Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ismail Qemali,një shekull në sfond intrigash


(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, shtojca kulturore “Milosao”, më 28 nëntor 2010)

Vlorë. Qenë në startin e tyre të turbullt ngjarjet e para të marsit 1997 kur Qerim Vrionit, emër i njohur për shumë prej nesh si fotograf dhe studiues i shpirtngrohtë i saj, i ra në zyrë telefoni. Qe përgjegjës i sektorit të zjarrfikëseve të qytetit. Orari i punës pati përfunduar dhe po bëhej gati të mbyllte derën e të ikte si në një ditë rutinë. Por pas poteres së asaj zileje u kthye. Në receptor një zë shumë i alarmuar nisi t’i thoshte se në Pallatin e Kulturës “Labëria” dukej tym i zi, madje qenë shfaqur edhe flakë. Pas pak minutash të dy makinat zjarrshuese u ndodhën në vendngjarje. Për fat tymin e hidhur e shkaktonin disa flakë të veçuara nëpër kënde dhomash dhe jo ndonjë djegie e përgjithshme e ndërtesës. Prandaj edhe fikja e tyre qe punë e lehtë dhe e shpejtë. Veç gjëma gjithsesi kishte ngjarë. Në atë pallat kulture ndodhej edhe galeria e arteve figurative. Përveç sendeve që kryesisht fëmijë por edhe disa të rritur rrëmbenin gjithandej, karrige apo copra perdesh, shumë libra sidomos, patën thyer dhe hedhur përtokë edhe disa skulptura. Po hiqnin nga muret edhe ndonjë pikturë. Kështu e para gjë e cila Qerim Vrionit iu duk ato çaste më urgjente qe marrja e pikturave dhe largimi i tyre i përkohshëm. Ende shumë ishin të pacënuara, midis tyre edhe një portret i Hysni Kapos. I paprekur edhe ai i Halim Xhelos. Tek sa bashkë me kolegët mbartëte pikturat Qerim Vrioni pa se piktura e madhe e Ismail Qemalit, krijim i Zihni Veshit, qe e çarë mes për mes nga një goditje thike. Megjithëse i tronditur kujtesa ato çaste i solli në vetëdijë pamjet e mjegullta të një siluete njeriu, të cilin e kishte ndeshur vetëm pak minuta më parë, ndërsa zbriste shkallët me nxitim për t’u larguar. Nuk i qe dukur vlonjat.

