|
Pse qava dy herë
(Botuar në gazetën Shqip në 24 janar 2011)
Prej asaj që pamë dje, gjer sa në Tiranë ra nata e thellë dhe u bë një përmbledhëse e parë e rezultateve dhe e pasojave të betejës më të fundit politike në Shqipëri, ndjenjat që na e shtypën kraharorin qenë ankthi, pasiguria, dhimbja, zemërimi. Edhe në vitin 1997, edhe në 1998, edhe në fillim të viteve dymijë, kur një protestë bëri të ngjitej nëpër shkallët e Kryeministrisë dhe u frenua prej disa opozitarëve të moderuar si edhe një operacioni profesional të trupave të rendit, më është dashur, për hir të pasionit për ta shkruar historinë, të regjistroj gjithçka. Të gjitha këto ngjarje të pazakonshme, plot dramë dhe tragjedi bashkë, përbëjnë një vëllim shumë të madh ditari me shënime mbresash, zërash dhe pamjesh, artikujsh vendas dhe të huaj, lajmesh të televizioneve këtu dhe për aq sa prej dhjetëra e dhjetëra stacioneve të huaja mund të kapësh informacion të transmetuar prej një antene satelitore. Kështu ndodhi edhe me 21 janarin. Regjistrime. Sa më shumë. Shpëtoja ashtu edhe nga një gulç të qari që më vinte deri në anë të syrit dhe e zboja. Qan burri për halle familjare, por nuk ka përse e bën këtë gjë për arsye të sjelljes së politikës. Kështu, gjer sa kohë pasmesnate më mundi një gjumë-kllapi, nuk u shburrërova. Veç ajo dremitje qe edhe më torturuese. Luftova me veten. Një fjalë e urtë thotë se shpresa është e fundit që e braktis njeriun. Dhe unë në mbyllje të ditës së 21 janarit e kur kishin lëshuar syth orët e para, ende të errëta, të datës njëzetë e dy, mora vendimin më të rëndë të jetës time: ta braktisja shpresën. Nuk e duroja dot më këtë jetë në Shqipëri. Nuk besoja dot më se përpara kemi ditë më të mira. Më vinte turp nga vetja, sepse pa fund, si edhe mjaft kolegë, kisha shkruar se Shqipëria është vend normal. E kisha mbrojtur këtë kauzë edhe në ballafaqim me gazetarë apo media të huaja, që herë pas here bënin shpoti me tezën e kundërt. Por pas 21 janarit 2011 asgjë e tillë nuk do të kishte më kuptim. Do të qe një çështje e humbur, sepse provonte që nuk kishim të bënim me një pamje e çështje të tranzicionit, por krejtësisht me një karakteristikë gjenetike si shqiptari e ka marrëdhënien dhe kuptimin me pushtetin. Njëzetë e një vite pas rënies së një diktature njëzetë e një janari 2011 dëshmonte jo një dukuri të heqshme, por një kulturë të ngulitur, jo një ngjarje kalimtare, por një proces shoqëror ciklik.
Ja pse zgjimi në 22 janar do të qe vetëm zhgjëndrra e një nate me ende në vesh krismat e armëve që në kryeqytet ranë për një kohë shumë të gjatë deri edhe me ritme breshërish, skenat kur policë mjaft paqësorë goditeshin egërsisht me shkopinj e gurë, disa uniformëmbajtës me skafandra që dhunuan barbarisht pleq, një jetë njeriu që binte papritur përdhe i mbytur në gjak kur nuk kishte asnjë në dorë dhe qe larg kangjellave rrethuese të Kryeministrisë. Ndërkaq pranë edhe një i shtrirë tjetër. Të rinj të dalldisur nga vesi i anarkisë që digjnin makina policie, kur prej tyre nuk vinte asnjë rrezik apo i hidhnin flakën veturave private të kush e di kujt parkuar tek Piramida, të gjitha gjeste të verbra pa asnjë lidhje me një frymë proteste politike. Të shpërfytyruar nga paqytetaria kishte prej atyre që nisën ti vënë zjarrin pishave të vogla zbukuruese para selisë qeveritare dhe pastaj më të zellshmit pishave të mëdha të lulishtes pranë. Ja pse mëngjesi i 22 janarit kishte vetëm shije helmi në gojë, vrer. Ishte shenja e sigurt se kisha humbur, bashkë me shpresën edhe dëshirën për ti mbyllur vitet e jetës në Shqipëri. Mund të ikësh, qoftë edhe për protestë. Si një veprim i dobishëm, kur nuk gjen dot rrugëdalje tjetër.
