Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

A e muarrëm vesh ç’tha Kadareja?


(Botuar në gazetën “Shqip”, më 6 shkurt 2011)

Të përfshirë nxehtësisht nëpër biseda rrethngushta apo në bashkësi masive siç janë blogjet në internet, shumë prej pjesëmarrësve lanë këto ditë përshtypjen se qenë ndjerë disi të zhgënjyer prej shkrimit të fundit të Ismail Kadaresë, botuar në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” të Nju Jorkut. Disave iu duk tepër akademik. Ndërkohë pjesa dërmuese e të pakënaqurve e kishte gjetur një arsye më të përfillshme: shkrimtari me emër të spikatur në glob, pra me autoritet edhe për të ndikuar në botën politike jashtë trojeve të shqiptarëve, për ngjarjet e 21 janarit në Tiranë nuk qe rreshtuar me asnjë prej dy palëve aktualisht në një luftë politike në përmasat e një konflikti gërryes. Kjo donte të thoshte se sipas tyre Kadare pati qëndruar në mes, pra ishte sjellë si një oportunist, i përllogaritur edhe këtë herë t’i shmangej përplasjes jo vetëm me pushtetin, por edhe gjithësisht me të stërfuqishmen, politikën.
Bashkëkombësit e deziluzionuar sidoqoftë nuk kanë ndonjë qortim tjetër më të madh për Ismail Kadarenë, madje duke ia cilësuar botimin e shkrimit “më mirë vonë se kurrë”, i janë mirënjohës që u prononcua. Ata e dinë fare mirë se kur Tirana digjet, “ajo” nuk ka pse krihet. E vërteta është se emra me shumë autoritet ende nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim. Sigurisht edhe heshtja është pozicionim. Edhe ajo jep një mesazh. Edhe ajo “flet”. Heshtja është më e urtë se ata që deri tani kanë folur dhe nuk kanë thënë asgjë.
Ajo pjesë e opinionit qortues ndaj shkrimtarit, duke qenë masë jo e madhe, më shumë se dëshirë për një vërejtje, dëshmon në të vërtetë se gjendja politike e tensionuar në Shqipëri tashmë është bërë një shqetësim i madh për çdo qytetar, është e rëndë dhe gjakvëluese, me shumë pasiguri dhe pamundësi rrugëdaljeje, shumë e tertë dhe me padëshirë për t’u ndriçuar, aq tepër imazhrënuese sa ka lënë pa gojë edhe miqtë më të mirë të vendit tonë. Kjo gjendje është aq shumë krizë mbi krizë sa që në treg nuk janë tejrritur, por kanë dalë duarsh edhe çmimet e ushqimeve më jetike. Prandaj ata duan ta ndajnë shapin nga sheqeri. “Me cilin je?” është pyetja që bëhet gjithandej. Ndërkaq në rast se dëshiron të bësh e paraqitësh analizën tende, pra të thuash që shkaqet dhe protagonistët të cilat sollën këtë situatë të nxehtë të 21 janarit dhe të mëpastajmë janë shumë të pleksura e të ndërlikuara, se pikërisht këtë herë mund të ketë një palë me më shumë përgjegjësi se tjetra, por aspak nuk gjen një pa gabim e faj, etj,, etj., atëherë rrezikon të shihesh si një meskin që lëviz në jetë sipas rehatit personal. Deri sa kjo ndodhi me Ismail Kadarenë, i cili edhe ai nuk u “rreshtua” me asnjërin krah që vazhdon ndeshjen e acartë politike!
Ndërkohë ne mendojmë se Kadare në të vërtetë këtë herë e ka mbajtur një qëndrim të prerë, se ai në fund të fundit është “rreshtuar”.
Përkrahja politike e njërës apo tjetrës palë në këtë krizë mbi krizë është një e drejtë e ligjshme e gjithsecilit që mendon se tërë e drejta është me partinë e vet. Kur kjo kryhet nga njerëz të sinqertë ose së paku koherentë në bindjet e tyre, edhe pse në pamje të parë duket sikur e lodh edhe më shumë gjendjen e rraskapitur të shoqërisë, është gjithsesi e dobishme, madje pjesë e nevojshme e kulturës pluraliste, rregulluese normale e funksionimit të demokracisë (përjashto fjalorin banal dhe mungesën problematike të etikës). Ata që destabilizojnë rregullat demokratike janë syresh të tjerë, të kapurit peng nga histori e akuza për shkelje të shumta të moralit dhe interesit publik. Ose edhe individë njëmijë herë të dështuar, por që e provojnë pazotësinë e tyre edhe për njëmijë herë të tjera. Ose edhe disa politikanë pa parti dhe pa ndjekës, këta “proletarë” që, duke mos pasur asgjë dhe nuk humbin kurrgjë nga çdo përmbysje e sforcuar e gjërave. Si të tillë ata veç fitojnë. Me gjuhën e tyre dukshëm intolerante, të etur që të ndodhë përplasja dhe jo zbutja e gjakrave, në ankth që të mos ketë një zgjidhje të merituar, por një të njëanshme dhe të padrejtë, për rrjedhim edhe fatsjellëse për nepset apo qejfmbetjet e tyre, ata, duke qenë vetë krizë, i shtohen padurueshëm kësaj gjendjeje të krizës mbi krizë. “Rreshtimi” i tyre po fut helm në damarët e shoqërisë sonë ende trupbrishtë. Sikur të bëhej një provë e të mos u kërkohej “ndihmë”!
