Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Himni kombëtar i thyen prangat


(Botuar në numrin special të 28 Nëntorit në gazetën “Illyria” të New Jork-ut”)

”Dje nuk na nxorën për ajrosje. Edhe sot gjithashtu. Ndodhemi para festave të nëntorit. Sivjet festohet 25 vjetori i Çlirimit. Ajrosja në raste festash ndalohet. Këtë radhë kjo masë filloi më herët”.

Nga ditari i Bedri Spahiut, 25 nëntor 1969.

Ngjarja aq shumë dramatike sa që tani duket më tronditëse se një tragjedi shekspiriane nuk ka të bëjë me 29 nëntorin. Ajo ka lidhje me 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit. Koha e ekzekutimit të saj është viti i tretë i çlirimit. Vendi: burgu i Burrelit, aq shumë famëkeq pas 16 tetorit të vitit 1946, ditë kur kronikat thonë se u përurua me të pranguar tre herë më shumë nga kapaciteti i projektuar prej dyqind vetash. Në 16 tetor qe ditëlindja e Enver Hoxhës e mbase spontanisht e në mos qëllimisht, ai burg u mbush plot me nacionalistë të djathtë. Regjimi i ri po ngulmonte të forcohej duke ushtruar dhunë i bindur se jo duke i bashkuar shqiptarët, por duke i ndarë në klasa, në përkrahës dhe armiq, do të shkonte drejt progresit social. Pushteti i ri ndihej ndërtues i një bote më të mirë jo duke toleruar, por duke goditur. Të ardhurit në qeverisje edhe pse rrethanat ndërkombëtare shqiptarëve u kishin dhënë deri ato çaste vetëm një të dytën e trojeve, gjysmën e numrit të bashkëkombësve dhe të pasurive natyrore, nuk e kuptonin detyrën nacionale për rindërtimin e Shqipërisë nëpërmjet mobilizimit të të gjitha forcave atdhetare, por vetëm me të besuarit të njëjtës ideologji.
Në pamje të parë dukej sikur kjo për bashkëpunëtorët e pushtuesve qe një vepër e nevojshme, e pashmangshme, se për këtë ndëshkim të domosdoshëm korrigjues patën vendosur fuqitë e mëdha antifashiste të Luftës së Dytë Botërore. Në të vërtetë po të vështrosh me durim e një për një jetët e të burgosurve këto kohë në qelitë e Burrelit dallon lehtë se shumica nuk ishin mirëfilli kolaboracionistë, por mospajtues politikë me regjimin e ri. Mes tyre nuk gjen pak nga intelektualët e njohur të vendit, mendjerilindës të spikatur, bashkëkombës që patën hapur shkolla shqipe, pjesëtarë çetash të luftës për pavarësim, protagonistë të 28 nëntorit 1912, fannolistë, ministra të republikës dhe monarkisë, proamerikanë apo të tjerë të mbrujtur me traditën e adhurimit të Evropës Perëndimore.


