Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Lirim Deda, një fat shkrimtari mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut

(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, shtojca kulturore “Milosao”, më 30 janar 2011)

Romani “Foleja e Vetëtimave”, jo pak por një volum me 436 faqe, ka autor Lirim Dedën, i lindur në vitin 1936 në Nivicë të Kurveleshit. Vit publikimi libri ka 2009-ën. Siç ndodh shpesh, mes një orteku të potershëm botimesh, asnjë nga mediat e mëdha nuk u interesua për të, aq më tepër që krijuesi i saj, ca nga natyra e njeriut të tërhequr e ca për shkak se një pjesë të mirë të ditës e kalon si pijetar profesionist pranë ndonjë gote rakie, nuk bëri asnjë përpjekje për të paktën dy rreshta njoftim. Ja përse po bëjmë një provë ta mbushim këtë zbrazësi, jo për hir të Lirimit, edhe pse do të qe njerëzore të shprehemi se ai si krijues me talent nuk e meriton mbetjen në hije, por sepse bëma e tij prej artisti, saktësisht ajo që i ka ndodhur prej letërsisë, përmban ngjarje që zbulojnë pamje të pazakonshme të vetë jetës shqiptare. Lirim Dedës dhe romanit të tij “Foleja e Vetëtimave” po i kthehemi pikërisht për këtë shërbim qytetar.
Trazimi në jetën e tij, në të vërtetë përmbysja në të, nisi t’i shfaqet në ditët që po mbyllnin me nxitim fundin e nëntorit 1981 dhe çuditërisht, siç do ta shohim, ai rrënim do të ecë paralel me fatin e Mehmet Shehut, tre javë më pas gjetur në dhomën e tij të gjumit i vdekur prej një arme zjarri. Ato çaste kur nis rrokullima e Lirim Dedës Shqipëria komuniste qe nën atmosferën e dyzetë vjetorit të themelimit të partisë së vetme në pushtet dhe një konkurs letrar sapo i kishte shpallur çmimet zyrtare. Në atë garim edhe ai kishte qenë pjesëmarrës. Pati paraqitur romanin “Foleja e Vetëtimave”. Kur po fillonte të mësohej me idenë se libri i tij nuk mori dot një vlerësim jubilar, në shtëpi i ra zilja e telefonit. Qe Vath Koreshi, miku i ngushtë, por edhe një nga pjesëtarët kryesorë të jurisë së konkursit letraro-artistik kombëtar. I shqiptoi në receptor fjalët e paqarta e plot ankth “Hajde se kam një hall!” Dhoma e jurisë ndodhej në Pallatin e Kulturës dhe Lirimi vrapoi për atje. Sapo behu tek dera Koreshi nxori nga pirgu i madh i dorëshkrimeve të paraqitura romanin “Foleja e Vetëtimave” dhe i tha se ai duhej fshehur sa më parë: “E kishim caktuar për të marrë çmimin “Republika” të shkallës së dytë, por na erdhi nga lart urdhri që të anulohet”. Lirim Deda ngriu. Kërkoi me gjysmë zëri emrin e personit “lart”. Qe S.L., funksionar tepër i rëndësishëm i partisë në pushtet dhe që ndërhyrja e të cilit të bënte të besoje se për gjestin autoritar mund të kishte marrë më parë miratimin e të paktën njërit prej tre më të mëdhenjtë e shtetit: Enver Hoxhës, Mehmet Shehut ose Ramiz Alisë. “Ke njeri të sigurt që mund ta fshehë?”, pyeti i merakosur Vath Koreshi. “Po”, belbëzoi tjetri, i rikthyer më në fund në vetëdijen e plotë të vetëmbrojtjes. I kishte mbërritur vetëtimthi në kokë emri i të motrës. Madje kjo nuk qe vepër e kujtesës së tij, por ardhje në ndihmë e vetë asaj, si në legjendën e Gjergj Elez Alisë, ku motra i qëndroi tek shtrati dhe ia kuroi plagët e luftës me bajlozin të vëllait për trembëdhjetë vite rresht. Lirim Deda e rrëmbeu tufën e madhe me letra të daktilografuara, e mbuloi me një gazetë dhe doli në rrugë. Sheshi “Skënderbeu” kryqëzohej nga ecjet e kuturumta të njerëzve dhe makinave të pakta. Ku ta gjente njeriun që do ta çonte librin fatkeq tek e motra, atje larg ku jetonte me familjen e saj, në Rrëshen. Për fat nuk vonoi t’i shfaqej një i afërt. Kështu që arratisja e romanit “Foleja e Vetëtimave” u bë e mundur që atë ditë. Ndërsa u duk se qenien e tij pak nga pak po e zotëronte ndjenja e qetësisë së mjaftueshme sa që më në fund të bënte një analizë, e kuptoi se kërcënimi qe mjaft misterioz e për pasojë mund të ishte shumë i tmerrshëm. Qe prej më shumë se pesë vitesh kryeredaktor i revistës ’”10 Korriku” të Ministrisë së Mbrojtjes, anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, fitues i tridhjetë e dy çmimeve letrare, anëtar i kolegjiumit të gazetës “Drita”, familje me dy dëshmorë lufte, i ati dhe i vëllai i nënës, që nga viti 1968 autor i dymbëdhjetë librave, i vlerësuar e pritur posaçërisht nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu...Dreqi e mori, çfarë po i ndodhte?!