Ja pse shkrimi i Ismail Kadaresë i botuar në “Illyria” e Nju Jorkut dhe më pas menjëherë në të gjithë shtypin shqiptar, duke mos shprehur anësim me asnjërën palë aktualisht në përleshje politike, është i rreshtuar fare dukshëm. Shkrimtari i ditur ka zgjedhur të jetë me sistemin e shoqërisë së hapur, me vetë qytetërimin perëndimor, të cilit Shqipëria i takon. Ai shkrim që në pamje të parë duket si një ese filozofike, është një thirrje konkrete për gjithsecilin nga ne që në këto çaste shqetësuese, edhe pse mund të jemi përkrahës të kësaj apo asaj pale ose edhe me asnjërën, të mos humbasim gjithsesi kahun e orientimit kryesor, busullën prijëse, mekanizimin vital që garanton realisht daljen nga kjo krizë si edhe çdo tjetër që mund e do të na zënë: sistemin shoqëror demokratik. Historia e demokracisë, shkruan Ismail Kadare, është historia e krijimit të mekanizmave mbrojtës të saj, të forcimit të tyre. “Kultura politike, kultura në përgjithësi, idetë humaniste, filozofia, arti, ligjet, kushtetutat, gjithë doket e qytetërimit bëjnë pjesë në të”, thotë ai dhe ngulmon: “E mbi të gjitha, institucionet e pavarura. Janë ato që ndodhen në vijë të parë për kontrollin dhe frenimin e kësaj makine aq të nevojshme e njëherësh të bezdisshme, me emrin shtet”. Pastaj vijon “Ndaj nuk është e tepruar të thuhet se shkelja e pavarësisë së tyre duhet të përjetohet si një katastrofë”.
Në atë që kulmoi në 21 janar përpjekjet për të shkelur dhe nënshtruar, madje edhe poshtëruar, institucionet e pavarura, kanë qenë të ndërsjella. Kur Kadare përdor konceptin e makinës së dobishme por edhe njëherësh të bezdisshme të shtetit, nuk e ka fjalën vetëm për një kabinet qeveritar apo edhe shumicë parlamentare, mbi të cilën në një sistem demokratik në situata të acarta bie përgjegjësia kryesore jo patjetër e shkaktimit, por e moszgjidhjes, e daljes nga rruga pa krye. Je në krye, më nxirr nga tuneli!
Ismail Kadare, ky shkrimtar shumë i talentuar dhe i ndjeshëm për temat humane, është po ashtu si person edhe një makinë e ftohtë llogaritëse. Ai nuk ka gabuar asnjëherë në lëvizjet e tij të mëdha, duke mbijetuar në diktaturë dhe më pas rritur shumë prestigj letrar në botë. Në të gjitha qëndrimet që ka zgjedhur, të shumëdiskutuara jo pak, ai nuk ka munguar asnjëherë t’i japë përparësi interesave të tij vetjake, veçanërisht profesionale, por aspak primitivisht të komoditetit personal. Po të shihet me kujdes jeta e tij tashmë treçerek shekullore Kadare nuk ka qenë përherë i prirë nga drejtësia, apo së paku nga baraspeshimi, sidomos për të gjykuar ndaj individëve të tjerë. Ka boll gjak të nxehtë shqiptari edhe ai. Veç në të gjitha aksionet e mëdha që si zgjedhje personale ka ndërmarrë në jetë, me një gjë kurrë nuk ka luajtur: vendin dhe etninë e tij. Aty Ismail Kadare ndalet, përmban çdo inat, çdo ngasje për t’u hakmarrë. Para Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve ai rri i përulur. Si në atë mur të shenjtë Jerusalemit kur besimtarët hebrenj puthin gurët pa pushuar.
Ajo që bashkëkombësi ynë shkroi në “Illyria” të Nju Jorkut, në një mesazh kuptimplotë për diasporën tonë demokratisht të emancipuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin e madh që duhet ta dëgjojmë me kujdes, sepse në analizat, përfundimet dhe nevojat e tij gjeostrategjike për stabilitet, gjendet edhe fati i qëndrueshmërisë sonë. Ata dhe evropianët e dinë shumë mirë se zgjidhjet i sjell stabiliteti dhe se ky i fundit realizohet jo nga një, dy apo tre persona, prej një, dy apo tre institucioneve, por vetëm nga zbatimi i rregullave të demokracisë. Qëndrueshmëri reale të vendit, por edhe mbarësi për të ardhmen, nuk ka kurrë pa respektim të të gjitha institucioneve dhe të vetë pluralizmit. Fati ynë, i njerëzve të thjeshtë, është këtu. Po këtu është edhe i vetë politikanëve. Demokracia është fati i tyre. Le ta kthejnë një çast kokën para vitit nëntëdhjetë!
Prandaj a nuk do të ishte mirë që krizën mbi krizë që kemi dhe që po e rëndojnë dita ditës krizësjellës të paemër, a nuk do të qe mirë ta zgjidhte vetë klasa jonë politike? Po të ndodhte kjo punë urgjente, por edhe shumë e mençur, në Bashkimin Evropian, superatdheun tonë, jo thjesht do të ndiheshin të çliruar nga makthi i një vendi të parehatuar dhe andrallë sjellës që prej dy dekadash, por do të hiqnin nga projektet e tyre njëherë e mirë çfarëdo teknike të detyruar shtrënguese, përfshi pezullimin e përkohshëm të vizave apo edhe shtyrjen mundonjëse për t’u kandiduar më në fund si shtet anëtar i BE-së, por do të ngjante e kundërta: do të deklaronin me bujë afrimin e ditës së eurointegrimit.
Pas kësaj do të shihnim me ngazëllim se si ai 21 janar që la nëpër botë një shije të trazuar mosbesimi për pazotësinë të vetëqeverisjes sonë moderne, do të shndërrohej në një bum të imazhit tonë normal, pse jo edhe mjaft interesant, mbresëlënës.
Kemi nevojë për këtë. Politikanë, ju lutemi, bëheni këtë mrekulli!

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com