ooo

Po afrohej 28 nëntori i vitit të tretë të pas dëbimit të pushtuesve të huaj kur mes nacionalistëve të prangosur u përhap fjala se hamendësohej qartë që autoritetet e burgut nuk kishin ndërmend t’i lejonin për të festuar Ditën e Flamurit. Ata çdo orë më shumë që shkonte e ndihmonte të afrohej kjo datë e shenjtë i bënte të kuptonin se kjo festë për ta qe e ndaluar. Drejtuesit e pushtetit të ri si edhe pasuesit e përkrahësit e tyre do të bënin festë të madhe në Tiranë dhe kudo. Do ta gëzonin këtë ngjarje edhe në qendër të qytetit të Burrelit. Edhe gjithë të tjerëve u lejohej. U ndalohej vetëm atyre që ishin në burgje, veçanërisht të prangosurve për shkaqe politike. Sipas një logjike të zhveshur edhe nga arsyeja më minimale këta nuk qenë vetëm kundërshtarë të komunizmit, por në të njëjtën kohë edhe të gjithë Shqipërisë, pra të atdheut të tyre. Kështu i kishin ndryrë në burgun e Burrelit dhe kudo tjetër nëpër Shqipëri duke ua shkruar me njollë boje dhe duke ua thënë nëpër altoparlantë të montuar jashtë sallave të gjyqeve se qenë tradhtarë të vendit. I shpallën bashkëkombësit si njerëz pa atdhe. Komunizmi u bë i njëjtë me Shqipërinë. Një sakrilegj i përbindshëm!
Të mbyllurit në qeli në burgun e Burrelit atë prag të 28 Nëntorit 1947 do ta pranonin se qenë antikomunistë dhe që ishin prej atyre të cilët do të dëshironin ta rrëzonin një sistem shoqëror bolshevik, por nuk mund të qenë dakord se nuk e donin Shqipërinë. Të gjitha llojet e akuzave, deri edhe ato nga më dinaket dhe më të falsifikuarat, mbase edhe do t’i toleronin, por se patën tradhtuar vendin e tyre për arsyen e thjeshtë se kishin për të një projekt tjetër mbrodhësimi nuk mund ta mbanin dot mbi shpinë. Togfjalëshi akuzues “tradhtar i atdheut” në rastin e tyre qe jo vetëm një nonsens logjik, por edhe një akuzë e padurueshme. Ajo i bënte të ndjenin dhimbje gjer në fund të shpirtit dhe të mos jetonin e vdisnin të qetë.
Ja përse, më shumë se për të protestuar ndaj padrejtësisë së prangimit të tyre, kur panë se autoritetet e burgut 28 Nëntorin do ta përdornin jo për t’u njohur vetëm në një ditë një liri festimi që e kishin marrë prej një fati i cili i kishte bërë të lindnin në këto troje të botës, por për t’i lënë pa atdhe, i thanë njëri-tjetrit se nuk kishin përse rrinin në biruca si minj, duke përtypur ndonjë gjë të ëmbël të gatuar larg syve të gardianëve. Ata nuk duhej ta mbanin fshehur se e donin shumë vendin e tyre. Gjithkush, mundësisht i gjithë globi, duhej ta mësonte se ata për atdheun jepnin gjithçka, edhe vetë jetët e tyre. Qenë të bindur për këtë akt edhe ata që në ndonjë rast, të dëshpëruar se në luftën për çlirimin e Shqipërisë ndërsa nuk gjenin dot bashkëpunimin me komunistët, kishin bërë gabimin e besimit tek pushtuesit. Në fund të fundit këtë veprim e patën kryer për hir të saj. Patën dëshiruar e shpresuar në premtimin e bujshëm të italianëve dhe gjermanëve të bashkimit më në fund të të gjitha trojeve kombëtare, në atë ëndërr përherë të pashuar tek nacionalistët e Shqipërisë Etnike.
Kështu në burgun e tejmbushur të Burrelit në 27 nëntor u vendos festimi publik i Ditës së Flamurit. Qe një akt dinjiteti. Të nesërmen do të shpallej se ata flaknin tej si gjë të ndotë që nuk u takonte nofkën përbuzëse të tradhtarit të mëmëdheut dhe të kombit.
Në paraditen e 28 nëntorit kur një pjesë e madhe e të burgosurve qenë në oborr për ajrim, siç e patën bërë me fjalë, në të njëjtën kohë nisën të këndonin himnin kombëtar. Dy vargjet e para “Rreth flamurit të përbashkuar, me një dëshirë e një qëllim” më shumë se shpërthim fjalësh e tingujsh ishte një thirrje bërë njëri-tjetrit të bashkonin e kombinonin të gjithë zërat. Fjalët dhe zërat duhej të kapnin prej dore njëri-tjetrin. E kënduara nuk duhej të qe vetëm shprehje e të gjashtëqindëve për të qenë një, por edhe një harmoni muzikore e vërtetë, një melodi e plotë, pa asnjë stonaturë. Në dy vargjet e dyta “Të gjithë atje jemi betuar, të japim jetën për shpëtim” gjithçka tashmë qe shndërruar në një kor me interpretim të përsosur, thua të gjithë ata të burgosur, me dhunti për të kënduar apo pa fare ndonjë aftësi, çasti sublim u kishte bërë magjinë të ishin profesionistë. Me të burgosurit në oborr tashmë qenë bashkuar edhe ata që ndodheshin nëpër qeli. Godinat gumëzhinin dhe prej tyre zëri dilte më i thellë, si të qe i mbushur me ngashërim. Kur u shqiptuan vargjet “Prej lufte veç ai largohet, që është i lindur tradhëtor, kush është burrë nuk frikësohet, por vdes, por vdes si një dëshmor” gardianët e alarmuar nga ngjarja e papritur panë se shumë nga të burgosurit në oborr këndonin dhe qanin, supet u dridheshin. Vargjet “Se Zoti vetë e tha që kombe shuhen përmbi dhë, por Shqipëria do të rrojë, për të, për të luftojmë ne!” policëve iu duk se nuk erdhën nga toka, por zbritën si gjëmim nga qielli.
