Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ismail Kadare ka një sosi


(Botuar në shtojcën kulturore “Milosao”, “Gazeta Shqiptare”, më 27 shkurt 2011)

Asnjëherë nuk është kërkuar një sosi e Ismail Kadaresë. Një të ngjashëm fizikisht, në mos në shtat në pamjen e fytyrës, nuk ka qenë fare e nevojshme të gjendej, sepse nuk ka pasur asnjë arsye. Kadare është ndër shqiptarët e gjallë më i famshmi, porse ja që kjo nuk përbën medoemos kusht të jetojë edhe një sosi e tij. Të ngjashmit duhen ose për të kryer mashtrime vizive në mbrojtje të ndonjë politikani a shtetari të kërcënuar, ose për të bërë zbavitëse emisione televizive që imitojnë më të pushtetshmit e një shoqërie. Mirëpo Kadaresë kurrë në vendin e vet dhe askund nëpër botë, ku ka udhëtuar, nuk i është kanosur ndonjëherë jeta. Ndërkohë në motet e vështira siç qe ajo e luftës për shpëtimin e Kosovës, duke qenë se shprehej hapët dhe fort në favor të betejës çlirimtare me armë, pabesia edhe mund t’i ngjante. Kur shpalli largimin protestues nga Shqipëria, në tetor 1990, ndërsa e zhvendosën nga Parisi për në një vendbanim tjetër të përkohshëm, autoritet franceze të sigurisë një merak të tillë mbase e kishin nëpër mend. Sidoqoftë sosi tradicionale të shkrimtarit të shumënjohur nuk ka dhe nuk pritet të ketë.
Në këtë kuptim opinioni publik mund të mos ketë asnjë interes në rastin kur do të bëhej e ditur njëra prej tyre. Siç po bëjmë ne tani me këtë shkrim.
E vërteta është se do t’ju njohim me një të tillë, pra me një sosi të Ismail Kadaresë. Quhet Vangjel Kasapi. Këtë karakteristikë të tij ai nuk e përhap si lajm, as si kuriozitet. Nuk ja thotë kujt. Për pasojë ai as që ushtron këtë “dhunti” dhe nxjerr përfitime prej saj. Nuk grumbullon qoftë edhe një grimë vëmendjeje më shumë nga sa meriton për vetë identitetin e tij, jetën që ka bërë, postet që ka mbajtur. Sepse duhet ta themi që në fillim që ai është një ushtarak në pension, i cili për fare pak nuk u bë dot gjeneral, sepse do ta meritonte. Kështu që Vangjeli nuk ka nevojë për një identitet tjetër, sado i rëndësishëm të jetë. I mjafton vetja. Pikërisht sepse i mjafton profili i vet, brenda vetes, ndoshta edhe me drojë, ndihet mirë që ngjan sadopak me bashkëkombësin e madh të letrave shqiptare. Duhet thënë që ai mund të jetë ndër më të përafërtit me Kadarenë në ngjashmëri: ka po atë shtat, të njëjtën moshë, ecën pothuaj si kryeshkrimtari ynë kombëtar, ka siluetë fytyre si ai, mban syze, madje me të njëjtin numër dhe mbi të gjitha nuk është thjesht ushtarak. Vangjel Kasapi është edhe shkrimtar.
Ngjashmëria sikur të ndalej këtu sërish do të qe mjaftueshëm për ta quajtur “sosi”, por ajo mrekullisht vijon edhe më tej. Të dy kanë jetuar në Tiranë. Ndërkaq si qytet të lindjes njëri ka Gjirokastrën, kurse tjetri Beratin. Në mbarë opinionin e shqiptarëve kjo kuptohet si të vijnë prej të njëjtit qytet ose më saktë nga e njëjta pjesë e lashtë dhe e hijshme e historisë sonë. Në fund të fundit që të dy janë qytetet e shpallura si pasuri botërore dhe ndodhen nën mbrojtjen e UNESKO-s.
