Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Shqiptarët, këta“fshatarë”


(Botuar në gazetën “Shqip” më 28 dhjetor 2010)

Poetja Luljeta Dano, mes dhjetë librave edhe autore e “Perëndesha Athina dhe simbolet të tjera Kozmogonike”, ka një dëshmi mahnitëse. Një gjysmë dekade më parë kur sapo kishte marrë me qira e çelur në Tiranë një dyqan mobiliesh antike, pikturash dhe orësh të vjetra, një koleksionist i njohur i kishte ofruar edhe dy xhubleta grash mirditore. Atë natë me dy xhubletat e rënda futur në një thes, ndërsa binte shumë shi dhe rrugët e “Bllokut”, për ku me një taksi i duhej të kalonte, qenë në rregullim e sipër dhe për pasojë në rrëmujë, ajo nuk e dinte se do t’i ndodhte një zbulim i madh. Ai qe aty, në atë thes aq të rëndë, sa që nën peshën e tij kur zbriti nga makina për pak ra përmbys në një gropë-pellg. Në shtëpi, ndërsa mes dhomës së ndriçuar fort prej llambave të një shandani po këqyrte një për një pjesët e dy xhubletave, i mbetën sytë jo tek masa e madhe e zbukurimeve, tek rruazat prej argjendi, gjithsesi një mrekulli, por në vizatimet e tyre, në mënyrën se si qenë kompozuar, në “tekstin” që thurnin. Përjetoi menjëherë magji. Dy ditë më pas udhëtoi për në Krujë dhe në tregun e saj karakteristik bleu dy përparëse dhe një çorape kostumi të vjetër popullor femëror. Tani qe mësuar çfarë të zgjidhte: “tekstin” e fshehtë të qëndismave. Kur disa ditë më pas ftoi në shtëpi një etnologe të njohur sytë e kësaj mbetën në njërën nga pamjet mbizotëruese. Qe një figurë pa krahë dhe këmbë, me kokën në formën e kukuvajkës, me sytë të kërcyer dhe të ndritshëm, me rrethin e kërthizës dhjetë herë më i madh se rrethi i gjirit. Ishte ajo, Athinaja e Zezë. Për t’u qëndisur në ato rroba femërore grash që jetonin në fshatrat e thella të Mirditës apo Dukagjinit kishte udhëtuar të paktën mbi tre mijë vjet. Qe i pari i takimit me të zbuluesi i qytetit të Trojës, Shliman, tek sa këtë perëndeshë e kishte gjetur të vizatuar në rreth 22 mijë rrotulla balte. Që nga ky çast zbulimi të Luljeta Danos kanë kaluar disa vite dhe në xhubletat e malësoreve, pra kostumet e femrave shqiptare në fshatrat e veriut, janë gjetur të qëndisura edhe simbolet epirotase si gjethja e lisit, katër gjarpërinjtë e Pirros, brirët e dhisë së shenjtë, shqiponja. Madje deri edhe silueta të piramidave të Egjiptit.
Në shtator 2007 një ekip studiuesish të huajsh kryen një ekspeditë vetëm në fshatrat e Thethit dhe të Vermoshit. Mes tyre qenë arbëreshi Gianni Beluscio, profesor në Universitetin e Kalabrisë, Michael De Vaan, profesor në universitetin e Leiden në Hollandë, Monica Genesin, përgjegjëse e katedrës së Albanologjisë në Universitetin e Salentos, Joachim Matzinger dhe Stefan Schumacher, pedagogë në Universitetin e Vjenës. Misioni i tyre qe njohja nga shumë afër dhe zbulimi i dukurive antike të gjuhës shqipe, një pasuri e pafund e cila ndodhet ende e gjallë nëpër fshatra. Kjo ekspeditë e veçantë u filmua dhe në vitin 2009 me titullin “Goja, sytë, veshët” u shndërrua në një dokumentar, një krijesë sa artistike aq denjësisht edhe shkencore.
