Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

NJË SURPRIZË QË FSHIHET NË JAVOREN VJENEZE “DAS INTERESSANTE BLATT” NË NUMRIN E SAJ TË 28 NËNTORIT 1912
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e dytë
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e parë
LAJMI I SAJUAR MBI NGRITJEN E FLAMURIT DHE SHPALLJEN E PAVARËSISË NË DURRËS
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 2)
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Njeriu që di sekretet e vizitës së Ramiz Alisë në Nju Jork


(Botuar në 3 prill në “Gazeta Shqiptare”, shtojca kulturore “Milosao”)

Për lexuesin e rregullt të librave historikë, por edhe të shtypit të përditshëm, nuk ka asgjë të fshehtë e jo më të paditur për të vetmen vizitë që ka kryer në Nju Jork Ramiz Alia. Kjo ka ndodhur në fund të shtatorit 1990. Ai qe njëkohësisht Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, çfarë do të thoshte një post i ngjashëm me atë të Presidentit të vendit. Në ShBA Alia shkoi jo sepse qe i ftuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, pra nga qeveria e vendit, por nga që do të merrte pjesë në sesionin e radhës të Kombeve të Bashkuara. Doemos që të dy nivelet e vizitës nuk janë të barasvlershme. Në Pallatin e Qelqtë të vendosur në qytetin e Nju Jorkut, mund të vijë edhe kryetari i një delegacioni, shteti i të cilit nuk ka marrëdhënie diplomatike me Uashingtonin. OKB bashkon të gjitha vendet e botës dhe në këtë përzgjedhje të saj nuk ka asnjë kriter politik.
E kryer në rrethana kur, pas shembjes gjatë vitit 1989 të të gjitha shteteve komuniste të Evropës Lindore, pritej ndryshimi edhe në Shqipëri, ajo vizitë ka qenë përherë e interpretuar, e shumëdiskutuar, e përfolur, e akuzuar nga disa dhe e mburrur prej të tjerëve. Duke mos qenë realisht shumë “lëmsh”, por e bërë e tillë, kjo vëmendje për të do të vijojë edhe në të ardhmen, veçanërisht, për një çudi të logjikës, e shtyrë prej ndërlikuesve të saj. Në depërtimin tonë me këtë shkrim i veçantë është (mbase) “fija” që kemi kapur. E ka emrin Eqerem Gaxholli. Atë kohë qe Sekretar i Parë në Misionin e Përhershëm Shqiptar pranë OKB-së. Kjo do të thotë se formalisht kryente detyra diplomatike. Megjithatë duhet të saktësojmë: dyzetë e pesë vjeçari që vinte aty prej përvojave në dy kryeqytete të tjera, Bupapesti dhe Parisi, ishte i kamufluar në këtë rol. Realisht qe zbulues, pra i shërbimit të fshehtë, “inteligjent” siç thuhet në vendet e kohët tona moderne. Madje ishte shef i këtij sektori. I themi këto për t’ju dhënë besimin se ato që ai dëshmon i ka parë nga këndi i vet, prej andej ku gjërat për të cilat ka fshehuri e të vërteta të pabëra publike, kur hapen për opinionin zhvishen nga misteri. Kështu bëhen të thjeshta, por edhe interesante.
Por para se të nisim rrëfimin mbi ditët njujorkeze të Ramiz Alisë do të qëndrojmë disa çaste mbi vetë Eqerem Gaxhollin. Ai një muaj më parë publikoi të përkthyer nga frëngjishtja librin “Kujtime” të Joakim Von Ribentrop, ministrit të Jashtëm të fashizmit gjerman. Titulli origjinal shtëpia botuese parisiane e ka pasur “Nga Londra në Moskë”, kurse simotra e saj modeste në Tiranë i ka vënë togun e fjalëve “Planet e Hitlerit për Ballkanin”. Ndërkohë ky kënd vetrrëfimi dhe analize i Ribentropit zë në libër një vend modest. Ndoshta më mirë kështu për ta kuptuar më qartë nazizmin si fenomen global, me pasoja jo në një rajon si gadishulli ynë, por brenda gjithë kontinentit tonë e përtej tij. Për një ende nevojë, por edhe paragjykim politik, tek ne botohen shumë libra për diktaturat komuniste (të “majta”) dhe fare pak ose aspak për ato fashiste (të “djathta”). Kjo ka krijuar një boshllëk të madh në dijet e shoqërisë shqiptare në tranzicion, si edhe mjaft hapësirë për paqartësi. Një letërsi njohëse edhe për fashizmin do të ndihmonte për të kuptuar një gjë, të cilën duhet ta ngulitim mirë në mendje: komunizmi dhe fashizmi qenë pjellë të njëra tjetrës, dy faqe të së njëjtës “medalje”, tiranisë së egër mbi njeriun.

