|
Lufta tjetër e Kosovës
(Botuar në gazetën “Shqip”, 8 janar 2011)
Sigurisht është ajo e paqes dhe e bashkëjetesës zemërhapët me popujt e shtetet e Ballkanit, e denjë që gadishulli ynë, dikur i njohur në kontinent si “fuçia e barotit”, të shndërrohet në një shtyllat e qëndrueshmërisë dhe e forcimit, pse jo edhe e zhvillimit dinamik, e të gjithë Bashkimit Evropian. Lufta tjetër e Kosovës është edhe ruajtja e integritetit të saj territorial si shtet i mëvetësuar në emër të lirisë dhe të gjitha rregullave të demokracisë. Ndërkohë kjo e drejtë e ligjshme do të ishte shumë pak pa një ruajtje të integritetit moral të saj. Pikërisht këtu, tek morali, bien kritikat e dashamirësve, por edhe goditjet e mosdashësve. Janë aq shumë të parët dhe aq jo pak të dytët sa që herë pas here ballafaqimi i tyre ngjason me një fushëbeteje. Një nga këto kulmime nisi tre javë të shkuara, në 16 dhjetor të vitit të shkuar. Ishte një person i rëndësishëm në vendin e vet (senator dhe kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme të Këshillit të Shtetit të Konfederatës Zvicerane), njëkohësisht edhe eurodeputet. Është po ashtu personalitet në fushën e vet, ka shumë lidhje e ndikim: Dick Marty. Raporti i tij në Komisionin e Çështjeve Juridike të Këshillit të Evropës, edhe aktualisht akoma në faqen e parë të formatit internetik të këtij institucioni, si edhe bashkëngjitur një konferencë shtypi në Paris, e kanë bërë çështjen që ai ngre ndër më tërheqëset nga bota mediatike. Këtë gjë, sipas mënyrës së tij, e pohon edhe një emër tjetër i njohur në kontinent, Jean-Arnault Derens, njeriu i cili në 4 janar, pra sa pa hapur sytë ky vit i ri, në “Le Monde Diplomatique”, nën titullin “Trafik organesh nga Kosova: një raport tronditës“, shkruan se ai “pati efektin e një bombe”.
Mirëpo ndërkohë që në 16 dhjetor materiali shkrimor i zotit Marty kërkonte “një sërë hetimesh ndërkombëtare dhe kombëtare mbi gjurmë të zhdukjes, të trafikimit të organeve, të korrupsionit dhe të bashkëpunimit të kujtdo që është i lidhur me grupet e krimit të organizuar apo me mjedise politike në Kosovë”, tre javë më pas, në penën e gazetarit francez shumë kohë me qëndrim në Beograd, Jean-Arnault Derens, ish-kryeredaktor i informatives online “Courrier des Balkans” dhe mbi të gjitha në vitin 2006, botuar nga Paris-Méditerranée, edhe i librit “Kosovo, année zéro” (“Kosovë, viti zero”), pëson një zhvillim që kërkon vëmendje. Në rast se Dick Marty propozon hetim për një grup krimesh të mundshme të kryera nga pjesëtarë të veçuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe akuzën kryesore e ka për dikur prijësin e saj politik, Hashim Thaçi, Derens përqendrohet vetëm e vetëm në një: trafikun e organeve njerëzore të robërve serbë.
Në të vërtetë kjo dinamikë mediatike e ngjarjes e pritej. Me kohë kishte nisur t’i afrohej këtij objektivi. Jean-Arnault Derens me 350 faqet e librit të tij “Kosova, viti zero”, publikuar fare pak kohë nga çasti kur OKB do të vendoste për statusin e saj, u rreshtua me ata që mbeten kundër zgjidhjes së tanishme. Në 15 janar 2008 Derens botoi edhe analizën “Pavarësia e Kosovës: efekti domino”, ku parashtronte argumentet e tij se mëvetësimi i shtetit të ri të shqiptarëve krijonte jo vetëm precedent dhe nxiste në botë një cikël të tërë pakicash kombëtare të shpallnin njëanshëm shtete më vete, porse që pikërisht për këtë arsye njerëzimi kishte përpara një shpërthim të pandalur luftërash me armë.
