Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Të arrestohesh në kufirin pa viza


(Botuar në gazetën “Shqip” në 25 shkurt 2011)

Ishim ndarë me portin e Barit vetëm pak kohë para se të hiqeshin vizat. Atëherë qe prag mesnate dhe doganierët italianë, herë me veturat e tyre personale apo me ato të shërbimit, filluan të iknin njëri pas tjetrit. Më në fund mbeti një oficer i ri. Para se edhe ai të hipte në makinën e tij eci në të kundërt, drejt brendësisë së portit. Papritmas nga një strehë u ngrit një qen shtatlartë dhe i rendi përballë. Vrapoi drejt tij edhe doganieri. Ky, me krahët hapur, nisi ta lëkundë trupin lehtas sa majtas djathtas. Çuditërisht po ashtu bëri edhe qeni trupmadh. Tundej sikur të vallëzonte. Në atë hare iu hodhën në krah njeri-tjetrit. Një minutë më pas qenë ndarë dhe ndërsa doganieri i ri hipi në makinë për të ikur nga porti qeni u rikthye në strehën e vet, ku me sa dukej bënte, mbase vullnetarisht, rojen.
Italianët për nga natyra janë njerëz të ndjeshëm dhe të dhimbsur. Barezët po ashtu janë edhe qytetarë të hapjes, pra edhe të mikpritjes në të gjitha kohrat e regjimet. Kur pas shuarjes së Luftës së Ftohtë u vendos regjimi i dhënies së vizave edhe për shqiptarët gjer atëherë të mbyllur hermetikisht, në hyrje-daljet e shumuara të tyre në fundjavë jo pak e bënin pazarin në Bari. Në atë mesnatë ikjeje nga ai port, ndërsa shumë shpejt sistemi i vizave do të binte edhe për ne, përfytyroja pikërisht një valë të madhe të bashkëkombësve nëpër portin e tregtoret e qytetit. Ndërkohë kufijtë u hapën, por askund në Bari nuk u prodhua ndonjë “valë”, madje as edhe ndonjë lajm i dorës së parë. Në qytet asnjë gazetë dhe asnjë televizion lokal nuk u morr me ndonjë rast shkeljeje rregullash prej udhëtarëve të rinj. Rezultoi se këta qenë mjaft korrektë dhe kishin një rrjedhje normale hyrjeje, gati-gati sikur deri atëherë të mos u kishte munguar lehtësia e kalimit të kufirit.
Tashmë në mëngjesin e 19 shkurtit na kishte ardhur rasti ta rishihnim portin e Barit pas heqjes së vizave. Yni qe një udhëtim privat, por që prej një rrethane të papritur doli nga moskokëçarja e asaj gjendjeje. Sipas një korrespondence me një prej mirëdashësve të shumtë të Shqipërisë, Ana Maria Çislagin, në burgun e qytetit qenë shtuar shqiptarët e futur nëpër qeli. Bëhej fjalë për afro tetë të arrestuar në port në periudhën e heqjes së vizave. Ishte si një ironi fati. Disa bashkëkombës, dikur të emigruar në Itali, kishin të pambyllura me drejtësinë e këtij vendi akuza të ndryshme penale, shpesh mjaft të lehta apo të dyshimta sa që mendonin se i kishin kapërcyer. Këtu nuk është fjala për të ndëshkuarit me mos hyrje për pesë vite në territorin Shengen, pra të dëbuarit prej saj, sepse këta në kufi nuk ndalen e ca më pak arrestohen. Ata thjesht kthehen pas.
Për këta të burgosuar të periudhës së heqjes së vizave Ana Maria Çislagi na u lut t’i sillnim një tufë me gazeta, ndonjë revistë a libër, sepse të kapur në kufirin e hapët për të gjithë bashkëkombësit, qenë mjaft të tronditur e kërkonin, për të fituar kurajë, një kontakt qoftë edhe virtual me vendin e shtetin e tyre. Kështu pasi e përgatitëm dhe e morëm me vete një paketë të tillë në mbrëmjen e 18 shkurtit u gjendëm në pikën doganore të portit të Durrësit. Këtu shumë gjëra vazhdojnë të ndryshojnë për mirë. Tek prisnin të hapeshin gjashtë sportelet e doganës udhëtarët pa viza qenë mjaft të qetë, dukshëm pa asnjë fije ankthi. I pamë ta kalonin kufirin pas një kontrolli pa stres pyetjesh shtrënguese, por verifikues në dokumente dhe në të dhënat e kompjuterizuara. Një çast një polic i vjetër dogane e ndali një udhëtar dhe i kërkoi të dinte çfarë kishte në një çantë të madhe, e cila në sy të lirë, edhe pse brenda mund të mbante vetëm ndërresa, të linte përshtypjen se qe mbushur me steka paketash me cigare. Shumica e doganierëve tanë në portin e Durrësit janë vajza që të lënë përshtypje shumë të mirë për sjelljen rigoroze, por plot butësi. Para secilës prej tyre ka nga një tufë me broshura informative të Ministrisë së Punëve të Brendshme plot me udhëzime se çfarë duhet të ketë parasysh një qytetar shqiptar në se dëshiron ta kalojë kufirin pa vizë.