ooo

Enver Hoxhën e kishte takuar për herë të parë në 1953, kur qe vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç. Në Tiranë po zhvillohej një kongres i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe Lirim Deda ishte duke studiuar në shkollën ushtarake “Skënderbeu”. Deri atëherë pati botuar dy cikle me poezi tek gazeta “Zëri i Rinisë“. Nuk e mori vesh cili nga komanda qe kujtuar për emrin e tij, por e urdhëruan të përgatiste një fjalë uruese për kongresin. Ato, përshëndetjet, u bënë në seancën e dytë dhe kur skënderbegasit të ri i erdhi radha për t’u ngjitur në podium, me një zë gjëmimtar, të stërvitur në shkollë posaçërisht për veprime luftarake, lexoi dy faqet e shkruara, të cilat kurrkush më parë nuk ia kishte kontrolluar nëse qenë më të përshtatshmet. Ndërsa mbaroi buçimën e tyre u dëgjua në mikrofon zëri i Enver Hoxhës “More djalë, po na zgjove nga gjumi”! Kur punimet e asaj seance përfunduan dhe nisi një pushim ndërmjetës Enver Hoxha foli sërish: “O Nexhmije”! Ajo në përgjigje shqiptoi një fjalë, e cila ende edhe sot Lirim Dedës i duket se ka qenë një “Lepe!” “Merre Lirimin të pimë kafe apo të hamë ndonjë ëmbëlsirë!”, shqiptoi përsëri Hoxha. Në çast drejt skënderbegasit të ri u dërgua një vajzë, e cila e mori përdore dhe e futi në dhomën kur Enver Hoxha po rrinte tashmë bashkë me të shoqen. E përqafuan dhe i thanë çfarë dëshironte. Lirimi ndërkohë nuk kishte arritur të shqiptonte asnjë fjalë, aq turbull qe. I vunë përpara një si aranxhatë aromatike. “Vazhdo kështu se e ke mirë!”, porositi Hoxha dhe atë takim të shkurtër e mbylli me fjalët “Po të kesh ndonjë hall thuaji Nexhmijes!”
Takimin e dytë me Enver Hoxhën e përjetoi kur tashmë qe poet i afirmuar dhe në vend të parullave politike mund të kryente edhe analiza profesionale për letërsinë. Ishte një mbledhje e gjerë shkrimtarësh ku Lirim Deda pati diskutuar dhe sërish njeriu i fortë i regjimit ndërsa për kuvendin sapo kishte nisur një pushim i shkurtër, e thirri t’i vinte pranë. Duke qenë se qe ushtarak, kur i afrua, iu paraqit me fjalët “Shoku Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Popullore të Republikës Popullore të Shqipërisë...”. Zërin e kishte të lartë, por edhe mikrofonat qenë ende hapur, kështu që pjesëmarrësit e takimit, ndërsa ato çaste po dilnin, u rikthyen në sallë dhe nisën të duartrokitnin. “Na i ktheve, nuk i le njerëzit të bëjnë pushim”, tha Hoxha dhe bashkë me Nexhmijen biseduan disa minuta me Lirimin. Duke e parë të dobët i thanë të ruante shëndetin, “sepse ai i duhet partisë dhe popullit” dhe se qe mirë të mos përhapej në shumë punë. Ato kohë Deda botonte njëherësh në të gjitha gazetat e vendit.
