Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.JPG
Foto: .JPG
Libri im i ri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”


Në këtë libër me 240 faqe, i cili tashmë ka hyrë në shtyp dhe së shpejti del për lexuesit, vihem thjesht në rolin e rrëfyesit.
Duke sjellë një sasi të madhe dokumentesh arkivore të papublikuara ndonjëherë, në mënyrë të veçantë për udhëtimin e Mehmet Shehut në vjeshtë të vitit 1960, me transoqeanikun britanik “Queen Elizabeth”, për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastaj 21 ditët e qëndrimit të tij në Nju Jork, i mbetet lexuesi të gjykojë në se ajo që ndodhi më pas me kryeministrin shqiptar ishte pasojë e një lufte të brendshme pushteti apo pjesë e një beteje të gjatë agjenturash të huaja.

Ylli Polovina


Fragment nga libri

Po binte një muzg i vagët, horizont i mugullt i ngjyer nëpër të me pak nuancë vjollce, kur ambasadori shqiptar e ngriti dorezën e telefonit dhe pastaj, si mbi aparat të kishte goditur befas një rrufe verbuese, e hoqi pëllëmbën vetëtimthi. Pastaj shtrëngoi tëmthat. Çfarë po i ndodhte? Kishte disa ditë që kryente veprime të pavullnetshme, tamam sikur qenia e tij të ishte ndarë më dysh: trupi i mishtë më vete dhe truri po ashtu, në anën tjetër. Dorezën e telefonit e kishte kapur pa pasur në kokë asnjë ide se në cilën zyrë apo banesë do të duhej të binte zilja e tij. “Ndoshta nga që puna tashmë më është kthyer në rutinë”, e justifikoi veten. Kishte dy vite që punonte si diplomati i parë i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Argjentinë. I kishte mësuar të gjitha të fshehtat e saj, siguruar të tëra lidhjet e domosdoshme. E pati përvetësuar imazhin e nevojshëm që kolegët e vendeve të tjera ta vlerësonin si “interesant” dhe në Tiranë të qenë të kënaqur.
Për atë emërim pati pasur si tutor vetë Enver Hoxhën.
Diktatori kishte më shumë se një vit që nuk jetonte më, por autoriteti i tij vijonte ta ndihmonte e bënte të dallueshëm. Ambasadorit karriera i qe formuar jo në diplomaci, por në sektorin e jashtëm të Radio Tiranës, atje ku në dy duzina gjuhësh të huaja përhapej nëpër kontinente fjalënaja rreth një vendi të vogël në Ballkan dhe Evropë, i cili jetonte dhe mendonte ndryshe nga i tërë globi. Për dëgjuesit e shpërndarë gjithkund rruzullit, një pjesë thjesht kureshtarë, kjo e bënte të veçantë, pse jo edhe të jashtëzakonshëm. Shqipëria nuk qe thjesht i vetmi vend ateist në botë, çka të linte pa gojë, por po ashtu premtonte se ishte ekskluziv edhe për dy të papara të tjera: deklaronte se qe i vetmi shtet me rend shoqëror socialist si edhe nuk kishte në glob asnjë rival tjetër që udhëhiqej si ai nga marksizëm-leninizmi i vërtetë.
Para se të mbërrinte në Buones Aires e gjithë karriera e ambasadorit kishte pasur lidhje me propagandën. Për dhjetë vite rresht kishte punuar në Radio-Tirana, ku duke qenë edhe një njohës i shkathët i gjuhës spanjolle, hartoi disa qindra artikuj dhe thuri po aq komente. Nga folës të specializuar ato hidheshin në eter, lexoheshin dhe transmetoheshin në makinën e saj shumëgjuhëshe. Një pjesë botohej edhe në një buletin të posaçëm informativ që për udhëheqjen e lartë të partisë së vetme në pushtet përgatitej nga agjencia shtetërore e lajmeve ATSh. Prej këtij publiciteti kishte rënë në sy dhe një ditë u thirr posaçërisht, u falënderua si njohës mjaft i mirë i vendeve në zhvillim, sidomos në Afrikë dhe në Amerikën Latine, dhe u emërua menjëherë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Qe viti 1979.
Institucioni ku do të punonte ishte special: Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Madje aty nuk do të ishte një analist i thjeshtë, por shef sektori. Eprori i tij, drejtori i Institutit, zyrën nuk e kishte në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por në selinë qendrore të partisë fillikate në pushtet, atje ku rrinte edhe vetë Enver Hoxha.
Deri në çastin kur i kryen sërish të njëjtin rit, pra e thirrën në selinë qendrore të partisë, e falënderuan dhe e emëruan si ambasador në Argjentinë, patën kaluar pesë vite të tjerë. Punës së tij studimore në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare tashmë i kishte vënë një “kurorë”: pati botuar një libër për konfliktin e armatosur rreth çështjes së ishujve Malvine, shpërthyer mes Britanisë së Madhe dhe Argjentinës. Në këtë botim ai rreshtohej në krah të argjentinasve, qëndrim i cili qe edhe i partisë si edhe i vetë Hoxhës. Libri ishte përkthyer në spanjisht, shtypur në Tiranë dhe transportuar e shpërndarë jo vetëm në Buones Aires, por edhe në qytete të tjera të vendit. Që prej këtij çasti i nisi, bashkë me jehonën e botimit, edhe një lloj fame. Për të ndikuar në një forcim të marrëdhënieve mes dy shteteve Enver Hoxha e propozoi si ambasador.