Por në këtë kërshëri të dhënash të jashtme le të mos shkojmë më tej. As në këtë shkrim të mos i kushtojmë shumë radhë episodeve të ditës, kur Vangjel Kasapi rrëfen, po ta shtrëngosh disi, se në tregtoren e lagjes pritet nga shitësit tepër gëzueshëm. Bashkë me mallin që blen, ata e pyesin “Kadare”, çfarë libri do të na dhurosh?” apo “Çfarë keni tani në duar?” I shqiptojnë edhe plot shprehje të tjera të tërthorta. Si hokatarë e të “prapë” që janë për nga mosha edhe fëmijët nuk qëndrojnë më pas të rriturve. Ata e thërrasin “Xhaxhi Kadare”.
Me shkrimtarin e famshëm Vangjel Kasapin “e ngatërrojnë” jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera. Sigurisht të gjithëve ai u përgjigjet me humor, sepse në fund të fundit nuk është sosi. Ai është thjesht një i ngjashëm, gjithsesi i pakrahasueshëm me talentin letrar dhe veprën gjigande të Ismail Kadaresë. E megjithatë edhe ai vetë është autor i mbi njëzetë librave.
Ndokush prej lexuesve mund të thotë se i ngjashmi (ose Dytësi, siç vetë Kadareja e ka krijuar fjalën shqiptare të termit të huaj “sosi”) nuk njihet fare prej shkrimtarit të shumënjohur dhe se ndoshta këtij aq i bën nëse ndodhet në jetë një i tillë, bashkëkombës apo bashkëqytetës qoftë. Mirëpo e vërteta është ndryshe. Kadare e di se ekziston Vangjel Kasapi. Madje jo vetëm e njeh, por kur i ngjashmi i tij nuk e priste fare, në një ditë të zakonshme tre viteve të shkuara, mu në qendër të Tiranës, atje ku ndodhet shumëkatëshi i quajtur Vodafon, e thirri vetë ta takonte. Qe bashkë me Helenën. Doemos që Vangjel Kasapi në fillim kujtoi se Ismail Kadare po thërriste ndonjë tjetër, por shumë shpejt u bind se qe fjala për të. Ktheu rrugë dhe së bashku biseduan miqësisht jo pak. Që në fillim shkrimtari i njohur i tha fjalët e bukura “Edhe pse nuk na ka lindur e njëjta nënë kemi një ngjashmëri”. Pastaj e ftoi për të pirë një kafe e ndërsa qenë duke hyrë në një bar të afërt tingëlloi fort celulari i Kadaresë. Ai bisedoi një çast, pastaj e mbylli. Telefoni ra sërish dhe përsëri bisedoi. E mbylli dhe përsëri zilja vuri kujën. “Më fal!”, i tha më në fund Vangjel Kasapit, “Më duhet të largohem për një problem që sapo ka dalë dhe nuk mund ta shmang. Një herë tjetër me siguri do ta pimë kafen”.
Kështu u ndanë tepër ngrohtë dhe që prej atij çasti, ndërsa ka shumë të ngjarë që një ditë të ritakohen, por pa e kërkuar me ngulm njëri-tjetrin, duke qenë se jetën dhe veprën e Ismail Kadaresë e njohin të gjithë, përfitoj nga rasti të shkruaj diçka për autorin modest të mbi njëzetë librave. Karriera e tij si ushtarak dhe krijues kanë lindur në të njëjtën kohë, në një harmoni të vërtetë dhe në një moshë simbolike: 16 vjeç. Ishte viti 1951 kur qe paralelisht punonjës në komitetin ekzekutiv të qytetit të Beratit si edhe korrespondent i gazetës “Sporti Popullor”. Ishte i tillë edhe kur deri në 1953 vazhdoi shkollën ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë. Prej bankave të klasave dhe poligoneve të saj doli nëntoger dhe komandant toge. Shumë shpejt u bë shef shtabi në një batalion aviacioni. Që prej këtij çasti nis e boton shkrime profesionalë në “Sovjetcaja Aviaciaja”, revistë sovjetike. I kishte të mira honorarët ajo dhe prej tyre, nëpërmjet në shoku që studionte në Moskë, i vinin në kundërvleftë sende për nevoja familjare. Kur në vitin 1966 u hoqën gradat Vangjel Kasapi ishte kapiten i parë. Tashmë drejtonte në një njësi më të madhe, regjiment. Në 1972 nisi punë në Shtabin e Përgjithshëm dhe dy