Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Shqipëri hesapi!”


(Botuar në gazetën “Shqip”, më 1 maj 2011)

Tani që Ilir Ikonomi, pas pothuaj një jave takimesh dhe intervistash për botimin e tij befasues “Faik Konica, jeta në Uashington”, u kthye në ShBA, ajo që la këtu, në Shqipëri, patjetër ka shënjuar. Nuk është fjala për jehonën mediatike të imazhit personal, si gazetar i “Zërit të Amerikës”, prej mjaft vitesh mes shqiptarëve shumë i njohur. As i lajmit për librin si edhe i guximit krijues për të vënë në qendër të rrëfimit dhe analizës një nga protagonistët më të fortë, më të vështirë dhe më të ndërlikuar të historisë sonë kombëtare. Ikonomi, pra bashkëkombësi me emrin domethënës Ilir, me siguri që kur e ka nisur atë sipërmarrje pat dashur të përcjellë një mesazh. Madje duhet të ketë qenë mesazhi ai që e ka çuar te Faik Konica dhe prej tij në po atë libër mbresëlënës tek Ahmet Zogu e Fan Noli. Këta të tre përbëjnë kyçin për të njohur dhe kuptuar Shqipërinë e viteve 20-40. Gjatë pushtimit dhe luftës për çlirim ky “çelës” do të ndryshojë në emra, siç do të ndodhë e njëjta gjë në dekadat e periudhës 1945-1990. Në historinë e shtetit tonë me ditëlindje 28 nëntorin 1912 të tjerë do të ketë në dy dhjetëvjeçarët e pluralizmit politik.
Asgjë nuk është e rastësishme apo aksidentale në këtë kolanë shqiptarësh të fortë, të cilët arrijnë t’i imponohen bashkësisë sonë. Ata herë bëhen sundimtarë, herë të tjera prijës apo thjesht pushtetushtrues, herë pas here pak ashtu e pak kështu. Ata i ndihmon, i frenon apo i pengon koha, i kushtëzojnë mijëra rrethana historike e gjeopolitike. Po ashtu inteligjenca e tyre, aftësia personale për t’i mbijetuar luftës jo rrallë shfarosëse për të dalë i pari.
“Faik Konica, jeta në Uashington” prej gjithsecilit mund të lexohet në mënyra të ndryshme, por autori i këtij shkrimi që në rreshtat e fillimit kapi këtë mesazh të parë: si rrinë përballë shqiptari i fortë dhe shteti i tij i dobët. Ky mund të ketë qenë një gjykim i pasaktë, një orientim në sensin e gabuar, marrje e një kumti të dorës së dytë apo të tretë dhe librit, ndoshta, autori i ka ngarkuar mision kryesor tjetër.
Ja pse, i pa imunizuar nga subjektivizmi, por edhe me një shtysë reale, fatin e mos financimit modest nga institucione të shtetit tonë të dy librave të tjerë, shkrova këto rreshta.
Shoqëria e hapur, ndryshe nga ajo e mbyllur, e cila na përpiu gjysmën e historisë së të qenit vend i pavarur, të bën më të ndjeshëm ndaj defekteve të shtetit, por po ashtu edhe më kërkues. Kjo krijon iluzionin se tani jemi shumë më keq se vite apo dekada të shkuara, çfarë nuk qëndron. Asnjë popull nuk bën praptazi në historinë e traditën e vet, as kur mbi të bien regjime regresivë. Sot, në 2011, duke qenë më mirë se në vitet e para të shtetit tonë, patjetër më të përmirësuar se në motet tridhjetë, pakrahasueshëm me periudhën e gjatë të stalinizmit, gjithsesi në pakënaqësinë tonë ka një themel të vërtetë: në të gjitha kohërat ne mbartim me vete atë që diku më shumë e diku më pak është e metë tipike e jona.
Kjo e përgjithshme, karakteristike për kombin tonë, ka të bëjë me raportin mes individit shqiptar dhe shtetit si strukturë e ngritur nga bashkimi i mirëvullnetshëm i tyre. Njëshi tek ne, kudo ku gjendet, brenda familjes apo edhe në një komunitet të vogël, është tepër “i fortë“ për të duruar rregullat e bashkësisë dhe vendimet e saj, pra ato që mishërohen në funksionet e shtetit. Do të qe tepër e padurueshme gjendja e një shteti shumë të fortë me përballë një individ të dobët, por nuk ngjan të jetë punë plotësisht e frytshme e anasjella, pra modeli ynë, ai i natyrshëm, shembulli shqiptar. Protagonizmi ynë i fortë personal sigurisht nuk korrigjohet me sisteme politike të ashpra, komanduese, pra me një super të fortë. Në njëzetë vitet e fundit u dëshmua se diktatura e para vitit nëntëdhjetë nuk e zbuti fortësinë tonë karakteristike, por në mos e shtoi dhe e egërsoi, me siguri të paktën e justifikoi.
Më e veçanta, madje shumë interesantja, është se ne të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për këtë defekt, ndihemi të vetëdijshëm. Ka një shprehje të cilën e gjen në majë të gjuhës së gjithkujt prej nesh. Kur ndeshemi me pamje absurde të funksionimit jo normal të shtetit tonë shprehemi: “Shqipëri hesapi!”
