|
Ma bleu “Shmitin” një serb
(Botuar në gazetën “Shqip”, më 10 dhjetor 2010) .
Është ndodhi e ditëve më të fundit, saktësisht kur nën vëmendjen e opinionit publik kishin hyrë e prekur ndjeshmërinë e tij dy ngjarje të spikatura: dalja e librit ese i Ismail Kadaresë “Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”, dhe letra që drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe studiuesi Aurel Plasari i pati drejtuar shërbimit inteligjent shqiptar. Një bashkëstudente e moteve të fundviteve gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar, tashmë grua shumë e ditur dhe që në Tiranë është pronare edhe e një librarie moderne, tek na rrëfente mbi ecurinë e autorëve nëpërmjet shitjes së botimeve të tyre, një çast me një dëshpërim të sinqertë tha se një “Shmit” ja kishte blerë një serb. Sigurisht është fjala për librin “Skënderbeu” të historianit Oliver Jens Schmitt. Bashkëkombësja, e cila pas viteve nëntëdhjetë ka punuar deri edhe në aparatin e Kryeministrisë dhe mbiemrin prej bashkëshortit e mban me emrin e një qyteti të shumë njohur të Kosovës dhe të të gjithë historisë së shqiptarëve, na e tregoi me hollësi se si nuk e kishte penguar dot që libri i shumë diskutuar i studiuesit gjermanik të mos i binte në dorë blerësit serb. Qenë marrë vesh në anglisht dhe i huaji i ishte dukur person me sqimë. Ishte ai që ia kishte cituar titullin e librit që në fillim, pra kishte ardhur posaçërisht për të. Ajo patjetër që i tha se e kishte, sepse mund edhe të bënte sikur i qe mbaruar. Tek e rrëfente pengun e saj pendimin e kishte jo se nuk ia fshehu, por sepse pati qenë e pafuqishme ta pengonte në një mënyrë të palëndueshme. Mbetej e bindur se intelektuali serb po e blinte për ta përdorur kundër nesh. Ose të paktën për t’u kënaqur me një vepër studimore që ua çmitizonte shqiptarëve dhe ua zvogëlonte idhullin dhe modelin e tyre politik e njerëzor.
Paragjykim, natyrisht, edhe pse gjest atdhetarie. Qytetari serb mund ta blejë librin “Skënderbeu” të Oliver Jens Schmitt edhe në një librari berlineze, zvicerane apo austriake, sepse tashmë është botuar edhe në gjermanisht. Madje mbase ndodhet edhe në ndonjë librari të Beogradit. Ai nuk është i censuruar dhe në të gjitha trojet shqiptare as i ndaluar. Shitet lirisht dhe pa u penguar prej askujt. Libri shmitian thjesht është diskutuar, debatuar e polemizuar, çka i ka bërë mirë jo vetëm opinionit tonë publik, qarqeve shkencore dhe lexuesve të thjeshtë, por mbi të gjitha (e përsërisim: mbi të gjitha) vetë autorit. Nuk mund të rrinte pa përfituar vëmendje publike dhe kështu protagonizëm edhe përkthyesi, Ardian Klosi, i cili nismën e tij e çoi më tej jo vetëm edhe me botimin si edhe të gjithë mjeshtërinë reklamuese që zotëron, por edhe, ndërsa në këtë fushë për fat të keq qe i papërgatitur, edhe mbrojtjen shkencore të disa tezave të reja jashtërutinë të albanologut të ditur gjerman. Në këtë liri të dobishme ku përveç mendimeve të kundërta e të përballta asnjë shqiptar nuk shkoi në një librari e ta merrte një kopje sa për ta grisur para syve të librarit apo të ndonjë kamere të porositur, ka ndodhur krejt e kundërta: “Skënderbeu” i Schmitt është blerë më shumë se ndonjë kundërlibër i tij.
