Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Koha e njeriut të thjeshtë


(Botuar në gazetën “Shqip”, më 18 shkurt 2011)

Vetëm pak ditë pas 21 janarit, një mëngjesi herët tërë ngricë, ndërsa në Tiranë akullima e veriut pati mardhur gjithçka, edhe shëtitoren e madhe të buzë Lanës, në trotuarin e saj dy djem nga fshatrat e rrethinës, nën flakët plot tym të një kutie kartoni, po përpiqeshin të ngroheshin. Që pa gdhirë kishin sjellë për të shitur nga një grusht zarzavate. Kur u kaluam pranë, pa na vënë re, njëri prej të rinjve i tha tjetrit “Për pesëdhjetë nuk e bëj, por po të më japin treqind shkoj të thyej xhama”. Kthyem kokën në çast për të dalluar çfarë u thoshin sytë apo kapur çdo shenjë tjetër që të ndihmon për të kuptuar nëse e kishin me të vërtetë apo talleshin. Përderisa kishin dalë në atë thëllim të fitonin një kacidhe pa tjetër ata nuk qenë prej atyre djemve që do ta shitnin shpirtin për të bërë demonstruesin e thyesin e paguar të xhamave. Veç në atë zë të tyre kishte shumë dhimbje, tepër vuajtje, shumë pa shpresë. Njeriu i thjeshtë dhe i shpëtuar veç nga dy duart e tij të zhveshura, nuk ndihet mirë këto kohë. Ai “mërmërin”. Nuk ka dilemë se i duhet një sistem tjetër politik, por që ky i fituar me ngazëllim në fillim të viteve nëntëdhjetë, të funksionojë mirë dhe drejtë.
Ka muaj të tërë që çfarë po ngjan në rivalitetin partiak ka përfshirë e mbështjellë me shqetësim të gjithë jetën e shoqërisë shqiptare, madje tërë bashkëkombësit kudo ndodhen. E nisur që në qershor të dy viteve të shkuara ky ballafaqim mund të jetë jo vetëm një nga më të ashprit e deri tanishëm, por edhe nga më kontradiktoret e pas fitores së pluralizmit. Siç po vijon do të jetë edhe më i diskutuara për të zbuluar “përsenë”. Një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e shtata, e rënda anarki shtetërore, ka plot fakte dhe arsye për ta shpjeguar, përfshi edhe efekte e pasoja gjeopolitike në rajon dhe brenda nesh, pastaj ka një “krak” të madh financiar, një plandosje në varfëri, ku të gjithë mbetëm të plaçkitur e të vjedhur. Porse atë konflikt, në pamje të parë i brendshëm politik dhe partiak, nuk e kontrolloje dot me fuqitë e Tiranës. Ai kishte energji negative që vinte nga jashtë dhe i binte Shqipërisë në brinjë për ta mekur e lënë pa frymë. Prandaj edhe erdhën ndërkombëtarët, demokratët, deri edhe me ushtri, për ta përmbajtur e zgjidhur, për të vënë nën kontroll monstrin e konfliktit. Një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e shtata nuk zgjidhej ndryshe. Ky i tanishmi patjetër zgjidhej e duhej shkoklavitur pa ata. Ai ka lindur dhe është krijuar këtu. Ai nuk ka asnjë “përse” gjeopolitike, strategji të të tjerëve si goditje në shpinë. Pikë ngjashmërie nuk i gjen me çfarë ngjau në Tunizi e ndodhi në Egjipt. As prej disa zhvillimeve më të afërta nuk vijnë mundësi apo shpresë ndikimi, alternativa për të eksportuar nxitjejen e krizës apo ndonjë model zgjidhjeje të saj. Ajo që ka ngjarë tek ne si rezultat i zgjedhjeve të mëparshme politike dhe në vijim të mënyrës se si u kërkua një prej shumë zgjidhjeve, është tërësisht shqiptare, totalisht shqiptare, në mënyrë të kulluar shqiptare. Për ta studiuar një rast më të shkëlqyer “laboratorik” nuk do ta gjeje dot për t’i bërë të ditur historisë sonë të vjetër dhe të re se sa mosmarrëveshës jemi dhe çfarë hataje dimë ne t’i bëjmë vetes.