Joachim Von Ribentrop

Ndërsa po bën gati zgjedhjen të përkthejë një libër për De Golin apo Robespjerrin, kryerevolucionarin e madh radikal francez, pyetja përse këtë herë të parë zgjodhi Joachim von Ribentrop, kur njeh nga afër Eqeremin e di që veprimi i tij vjen prej një mendjeje të shëndoshë dhe të kultivuar. Në mes të viteve shtatëdhjetë ai përfundoi në kryeqytetin francez specializimin pranë Institutit të Profesorëve të Frëngjishtes për të Huaj, Sorbona e Re. Në bibliotekën e tij, ku mbizotëron letërsia dhe në krye rri Hygo, Balzak, Gogol apo Kadare, nuk mungon as dijetari i reformimit demokratik të njeriut dhe shoqërisë Zhan Zhak Ruso. Pse përzgjodhi Joachim von Ribentrop e shpjegon edhe Profesor Doktor Adem Mezini, i cili librit të kujtimeve të ministrit të Jashtëm nazist i ka bërë në hyrje promovuese. Pasi thotë se Ribentrop zotëronte mjaft gjuhë të huaja, kishte disiplinën e oficerit gjerman junker, njihte thellë problemet e biznesit dhe sekretet të diplomacisë, saktëson: “Ai nuk i kuptoi asnjëherë vlerat e lirisë dhe të demokracisë dhe të gjithë energjinë e vuri në shërbim të totalitarizmit”.
Duke përjetuar komunizmin real shumë nga ne pamë se si njerëz të tillë pati edhe në Shqipëri. Shpesh nuk ka rëndësi kultura e mendjes, por ajo e shpirtit. Para se të kompletohet në ndërgjegje doktrina për lirinë formohet në zemrën e njeriut. Libri i përkthyer nga Eqerem Gaxholli nuk e ka redaktuar tekstin e përkushtimit, të cilin para se të dënohej dhe ekzekutohej me varje, tek sapo kishte përfunduar në dorëshkrim kujtimet e tij, Von Ribentrop në 23 shtator 1946 la me shkrim porosinë që kur të botoheshin të kishte në çelje të tyre fjalinë “Për bashkëshorten time të paepur, të cilën e doja mbi gjithçka”. Në fund të librit nuk mungon edhe një minialbum fotosh, njëra prej të cilave është me pamjen e tij të pajetë, kryer menjëherë pasi e kanë hequr nga litari i varur, ku dha shpirt. Ky ishte fundi logjik i bëmës së tij politike, nënvizon çdo logjikë të ftohtë. Gjyqi i Nurembergut e kishte dënuar si armik të njerëzimit, të lirisë dhe të pavarësisë së popujve.
Leximi i këtij libri është i nevojshëm për të kuptuar se mund t’i biesh edhe violinës, siç me pasion e bënte Von Ribentrop, mund të kishe kaluar gjysmën e jetës në kështjellat e demokracisë e të Perëndimit si Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç edhe Joachimit i ndodhi, dhe mund të mbetesh kundërshtar i lirisë. Në pranverë të vitit 1942 pas një përplasje të fortë pikëpamjesh me Hitlerin i kërkoi dorëheqjen, por gjithsesi më pas iu bind shefit të tij për të ndenjur në post deri në fund të luftës. Kështu u bë edhe më shumë bashkëpunëtor në krimin e madh kundër njerëzimit. “Është e vërtetë”, pohon Ribentrop, “se kurrë nuk kam komplotuar ndaj Fyhrerit; me të u tregova i ndershëm deri në fund në ushtrimin e funksioneve që kisha dhe i qëndrova besnik Adolf Hitlerit”.