Takimi me Mehmet Shehun pati ngjarë në dhjetor 1974, menjëherë pas Festivalit të Këngës së Lehtë, ku bashkë me Vaçe Zelën teksti i tij kishte marrë çmimin e parë. Qe ende mëngjes kur e mori në telefon truproja e parë e kryeministrit dhe i tha të bëhej gati se në orën dhjetë do t’i vinte për një vizitë në shtëpi Mehmet Shehu. Shkrimtari ushtarak sapo pati lënë ato ditë një shtëpi me dy dhoma të vogla dhe e kishin pajisur me një apartament banimi dy herë më të madh. Veç të katër dhomat qenë pothuaj të zbrazëta. I shqetësuar se nuk kishte as edhe një tavolinë të saktë, ndërsa sipas tij për qerasje patjetër do të duheshin edhe llokume e pije, mezi u qetësua kur i thanë se për ato gjëra as që duhej të merakosej. Qenë masa që i merrte vetë shteti. Kur mbërriti në shtëpinë e tij, tashmë të rrethuar me njerëz të sigurisë, për shkak se ndërkohë e pati thirrur një hierark tjetër i kohës, Shefqet Peçi, përkujdesës dashamirë i tij, Mehmet Shehu me të shoqen kishin kohë që ndodheshin aty. Kur hyri pa se gjithçka në dhomën e pritjes qe vënë në vendin e saj. Nuk mungonte as dollap apo gardërobë, as tavolinë e gjatë dhe perde e hijshme, asgjë nga pijet dhe ëmbëlsirat e gostitjes. Me të parë të zotin e shtëpisë në derë Fiqiretja u çuan në këmbë, por Mehmeti nuk lëvizi fare. Vetëm i zgjati dorën. “Kemi ardhur me porosi të Komandantit të urojmë për këngën që ke shkruar për atdheun”. “Më falni se u vonova pak”, kërkoi ndjesë Lirim Deda, por kryeministri ia ktheu menjëherë “Nuk ke qenë ndonjëherë ushtarak i disiplinuar”. Pastaj iu drejtua me emër bashkëshortes së poetit që të ngrinin nga një gotë. Patën vënë buzët në to dhe më pas qelqet ende plot porsa lënë mbi syprinën e tavolinës, kur Shehu tha “More Lirim, të të bëj një pyetje? Çne ti Lirim Deda? Ti duhet të quhesh Lirim Dede”. “E ka thënë doktor profesor Dhimitër Shuteriqi që Dedajt kanë qenë fillimisht në Mat dhe vetëm prej këtej janë vendosur në Kurvelesh”. Pa mbaruar çfarë donte t’i thoshte për argument kryeministri papritur i ra me grusht tryezës dhe shqiptoi një fjalë të rëndë për Shuteriqin. Ndërkohë prej goditjes gotat e mbushura me pije kërcyen në ajër dhe që të gjitha u hodhën e u derdhën mbi trupin Fiqiretes. Ajo u lag krejt dhe u detyrua të shkonte në dhomën ngjitur për t’u ndërruar. Porse Mehmet Shehu vijoi zemërimin e vet: “Ti je autokton, lab, bektashi, pra një Dede. Edhe babai tënd është një Dede. Po kujt i flas unë, ti nuk njeh as tët at”! Dy-tre minuta më pas kryeministri mori të shoqen dhe iku. Një gjysmë ore më vonë njerëzit i shtetit morën me vete tavolinën, dollapin, gardërobën, shishet e pijeve, gotat. U larguan edhe rojet e sigurisë. Kurse Lirim Dedes iu deshën ca kohë të mblidhte veten. Mehmet Shehu kishte qenë shumë i saktë në ato që sapo i pati thënë. Ai e dinte këtë të paktën prej tetë vitesh, kur në 1966 botoi librin e parë me poezi “Këngët e marshimeve”. Mbi kopertinë, nga që i kishte pëlqyer që Ismail Kadare redaktor në “Drita” një cikli të tij i kishte vënë autorësinë Lirim Deda, e vendosi po kështu. Kur shkoi në shtëpinë e të atit, në vendlindje dhe i dhuroi kopjen e librit të parë, ky, njohës i katër gjuhëve dhe në vitet tridhjetë emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi e uroi me gëzim, filloi ta shfletonte. Ishte pikërisht ky çast kur befas e pyeti “Cili jam unë?”. “Baba im”, iu përgjigj Lirimi. “Po unë jam Dede e jo Deda!” I biri ndërkaq kishte mbushur sytë me lot. Megjithatë i ati nuk e lexoi kurrë atë libër.