Duke qenë se historia si ndodhi që prej pesë krimeve të akuzuara fillimisht nga eurodeputeti Marty në faqet e shumë gazetave apo të ekraneve televizive, mbeti e po mbretëron vetëm njëri, ai i trafikut të organeve njerëzore, kërkon një shkrim tepër më të gjatë sa me të drejtë janë rregullat e opinioneve në “Shqip”, por duke qenë se për shkak të thurjes së ndërlikuar të temës kjo është e nevojshme, në se ju lodhim sadopak, lusim mirëkuptimin tuaj, lexues, si edhe të redaksisë.
Derens në shkrimin e tij thotë se raporti i zotit Marty në Shqipëri ka shkaktuar protesta dhe përgënjeshtrime, “duke hedhur dyshime mbi autorin dhe paraqitur atë si “kundërshtar të pavarësisë së Kosovës”, për ta parë atë si një “armik të popullit shqiptar”. Kryeministri i Shqipërisë. Z. Sali Berisha, hapur e cilësoi atë si “racist”.
Më pas Jean-Arnault Derens arsyeton se edhe pse Dick Marty në mars 2008 në një intervistë të tij “ka pasur kritika, nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ky qëndrim nuk përkthehet aspak me një “neveri” për popullin shqiptar të Kosovës”...Në vijim shkruan “Më në fund vëmë në dukje se shtypi shqiptar e kritikon drejtpërsëdrejti Z. Marty për “antiamerikanizëm”, përderisa ai që në vitin 2001 bëri publik skandalin e burgjeve sekrete të CIA-s në Evropë”. Disa deklarata zyrtare nga Tirana, ditët e fundit, e lidhin “antiamerikanizmin” e hamendësuar” të reporterit dhe paragjykimin e tij “antishqiptar” me faktin që Z. Marty i përket Partisë Radikale, e cila në skenën politike zvicerane është një formacion politik në kahjen e djathtë dhe që asnjëherë nuk është dalluar për antiimperializëm të egër”.
Në analizën e tij Derens arsyeton po ashtu se “në kundërveprimin e mediave shqiptare, të klasës së saj politike dhe sidomos të shoqërisë shqiptare, veçanërisht në “diasporë”, paraqesin argumentin se “populli ynë nuk mund të ketë kryer krime të tilla” dhe se “populli ynë ka qenë viktimë e krimeve akoma më të këqija që i janë bërë nga të tjerët”. Realiteti i krimeve të kryera prej forcave serbe nuk është e barasvlershme me hipotezën që krime të tilla disa shqiptarë mund t’i kenë kryer. I gjithë problemi është se “populli shqiptar” nuk mund të jetë kurrsesi fajtor për një trafik të mundshëm, ashtu siç edhe “populli serb” nuk mund të mbajë përgjegjësi për masakrën genocidëse të Srebrenicës: për këto krime ka të fajshëm dhe i përket drejtësisë të përcaktojë përgjegjësinë personale. Kjo punë e drejtësisë është mënyra e vetme për t’u shmangur dy popujve të tërë dhe gjithë brezave të ardhshëm, të mbajnë mbi shpinë peshën tronditëse të një përgjegjësie kolektive”. Në një paragraf më poshtë Jean-Arnault Derens mëshon në idenë se “Në Shqipëri njëri prej zërave të rrallë kritikues që është ngritur mbetet ai i analistit Fatos Lubonja, një i burgosur i vjetër i regjimit stalinist dhe figurë e madhe e të majtës. Në një artikull të botuar në të përditshmen “Panorama” Z. Lubonja guxon të vendosë një paralele midis këtij krimi, të supozuar, dhe atij të kryer realisht, në Srebrenicë, duke nënvizuar se shqiptarët tashmë rrezikojnë ta mbajnë si peshë të rëndë mbi ndërgjegjen e tyre kolektive. Duke denoncuar “frontin patriotik” që është formuar në Tiranë dhe Prishtinë, për të refuzuar këtë hetim, ai shkruan “akuza pa dyshim është e rëndë, por ta refuzosh atë do të ishte si ta pohoje dhe kjo do të qe më keq”.