Duke lexuar këtë libër, sidomos për atë që nuk njeh hollësi të mjaftueshme nga dy ideologjitë totalitare të shekullit të shkuar, fashizmi dhe komunizmi, bëhet shumë e qartë se nazizmi ishte ideal politik socialist, saktësisht “nacional socialist”. Jo vetëm Lenini dhe Stalini, por edhe perandoria e madhe realkomuniste e krijuar pas luftës së dytë botërore thirrej “kampi socialist”. Edhe pse të dy ideologjitë kanë mes njëra-tjetrës disa ndryshime dhe socialkomunizmi përgjithësisht nuk provokoi ndonjë luftë botërore, siç bëri nacionalsocializmi hitlerian dhe musolinian, thelbi qe i po ai. Papajtueshmërinë që të dy palët e shfaqnin ndaj njëri-tjetrit e kishin sepse qenë të njëjtë. Në paktin mes Stalinit dhe Hitlerit, i quajtur Molotov-Ribentrop, thuhet qartë se të dy vendet i bashkon lufta kundër Perëndimit dhe demokracive borgjeze.
Shqipëria në librin e kujtimeve të të dënuarit me vdekje nga gjykata ndërkombëtare Nurembergut e citon Shqipërinë vëmendshëm vetëm në një rast: “Një episod i veçantë u shënua përpara se Çiano të largohej (sapo kishin bërë të dy bisedime, 12-13 gusht 1939, në Berchtesgarden-shënimi ynë). Më kishte ftuar për gjueti të rosave të egra në Shqipëri. Duke u ndarë në platformën e trenit, iu përgjigja se e pranoja me gjithë dëshirë ftesën e tij, por për vjeshtën e ardhshme. Atëherë Çiano mu përgjigj “Besoni se do kemi ende kohë? Për aq sa më tha Fyhreri, kam frikë se deri atëherë me siguri do bëjmë gjueti të ndryshme nga ajo e rosave!” Do të bënin atë të njerëzve, kriminelë siç qenë bashkë me ideologjinë e tyre.

Ramiz Alia

Emrin e tij bashkëngjitur me atë të Ribentrop nuk po e vendosim për t’i afruar e bërë që, për nga sjellja politike, të rrinë bashkë. Është e kundërta: një mënyrë për t’i mbajtur larg. Ideologjia e të dyve, e ngjashme në themelin e vet, nuk mund të ketë aq forcë sa t’i bëjë edhe të të njëjtë. Ribentrop vdiq i penduar për disa gabime, por jo për themeloren: fajin e projektit të tij nacionalsocialist, mbështetjen e plotë për diktaturën naziste dhe masakrën globale mbi miliona njerëz të pafajshëm. Ramiz Alia gjatë përmbysjes së nacionalkomunizmit shqiptar pati kthjelltësinë të pranojë imponimin e rrethanave. Ai u bashkua me ndryshimin e sistemit shoqëror dhe nuk priu asnjë kundërvënie. President i parë i një Shqipërie pluraliste, edhe pse më pas nuk pati forcë ta braktiste tërësisht doktrinën enveriste, por u mjaftua me disa kritika periferike të saj, gjithsesi tashmë ka dy dekada që dëshmon sjellje personale demokratike.
Por më shumë se kjo arsye politike në këtë “urë” që po hedhim midis ditëve njujorkeze të Ramiz Alisë dhe librit të kujtimeve të Von Ribentropit është Eqerem Gaxholli. Duhet thënë se këto ditë të dikur presidentit tonë kanë hyrë, përveç në kolonat e shtypit të përditshëm dhe të ndonjë debati, edhe në një lloj letërsie publicistike më fine. Ka tashmë një cikël rrëfimesh të kryeredaktorit të gazetës “Albanian Daily News” Genc Mlloja, atë kohë në Nju Jork diplomat profesionist dhe pothuaj figura dy e Misionit.
Edhe ne do të mbetemi tek ky interes letrar dhe historik, aspak më tej. Gjithçka që është thelbësore dhe shkurtimisht do të thuhet më poshtë ka konfirmim dokumentar arkivor, i kryer posaçërisht nga autori i këtij shkrimi. Duke mbetur në rrëfim me dëshmitar kryesor Eqerem Gaxhollin, një pjesë tjetër nuk e ka atë burim informacioni. Kanë kaluar dy dekada dhe kujtesa njerëzore, të paktën për data, shifra dhe fjalë të shqiptuara, pëson kufizimet e veta.