Mirëpo personazhi i çuditshëm i këtij shkrimi e vijon këtë dytësim të tij edhe sot. Në kopertinën e romanit “Foleja e Vetëtimave” shkruhet Lirim Deda, kurse në pjesën e prapme të saj, atje ku ka shkruar të dhëna për jetën e krijimtarinë, thuhet Lirim Dede.

ooo

Ndërsa në fundnëntor 1981 ky libër do të arratisej për t’u fshehur, në 12 dhjetor do të bëhej një mbledhje e organizatës së partisë dhe shkrimtari ushtarak do të përjashtohej prej saj. Si shkak fillimisht u paraqit letra e një shkrimtari tjetër, edhe ai ushtarak, por që në Ministrinë e Mbrojtjes kishte pushtet: qe shef i Drejtorisë Politike. Ai e denonconte Lirimin se me veprën e tij letrare e diskreditonte ushtrinë dhe partinë. Për këtë arsye propozonte edhe përjashtimin. Kundër tij i akuzuari përdori vetëm fjalët “E ka nga zilia, sepse është shkrimtar mediokër”. Nuk u bashkuan me denoncuesin as komunistët e tjerë. Atëherë u nxor “asi nën mëngë“: “Pse Beqir Balluku ka thënë se Lirim Deda edhe ta hedhësh nga helikopteri kokëposhtë bie në këmbë?” “Po ku ta di unë!”, u mbrojt ky, “Ju e kishit në hetim atëherë, gjashtë vite të shkuara, përse nuk e pyetët?” Në të vërtetë me Ballukun ai kishte pasur vetëm një rast kontakti serioz, kur ky e kishte thirrur të punonte pranë tij si përshtatësi i shkresave me normat e reja të drejtshkrimit, urdhër i prerë ky i Mehmet Shehut për të gjitha institucionet, dhe që ditën e parë qe shmangur. Me argumentet që paraqiti drejtuesit e organizatës së partisë nuk u bindën dhe hodhën në mësymje akuzën e tretë. I thanë se një nga koleget e kishte të dashur. Lirim Deda u shtang. “Deri këtu paskan vajtur punët”, tha, “që një gazetare, e cila është emëruar në redaksinë tonë jo prej meje, por nga shefat tanë, thjesht pse është femër duhet të jetë patjetër edhe...Ju e keni vendosur që më parë të më përjashtoni nga partia. Bëheni!”
Pa u mbyllur ai 12 dhjetor dikush nga Ministria e Mbrojtjes kishte thirrur në zyrë bashkëshorten e Lirim Dedës, shefe llogarie në atë dikaster, dhe i pati bërë ofertën tunduese: në rast se donte të qëndronte në po atë vend pune, pra edhe në Tiranë, duhej ta ndante sa më parë të shoqin. E thirrura mbeti pa gojë. I thanë se bashkëshortin e patën përjashtuar tashmë nga partia. Edhe pse qe një masë tmerruese dhe shpesh fillimi i një fundi të paditur, ajo nuk pranoi ta ndante Lirimin. Atëherë i shpjeguan se për disa ditë rresht babai i fëmijëve të saj kishte shkuar në qytetin e Sarandës bashkë me redaktoren e revistës dhe kishin fjetur në të njëjtin hotel. “Në Sarandë ikën vetë“, pyeti ajo, “apo i dërguat ju me shërbim për të shkruar?” “I çuam ne”, pranoi tjetri. “Nuk e ndaj”, shqiptoi prerë ajo. “Si!?”, belbëzoi shefi, “Mes fëmijëve dhe Lirimit ti zgjedh këtë të fundit?” “I zgjedh të dy”, tha gruaja që tashmë e kuptoi se më e pakta po i priste internimi. Pastaj shtoi: “Unë nuk e kam marrë me dashuri burrin tim. Ma ka dhënë babai. Është amaneti i tij”. Kështu kishte qenë me të vërtetë: i ati i Lirimit dhe vjehrri i tij i ardhshëm në vitet tridhjetë kishin qenë bashkë në emigracion, madje punuar edhe me Fan Nolin dhe që nga ShBA kishin vendosur që miqësinë e tyre ta vijonin me lidhje krushqie.