Fatos Dingo, bashkëkombës që punon në Universitetin e Studimeve të Firences, është antropolog kulturor. Një nga librat e tij, “Identità albanesi” (“Identitete shqiptare”), mbetet ndër të rrallët e llojit të vet. Në të Dingo ofron një përafrim psiko antropologjik të shqiptarëve. Duke e ngulitur vështrimin edhe tek mbijetimi i qytetërimit tonë në kushtet e globalizmit ai nuk harron të vëzhgojë nga afër edhe gjuhën, këtë kryethemel të identitetit tonë. Sipas tij gjuha shqipe jo vetëm është mjaft origjinale, shumë plastike dhe e hapur ndaj shkëmbimeve (këto dihen), por edhe me një kapacitet mbijetimi tepër të madh. Ja një cilësi tjetër e saj, të cilën e kanë shpallur gjuhëtarët, por që Fatos Dingo e pohon edhe si antropolog kulturor: shqipja është shumë e rëndësishme për të studiuar gjuhët e tjera indoevropiane. Kjo do të thotë se mund të kryejë të njëjtën gjë edhe identitetet dhe qytetërimet e popujve të kontinentit. Kur në libër i vjen radha çështjes së ndikimit të territorit dhe vlerave të tij gjeokulturore në identitetin e shqiptarëve Dingo shpall tezën se qytetërimi ynë nuk rri i mbyllur në disa kufij tokësorë, por del prej tij fare lirisht dhe nëpër botën e madhe as humbet dhe as shfaroset. Ai përvijon idenë se civilizimi shqiptar përfshin më e pakta një hapësirë të gjerë përreth Adriatikut, ku ne jemi shpërndarë në katër apo pesë zona gjeografike, duke filluar nga ato të njohura si shqiptare e duke përfunduar në arbëreshe dhe arvanitase. Edhe pse Fatos Dingo nuk e rreh në librin e tij karakteristikën e thellë të përkatësisë “fshatare” të qytetërimit tonë, sepse ky është pëlqim tematik i vetëm autorit të këtij shkrimi, analiza e tij shumë elitare na ndihmon të gjejmë edhe një provë tjetër të rolit të jashtëzakonshëm të fshatarit shqiptar në ruajtjen e identitetit kombëtar. Arbëreshët në Itali, arvanitasit në Greqi apo arbanasit në Kroaci e ruajnë gjuhën dhe të gjithë arketipin etnik sepse kryesisht jetojnë nëpër vendbanime fshatrash. Kur ata shkëputen nga këto vatra dhe për motive të ndryshme hyjnë në qytet, mundësia dhe aftësia e tyre për të ruajtur identitetin kanosen tepër rëndë dhe gjithsecili prej tyre është i pambrojtur nga zhbërja. Në librin “Identità albanesi” Fatos Dingo bën një konkluzion befasues: “individi shqiptar nga feudalizmi në komunizëm, nga një pushtet në tjetrin, është vetperceptuar si pikë referimi jo me shtetin, por me gjuhën, kujtesën kulturore dhe përgjithësisht me “gjakun”. E përshtatur dhe e shprehur në një formë tjetër kjo do të thotë “individi shqiptar është vetpërcaktuar si pikë referimi jo me qytetin, por me fshatin”.
Në rast se kujtojmë se edhe polifonia labe apo ajo mënyrë shqiptare të kënduari si në amfiteatrot e Greqisë së lashtë është pranuar si një nga thesaret kulturore të trashëgimisë botërore, nuk na mbetet veç të pohojmë se i gjithë ky thesar i identitetit tonë kombëtar është ruajtur në fshat. Ja përse të jesh fshatar shqiptar do të thotë bartës i mirëfilltë qytetërimi, jo e kundërta, siç na ndodh jo rrallë të shpërveshim buzët.