Ramiz Alia zbriti në Nju Jork në 27 shtator 1990. Aeroporti qe “John F. Kenedy”, më i madhi i qytetit. Do të merrte pjesë në Sesionin e 45-të të Kombeve të Bashkuara, çfarë do të thoshte se ai kryhej në jubileun e dyzetë e pesë të asaj organizate botërore. Punimet kishin nisur në 19 shtator. Tema kryesore e debatit të përgjithshëm qe çështja e të drejtave të njeriut dhe e lirive themelore. Në librin e tij “Jeta ime”, botuar muajt e fundit, Alia shkruan se fjalimin e ka mbajtur pikërisht këtë ditë, 27 shtator. Dokumentet arkivore thonë se kjo ka ndodhur të nesërmen, madje pasdite, seancë që do të paraprinte me përfaqësuesit e Ruandës, Jugosllavisë, Venezuelës, Nigerisë dhe Indisë. Megjithatë të
mos harrojmë se mes kohës së Tiranës dhe asaj të Nju Jorkut ka një distancë prej gjashtë orësh dhe një shkujdesje e vogël në çdo raportim zyrtar apo veprim kujtese mund ta shkaktojë pa dashje ngatërresën formale deri në një ditë.
Para se ish-Sekretari i Parë i PPSh-së dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të zbriste nga avioni pati ardhur aty një ekip nga televizioni i vetëm shqiptar. Kishte në krye Alfons Gurashin. Do të filmohej vizita si edhe i gjithë fjalimi që do të mbante. Me median Misioni i Përhershëm Shqiptar pati punuar posaçërisht. Sipas Eqerem Gaxhollit disa muaj më parë, me një kontribut financiar bashkëkombësish prej 10.000 dollarësh ishte siguruar një hapësirë jo e vogël në të përditshmen e madhe “The New Jork Times”. Kolona e gjatë fliste për reformat që kishin nisur në Shqipëri. E lexuar jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në të gjithë botën, ai shkrim përhapi bindjen se Alia dhe vendi nën drejtimin e tij po i jepnin fund regjimit komunist dhe po hapeshin ndaj sistemit shoqëror perëndimor. Në Nju Jork dhe në të gjitha qytetet amerikane ku gjallëronte diaspora antikomuniste, deri atë kohë mjaft aktive për ta nëmur pasuesin e Enver Hoxhës, nisi të krijohej bindja që të paktën taktikisht Ramiz Alia duhej nxitur ta çonte gjer në fund misionin e tij tranzitor dhe kur ky të mbaronte, duke e hequr nga skena politike, kundërkomunistët ta kishin më të lehtë rrugën e transformim demokratik të vendit. Kjo qe fryma e tyre edhe në atë shtator 1990. Sigurisht kjo diasporë nuk e dinte që në një material të brendshëm në Tiranë, i datës 27 korrik, në kapitullin me titull “Synimet dhe objektivat e reaksionit ndërkombëtar nuk kanë ndryshuar në thelb”, thuhej “Ngjarjet e fundit në Evropë, në Amerikën Latine e gjetkë lënë të kuptohet se veprohet në bazë të një skenari të paracaktuar e të koordinuar kundër socializmit, pavarësisë dhe interesave të popujve, në veçanti të vendeve në zhvillim”. Ata nuk e dinin as atëherë, por shumë edhe sot, se në këtë analizë, në pikën e tretë, kur flitej për diskutimin e pritshëm të Ramiz Alisë në OKB, propozohej “Fjalimet tona të jenë të moderuara”. Në një paragraf tjetër nuk mungonte edhe ideja se “Para Sesionit është e domosdoshme nga vendi ynë të ndërmerren një sërë veprimesh diplomatike në drejtim të vendeve perëndimore, të SHBA e të fqinjëve. Të zhvillohen takime e bisedime në nivele të ndryshme”.
Misioni i Përhershëm në Nju Jork, në kushtet e mosmarrëdhënieve diplomatike me ShBA-në duke qenë e vetmja përfaqësi e Shqipërisë, kishte kryer disa gjeste hapjeje. Një grup i të emigruarve pjesëmarrës në formacione politike të djathta dhe mospajtuese me komunizmin, që nga “Legaliteti”, “Balli Kombëtar”, “Heroizma Shqiptare” dhe “Blloku Indipendent”, por të cilët ndërkohë nuk kishin probleme me drejtësinë politike të Tiranës, u lejuan të vizitojnë atdheun e tyre. Sipas Gaxhollit vizat hyrëse i morën në ambasadën tonë në Romë. Në Shqipëri ndenjën sa deshën dhe nuk krijuan asnjë problem. Kur u rikthyen jo pak folën mirë për mundësinë e atdheut të tyre për të dalë nga regjimi i ashpër komunist. Në informacionet që Eqeremi mblodhi binte në sy se qenë entuziastë që “brenda vendit pamë vetëm shqiptarë dhe nuk kishte këmbë rusi”. I kujtojmë lexuesit se jo vetëm atëherë, por edhe tani një nga parimet themelore të diasporës tonë në ShBA është “Ta duam Shqipërinë nëpërmjet Amerikës”.
