Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një nga ata, borgjezët


(Botuar në gazetën “Shqip”, më 23 dhjetor 2010)

Quhet Fatos dhe ka një shtat të lartë, pothuaj prej gjigandi. Vitet, tashmë shtatë dekada, nën peshën e madhe trupore duket sikur pak nga pak po ia dobësojnë gjunjët, kështu që atyre për ta lëvizur lirisht atë vigan u duhen pak minuta lëvizje sa të ngrohen. Pas kësaj ai sërish ka forcën fizike të para viteve nëntëdhjetë, kur ishte mes të nëpërkëmburve politikë dhe megjithatë nuk bëzante. Vuante me dinjitet. Pa qenë dakord, por pa i dhënë shkak asnjë përdhunimi të ri. Po ashtu, me një pamje të përhershme prej fisniku evropian, dikur mësues matematike e i ndëshkuar të qe elektricist, e përballonte gjendjen e përjashtimit social edhe i vëllai, Asllani. Në të njëjtën mënyrë edhe i treti i vëllezërve, Agroni. Po ashtu edhe motra e vetme, Shpresa. I ati i tyre, Ramadan Zdrava, i akuzuar nga shteti si borgjez, katër fëmijëve të vet ua kishte vënë emrat si të thoshte se me lindjen e tyre nuk kishte nisur jetën vetëm Shqipëria e pavarur (gjyshi i tij veshur me fustanellë luftoi në çetën e Dumresë me në krye Dervish Bej Biçakun dhe në ditëshpalljen e pavarësisë shkoi në Vlorë si shoqërues i Aqif Pash Elbasanit), por edhe e fortë dhe e zhvilluar (Asllan, Fatos, Agron-mbret ilir, Shpresë).
Në traditën e të parëve të tij me zë Ramadani zgjodhi si kontribut kombëtar të qenit jo nëpunës administrate, as edhe bej. U bë borgjez, pra kapitalist, sipërmarrës në fushën e ekonomisë. Në fillim të viteve njëzetë, kur e nisi këtë mënyrë jete, nëpër Shqipëri këta qenë tepër të rrallë, megjithatë dukshëm klasë e re me energji të mëdha transformimi. Ata kishin ambicien ta bënin atdheun e tyre të fortë. Sepse e dinin që më shumë se politika një shtet e bën të fuqishëm ekonomia. Kur pinjolli i çuditshëm i Zdravajve zgjodhi sfidën e të qenit borgjez bolshevikët patën përhapur gjithandej nëpër botë fjalë se kishin për luftë finale pikërisht zhdukjen e tyre. Do të krijonin një shtet krejt ndryshe, një diktaturë të punëtorëve si edhe një ekonomi tërësisht të centralizuar. Kjo borgjezit të ri shqiptar i qe dukur politikë primitive, fare absurde. Sipërmarrësit privatë krijonin zhvillim, punë. Madje ishin ata që nëpër vendet e zhvilluara kishin krijuar vetë klasën punëtore.