Nuk gjendet njeri nga ne që këtë dyfjalësh me intensitet semantik sa një milion të tilla, të mos e ketë shqiptuar në jetë me dhjetëra herë. Madje përherë me një zemërim të arsyeshëm, të përmbajtur, pse jo edhe të shoqëruar me një buzagaz shpotitës, nga që e dimë se të metën e kemi edhe brenda vetes tonë. Do të shuhej një kërshëri tunduese po të ndodhte që një gjuhëtar, albanolog apo thjesht një mbledhës shprehjesh popullore, të zbulonte se thënia “Shqipëri hesapi” është krijuar menjëherë pas shpalljes së shtetit tonë apo ka hedhur rrënjë shumë më parë. Pse për shembull nuk shqiptohet aq shpesh “shqiptar hesapi”, sepse logjika ta do që ka “shqiptar hesapi”, pa del edhe një “Shqipëri hesapi”.
Libri i Ilir Ikonomit, me dritësim mbi një pjesë të historisë sonë dhe për rrjedhojë botim me rëndësi të madhe kombëtare, u projektua lirisht nga vetë autori, u shkrua prej tij, po ashtu edhe vetë gjeti burimet financiare. Nuk është rasti i parë që shqiptarë të veçantë, jo nga “të fortët” e pushtetit, kanë realizuar vepra mjaft të mëdha në dobi të vendit. Një ballafaqim i kontributit të njerëzve nga populli me atë të shtetit tonë lë përshtypjen se është dukshëm jo në favor të këtij të fundit.
Jemi një komb që prodhojmë me bollëk histori, por kemi pak respekt për këtë trashëgimi. Në pamje të parë duket sikur jemi thjesht të shkujdesur ndaj saj, ndërsa e vërteta mund të jetë shumë më e pleksur. Ne qëmtojmë e shkruajmë, bëjmë të ditur dhe spikatim, vetëm një pjesë të kësaj historie. Kjo ndodh edhe sepse “njëshat” kanë arritur të zotërojnë pjesë dërmuese të saj. Për pasojë njerëzit e thjeshtë, bashkësia, shoqëria jonë, vetë populli, e gjen pak veten e tij në të, për rolin që ka luajtur, në përkushtimin që ka treguar.
Miho Gjini, një bashkëkombës i njohur, artist me statusin Mjeshtër i Madh, në paranëntëdhjetën i burgosur politik, emigruar në Greqi dhe përherë në kushte financiare të brishta, bashkë me poetin Grigor Jovani, prej mbi katër vitesh botojnë në Athinë revistën artistike “Pegasi”. Shtatë numra i kanë nxjerrë në dritë duke vënë duart në kursimet e tyre. Çdo numër i saj paraqet krijime të zgjedhura nga afro tridhjetë shkrimtarë dhe artistë nga diaspora jonë në botë. Me një fjalë “Pegasi” bën histori dhe e regjistron atë në kujtesën kombëtare. Mirëpo dy guximtarët kanë më shumë se një vit, që të mbetur në numrin e tetë, nuk sigurojnë dot nga ndonjë institucion shtetëror shqiptar vetëm 700 euro. Nuk lypin botimin e të gjithë numrave të ardhshëm, sepse duhen mbështetur shumë nismat e tilla, por kërkojnë simbolikisht vetëm të njërit.
Rasti i Thimi Nikës, njërit prej koleksionistëve më të njohur dhe studiues i historisë postare dhe filatelisë shqiptare, kryeredaktor i revistës së vetme “Koleksionisti”, prej më shumë se dhjetë vitesh edhe anëtar i Komisionit Shtetëror të Pullës, është edhe më i qortueshëm. Prej dy vitesh ai ka përfunduar librin “Historia e filatelisë shqiptare”. Janë bashkë me ilustrimet pesëqind faqe studim i plotë për pullën kombëtare. Dihet që ajo vlerësohet në botë si “kartëvizita e Shtetit”, madje bashkë me flamurin dhe kartëmonedhën quhen edhe nishanet e tij. Ky libër, në të vërtetë i vlerësuar me respekt prej dy institucioneve shtetërore, nga Posta Shqiptare dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, megjithatë prej dy vitesh nuk mbështetet financiarisht. Ndërsa është thjesht jo një festival apo koncert, veprimtari që lypin fonde të mëdha, por vetëm një libër. Madje autori që prej dy vitesh përsërit butësisht, por pa u lutur: ta marrin, ta botojnë vetë, ta shpërndajnë vetë, t’i marrin të ardhurat vetë; mua të mos më japin jo honorar, por asnjë kopje, sepse pesë copë që më duhen për miqtë do t’i ble me paratë e mia!
Ka ndodhur njëherë që edhe një libër historik për Tiranën, më i miri i shkruar gjer tani, me autor penën dhe mendjen e të mençurit Profesor Kristo Frashëri, nuk e financoi institucioni përfaqësues i kryeqytetit.


Ylli Polovina














Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com