Ilirët, veçanërisht ato bashkësi që krijuan parashqiptarët, jetonin në afërsinë më të madhe gjeografike mes dy qytetërimeve të mëdha të kohës dhe që më pas u bënë edhe themelet e formësimit të atij modern evropian. Kështu mes këtyre dy gjigandëve nuk mundën dot asnjëherë të përbënin një model ndjekjeje apo ndikimi për të tjerët. Për pasojë tek ne vazhdon dhe ngulmon mendësia se qytetërimi shqiptar nuk i ka fare tagrat e një civilizimi për t’u marrë si pikë referimi qoftë edhe një fije nga të tjerët. Duke u grumbulluar me shpejtësi nëpër qytete, futur nëpër shumëkatëshe me ashensorë, endur nëpër rrugë të zhurmshme e plot bollëk makinash, hyrë e dalë nëpër tregtore të mëdha apo diskoteka, pastaj udhëtuar nëpër tokë, det e qiell, na duket se ende jemi larg jetës së zhvilluar urbane të botës së zhvilluar. Kjo është e vërtetë, por ndërkohë harrojmë se qyteti nuk është aspak identik me qytetërimin. Kështu harrojmë fshatin tonë dhe meritën e tij për të qenë bartës i civilizimit tonë. Mbase në këtë paqartësi të madhe ka luajtur rol edhe një keqkuptim i shkaktuar prej vetë fjalës “qytetërim”. Ndërsa ata që e kanë shqiptarizuar fjalën latine civilitas me qytetërim, nisur nga civitas, qytet, pra zhvillim i krijuar nga bashkësi qytetare, karakteristike kjo e atij të lashtë grek, tek ne të tjerët përkthimi përshtatës ka shkaktuar përshtypjen se edhe qytetërimi shqiptar duke qenë i detyruar të vijë prej bashkësive të qyteteve të tij, me që këto kanë qenë të rralla, është i dobët, më tepër i munguar se i pranishëm. Mirëpo qytetërimi ynë ka djep fshatin, për njëmijë arsye e rrethana është vendosur historikisht atje. Jo aq fort i strehuar nëpër lugina, por sidomos në shpate e majë malesh, jo përherë buzë detit, por veçanërisht në brendësi e në thellësi të territorit, fshati nuk ka qenë vetëm kështjella e qytetërimit shqiptar, por edhe shkolla e zhvillimit të tij. Duhet të kujtojmë se ndryshe nga tani, mjaft shekuj më parë, në një kohë mjaft të vështirë për qëndresë dhe kur këto bashkësi zotëronin vitalitet të madh krijimi identitar, ato vendbanime nuk quheshin fshatra, por katunde. Një nënkuptim përçmues i këtyre dy emërtimeve, veçanërisht i përtalljes së banorëve të saj me termat “fshatar” (por edhe “katundar”), i gjitha kjo një mendjecektësi e pashembullt, duhet të jetë paragjykim shumë i vonë, i kohëve kur prapambetja e një apo dy shekujve më parë e sfiliti fshatarin dhe e varfëroi, duke edhe e shpërfillur. Që të kuptohet mirë se sa tingëllim të hijshëm dhe vlerësim fisnik ka në fjalën origjinale Katund, atë të kohës kur fshati ishte qendra e civilizimit tonë, duhet të shkosh tek të parët tanë të larguar prej më shumë se pesë shekujve, tek arbëreshët e Italisë. Atje fjala katund shqiptohet me një venerim mbresëlënës, të papërfytyrueshëm këtej nga ne. Aty, në katundin arbëresh, ende krijohet, ruhet e zhvillohet gjithçka që përbën identitetin e bashkësisë. Që nga vallja, kënga, e folura dhe e shkruara e gjuhës, puna bujqësore apo mënyra e përdorimit të enëve shtëpiake, ceremonia e dasmës apo ajo që shoqëron lindjen a vdekjen. Gjithçka.
Kur autori i këtyre rreshtave në librin “Skënderbeu” të Olivier Jens Shmitt ra ndesh me fjalët e tij këmbëngulëse se radhët e ushtrisë dhe të ndjekësve të Gjergj Kastriotit përbëheshin nga vetëm apo shumica dërmuese fshatarë, pa qenë dot në mendjen dhe në kuptimësinë që donte autori t’i jepte, e ka marrë këtë jo si nënvlerësim, por si vlerë të pashoqe. Fshati shqiptar nuk prodhon katundarizëm, por saktësisht qytetërim. Ja përse të jesh fshatar shqiptar do të thotë bartës i mirëfilltë qytetërimi. Ata janë thjesht “qytetarë” në fshat dhe kush mendon mbraptisht ndryshe, le të na falë për fjalën qortuese, por është paqytetar në qytet.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com