Pas një shkollimi ushtarak në Napoli, për marinë nënujëse, kreu investimin e parë në qytetin kureshtar të Beratit. Qe viti 1923. Ngriti një barakë dërrase dykatëshe dhe e bëri kinema. Një aparat projektimi i sjellë nga Italia shfaqte filma pa zë. Qe ai që i shpjegonte. Borgjezi i ri Ramadan Zdrava, shtatlartë mjaft elegant dhe që mbante me vete të lidhur me kordon një ketër shumë lojcak, e trazoi jetën e mbyllur të banorëve vendas. Histori më vete si nuk u kuptuan dot dhe një ditë iku. Traditën e sallës së kinemasë bë Berat do ta vazhdonte një familje tjetër borgjeze, për nga mendja e përparuar edhe kjo nga më befasueset, Dollanët. Sidoqoftë i biri këmbëngulës i Zdravajve nuk u tërhoq. Nisi të hapë fabrika mielli, të shesë makina shirëse dhe motorpompa, të bëjë tregëtimin e prodhimeve të manifakturës. Në Durrës u bë ortak me Rifat Deliallisin dhe të dy formuan një shoqëri të përbashkët. Kështu në 1941 janë pronarë të një uzine elektro-mekanike dhe një vit më pas mbarojnë së ndërtuari në Shkozet fabrikën oksigjenit. Në Tiranë, ku tashmë banon, Ramadan Zdrava çeli tre dyqane manifakture, në njërin prej të cilëve, pranë Sahatit, paraqitej moda më e fundit parisiane. Në këtë dyqan, mjedis intim, si në një parlament të vogël mblidheshin e shkëmbenin mendim shumë prej protagonistëve të kohës. Në vitin 1943 ai u zgjodh deputet i qarkut të Beratit. Në 1944 vazhdonte të ishte borgjez dhe njëherësh deputet, por që të dyja të dënueshme nga komunistët që po forcoheshin. Veç ai bashkëpunonte lirisht e sinqerisht me ta, sidomos pas prishjes së Mukjes. Në luftën kundër pushtuesve Ramadan Zdrava ndoqi modelin anglo-amerikan. Kjo nuk e bindi të atin, Sulejmanin, në vitet njëzetë e tridhjetë qarkomandant i spikatur, pjesëmarrës në luftime për të dëbuar nga trojet shqiptare andartët grekë në jug dhe malazezët në veri. Kishte qenë edhe një nga mbrojtësit e Kongresit të Lushnjës, me armë në dorë në breg të detit edhe kur zbarkoi ushtria e Benito Musolinit. Më vonë bashkë me të birin, Ramadanin, blenë 1200 armë dhe organizuan forcat atdhetare për zonën e Dumresë e të Myzeqesë. Megjithatë at e bir në çështjen e raporteve me komunistët nuk u muarrën vesh. Kur Sulejmani zëmërohej nuk ja përtonte as nofkën “i kuq”. Madje në inat e sipër njëherë arriti ta shpallë në një gazetë se nuk e kishte më as djalë. Dy herë komanda e Ballit Kombëtar për Tiranën i shkoi në shtëpi Ramadan Zdravës për ta arrestuar dhe të dy herët u lirua për hatër të tij. Ndërkohë borgjezi i ri që shkonte mirë me komunistët në ditët e fundit të luftës për çlirimin e Shqipërisë sapo mori vesh që brigada e 25 partizane nëpër dimër do të nisej për në Kosovë sponsorizoi veshje të saj me uniformë. Kur në Tiranë u bë parakalimi i fitimtarëve të rinj të pushtetit i ati, Sulejmani, e la atdheun. Nuk kishte bashkëpunuar fare me pushtuesit e huaj, por nuk donte pushtues vendi. Tek bëhej gati të ikte të birit i pati thënë “Eja, se këta do t’i bëjnë kurban deshët me këmborë“. Ramadani nuk e besoi. Komunistët kishin shpallur në fillim në Berat e pastaj në kryeqytet një Qeveri Demokratike. Edhe shkresat e tyre të para i nxirrnin me atë kokë zyrtare. Edhe parakalimi i ushtrisë partizane më 28 nëntor u bë me uniforma angleze. Fjalët që qarkullonin përbetoheshin për liri fjale dhe organizimi. Të dërguarit e Amerikës në Tiranë ishin si në shtëpinë e tyre. Në fund të fundit i ati duhej ta kuptonte se me pasionin e tij për zhvillimin e ekonomisë private qe vetvetishëm kundërbolshevik. Prania e tij dhe e të tërë borgjezëve të rinj, të dëshiruar për investime, me shpirt lirie për mendjen e tregun, të fuqishëm ekonomikisht dhe të papërlyer me kolaboracionizëm, madje një pjesë edhe vlerësuar si “të majtë“, do ta kufizonin patjetër ndikimin e komunistëve. Kështu po ndodhte në Itali, në Francë.