Pa i shkuar më tej vëzhgimit cilat qenë të gjitha arsyet e këtij zhvillimi një gjë mbetet për t’u seleksionuar e vendosur në shqyrtim: tejkalimi i të drejtës. Me të talentuarin dhe të diskutuarin Olivier Jens Schmitt shpikëm një armik, madje e lidhëm atë brutalisht edhe me “serbët”. Po ashtu, ndërsa tashmë ndodhet i gjykuar negativisht në një tekst libri shkollor për mosha rinie, po aq i padashur zyrtarisht po tentohet të paraqitet edhe bashkëkombësi Ardian Klosi. Kemi harruar se duke ja kundërshtuar tejprotagonizmin e tij dhe mënyrën e kryerjes së polemikës me elementë të fortë të sherrit, me studimet e tij për gjuhën shqipe ai vazhdon të kontribuojë plot aftësi. Po ashtu ndoshta na duhet të risjellim në kujtesë se në vite të vështira të formësimit pasdiktatorial të Shqipërisë të deformuar nga gjysmë shekulli stalinist Klosi ka botuar një libër, mbase të vetmen simotër të dijetarit gjenial Sami Frashëri “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet”. Krijesa interesante e Ardian Klosit e ka titullin \"Shqipëria ç\'mund të jetë\". Pra me të mirat e të metat e veta ai është një atdhetar i padyshimtë. Nuk po e shtyjmë më tej të njëjtën logjikë edhe për Fatos Lubonjën. Ai përbën një pasuri kombëtare.
Patjetër ata të dy përderisa zhvillojnë polemika me mjaft persona publikë nuk do të kursehen edhe prej këtyre të fundit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Ismail Kadarenë. Ata e kanë shigjetuar dhe nuk ka qëndruar duarkryq as shkrimtari ynë botëror. Duke qenë se që të tre përbëjnë joshje mediatike janë të lirë të përdorin mënyrat e tyre të debatimit, madje edhe të djallëzimit të njëri-tjetrit. Mund të bëhej kjo edhe pa to, por jemi në liri e gjithsecili që përdor një teknikë të caktuar polemike i merr vetë pasojat negative. Në fund të fundit asgjë e keqe nuk bie mbi shoqërinë. Ajo zgjedh lirisht me kë të rreshtohet, emër qoftë apo edhe tezë e veçantë. Kjo dukuri lirie bëhet problem kur në mes futet një segment apo strukturë e shtetit, i cili është rreptësishtë i të gjithëve, mbrojtësi dhe arbitri, ndërmjetësi gjakftohtë dhe i matur. Nxënësve u duhen rekomanduar për lexim libra të viteve të fundit që nëpërmjet çmitizimit e modernizojnë figurën e shumë dashur të Gjergj Kastriotit si edhe të tillë që nuk pranojnë aspak prirje denigrimi të tij, veç hë për hë çfarë zhvillohet e nxehtë në polemikat e ditës nuk mund të nguroset në libra shkollorë, pra nuk duhet t’i shndërrojmë në opinione zyrtare.
Kemi një merak mos tejkalimi i të drejtës demokratike për të mbrojtur një opinion apo pikëpamje kombëtare duke demonizuar veçanërisht një shtet e popull tjetër, në rastin konkret atë serb, po bën rrugë. Ngulim këmbë për këtë shqetësim sepse paragjykimi i gabuar u përsërit brenda pak ditëve me një veprim të drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, studiues i pajisur me nivel shkencor e kulturë për të thyer tabu e kumtuar ide të reja. Aurel Plasari ka zgjuar me kohë polemika jo vetëm me tezën e përkatësisë vllahe të kryesimbolit tjetër të shqiptarëve, Nënë Terezës, por njëkohësisht është edhe autor mjaft i thellë dhe i argumentuar i mbrojtjes së vlerave të veçanta të Skënderbeut. Për heroin tonë kombëtar ai sapo e ka botuar një libër mjaft serioz. Pra Aurel Plasari, edhe ky një atdhetar i qartë, na u duk se e tejkaloi të drejtën e tij për të bërë publike gjithçka çfarë ka ndodhur me përzgjedhjen e alternativave të institucionit të BK për t’u anëtarësuar në këtë apo atë rrjet ndërkombëtar bibliotekash. Shumë mirë që ia bëri të ditur opinionit publik dhe mjaft bukur që përkundruall tij u ravijëzua edhe një bashkësi e opinion tjetër. Shumë ndërhyrje e zgjuar që gazeta “Shqip” e futi nën vëmendjen e saj dhe e inkurajoi këtë liri shprehjeje dhe ballafaqimi. Le të fitojë më e mira përzgjedhje profesionale, medoemos ajo që përmbush moscënimin e sovranitetit tonë kulturor. Zoti Plasari si drejtues i një institucioni të rëndësishëm kombëtar ku ruhet e mbrohet identiteti ynë bërjen publike nuk duhej ta kryente nëpërmjet botimit të asaj letre që ia kishte shkruar SHISH-it. Si nëpunës i mirë duhej ta dërgonte atë me rrugë e kulturë zyrtare dhe ta mbyllte po ashtu të gjithë procesin larg syve të opinionit publik. Sjellja ala WikiLeaks nuk na bën mirë, sepse na armiqëson pa dashje, në kohën më të paduhur, kur po hapen kufijtë dhe forcohet kultura e paqes gjithë evropiane dhe e bashkëpunimit ballkanik, me një popull të tërë. Letra që lë pas shijen e hidhur të paragjykimit të serbit si armik nuk i duhej shpërndarë medias, sepse ende të paktën nga ai grup i akuzuar si diversionist kulturor antishqiptar nuk ka ndodhur asnjë pasojë reale. Ndërkohë as vetë shteti shqiptar nuk qe shfaqur me ndonjë qëndrim pengues për atë përzgjedhje që pati kryer vetë drejtori. Kishte ngjarë e kundërta: në fillim një nëpunës i lartë i ministrisë përkatëse dhe më pas vetë i gjithë institucioni qe rreshtuar në krah të tij.