Misioni Darling

Darling Ismail Vlora është një nga stërnipërit e paktë të shpallësit të Pavarësisë, në “pemën” e familjes me statusin e trashëgimisë gjenealogjike të drejtpërdrejtë nga Ismail Qemali. Emrin e veçantë (anglisht, që do të thotë “njeri i dashur”), pasi në vitet 1990-91 mori pjesë gjallërisht në protestat kundër diktaturës, gjer në 1998 në Tiranë u angazhua në një zyrë që përkujdesej për ish të Përndjekurit Politikë dhe më pas emigroi në veri të Italisë, do ta spikatëte dy vite më parë duke e vendosur në fund të një kopertine libri. Titulli i tij është “Shqipëria dhe shqiptarët”. Autorin e ka vënë në dukje në krye të kopertinës me katër fjalët e bashkuara fort: Ismail Qemal Bej Vlora. “Shqipëria dhe shqiptarët” për herë të parë u botua në vitin 1917 në revistën e njohur londineze “Quarterly Review”, por tashmë Darling e ka risjellë të shoqëruar edhe me një aparat të tërë shpjegimesh si edhe fragmente nga artikuj prej të njohurave gazeta të botës “The Times”, “The News York Times”, “Le Temps”, “Le Figaro”...
Por ndërkohë gjesti i tij protagonist më gjurmëmbetës mbetet një letër të cilën ia dërgoi kohë të shkuara grupit të punës pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i cili po hartonte tre vëllimëshin e ri të Enciklopedisë sonë kombëtare. Atje ai propozoi që zëri “Ismail Qemali” të mos ishte i vendosur si më parë, tek germa “Q”, por tek shkronja “V”. Deklaroi me këtë rast se këtë gjë e kërkonte vetëm për hir të së vërtetës historike, deri tani të mohuar, se nismëtari i shpalljes së Pavarësisë dhe njëkohësisht stërgjyshi i tij mbiemrin e ka jo Qemali, por Vlora.
Në këtë çështje, nëse emri është Ismail Qemali apo Ismail Vlora ose Ismail Qemal Vlora, zë fill edhe zhbirimi që nëpërmjet këtij shkrimi do të bëjmë në skutat e njërës prej intrigave politike më të stërholluara të historisë së shqiptarëve që kur themeluan shtetin e tyre të mëvetësuar.
Po e nisim vëzhgimin prej një fragmenti artikulli tashmë të publikuar në një nga të përditshmet tona vetëm një vit më parë: “Emri tij zyrtar dhe në dokumentin e shpalljes së pavarësisë është Ismail Bej Vlora dhe jo Ismail Qemali. Emri Ismail Qemali u shpik pas vitit 1944, kur Enver Hoxhës dhe regjimit komunist i vriste veshin fjala Bej dhe mbiemri Vlora. Të pacipë në qëndrimin ndaj familjes Vlora, ata internuan gjithë pasardhësit e tij, degraduan në kampe pune familjarët e familjes Vlora, diskriminuan dhe pasardhësit biologjikë të Ismail Bej Vlorës dhe i zhdukën atij identitetin. Titulli Bej që ai kishte, kur shpalli pavarësinë, dhe mbiemri i tij Vlora janë identiteti kryesor i Ismail Bej Vlorës. Ne ia kemi hequr këtë identitet zyrtarisht dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë e kemi fyer, duke ia zëvendësuar emrin real themeluesit të shtetit me një pseudonim. Nuk ka mbiemër Qemali në Vlorë dhe nuk ka ndonjë Ismail Qemali që ka shpallur pavarësinë. Emri i mesëm, Qemali, i marrë nga hierarkia e tij në Turqi, i është kthyer në mbiemër nga regjimi komunist dhe vazhdon të jetë i zyrtarizuar në mënyrë të turpshme nga pushteti i sotëm. Ne duhet së pari si shoqëri t’i kërkojmë ndjesë familjes Vlora, që i kemi hequr Babait të Kombit mbiemrin dhe titullin e tij dhe e kemi katandisur si një komunist ilegal që nuk dihet nga vjen dhe ku shkon. Duke qenë krejt të pacipë në sjelljen tonë historike ndaj familjes Vlora, duke e persekutuar dhe denigruar atë dhe gjithë pasardhësit e mëdhenj të saj, duke persekutuar fëmijët e Eqerem Bej Vlorës dhe Safa Bej Vlorës, duke grabitur testamentin e Ferit Pashë Vlorës dhe duke shitur sot përmes batakçinjve tokat e tij në bregdet të lëna si testament për të shkolluar fëmijët vlonjatë në Austri, ne jemi kthyer në një shoqëri të pafytyrë dhe diabolike ndaj kësaj familjeje. Shteti shqiptar ende nuk ka bërë asnjë gjest për t’i rikthyer dinjitetin kësaj familjeje. Eqerem Bej Vlora dergjet në Austri në një varrezë private, Safa Vlora në Itali, dhe pinjollët e familjes Vlora, që aq shumë i dha Shqipërisë, janë viktimat më të mëdha të regjimit të shkuar”.
Hartues i këtij artikulli nuk është Darlingu. Pas letrës që i bëri Akademisë së Shkencave mori një rezultat të shkëlqyer: nga institucioni i lartë i diturisë kombëtare propozimi iu miratua dhe tashmë që prej një viti emri i burrit të shquar të shtetit shqiptar gjendet i rreshtuar tek gërma “V”.