vite më pas, kur në Ushtri filloi e quajtura goditje dhe ku shumë prej drejtuesve të saj përfunduan në burgje dhe vetë ministri me disa të tjerë në pushkatim, u gjet i sulmuar në një aktiv partie. Pati ndërhyrë i deleguari, Kadri Hazbiu, me fjalët shpëtimtare “Çfarë kini me të? Ai nuk ka studiuar në Bashkimin Sovjetik”. Gjatë spastrimeve synoheshin pikërisht oficerë që patën mbaruar atje. Edhe pse nuk kishin për çfarë e akuzonin gjithsesi e larguan nga Tirana. E transferuan në korpusin e veriut, në Pukë. Bëhej fjala për një njësi të re, të armatosur gjer në dhembë e që kishte një efektiv prej pesëdhjetë mijë vetë. Në gjuhën e ushtarakëve drejtimi që ky korpus mbulonte thirrej “Fronti verilindor”. Me pak fjalë njësia e madhe ishte i ngarkuar të mbronte atë korridor nëpërmjet të cilit parashikohej se qe shtegu më i mundshëm i një sulmi të pritshëm sovjeto-jugosllav, pse jo edhe i një agresioni të vetë Traktatit të Varshavës. Këtu, tashmë me detyrën e shefit të shtabit të korpusit, e zuri viti i demonstratave në Kosovë, marsi 1981. Për të kryer punën më kryesore profesionale ai u thirr në Shtabin e Përgjithshëm në Tiranë, ku punoi në Drejtorinë Operative, e cila e nënkuptohej edhe si drejtoria e luftës. Këtu Vangjel Kasapi bëhet dëshmitar jo vetëm i një plani ushtarak për ndërhyrje në Kosovë, por edhe e një episodi me Mehmet Shehun, të cilin do ta tregojmë pak më vonë.
Në vijim një kurs filozofie në Akademinë Ushtarake në Tiranës, gjashtë muaj rikthim në korpusin verilindor dhe përsëri thirrje në kryeqytet, këtë herë me një emërim përfundimtar. Nisi punën e nënkomandantit të kësaj akademie. Doli në pension në 1989. Deri ato çaste kishte botuar libra me bashkautorë, tani do të nisë të shkruajë të vetët. I pari, 1992, qe “Çezari kundër Pompeit”, rrëfimi dhe analiza njërës nga betejat ushtarake më të mëdha dhe më të ndërlikuara të historisë së njerëzimit. Që nga ky moment pasioni i tij i studiuesit, duke ndjekur ngjarjet më domethënëse të historisë së shqiptarëve, do të ndahet mes ushtarakëve dhe diplomatëve. Kështu do të shkruajë librin “Mehmet Dërralla”, i cili është edhe gjenerali i parë i shtetit të pavarur shqiptar. Ishte gjeneral i Perandorisë Osmane, i cili duke qenë i njohur si patriot i madh, u bashkua me Ismail Qemalin në përpjekjen e gjatë dhe ngadhënjimtare për mëvetësimin e Shqipërisë. Në qeverinë e dalë prej 28 nëntorit 1912 ai qe ministër lufte. Ishte shqiptar nga trojet kombëtare që mbetën pas vitit 1913 me Jugosllavinë (Maqedoni). Qe po ashtu pasanik i madh, pronar i 14 mijë hektarëve tokë.
Vangjel Kasapi në vitin 1996 botoi edhe librin “Ali Riza Kosova”, një ushtarak i lartë i monarkisë zogiste, “Spiro Moisiu”, oficer po ashtu mbretëror, por që u lidh me rezistencën antifashiste dhe drejtoi veprimet luftarake të njësive partizane. I ka mbetur peng që nuk ka shkruar një libër për Abaz Kupin, gjeneralin popullor që në ditën e agresionit musolinian të 7 prillit 1939 mori detyrë dhe kreu mbrojtjen e korridorit (drejtimit) të Durrësit. Tërhoqën vëmendjen e specialistëve edhe librat “Lidershipi i Gjeneralisimit shqiptar” si edhe “Personalitete të shquar shqiptarë në çështjet ushtarake”. Është tërheqës po ashtu botimi “Mihal Prifti”, jetëshkrim e analizë e njërit prej diplomatëve më në zë të sistemit të shkuar komunist. Ndodhet në prag të përfundimit një libër për një emër shumë të njohur të Shërbimit të Jashtëm Shqiptar të asaj kohe, i cili u bë edhe zëvendësministër, Sokrat Plaka.