Kur lexon interpretime të tilla të asaj çështjeje që ka nisur në 16 dhjetor dhe sipas një vendimi unanim të Këshillit të Evropës do të merret në shqyrtim nga Asambleja parlamentare e tij në fund të janarit (datat 24-28), ndihesh fillimisht i sugjestionuar. Ka shumë frymë arsyeje, madje edhe e çiltërsi. Pra, të dashur shqiptarë as mos u zëmëroni, as mos u alarmoni, as mos u mbroni. Asgjë nuk ka ndodhur. Janë bërë disa akuza, ato duhet të hetohen, ofrojmë për këtë edhe palë të paanshme. Provohen apo jo çfarë është thënë (në qendrat më të mëdha mediatike të kontinentit e të botës, në Bruksel dhe Paris), kjo nuk ndikon në statusin e Kosovës. Nuk ka asnjë pushtet ndryshimi edhe mbi çështje dytësore të fatit të saj.
Sa tinëzare!
Interpretuesi i 4 janarit i raportit Marty, edhe pse nuk duam të besojmë se eurodeputeti dhe senatori i rëndësishëm zviceran është i të njëjtës mendje me Derens, kemi të drejtë t’ia shohim me mosbesim lëvizjet. Ajo logjikë që përdor ai, në dukje mjaft e urtë dhe e ditur, “me dorë në zemër” si të thuash, në thelbin e vet është një dinakëri, një kurth inteligjent. Po të kemi parasysh se Jean-Arnault Derens në maj të vitit 2009 paraqiti shkrimin “Midis Prishtinës dhe Tiranës, autostrada e “Shqipërisë së Madhe?” dhe atje nguli këmbë se “ky projekt faraonik ndërsa ngjan të jetë për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis Shqipërisë dhe Kosovës, a nuk mund të jetë në të njëjtën kohë edhe një hap drejt “Shqipërisë së Madhe”?, do të qe e dobishme të zbulojmë faqe bashkëkombësve, dhe kush ka autoritet kontinental, edhe para opinionit të tij publik, se gjithçka që po ndodh synon krejtësisht të kundërtën: komprometimin e shtetit të ri të Kosovës, pra në një kohë iks edhe zhbërjen e tij.
Për dinakët tani asgjë padrejtësi apo agresion, asnjë nënshtrim dhe robërim, nuk kryhet me armë zjarri. Ato kishin kohën e vet dhe kur ndodhi u krye jo vetëm për arsye humanitare si edhe gjeostrategjike në favor të demokracisë, por edhe për të realizuar një objektiv fisnik: largimin përfundimtar të diktatorit Sllobodan Millosheviç. Tani, kur funksionojnë, por edhe imponohen mjetet e paqes, lufta transformohet në fusha të tjera: në ekonomi e thesaret e trashëgimisë kulturore, në vlerat historike apo në çfarë ruhet nëpër arkiva. Kryhet sidomos në imazh. Dje për ta sunduar Kosovën ajo shtypej administrativisht e politikisht. Sabotohej për t’u dobësuar nga brenda edhe Shqipëria, mbështetja e saj. Tashmë që edhe shtetet e popujt janë mbi të gjitha perceptim, imazh dhe vetëm në sinkroni me to bëjnë përpara ose prapa, e gjithë lufta plekset këtu: tek rrënimi i tij. (Duke e mbajtur një sy hapët edhe mbi “misterin” në prag të Vitit të Ri të dinamitimit të një shtylle tensioni të lartë, e cila u rrëzua në një linjë kyçe furnizimi, përfshi edhe lënie 14 orë pa korrent edhe të një pjese të kryeqytetit).
