nga akti i dhunshëm.
“Mëkatet e vetmisë“ do ta vijojë më pas subjektin e vet me pendimin e Skënderit, pastaj me ardhjen e tij në Kosovë për të marrë me vete në Zvicër gruan e fëmijët, por ndërkohë Besa ka rënë shtatzënë. Një çast, nën një shi të rëndë, tek e priste të shoqin në aeroport, rrëshqiti dhe i nisi hemorragjia. Që kishte tashmë një fëmijë ia bën të ditur të shoqit, edhe pse tashmë ajo krijesë, si pasojë e traumës së porsa ndodhur, fizikisht nuk do të jetonte më.
Por megjithatë mbeti problemi. Këtë çast, si mes një rrebeshi të vrullshëm bie një vetëtimë, pastaj dëgjohet gjëmimi, mbyllet romani.
ooo
Në Kosovë bashkëkombës që mbajnë gruan e tyre tradicionale në vendin e vet e ndërkohë bëjnë jetë me një bashkëshorte të dytë të huaj në vendin e emigrimit, nuk përfaqësojnë shumicën, por janë aq mjaftueshëm sa të krijojnë një problem shoqëror shumë specifik. Në këtë këndvështrim tematik, duke e shkruar me talent dhe depërtim të thellë psikologjik, Xhevat Mustafa me “Mëkatet e vetmisë“ sjell një risi të re në letërsinë kombëtare. Duke qenë i këtej kufijve ai është autori i parë i Shqipërisë që shkruan për një temë shumë të veçantë të bashkëkombësve të Kosovës. Kështu ai është jo vetëm punëtori i afrimit të dy shoqërive tona ende të ndara, por edhe pionieri i një misioni të ri të shqiptarëve. Edhe pse ka lindur, është rritur e burrëruar në njërën gjysmë të kombit ai shkruan për jetën e vëllezërve të gjysmës tjetër të etnisë, duke dëshmuar se brenda vetes është një intelektual i realizuar plotësisht si qytetar i Hapësirës së Përbashkët Shqiptare, i kësaj republike virtuale, e cila është aq e natyrshme për t’u ndjerë si shtet i bashkuar e po ashtu e të respektojë dy kryeqytetet, dy qeveritë, dy parlamentet, vetë standardet e kontinentit të bashkuar në BE.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|