Mehmet Shehu: “Përse nuk e zgjat shigjetën deri në Prishtinë?”

Sokrat Plaka në një libër kujtimesh që e ka shkruar vetë pohon se e ka takuar, me porosi të Enver Hoxhës, Josif Bros Titon. Bëhet fjalë jo për një, por për tre biseda. E fundit ka ngjarë në vitin 1979 ose një vit para se presidenti jugosllav të ndërronte jetë. Sipas Vangjel Kasapit, i cili përveç se për shkak të librit që po përgatit për ish-zëvendësministrin e Jashtëm, nga dhuntitë e tij është një depërtues i mirë në arkivat e Shtetit Shqiptar, gjer në takimin e tretë me Titon kursi i Tiranës zyrtare nuk qe mëvetësimi i Kosovës dhe ca më pak çlirimi, por mbrojtja e të drejtave të saj për të qenë në Federatën Jugosllave e barabartë me njësitë e tjera administrative, republikat. Kishte përparësi në këtë strategji të Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij edhe mbrojtja e lirive të vetë bashkëkombësve. Kjo platformë duket se u trondit pas demonstratave të marsit 1981. Mungesa e Titos, aspak dashamirës i shqiptarëve, por gjithsesi një ekuilibrist i mirë i situatës së tensionuar shumënacionale në Jugosllavi dhe frenues i shovinizmit serb, e kishte çelur portën për gjithfarë radikalësh, të cilët për të vënë rregull në kaosin e tyre, qenë më të interesuar që mësimin ndëshkues, pra shtypjen me forcë, përfshirë në rast nevoje edhe masakrën etnike, ta kryenin në Kosovë. Për të parandaluar këtë të fundit, përgjakjen e madhe të bashkëkombësve dhe gjenocidin ndaj tyre, sigurisht edhe për të larguar nga vëmendja e popullit të vet edhe gjendjen shumë të rëndë të lirive njerëzore si edhe për të fshehur situatën skandaloze ekonomike dhe mosushqimin normal, u përgatit një operacion ndërhyrjeje ushtarake. Zbatimi i tij, vënia në jetë, do të vendosej prej Enver Hoxhës dhe vetëm në një moment të pranuar ndërkombëtar, me shumë gjasa rreptësisht i palejuar për t’u ekzekutuar ndonjë ditë. Gjithsesi përgatitja u krye. Tamam në një atmosferë të tillë, kur Hoxha kishte caktuar Mehmet Shehun në krye të stafit për marrjen e masave të ndërhyrjes së mundshme ushtarake, një ditë Vangjel Kasapi i vuri përpara kryeministrit hartën e madhe me të gjitha veprimet operative. Sipas asaj që parashtronin specialistët e lartë të Shtabit të Përgjithshëm në kushtet e imponimit të rrethanave për t’i ardhur në ndihmë humanitare dhe për ta shpëtuar popullin shqiptar të Kosovës nga një masakër e pritshme, njësi të mëdha luftarake të Tiranës do të synonin hyrjen e menjëhershme në territorin jugosllav në drejtim të disa qyteteve kufitarë dhe pastaj do të tërhiqeshin. Shigjetat e kuqe në hartë i ndalonin majat e tyre deri në thellësinë e Gjakovës.
Mehmet Shehu e kishte parë vështrimngultas hartën operative dhe pastaj u qe kthyer oficerëve të lartë: “Përse nuk i drejtoni shigjetat drejt Prishtinës?” Këta një çast patën mbetur të pagojë dhe kishin parë në sy njëri-tjetrin. Pas një momenti nisën t’i shpjegonin se ushtarakisht një sulm tërësor kundër armatës jugosllave do të qe aventurë. Aventurizëm do të ishte edhe nga ana politike, situata ndërkombëtare ...Kryeministri ua pati prerë menjëherë: “Politikisht masat i di dhe i ka marrë shoku Enver. Shpatullat i kemi të ngrohta”. Ushtarakët e lartë nuk bëzanë. Sipas Mehmet Shehut, punë e vërtetë apo thjesht propagandë, dilte se Perëndimi, NATO, nuk do ta pengonin një aksion të tillë. “Asnjë aventurizëm nuk ka”, tha me zë të ngritur dhe me një laps të madh të kuq vizatoi një shigjetë që nisej nga kufiri shqiptar dhe e ndalte shenjën e majës në atë pjesë të hartës, ku shkruhej Prishtinë.