Për masat e pritjes e qëndrimit të Ramiz Alisë në Nju Jork bashkë me një koleg diplomat karriere në 11 shtator paradite u takuan me zëvendës ambasadorin amerikan në OKB. Pritja qe e ngrohtë dhe shumë e hapët. “Për sigurimin e tij do të përgjigjet shteti amerikan”, tha tjetri. Nuk vuri asnjë kufizim territori. Më parë në dekada të tëra për diplomatët shqiptarë dhe delegacionet e ardhura nga Tirana vepronte i gjithëfuqishëm një rreth kufizues prej 40 kilometrash. Në rast se do ta kapërceje duhej të kërkoje leje me shkrim, çka nuk përfundonte vazhdimisht me pëlqim. Kishte disa muaj që shefi i Misionit Bashkim Pitarka punonte intensivisht për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike. Ndërkohë pika ndërmjetëse mes Tiranës dhe Uashingtonit, Misioni i Përhershëm i ShBA-së pranë OKB-së, drejtohej prej një diplomati i talentuar dhe dashamirës, Thomas R. Pickering. Më pas, në administratën e Bill Klintonit, ai do të bëhej deri edhe nënsekretar i Shtetit dhe Ollbrajt në “Time Magazine” do ta quante “gjenerali me pesë yje i trupës tonë diplomatike”.
Gaxholli pranon se për çështjen e sigurisë së Ramiz Alisë nga shefat e profilit të tij në Tiranë për herë të parë nuk mori asnjë udhëzim. Ndërkohë dokumentohet se në 30 gusht 1990 urdhri ka qenë i prerë: “Alia të banojë në Mision, kati i dytë, apartamenti i posaçëm plus apartamenti i ambasadorit. Ky të kalojë tek apartamenti bosh”. Porse në 3 shtator gjërat ndryshuan rrënjësisht. Jo vetëm do të sistemohej në një hotel, por edhe “Jemi dakord që presidenti të lëvizë me makinën që do të vënë në dispozicion amerikanët”. Kështu Eqerem Gaxholli për sigurinë e kryetarit të shtetit veproi me iniciativë, për aq hapësirë sa i lejonte pala vendase. Për ruajtje fizike nuk u krijua asnjë grup paralel personash. Disa ditë para se Ramiz Alia të zbriste në aeroportin “John F. Kenedy” një bashkëkombës nga Kosova i dha një jelek antiplumb shumë cilësor, por Eqeremi jo vetëm nuk ja dha presidentit, por as ia përmendi ndonjëherë. Pasi rreth drekës zbriti nga avioni dhe kaloi pikën doganore, në hollin e madh Alinë e pritën rreth njëqind e pesëdhjetë shqiptarë. Qe edhe Antony Athanas. Kishin vendosur në thile të xhaketave flamurin kombëtar.
Sapo doli nga ndërtesa e aeroportit, e morën në dorëzim amerikanët. Qenë dukshëm tre agjentë dhe dy makina. Përveç Ramiz Alisë në të parën u vendos edhe ambasadori Pitarka. Shoferi kishte ardhur posaçërisht nga Tirana dhe e njihte shumë mirë Nju Jorkun. Njëri agjent amerikan u vendos në ndenjësen e parë, i dyti në makinën e dytë. I treti pati kontrolluar me kohë mjedisin përreth. Bashkë me ministrin e Jashtëm shqiptar Reiz Malile dhe pjesën tjetër të delegacionit u vendosën në Hotel Platza, një kat i tërë. Në një nga dhomat e tij rrinin ditë-natë truprojat vendase. Shumë nga takimet Ramiz Alia i kreu në këtë hotel, por edhe në mjedise të Pallatit të Qelqtë. Qe presidenti turk Turgut Ozal, ministri i jashtëm rus Shevarnadze, ai kinez, Armand Hammer, drejtor i Përgjithshëm i kompanisë gjigande “Oksidental Petroleum”, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Perez de Kuelar...Në kohën e lirë vizitoi Muzeun Metropolitan, Rokfeler Center, Central Park, Park Avenue, portin e Nju Jorkut.