E gjithë kjo mëshon mbi shqiptarin e thjeshtë, mbi popullin. Shqipëria është populli i saj, jo toka. Sigurisht bashkë me elitën e tij. Kjo e fundit është një det i madh personalitetesh, ku pjesa pushtetushtruese e polikës, edhe pse shumë e rëndësishme e jetike, përbën vetëm një grimcë. Ja pse për të kushedi të satën herë në historinë tonë shqiptari i thjeshtë, tek pa se prej një pjese me autoritet të prijësve të tij partiakë po vonon shumë përpjekja t’i krijojë qetësi për të bërë jetën e vetme që i ka dhënë Zoti, është vetmobilizuar të mbrojë kombin dhe shtetin, madje edhe imazhin. Ata që ditët e fundit zbuluan dhe po bllokojnë shkelje të ligjshmërisë në çështjen e ndërrimit fals të kombësisë janë gjyqtarë. Është gjest mahnitës për nga shpejtësia e veprimit dhe e inteligjencës, një aksion jetik e në çastin e duhur për të ndalur një agresion të vërtetë demografik. Sot kufijtë e mbrojtjes janë tek njerëzit, jo tek piramidat.
Tre javë më parë, në orën nëntë të darkës, në rrugën e Kavajës, para urës së re mbi Lanë, u përplasën njëra pas tjetrës tre vetura. Qëllova dëshmitari i vetëm. Dhe a e dini pse u krijua ai aksident i frikshëm? Sepse drejtuesi i makinës së parë frenoi vrulltas nga që iu shfaq papritur tek vraponte një mace rruge. Kështu mbi të goditi makina që erdhi pas e mbi këtë të fundit një tjetër. Macen e shpëtuar, bërë pis nga jeta endacake, e pashë më në fund tek u ndal në një skaj të trotuarit, me sy të zgurdulluar nga krisma e përplasjes. Dolën të tre nga makinat. Qenë shumë të rinj. Për një mace mund të kishin humbur edhe jetët e tyre. Kishin të gjitha të drejtat e botës të ulërinin. Mbajta frymën mos plaste sherri. Në pak minuta u mirëkuptuan.
Një episod dhe një shqiptar tjetër i thjeshtë. Vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, emigrant atje. Quhej Lush Marku. Pati ardhur në Ministrinë e Jashtme të merrte abetare, përkujdesje edhe e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për mbi dyqind fëmijë të porsaregjistruar për mësimin e gjuhës shqipe në Bronx të Nju Jorkut. Njëqind e dyzetë libra të futura në një kuti të madhe kartoni, edhe pse i propozuam një mundësi tjetër transporti, i përfshiu mes krahëve të fortë dhe (e paimagjinueshme), i mbarti deri në makinën e tij të bllokuar në trafik, njëqind metra më larg. Sipas rregullit më të thjeshtë të një mundësie fizike njerëzore duhej të qe këputur e thyer në mes që në dhjetë hapat e para. E bëri sfinks misioni atdhetar që i kishte vënë vetes.
Edhe një tjetër: Në Itali, në vëndin ku për çfarë ndodhi në Shqipëri në 21 janar e në ditët e mëpastajme u shkaktua më shumë vëmendje, për fat të keq kjo pleksur edhe me jo pak pasaktësi, ngjau një pothuaj legjendë. Shoumeni i talentuar Xheri Skoti, i cili e do shumë vendin tonë, bashkë me italianen e thjeshtë Michela De Paoli, fituese e çmimit “1 milion” si edhe me bashkëshortin e saj shqiptar, Durim Pici, mbajtën para ekranit për tre ditë rresht 8.351.000 shikues dhe miliona të tjerë nëpërmjet televizioneve dhe gazetave të tjera, përfshi edhe gjiganden “Corriere della Sera”. Falë tyre ato çaste u përcoll tek italianët mesazhi se jemi një popull shumë i dashur dhe shpirthapët, absolutisht jo i dhunshëm.
Në bllokun e pallateve ku banoj gjendet edhe një disakatësh i para viteve nëntëdhjetë, dikur godinë e një instituti kërkimor. Ato kohë i braktisur ai u “pushtua” nga të pastrehë të ardhur prej zonave verilindore. Këta tashmë janë banorë shumë të rregullt e të ligjshëm. Ka disa mbrëmje që prej njërës nga dritaret dëgjohet gjer poshtë në rrugë tingëllimi i një violine. Është një e luajtur mjeshtërore. Kush i bie? Me siguri një shqiptar i thjeshtë, i dëshiruar për normalitet e i gatshëm vullnetarisht të ngrejë emrin e popullit të vet në Tiranë e kudo nëpër botë.
Po në këtë pallat, në pak hapësirë oborri që ka, që prej 28 nëntorit të shkuar, mbi një trung të hollë, madje as shumë të drejtë, u nder një flamur kombëtar. Kaloi nëntori dhe ai mbeti atje. Në fillim na u duk si i harruar. Pastaj u kuptua përse rrinte të valvitej. Një banor i katit të parë po i bënte disa rregullime apartamentit të tij të vogël. Pra flamurin e pati ngritur se po ribënte shtëpinë e vet. Bezja kuq e zi me shqiponjën në mes u hoq vetëm pak ditë më parë. Pamë se tashmë qe vendosur dera dhe bashkëkombësi kishte hyrë në strehën e tij.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com