Është koha e kujdesit që krahas qëndrimit stoik për kthimin e përgjigjes së vendosur ndaj çdo tentativë jomiqësore të ndodhur realisht, gjithçka tjetër ta kryejmë në emër të frymës së afrimit të përhershëm me të gjithë popujt, edhe atë serb, me të cilin vërtet na mundojnë historikisht kujtime të hidhura, por që duhen kapërcyer. Që nga messhtatori 2003 kur ambasadori shqiptar në Bukuresht L. Mërtiri priti dhe shoqëroi deri në qytetin e Kostancës, ku do të merrte një çmim letrar, Ismail Kadarenë, ende ruan si mbresë të fortë çastin kur ky në ceremoni, i gjendur edhe mes shkrimtarëve serbë që ambasadori i njihte me kohë, e kishte uruar diplomatin për këtë kulturë bashkëpunimi dhe mirëbesimi. Në pranverë të vitit 1989, ndërsa në Kosovë kishin ndodhur demonstratat e forta studentore për mëvetësim, një diplomati të lartë shqiptar në Beograd i shpërtheu papritur stomaku. Duke qenë se druhej mos i merreshin sekrete nëpërmjet anestezisë totale qendra e urdhëroi të nisej menjëherë për në Tiranë e ta kryente operacionin këtu. Veç kjo fizikisht ishte gjë krejt e pamundur, madje nuk kishte kohë as për të shkuar në Zagreb ku kishin një spital dhe ekip mjekësh të besuar. Kështu mbetën të shtrënguar të thyenin urdhrin zyrtar e të shkonin menjëherë në urgjencën e një spitali beogradas. Në tufën e mjekëve që po e shqyrtonte mundësinë e shtrimit të menjëhershëm dhe të ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa ende nuk po vendosnin as ata dhe as diplomati shqiptar, në fund të grupit të mjekëve serbë, pas tyre, njëri, burrë flokëthinjur dhe hijshëm shtatlartë, pa u parë nga kolegët e tij bëri heshturazi një shenjë kuptimplotë: i ra butas gjoksit me pëllëmbën e dorës. Pra “Ta bëj unë”. Diplomati shqiptar e besoi dhe pranoi menjëherë të shtrohej. Mjeku serb ftoi të futej në sallë gjatë operacionit edhe një punonjës tjetër të ambasadës. Kështu jo vetëm “sekrete” nuk dolën, por që atëherë diplomati i operuar tridhjetë vite të shkuara nuk ka më asnjë problem me stomakun. Apo në të mirë të miqësisë na duhet të kujtojmë se edhe një politikan aktiv, Ilir Meta, kryeministrin serb Zoran Xhinxhiç e ka pasur mik të ngushtë dhe po ashtu e ruan këtë raport të bukur edhe sot me familjen e tij. Mbase na duhet të përcjellim deri tek lexuesi edhe çfarë ka ndodhur pak kohë më parë. Në një kryeqytet të madh europerëndimor, duke u kandiduar për t’u regjistruar në një shkollë shumë të specializuar ushtarake, u takuan një luftëtar i paepur i UÇK-së me një oficer serb pjesëmarrës aktiv ato kohë në rreshtat e ushtrisë së kundërt. Në fillim me mosbesim, por pastaj në ato dy muaj provimesh edhe me vullnet e dëshirë të mirë, krejtësisht natyrshëm u bënë dhe mbetën miq për kokë.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|