Në fjalimin që mbajti në debat kishte disa paragrafë shumë të forta për Kosovën. “Aktualisht”, tha Ramiz Alia, “një nga problemet më të mprehtë dhe më shqetësues në Ballkan, është ai i shqiptarëve në Jugosllavi, ndaj të cilëve qeveria e Serbisë po ndjek një politikë të hapur gjenocidi”. Më pas “Në Kosovë dhe në vise të tjera të Jugosllavisë ku jetojnë shqiptarët, po bëhen krime, të cilat edhe në mesjetën e errët do të ishin të shëmtuar”. Ato u duartrokitën fort nga lozha, në të cilën ndodheshin shqiptarë, mes tyre, sipas një informacioni të mbyllur dokumentar, duhet të ketë qenë edhe Ibrahim Rugova. Po sipas këtij burimi, edhe pse pala shqiptare kërkoi ta takonte, ky u shmang. Në Nju Jork Alia nuk pati asnjë incident, nuk pësoi asnjë provokacion, madje në Mision nuk u bë as edhe ndonjë telefonatë me vetëm fjalë kundërshtuese. Para Hotel Platza vorioepirotë, jo më shumë se njëqind vetë sipas arkivave, më pak sipas Eqerem Gaxhollit, demonstruan. Antikomunistët po ashtu dy herë, para Misionit dhe Pallatit të Qelqtë. Sipas dokumenteve arkivorë kanë qenë deri njëzetë vetë, sipas Gaxhollit diçka më shumë. Prej tij siguruam edhe fotografi që e vërtetonin. E shumta dy duzina prej vorioepirotësh protestuan edhe në restorantin “Pier 4”, të Antony Athanas në Boston, në buzë të oqeanit, por i largoi policia amerikane. Para se të vinte këtu në 1 tetor Ramiz Alia kishte vizituar kishën e “Shën Gjergjit” dhe varrin e Fan Nolit. Pati grisur edhe një fjalim të bërë nga ndihmësit e tij, duke u thënë se “këtu nuk jemi në Komitetin Qendror, por mes bashkëkombësish”. Dhe mbajti një që e përgatiti vetë, duke tërhequr duartrokitjet e mbi dyqind pjesëmarrësve. Sidomos ku tha se nuk qe kundër pasurisë. Kaq donin shqiptaro-amerikanët! Pastaj shkoi tavolinë më tavolinë, duke trokitur gotat. Iku drejt Evropës, aeroportit të Zyrihut, po atë ditë, me një avion të orës 22.30.
Thashethemet e ndoqën shumë shpejt. Në vitin 1991 në Boston flitej se vorioepirotët të zemëruar për ta prishur darkën e tij në “Pier 4” do ta sulmonin me një anije nga deti. Mburreshin ende me dështimin e tyre. Në Nju Jork vazhdojnë edhe sot, pse jo edhe në Tiranë, fjalënaja për dy orë në të cilat është zhdukur nga Hotel Platza, vëmendja e të gjithëve, dhe ka kryer një takim sekret, misterioz. Po ashtu në disa gazeta është shkruar sikur në manifestimin e dytë protestuesit antikomunistë janë përleshur shumë dhunshëm me grupin e shqiptarëve simpatizantë të Ramiz Alisë, që dolën nga salla pas fjalimit të tij. Madje kacafytja ka qenë kaq e përgjakshme sa mezi u fashit nga forca të mëdha policie. Gjithë këtë zallamahi të fantazuar e gjen sot në një informacion me fjalët “...para Misionit u grumbulluan rreth 15 vetë, flisnin më shumë anglisht. Ishin gra, kishin edhe pankarta. I organizonte një burrë i veshur me tuta, të cilin në Mision e njihnim kush ishte. Ai vinte dhe ikte, u sillte koka kola. Një apo dy gra me pëllëmbët e gishtat e mëdhenj një herë lart dhe njëherë poshtë thërritnin “Poshtë Ramiz Alia!”...Pastaj këtë refren nisën edhe ta këndonin... Nuk manifestuan më shumë se 15 minuta. Që në fillim policia i largoi, i shtyu përtej fasadës së Misionit...”.
Sipas një legjende këtë ditë Ramiz Alia u largua nga Pallati i Qelqtë me një helikopter?!

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com