Në mesnatën e 13 dhjetorit, ditë e martë, ndërsa pati mbaruar punën në shtypshkronjë dhe me dhjetë kopje të gazetës “Luftëtari”, të porsa botuar, po kthehej në shtëpi, Lirim Deda gjeti para saj një kamion të madh, dhjetë ushtarë dhe një oficer. “Të kam vëlla”, iu lut tjetri, “Mos më merr inat. E di që do të vuash”. “Për ku do të më çoni?”, pyeti me zë të shuar Lirimi. “Ende nuk e di saktë“, tha tjetri, “Por ose në Dumre ose në Gramsh”. Po niste internimi. Kjo donte të thoshte se automatikisht i qe hequr edhe e drejta e të shkruarit dhe e të botuarit. Pasi ushtarët hodhën mbi kamion plaçkat e shtëpisë dhe mes sendeve edhe familjen Deda, u nisën drejt Elbasanit. Kur mbërritën këtu erdhi urdhri: I përjashtuari nga partia do të punonte tek Pusi Tetëmbëdhjetë, kurse për gruan e fëmijët kishte sektor bujqësie: ferma e Belshit. Dhjetë kilometra larg qytetit gruan, e cila i qëndroi besnike të shoqit, i priste mbjellja apo shkulja e patateve. Ndërkaq vendpuna e dikur shkrimtarit ushtarak qe një pus i madh në Bradashesh, nëpërmjet të cilit furnizohej me ujë Kombinati Metalurgjik. Këtu ishte brigadier i dymbëdhjetë ushtarëve të punës, çfarë do të thoshte i dymbëdhjetë ish-të burgosurve ose me “biografi të keqe politike”. Kur i njohu vuri re se i dënuari më pak kishte kaluar tre burgime, shumë nga katër e pesë. Si edhe Lirim Dedës të dymbëdhjetëve u lejohej të mbanin në dorë vetëm lopata, madje edhe ajo të qe aq e vjetër sa t’i lodhte. Mes të gjithëve, në barakën ku strehoheshin, i bëri përshtypje njëri nga të ndëshkuarit. Qe nipi i një krimineli të njohur gjatë luftës, i mospranuar jo vetëm prej partizanëve, por edhe nga nacionalistët. Pikërisht ky do t’i shfaqej fare pak ditë më pas, në pasmesnatën e 18 dhjetorit, teksa flinte. Në fillim e zgjuan disa të goditura të forta në xhamin e dritares. “Kush je”, “Jam unë“. Lirim Deda u ngrit nga shtrati dhe çeli përgjysmë kanatën e penxheres. “Çfarë ke?”, “Kam një llaf për të thënë“, “Ku ishe gjer në këtë orë?”, “Bleva një paqetë cigare në Elbasan”, “Hajde futu në krevat!”, “Më parë të them atë llafin”, “Nesër në mëngjes”, “Nesër është vonë. Do ta them sot. Nesër kur ta dëgjosh nga të tjerë do të më thuash përse nuk ma the”, “Hë, atëherë, çfarë ke?”, “Mehmet Shehu ka vrarë veten”. “Ptu, gënjeshtar! Mehmet Shehu e vret veten vetëm kur të mbetet ai shqiptari i fundit. Por tani eja dhe futu në shtrat”. Ndërkaq tjetri në vend që të futej në barakë iku nëpër natë. Lirim Dedën e arrestuan në mëngjes. Posaçërisht për prangimin e tij që në orën tre të natës ishte nisur nga Tirana vetë shefi i Sigurimit i Ushtrisë. E mbyllën në një godinë hermetike, tek dera e të cilës gjithë ditën nuk pipëtinte mizë. Hetuesit e ndërroheshin. Për dhjetë ditë e njëjta pyetje: “Armik i popullit, përse the qe Mehmet Shehu nuk e vret veten?” Në të dhjetë ditët iu përgjigj se Mehmet Shehu me dorën e tij e kishte shkruar në Rregulloren e Jetës së Brendshme të Ushtrisë se “Ushtaraku që vret veten është armiku më i betuar i Partisë dhe i popullit”. Nuk e besuan, edhe pse u shpjegoi se kishte qenë redaktori i atij libri me kapak të kuq, se ish-kryeministri në vitin 1974, kur u bë edhe ministër mbrojtjeje, kishte urdhëruar rishikimin e të gjitha rregulloreve të Ushtrisë për të hequr përfundimisht prej tyre ndikimin sovjetik. Për pasojë ishte hartuar nga fillimi edhe ajo e jetës së brendshme. Lirimi përsëriti me dhjetëra herë se në faqen njëzetë e një paragrafi pesë Mehmet