Ajo që nisi në 16 dhjetor dhe vijon, përherë e stimuluar nga një mjedis i caktuar, është sulm frontal ndaj imazhit të shqiptarëve. Si ai po agresohet, po e shpjegojmë sa më shkurt. I gjithë mekanizmi i formulimit të lajmit rreth raportit të zotit Dick Marty devijohet, më e pakta. Në materialin e tij të paraqitur edhe në faqen internetike të Këshillit të Evropës krimet për të cilat ai kërkon hetim rreshtohen kështu: zhdukje personash, trafikim organesh njerëzore, korrupsion, pjesëmarrje me grupe të krimit të organizuar dhe mjedise politike në Kosovë. Kur po kjo lëndë informative shoqërohet me titull, pikërisht në të njëjtën webfaqe të institucionit shumë të rëndësishëm evropian, ai ndryshon rreshtim:” “hetim mbi trafikun e organeve dhe zhdukjet në Kosovë dhe Shqipëri”. Në një lajm të dytë të të njëjtës faqe, që në titull, thuhet “Trafiku i organeve në Kosovë midis çështjeve të forta që do të diskutohen në sesionin dimëror të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës”. Këtë kumt në orën 18.23 të 16 dhjetorit, kur sapo ka përfunduar konferenca e shtypit në Paris e zotit Dick Marty, e merr agjencia e lajmeve “Zëri i Rusisë“, ajo që në fjalinë e parë për ndjekësit e saj shumëmilionësh e shpërndan me formulimin e titullit “APKE mbi trafikimin e organeve në Kosovë“ dhe që në fjalinë e parë “Në Komisionin e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës do të paraqitet sot raporti mbi Ushtrinë për Çlirimin e Kosovës, të akuzuar për tortura dhe trafik organesh”. Fjalia e dytë është ky pohim: “Sot në një konferencë shtypi në Paris autori, Dick Marty, do të paraqesë çështjet më kryesore të një dokumenti të vënë në lëvizje prej delegacionit rus në Asamble, nisur që dy vite më parë pas zbulimeve që ka bërë Karla del Ponte”. Nga “Zëri i Rusisë“ edhe një lajm i dytë i 16 dhjetorit i shpërndarë në orën 20.18 që në fjalinë e parë thotë “Territori i Shqipërisë është përdorur nga luftëtarët e Kosovës për trafikimin e organeve të të burgosurve serbë...”. Në 17 dhjetor, ora 11.19, një lajm i ri i agjencisë së njohur që në titull nis me fjalët “Moska kërkon një hetim mbi trafikun e organeve në Kosovë“. Në brendësi: “Delegacioni rus në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës kërkon një hetim të plotë mbi trafikun e organeve në Kosovë”. Në mbrëmjen e 18 dhjetorit “Zëri i Rusisë“, po ashtu në formulimin e lajmeve, i jep përparësi si krim trafikimit të organeve njerëzore edhe pse korrektësisht po ashtu njofton se sipas gazetës serbe “Blic” “Zyra e Prokurorisë së këtij vendi nuk ka në plan ta akuzojë drejtuesin e Kosovës Hashim Thaçi për trafikim organesh”.
Kur mbërriti 16 dhjetori qe agjencia e lajmeve e Serbisë, e cila e shtyu përpara vëmendjen e medias ndërkombëtare. Ajo e titulloi njoftimin “Transplantimi i organeve bëhet në spitalin “Nënë Tereza”. Në 27 dhjetor gazeta e rëndësishme beogradase “Politika” e çon më tej frontin e luftës mediatike. Ajo shkroi se kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, sipas Prokurorisë Serbe, qe një trafikant armësh për UÇK-në. Sigurisht në trup të lajmit nuk harrohet trafikimi i organeve dhe bashkë me të hetimi për kryeministrin e Kosovës. Në 30 dhjetor përhapjen masive të këtij lajmi në formën bashkëngjitur, pra trafik armësh dhe trafik organesh nga të dy kryeministrat e shqiptarëve, e ndihmon “Zëri i Rusisë“, duke e futur ngjarjen në një koment të gazetarit Piotër Iskanderov, i cili në prag të festave të Vitit të Ri ka sipërmarrë të tregojë skandalet më të mëdha në botë të 2010-tës. Në 4 janar, në një sintoni me Jean-Arnault Derens dhe shkrimin e tij në “Le Monde Diplomatique” ku gjendet fjalia “Në rast se hetimi do të provonte implikimin e Z. Thaçi në trafikimin e organeve, përgjegjësia e “mbrojtësve” të tij perëndimorë rrezikon të jetë e bujshme”, qe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, i cili deklaroi “Krimet e tmerrshme të trafikimit të organeve të viktimave të pafajshme serbe janë kryer të pashqetësuara dhe në disa raste shoqëruar me një heshtje të bashkësisë ndërkombëtare, çfarë e bën bashkëfajtore atë“. Kujtojmë se gjatë gjithë gjysmës së dhjetorit lajmet që vinin nga shumë prej mbështësve të raportit Marty bënin fjalë se këto vepra makabre kanë ndodhur “edhe pse shërbimet sekrete dhe diplomatët e vendeve perëndimore ishin mjaft të informuar për krimet monstruoze në Kosovë dhe në Shqipëri”, se me fshehjen e tyre “Perëndimi nuk dëshiron të braktisë shpresat e tij në Kosovë“ apo se “Qeveria e Serbisë ka përgatitur një dosje për shumë nga drejtuesit e Kosovës dhe ja ka përcjellë organeve kompetente në Evropë dhe në Gjykatën e Hagës, madje edhe në ShBA. Por Uashingtoni nuk lejon asnjë ta prekë këtë “të paprekshme”, aq më tepër që nuk është realizuar plani për pavarësimin e Kosovës”.