Enver Hoxha: Më raportoni sa po shtohet popullsia e Kosovës

Harrilla Papajorgji, tre-katër dekada shkuar kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, i raportonte çdo muaj Enver Hoxhës, në një takim kokë më kokë, të dhënat më kryesore të gjendjes ekonomike të vendit. Zotëruesi i statistikave më të ndërlikuara të shtetit, por shpesh edhe të mbetura sekrete, i ka pohuar Vangjel Kasapit, pra shkrimtarit dhe personazhit të këtij shkrimi, këtë episod. Në një nga takimet e radhës Hoxha i kërkoi të përfshinte në raportin statistikor çfarëdo të dhëne që gjente për Kosovën, përfshi edhe situatën ekonomike. Këtë kërkesë Papajorgji e kuptonte sepse si njeri i punëve të brendshme të shtetit e dinte që prej jugut deri në veri në disa qindra magazina të mëdha e të vogla, me urdhrin kategorik “Për Kosovën”, ruheshin në gjendje të paprekur jo vetëm armatime dhe municione, veshje ushtarake dhe civile, orendi shtëpiake dhe deri maja e gjilpërës, por edhe mallra të zakonshme ushqimore. Nuk mungonte as kripa. Kurrë nuk pohohej për cilin çast ato depo do të hapeshin dhe çfarë kishte brenda të përdoreshin.
Në atë ditë kur Enver Hoxha i kërkoi kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit të dhëna shtesë për paketën e statistikave që i raportohej, për një tregues nguli këmbë posaçërisht: ritmet e rritjes së popullsisë në Kosovë. Çdo muaj Harrilla Papajorgji ia zbatoi porosinë. Hoxha dëgjonte dhe mbante shënim, por ndërsa për shifrat e gjendjes ekonomike tek bashkëkombësit përtej kufirit bënte ndonjë pyetje, kurrë nuk ndodhi gjë e tillë për shifrën e dinamikës demografike. Pasi kaloi diçka më tepër se një vit, kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, sipas dëshmisë koha e ngjarjes është ajo e pas demonstratave të marsit 1981, e pyeti diktatorin: “Më fal që po ju pyes, por për çfarë i doni të dhënat e rritjes së popullsisë në Kosovë. Ka mundësi ta di edhe unë?”
Hoxha nuk ja kishte vonuar përgjigjen, edhe pse qe një pyetje të cilën vartësi nuk kishte përse ja bënte: “Dua të di nëse rritet më shumë popullsia e Shqipërisë apo ajo e Kosovës”. Dhe kur kishte parë në vështrimin e tjetrit se qe ende i mjegullt, e pati sqaruar: “Në rast se rritet më tepër popullsia e Kosovës atëherë në të ardhmen do të jenë përfaqësues të saj që do të kërkojnë lidershipin politik të gjithë kombit shqiptar”.
Këtu biseda për këtë temë u ndërpre dhe nëpunësi i lartë i piramidës së shtetit komunist doli nga zyra e diktatorit. Me një mijë pikëpyetje në kokë dhe po aq shumë përgjigje konfuze.
Koha vrapon, na ikën edhe këto çaste si të rrjedhë ujë. Me atë deklaratë të thënë “kokë më kokë” Harrilla Papajorgjit dhe ky rrëfyer shkrimtarit dhe studiuesit Vangjel Kasapi, Enver Hoxha mbase kishte pohuar se qe i angazhuar për të ruajtur pushtetin personal, pra që edhe te bashkëkombësit përtej kufijve të ruhej udhëheqja e tij. Ndoshta bashkë me merakun se cilët do të kontrollonin në të ardhmen fatin e shqiptarëve i vagëllonte në kokë edhe gjurma e ndonjë shprese se një ditë të gjithë do të bashkoheshin në një shtet të vetëm. Veç me siguri diktatorit nuk e ka shkuar dot ndërmend se pas çlirimit të Kosovës do të krijohej jo një shtet i përbashkët i Tiranës me Prishtinën, por dy më vete.
Prandaj edhe ajo puna e lidershipit, kurdo dhe kudo që të jetë në merak, pret. Vjen vetë.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com