Kur hipëm në traget vumë re se bashkë me statusin e shqiptarit që mund të lëvizë lirisht nëpër Bashkimin Evropian kanë ndryshuar, pothuaj rrënjësisht, edhe komoditeti e niveli i shërbimit të këtyre anijeve. Kjo do të thotë se janë zbutur paragjykimet. Pas një nate udhëtimi më në fund zbresim në portin e Barit. Organizimi i pritësve është mjaft i mirë, sportelet punojnë shpejt, nuk dallojmë asnjë presion mbi gjendjen shpirtërore të shqiptarëve. Kështu ato çaste të gjithë fajin për të arrestuarit ua lë bashkëkombësve jo korrektë me ligjet e shtetit italian. Tashmë në krahun e kabinës në të djathtë, ku do të kalojmë kontrollin, po më vjen radha mua e bashkëshortes. Doganierja është një grua e re. Ishte ajo që pak çaste më parë u bëri një shenjë dy policëve në pritje që të merrnin një djalë të porsa paraqitur tek ajo me pasaportë biometrike. I riu u bë në fytyrë si limua, në sy i ra një terr i plotë. Dukej krahëprerë. Policët italianë e vunë në mes dhe të tre siluetat humbën nëpër korridoret e brendshme të godinës së doganës. Lutesh që djali të mos ketë ndonjë çështje penale të hapur apo procedurë kërkimi për ta kapur, sepse në fund të fundit asnjë prej njerëzve me uniformë në atë port ndalimin nuk e kryen sipas kokës së tij. Ata thjesht zbatojnë urdhra apo vendime të dala prej autoritetesh të tjera.
Ndihemi të tronditur nga skena që pamë dhe në këtë gjendje na vjen radha e kalimit të kufirit. Doganierja merr dy pasaportat tona dhe pasi i pa, nisi pyetjet: “Për ku po shkoni?” Iu përgjigjëm “Në Romë”. Ajo me sytë që ngre dhe ul mbi dy pasaportat tona biometrike vijon “Shkoni për turizëm apo...?” “Për disa ditë pushime”, sqaroj unë, sepse ajo fjala turizëm është luks i tepërt. “Po shkojmë të festojmë dhjetëvjetorin e nipit”, ndërhyn gruaja, duke e treguar gjithë të vërtetën e atij udhëtimi në mes të shkurtit. Italiania nuk dëshmon ndonjë shenjë se është e bindur që dy shqiptarët para saj, të dy gjyshër, nuk po e gënjejnë. “Sa ditë do të qëndroni?”, pyet sërish. “Rreth dy javë”, i përgjigjemi. Doganierja ende nuk ndihet se e ka shteruar dyshimin dhe nuk ka asnjë merak se po i afrohet kufirit të fyerjes. Bashkëshortja ime në pasaportën e saj biometrike kishte një vizë njëvjeçare dhe efekti i saj shtrihej gjer në atë ditë. Ndërkohë kishte edhe shenjat e dy hyrje-daljeve të mëparshme. Kurse pasaporta ime biometrike ka një status mbi të zakonshmen. “I keni biletat e kthimit?”, lëshon doganierja pyetjen tjetër. Gruaja i thotë “I kemi”. Tjetra sërish nuk na jep pasaportat. “Dëshironi t’i shihni?”, ngul këmbë faqe qetësisht bashkëshortja. Doganierja as po dhe as jo. I përsëritet oferta dhe vetëm kur sheh se po hapet çanta prej ku sigurisht do të dilnin e tregoheshin edhe biletat e kthimit, ajo na dorëzon dokumentet. “Zonjë”, nuk përmbahem unë, “Vërtet t’u dukëm si gënjeshtarë?” Ajo përpiqet të buzëqesh, por nuk e kishte gaz. Mu duk si paragjykim. Sepse me heqjen e vizave ne shqiptarët më shumë se hyrje-daljeve në kontinentin amë iu gëzuam bjerrjes së paragjykimeve. Një pjesë e të akuzuarve, pastaj edhe të arrestuarve në atë pikë doganore, kanë ardhur edhe prej këtij paragjykimi të mallkuar. Edhe dënimet ka ndodhur të jenë rënduar thjesht se janë shqiptarë.
Kur shkuam tek Ana Maria Cislagi dhe i dorëzuam paketën me gazeta e ndonjë revistë për të burgosurit bashkëkombës pamë se tetë të parëve u qenë shtuar edhe dhjetë të tjerë, shumica sigurisht të kapur në port nëpër ngazëllimin e hapjes së kufijve. Ana Maria na shpjegoi se një pjesë e të prangosurve nuk qenë treguar aq të shkujdesur sa të vinin me këmbët e tyre, por më parë patën telefonuar avokatët italianë. Një pjesë e këtyre i kishin penguar të rihynin, por disa të tjerë i patën mashtruar. U thanë “Ejani, se masat e dënimit janë hequr!” Kërkonin të fitonin para të tjera.

Ylli Polovina










Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com