Ishte 1984-ta.
Dy vite më pas, tek rrinte si i zënë peng nga ajo mbrëmje e vagët, ai e ndjeu veten sërish të tunduar nga refleksi i kapjes së dorezës së telefonit. U ngrit menjëherë nga poltroni. Duhej të largohej sa më shpejt edhe nga ajo syprinë e rrafshët e tavolinës. Një ec e jake deri tek dritarja sidoqoftë nuk ia fashiti ankthin me veten. Përse të mos delte një copë herë nëpër shëtitoren para ambasadës, të vështronte ndonjë vitrinë dhe pastaj të kthehej me nge në shtëpi? Kjo do ta shpëtonte përfundimisht nga ai ngërç rutine me zyrën.
Qe duke bërë çapin e fundit për të kapur dorezën e derës kur ishte aparati i telefonit që brofi e lëshoi ngulshëm disa zile. Vetëtimshëm shkoi nëpër mend se në atë prag nate më e mira për të qe të rrinte sa më larg asaj vegle burokratësh. Jashtë orarit zyrtar dhe në atë orë të vonë përveç ndonjë njeriu të parëndësishëm, në mos edhe bezdisjes prej atyre që e kishin për ves të provokonin telefonave, nuk mund të kishte të tjerë.
Shtrëngoi dorezën e derës dhe e rrotulloi. Tani mjaftonte vetëm ta tërhiqte kanatën nga vetja dhe për dy sekonda do të gjendej në korridor.
Porse telefoni vazhdonte të thërriste dhe ai ndodhej ende në mëdyshje. Mendoi ta linte zilen të pushonte vetë. Në rast se pas ndërprerjes ajo do të riniste, atëherë do të rikthehej tek tryeza e punës.
Pas pak zilja këmbëngulëse e reshti kujën e saj. Në zyrën e tij të madhe heshtja që ra iu duk ndryshe nga herët e tjera, si të ishte kacavjerrë e ngjitur prej një honi të thellë. Priti me ankth, duke shqiptuar instinktivisht me vete “Një, dy, tre, katër...”. Maste kohën e veprimeve të dorës së panjohur që ato çaste mbase po riformonte numrin e tij. Ishte me nëntë shifra. Vazhdoi belbëzimin “Pesë, gjashtë, shtatë, tetë...”. Mori frymë ngutshëm, sikur ajri të mos i mjaftonte. Zilja rinisi alarmin.
Vrapoi tek tryeza dhe e ngriti dorezën e aparatit fluturimthi. I mjaftuan vetëm dy-tre rrokjet e para të fjalëve nga zëri për matanë për të kuptuar se ishte kryetari i Shoqatës së Miqësisë Argjentinë-Shqipëri Hernando Farran. U bë gati t’i thoshte të zakonshmen, atë që me të kryente përherë sapo e shihte apo ja ndiente zërin. E komplimentonte gjithnjë me “Ti je Shqipja e Andeve”.
Por zëri në anën tjetër të fillit nuk dukej aq i shtruar dhe i qetë. Ishte si një pështjellim zhurmash të krijuara nga një erë e fërkuar stuhishëm nëpër thepa shkëmbinjsh.
“Çfarë ka ngjarë, miku im?”, sa nuk i thirri ambasadori. Ajo që kuptoi menjëherë ishte se Hernando i lutej për një takim urgjent. “Kam diçka shumë interesante për të biseduar”, shtoi tjetri. Diplomati i parë i Shqipërisë në Argjentinë u gëlltit si të hiqte nga fyti një lëmsh të sapo bërë gungë. Pyetjen e dytë “Pse, çfarë ka ndodhur?”, iu duk sikur e shqiptoi vetëm brenda trurit dhe ajo i ngeci atje, mes thellinave të rrudhave të tij. Nga miku dëgjoi sërish vetëm fjalën “urgjent” dhe bashkëngjitur me të një “shumë” apo “tepër”. E përsëriste togfjalëshin pa pushim, si të qe e vetmja që mund ta bindte ambasadorin shqiptar, por ky nuk ishte ende i qartë të pranonte që Hernando Farran mund të kishte një informacion aq fort të jashtëzakonshëm sa të mos priste gjer sa të zbardhte mëngjesi.
Buones Aires ishte vërtet një metropol ku kryqëzoheshin shumë interesa, bëheshin mjaft marrëveshje nga më të pabesuarat e shpërthenin jo pak përplasje fare të paparashikuara. Veçanërisht nga shërbimet e zbulimeve prej aty nuk kontrollohej vetëm Amerika e Jugut, por ndodhte edhe e anasjella. Duke qenë se luajtës i madh, sidomos në ciklin e pandërprerë të grushteve të shtetit dhe goditjeve ndaj ndjekësve të ideologjisë komuniste, ishin Shteteve e Bashkuara të Amerikës, nga sa prej ndërhyrjes së asaj administrate zotëroje informacion mund të dije çfarë bëhej edhe vetë në këtë të fundit.
Ambasadori ra dakord ta priste. Menjëherë sa ia pohoi zëri i Hernando Farranit sikur u çlirua dhe fjalët iu bënë të qarta. Rrokjet iu mbushën me tinguj gëzimi.
E lanë të takoheshin në një bar afër selisë, sepse atë buzë mbrëmjeje ai ishte i vetëm në përfaqësi. Punonjësit e tjerë të ambasadës qenë larguar.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com