Mes telefonatave të të merakosurve prej të afërmve nga vendlindja, në 20.35 kishte qenë ajo e vajzës së madhe në mërgim, e cila sapo kishte parë lajmin në televizionin italian pyeti si ishim dhe pastaj përloti zërin Ka të vrarë, prandaj....
Pas regjistrimeve të mëngjesit (varianti i dytë i lajmit në Euronews, çfarë tha një stacion francez, radhët e ngjeshura të disa teleteksteve), ja më në fund edhe e përditshmja më e madhe italiane Corriere della Sera. E titullonte shkrimin Shqipëria në prag të luftës civile. E njihja këtë logjikë shtampe të të huajve, që ende nuk dinë se luftë civile ne nuk patëm as në 1997 e megjithatë përhapën kudo këtë lajm të zymtë. Tashmë po e rishpërndanin gjithkund nëpër glob. Ua kishim dhënë ne shtysën, zgjuar paragjykimin, ngacmuar kujtesën e ligë. Zemërimi në të kundërt, pra ndaj atyre që kishin faj si të dytë, por jo të parë, ma largoi ndjenjën e dënesës dhe të boshllëkut nga humbja e shpresës. Ndërkohë mjaftoi me postën elektronike një mesazh i poetit Gëzim Hajdari, azilant i dhimbshëm e penë e çmuar shqiptare në Itali, të mos i përmbaja fare lotët. Ai i mbyllte fjalët me ...duke shpresuar në një Shqipëri të ndershme, transparente dhe të kulturuar. Kështu nisa të qaj, nga dëshpërimi besoj, mbase edhe nga mëdyshja çfarë të bëja me shpresën e humbur. Zakoni profesional për të vijuar mbledhjen e kronikës bëri të dilja menjëherë, paradite, nëpër rrugët e Tiranës. Jeta, edhe pse shpirtërisht e lënduar, vijonte rrjedhën e saj. Njerëzit donin ta mundnin të keqen. Pothuaj asnjë nuk bisedonte për çfarë kishte ngjarë, me siguri jo për ta harruar, por për ta mbajtur larg, si të nëmur. Tek Piramida po hiqnin makinat e djegura dhe pastronin sheshin gjithë gjurmë shkrumbi e parullash kartoni të demonstruesve. Para Kryeministrisë vetëm një roje i armatosur qëndronte para derës kryesore dhe dy apo tre policë në njërin skaj të godinës. Një grumbull njerëzish kishin ndezur qirinj për të nderuar të vrarët. Fotografova gjithçka. Pastaj shkova tek bustet e tre Frashëllinjve, para syve të të cilëve, që nga lulishtja përballë, qe zhvilluar ngjarja tronditëse e 21 janarit. I fiksova portretet aq të dashura e të mençura të këtyre themeluesve të Shqipërisë. Kisha vendosur tashmë ti shpërndaja këto pamje kthimi në normalitet në facebook, që bashkëkombësit pastaj ti përhapnin ku të mundnin, edhe për të sfiduar ata që mendonin se ishim nga çasti në çast duke rënë në greminën e luftës civile. Pastaj hyra në ish Bllok, të rishihja rininë që mbush kafet e tij. Në hyrje të shëtitores kryesore, prej rrugës që vinte nga sheshi para Kryeministrisë, dy djem meksikanas tek reklamonin e shisnin cd muzikore të vendit të tyre të gëzuar, nëpërmjet altoparlantëve të fuqishëm e kishin mbushur me muzikë të gjithë hapësirën përreth.
Këtë herë duke i fotografuar dhe filmuar qava për herë të dytë. Sigurisht jo prej dëshpërimit. Nga gëzimi i jetës njerëzore, i fitores së saj mbi vdekjen, i triumfit të arsyes mbi palogjikën, i forcës së madhe që ka veprimi paqësor dhe i dobësisë që mbart me vete dhuna, i talentit gjenial për marrëveshje që zotëron dialogu.
Ylli Polovina
Tiranë, më 22 janar 2011
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|