Por në muajt e parë të vitit 1945 e gjithë familja e tyre u internua në Krujë. Ky ishte dënimi për arratisjen e të atit. Në 1946 filluan tatimet e jashtzakonshme. Ky qe ndëshkimi si kapitalist. Në mars të atij viti e arrestuan dhe i sekuestruan të gjitha pronat. Tashmë po vepronte ideologjia marksiste-leniniste, ajo që i kishte armiq për vdekje borgjezët. Në qeli Ramadan Zdrava nuk qe më as kapitalist dhe as borgjez, madje as proletar. Ishte thjesht një i burgosur politik. Në burgun e Korçës në mes të qelisë që pikonte kishte përherë një pellg të madh me ujë të ngrirë, pasqyrë e frikshme tek shihte veten si ligej. Pothuaj asgjë për të ngrënë. U dënua me pushkatim. Kur i nisën për t’i vrarë, ende pa dalë nga postoblloku i burgut, mbërritën dy makina Jeep të Ministrisë së Brendshme dhe dhanë urdhërin e anullimit. Kishte rënë nga detyra Koçi Xoxe. U lirua në qershor të vitit 1951. Gjersa i internuan në qytetin e Beratit plaçkat e rënuara të tyre qenë nxjerrë nga policia dhe zhvendosur nëpër oborre dhe anërrugë, nëpër baraka dhe dhoma të lagështa, plot 32 herë. Ramadan Zdrava siç nuk ishte me triska Fronti nuk u lejua as të punonte në shtet. Qe tërësisht i përjashtuar. Kështu borgjezi i dikurshëm që kishte punuar për zhvillimin e vendit të vet u muar me nxjerrje guri e zhavori, në qiell të hapët. Në 1970 e demaskuan në një sallë të madhe ndërmarrjeje, ndërsa nuk kishte shkelur asnjë ligj dhe asnjë rregull të pashkruar të shtetit. I thanë se fshihte një pasuri të madhe në Itali. „Po të jetë kështu“, nisi t’u propozonte, „merrini të gjitha. Mua më jepni vetëm një televizor dhe dy divane“. Donte të gëzonte fëmijët. Një dekadë më pas, në fillim të tetorit 1979, i ndjeu mushkritë edhe më të rënduara se zakonisht. Mjeku i zbuloi një masë tumorale vdekjesjellëse. U vendos të operohej në mes të javës së pritshme. Më 17, një e shtunë me diell, shëtiti ngadalë qytetin dhe u ngjit deri në kështjellë. E donte shumë Beratin, qytetin ku kishte bërë investimin e parë. „Kam qejf kur ndërtohet“, i pohoi ato çaste të birit, Asllanit. Shtroheshin disa rrugë me kalldrëm. Po afrohej festa e 35-vjetorit të çlirimit dhe pritej të vinte për vizitë Enver Hoxha. „Nuk dua prona, dua vetëm të ketë zhvillim“, në vitet njëzetë, tek kërkonte kredi, u pati shkruar bankave italiane. E arrestuan po atë ditë, sapo u kthye në shtëpi. Përmbysën gjithçka mos i gjenin flori të fshehur dhe panë vetëm një spaletë të vjetër oficeri austriak të Luftës së Parë Botërore, telat e të cilës gratë e shtëpisë i përdornin për të qëndisur. Tek e nxorrën në shesh ia vunë në sup. Thanë se donte të rrëzonte pushtetin popullor dhe po ruante gati një uniformë ushtarake. Shtuan se kishte pasur edhe një radio trasmetuese. Kur kaluan pranë një shkolle drejtoresha i saj i nxiti fëmijët të bënin entuziazëm politik, por një mësuese e njohur për autoritet i ktheu mbrapsht e i futi në klasa. Ramadan Zdrava vdiq në burgun e Tiranës në 12 dhjetor. Trupin nuk ua dhanë. Atë natë ai iu shfaq në endërr njërit prej djemve. Përpiqej të zbriste nga rrëpirat me tokë të kuqe të Tufinës, atje ku janë varrezat e mëdha të kryeqytetit. „Më jep dorën, baba!“, i lutej djali. „Jo se zbrez vetë“, përgjigjej i ati. Nga që ishte varr anonim vetëm në vitin 2002 e gjetën ku ndodhej.
Ishte mik publik, u trajtua si armik. Ndërsa dje dhe sot, jo patjetër i pasuri në vetvete, por sipërmarrësi ekonomik, ky i ditur dhe guximtar qiejsh, është dhe mbetet njeriu i lirisë.

Ylli Polovina














Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com