Shehu me dorën e tij, me stilolaps të kuq, kishte bërë një shenjë dhe shkruar “Këtu të shtohet ky paragraf: “Ushtaraku që vret veten është armiku më i betuar i Partisë dhe i popullit”. “Dhe kështu u bë”, këmbënguli para hetuesve Lirim Deda. “Provoje!”, i bërtitnin apo e merrnin me të mirë ata. Atëherë u tha të kërkonin origjinalin e redaktuar, i cili duhej të qe në Tipografinë Ushtarake, ku rregullorja u shtyp. Kërkuan atje dhe nuk e gjetën. Sërish “Armik i popullit, përse the se Mehmet Shehu nuk e vret veten?” Pas dhjetë ditëve tek godina hermetike e çuan në burgun e Elbasanit. Këtu i erdhi një epror që ndjente dhembshuri për fatin e tij dhe i shpjegoi se e kishte punën shumë keq. Hetuesit nuk ja thoshin, por ata lart mendonin se me çfarë pati thënë për Shehun që do të vdiste i fundit, ku e kishte lënë Enver Hoxhën. Kishte vdekur edhe ai? E kishin vrarë? Lirim Deda u zbeh. As i kishte shkuar ndërmend se mund të kishte një interpretim kaq të rrezikshëm të fjalëve të tij. Thirri me zë të lartë “Enver Hoxha është i pavdekshëm, i vetmi i pavdekshëm që ka populli shqiptar”. Tjetri mblodhi supet dhe i premtoi se nuk kishte asnjë rrugë tjetër shpëtimi veç të gjendej teksti i redaktuar. Iku për në Tiranë dhe iu shfaq tek dera e qelisë pas dy javësh: “Shpëtove!E gjetëm në një kasafortë në ministri”. Pas nëntëmbëdhjetë ditësh në burg e liruan, me gjithë protestën e disa njerëzve të Sigurimit. E dërguan në Sopot, në një brigadë sharrtarësh, më shumë se një duzinë orësh larg nga Elbasani. Në barakën e vogël flinte bashkë me një që kishte vrarë të vëllanë dhe nusen e tij. Qe i çmendur. Pas tetë muajve, për fat, atë bashkëvuajtës problematik e futën në një strehë tjetër. Në tre vitet e kaluara këtu operativi i Sigurimit të zonës e merrte vetëm një herë në muaj, në një ditë të papritur që e vendoste vetëm ai dhe vetëm për një orë leje e dërgonte me makinë në shtëpi. Në vetëm gjashtëdhjetë minuta duhej të bënte gjithçka, që nga dushi, çmallja me gruan e fëmijët, ngrënia e një kafshate buke. Pasi merrte boçën me ndërresa të lara, fiks duhej të qe në rrugë, ku oficeri frikshëm i saktë dhe me sytë e ftohtë të një gjarpri, e priste. Një minutë më vonë ai ikte dhe kishte paralajmëruar se po të ndodhte kjo Lirim Deda duhej të priste pasojat.
Vitet e tjera, gjer sa diktatura ra, punoi në mal të Sopotit, në punimet mbrojtëse. Me vitin 1991 i erdhi liria për të shkruar e botuar, por puna sërish i mbeti atje. Sidoqoftë gruaja dhe fëmijët u rikthyen në Tiranë, ku morën me qira një apartament të vogël, dhomë e kuzhinë. Shtëpia e mëparshme me kohë qe sekuestruar dhe dhënë dikujt tjetër.
Lirim Deda (apo Dede) doli në pension dhe u rikthye në Tiranë në 7 nëntor 2001. Po këtë vit e motra nga Rrësheni i dorëzoi librin e mbajtur fshehur “Foleja e Vetëtimave”. Ndërkohë botoi “Gjurmë të arta”, “Eja të blesh zemrën time”, “Rrufe pikëllimi”, “Trëndafili i zi”, “Bukuria të verboka”, “Djepvarri im, trimja Labëri”, “Kush e vrau dashurinë“. Ka provuar të jetë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta letrare dhe lokale si edhe shtëpi botuese. Vetëm një muaj më parë la apartamentin e vogël me qira dhe shkoi në një të ri, të porsa blerë prej të birit. Këtë ditë të lumtur, ndërsa për të transportuar bibliotekën zgjodhi si të besueshëm dy djem rom me një karrocë, këta, pasi ngarkuan librat e shumta, nuk i pa më. Me siguri i shitën diku me peshë.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com