Siç shihet nga përmasat e ballafaqimit ndodhemi në një “luftë të Kosovës”, pjesa e dytë e saj, ajo që duhet të shbëjë rezultatet e së parës. Ja përse, ndërsa prej akuzave të korrupsionit dhe gjithçkaje tjetër të shëmtuar, raporti i paraqitur në mes të dhjetorit, në rast se për arsye politike ndeshjesh dhe influencash globale, do të vazhdojë të anashkalojë hetimin e plagëve tona reale, do të mbetet i gozhduar atje, tek më e paprovuara akuzë prej denoncuesve, më pak e besueshmja, shumë më pak e ngjara: trafiku i organeve njerëzore të robërve serbë gjatë luftës së 1999. Një dekadë më parë, deri sa u fik, mbi Shqipërinë për disa vite rresht nga mjedise të ngjashme me të sotmit, nuk rreshti mësymja mediatike se kryhej trafik organesh i fëmijëve dhe se klinika kriminale e trapianteve gjendej në Fier.
Patjetër që kështu, me vetëm paragjykim, shqiptarët do të ndihen të fyer. Sidomos të anashkaluar në dëshirën e sinqertë për pastrim moral të shoqërisë së tyre. Asnjë prej nesh nuk ka ndërmend t’i dalë në mbrojtje një të korruptuari apo trafikanti, kushdo qoftë ai, por nuk mund të durojnë dot kur shohin se ata që i godasin në imazh, nuk inkurajohen nga qëllime kaq fisnike.
Por le të kujtojmë disa ngjarje të gëzueshme! Jo atë të 29 dhjetorit 2010 kur CNN për vitin 2011 e rreshtoi Shqipërinë në toplistën e vendeve më tërheqëse për turistët e huaj, as në nderimin në 3 janar të europarlamentares shpirtmadhe sllovene Tanja Fajon, por të një tjetre, e cila nuk është bërë publike. Ka ndodhur në Zvicër, prej ku për rastësi e aspak tendencë, na kanë ardhur vitet e fundit edhe disa lajme të papritura, jo vetëm për sa cituam më sipër, por edhe me nisma të financuara për çmitizimin e sforcuar të Skënderbeut. Zvicra është mrekullisht një vend demokratik, shumë origjinal, ëndrra e rilindësve si mund të bëhej vendi ynë. Populli e shteti i saj i kanë ndihmuar përherë shqiptarët e emigruar atje. Bile kanë kryer edhe gjeste mjaft prekëse si ai i ngjarë në prag të 28 nëntorit të shkuar. Nga komuna e Avenches, frëngjishtfolëse, me mbi tre mijë banorë, qytet shumë antik, për herë të parë në ambasadën shqiptare në Bernë mbërriti një ftesë për ta festuar sëbashku Ditën e Flamurit. E firmoste kryetari i bashkisë së saj, i nderuari Jean-François Mathier. Deri ato çaste këtë ngjarje të shënuar të shqiptarëve e organizonin vetë ata. Për herë të parë ndodhte që nismëtar qe një zviceran.
Ditë më parë se festimi i bukur të kryhej, një shqiptar e kishte pyetur zotin Mathier nëse do të qe e mundur ta lejonte të vendoste flamurin e tij kombëtar në shitoren e vet. Zvicerani i qe përgjigjur: jo vetëm në shitore, por ti do ta shohësh atë flamur të valëvitet edhe në kështjellën e qytetit.
Dhe ashtu ndodhi. Jo vetëm shqiponja nderte krahët mbi bedenat e kalasë, por bashkë me ngjyrën e kuqe veshi qindra e qindra tollumbace të gëzueshme që mbushën rrugët e qytetit.
Ylli Polovina
Tiranë, më 6 janar 2011
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|