Kurse të gjashtëqindëve iu bë sikur të tërë llojet e zogjve që pati bërë natyra prej lartësive fluturuan dhe u ulën mbi supet e atyre që ishin në oborr dhe nëpër biruca, mbi hekurat e dritareve sa një frëngji e vogël.
Të burgosurit këndonin dhe shihnin njeri-tjetrin. Ndjenë se u bënë më të fortë. Iu duk sikur nuk qenë gjashtëqind, por gjashtëqind mijë. E mbushnin gjoksin me frymë dhe nuk ngopeshin as me ajër dhe as me fjalë dhe tinguj. Qenë të qetë me ndërgjegjen e tyre. Ato çaste që nuk mund të ishin më tepër se tre minuta nuk po bënin kryengritje. Sigurisht ishte një mënyrë proteste, por mbi të gjitha dëshironin të përjetonin një festim. Ata e dinin se atë burg të madh të sigurisë së lartë dhe me kushte shumë të këqija, me korridore dhe qeli ku në vend të llambave elektrike tymosnin copëra pishash, ngrehinë thellë malesh e rrethuar me katër breza policësh, muresh dhe telash me gjemba, ata nuk mund ta shpërthenin. Do t’i masakronin në vend, menjëherë, me disa batare.
Ata po e këndonin himnin kombëtar pa bërë asnjë hap përpara, pa nderur asnjë dorë, pa lëvizur asnjë gisht, pa skërmitur asnjë fjalë, pa tendosur asnjë muskul, pa bërë në fytyrë asnjë shprehje kërcënuese, pa lëshuar asnjë thirrje e klithur asnjë britmë. Po këndonin për të shprehur mallin e tyre për atdheun, sepse i kishin mërguar larg tij, ndarë prej tij, futur nën tokë.
Ja edhe pse të gjithë ata burra të rrahur nga jeta ngashërenin në lot.
Kur në çastin e duhur gjatë luftës apo ndoshta jo në kohën më të përshtatshme dhe më të favorshme kishin zgjedhur ta kundërshtonin komunizmin si një të ardhme po aq të keqe sa një pushtim, këtë gjë nuk e kishin bërë për mëri me shqiptarin, me vëllanë e tyre që po binte viktimë e asaj ideologjie. Ata e dinin se mjaft bashkëkombës që në atë Shqipëri të lënë shumë varfërisht qenë joshur nga dogma e re e “revolucionit të Tetorit”, ia kishin dhënë besimin stalinizmit duke shpresuar se jeta e tyre dhe e fëmijëve që lindnin, do të qe më e mirë.
Kur melodia e himnit kombëtar kishte përfunduar gardianët patën mundur të mbërrinin mes turmës dhe me të gjitha mjetet që mbanin në duar, shkopinj druri apo shufra hekurash, nisën t’i goditnin e t’i shtynin drejt qelive. I futën të gjithë brenda dhe i mbyllën fort dyert e tyre. Sheshin e oborrit e zbrazën shpejt, sepse askush nuk bëri rezistencë. Tek i goditnin me furi dhe bërtitjet “Maskarenj, nuk kini të drejtë të këndoni himnin kombëtar!” nga të burgosurit dëgjoheshin nëpër të vetëm copëra vargjesh me fjalën Flamur brenda të rikënduara mbyturazi, pothuaj nën zë, si të qenë duke shqiptuar rite lutjeje ndaj një perëndie.
Pas disa orësh nga Tirana mbërritën trupa speciale dhe skuadrat e tyre sipas një liste të sjellë me vete hynë nëpër biruca. Morën prej andej gjashtëdhjetë vetë. Pas disa ditësh rikthyen shumicën e tyre, por jo gjashtëmbëdhjetë. Këta nuk u gjendën më në mes shokëve. Të vdekurve nga torturat tani mund t’ua mbledhësh një për një të dhënat e jetëve. Dikush kishte qenë në vitet 1925-1936 kryetar i Parlamentit dhe kryeministër, një tjetër nga 1936-ta deri në pushtimin fashist ministër i Drejtësisë.


ooo

Më pas gjatë gjithë kohës së diktaturës një ngjarje e tillë nuk u përsërit më në asnjë 28 Nëntor, as nga të burgosurit politikë si mënyrë proteste kolektive, as nga autoritetet si dhunë apo si pretekst për ndonjë provokacion e rast për t’i fyer publikisht si tradhtarë të atdheut. Sigurisht asnjëherë këto autoritete më 28 Nëntor nuk dhanë asnjë shenjë se inkurajonin për të burgosurit politikë festimin e Ditës së Flamurit, të paktën duke shtuar në ushqim ndonjë gjë të veçantë. Të prangosurit e ndërgjegjes festonin të veçuar nëpër qelitë e tyre me ndonjë ëmbëlsirë të gatuar vetë. Në fund ndiznin nga një cigare. Për në birucat e tjera u jepnin gardianëve nga një paqetë me lutjen që t’u dorëzonin bashkëvuajtësve. Në shumicën e herëve këta ua kryenin porosinë edhe pse e dinin se pirja e një cigareje çdo 28 Nëntor ishte gjesti që të burgosurit politikë kryenin simbolikisht për të nënkuptuar se mbi flamurin kombëtar kishte rënë zia.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com