Familja Vlora

Shtatë vite para se bashkëkombësi i shumënjohur, emrin e të cilit jemi mësuar ta shkruajmë e themi në formën Ismail Qemali, të bëhej kryetari i shtetit të parë shqiptar dhe për pasojë një person mjaft i rëndësishëm pushteti, zëvendëskonsulli austriak në Vlorë, Dr. Ranzi, ka hartuar Pemën Gjenealogjike të familjes Vlora. Kjo ka ndodhur në 18 prill 1905. Fakti që është hartuar nga një i huaj dhe para se vetë kryeministri të hipte në një poltron ndikimi, e bën këtë skemë lidhjeje gjinore shumë më të besueshme.
Ky dokument u gjet sëfundi në Arkivin e Vienës dhe zbulimin e bukur e ka kryer studiuesi nga Kosova por banues në Austri, prof.dr. Eqrem Zenelaj. Ai tashmë e ka përfshirë në faqen 381 të librit të botuar e promovuar këtë vjeshtë në Prishtinë “Çështja shqiptare nga kendvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-Hungarisë, 1699-1918”.
Siç mund ta shihni të publikuar edhe në shoqërim të këtij shkrimi pemën gjenealogjike të familjes Vlora dr. Ranzi e ka ndërtuar nga paraardhësi i parë, themeluesi i kësaj dinastie, Sinan Pasha, deri tek brezi i Ismail Qemalit. Gjeneratën e mëpasshme e ka regjistruar shkurt, vetëm me numrin e fëmijëve. Për tetë breza (Sinan Pasha, Sulejman Pasha, Jusuf Pasha, Ali Pasha, Jusuf Pasha, Ali Pasha, Sulejman Pasha-Selim-Ali, Kapllan Pasha) edhe pse niveli i hierarkisë në Perandorinë Osmane dëshmon kuotë të lartë, deri tani nuk ka të dhëna. Protagonizmi i spikatur i kësaj famileje jep më në fund informacion në gjeneratën e njëmbëdhjetë. Kështu Ibrahim Pashë Vlora nga viti 1787 deri më 1810 ka qenë sanxhakbej i qytetit të Vlorës. Për të kanë dëshmuar pozitivisht në libra e dokumente konsullorë Pouqueville, Alexandre Dumas (babai) si edhe Sami Frashëri. Ky shkruan se “Është nga familja e vezirëve të kasabasë së Vlorës të Shqipërisë..” Më tej e vlerëson si “personalitet shumë të çiltër, të ndershëm e të moralshëm”. Saktëson se dy nga vajzat e tij u martuan me dy djemtë e Ali Pashë Tepelenës, Myftarin dhe Veliun.
Ismail Bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemalit) në 7 nëntor 1828 ka qenë në funksionin e kryetarit të Kuvendit të Madh Ndërkrahinor të Beratit. Sipas studiuesit Dritan Egro (“Rrënjët e nacionalizmit shqiptar”) “Në një letër të datës 29 nëntor 1828, drejtuar pjesëtarëve të elitës shqiptare të kohës, Ismail bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemalit) i drejtohet Sulejman bej Konicës, Tahir aga Abazit (një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ali Pashës), Veli bej Grebenesë dhe krerëve të tjerë shqiptarë të viseve të jugut të Shqipërisë dhe u propozon që ata të mos merren me shtypjen e kryengritjes greke, siç ishin urdhëruar nga Porta e Lartë, por u kërkon që të takohen në qytetin e Beratit “për të diskutuar për avenirin e Shqipërisë me kushtin që atje të bisedojmë si bij të denjë të këtij vendi”. Ismail bej Vlora u vra pabesisht nga një hierark dhe i dërguar i lartë i Perandorisë në 5 janar 1829, në Janinë.
Mahmud bej Vlora (babai i I.Q.) ka qenë një ndër krerët kryesorë të kryengritjes popullore kundër reformave të Tanzimatit. Pas shtypjes së saj u arrestua dhe u internua në Konia të Azisë së Vogël. Ndërkaq familja e tij bashkë me Ismail Qemalin u internua në Selanik. Selim Pashë Vlora po ashtu ka spikatur si një ndër krerët kryesorë të kësaj kryengritjeje. Edhe ai u internua në Thesali. Nuk mungon me veprimtarinë e tij kombëtare as Mustafa Pashë Vlora, një nga eksponentët kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, anëtar i Komitetit të Fshehtë të Janinës dhe i Komitetit Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (i njohur me emrin “Komiteti i Stambolli”). Ka qenë po ashtu anëtar i delegacionit që do të paraqiste dhe mbronte përpara Portës së Lartë rezolutën e nënshkruar nga Kuvendi i Dibrës (1 nëntor 1878), e cila përmbante po ato kërkesa që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit. Mustafa Pashë Vlora ka vepruar për Lidhjen e Prizrenit edhe si kryetar i degës saj në Vlorë. Pas shtypjes se Lidhjes u arrestua dhe u internua ne Çarmakkala, ku u mbajt në një kështjellë për tre vjet i mbyllur.
Janë shumë të dukshme kontributet për çështjen kombëtare dhe pavarësimin e Shqipërisë edhe nga Syrja bej Vlora dhe i biri i tij, i dituri Eqrem bej Vlora. Një pjesëtar tjetër i familjes Vlora, Ferid Pashë Vlora, në vitet 1903-1908 ka qenë Vezir i Madh i Perandorisë Osmane. Ndërkohë njëkohësisht edhe anëtar i Shoqërisë i të Shtypurit të Shkronjave Shqip. Nuredin bej Vlora, patriot i shquar edhe ky, ka vepruar si kryetar i bashkisë së Vlorës në 1920. Duke i qendruar në krah babait të tyre për të gjithë periudhën më intensive në dobi të çështjes shqiptare (1900-1919) nuk mund të veçohen nga prestigji i lartë kombëtar edhe dy djemtë e Ismail Qemalit, Et\\\\\\\'hem dhe Qazim bej Vlora. Edhe më pas atdhetarët e kësaj familjeje nuk mungojnë. Vijnë të plotë e të pajisur me këtë dinjitet të paktën dyqindvjeçar edhe ata që jetojnë sot. Kurrkush prej tyre nuk i ka thyer shpinën atdheut të vet.

Kur fillon intriga

Sfondi i saj po mbush të paktën 100 vjet. Ka nisur me vetë Perandorinë Osmane, ku Ismail Qemali, liberal dhe me mendësi politike proevropiane, më shumë se në funksione qeverisëse mbijetoi i paepur në opozitë. Jo rrallë i internuar dhe i dëbuar, disa herë në prag arrestimi.
Prej intrigës kanë vuajtur deri edhe vetë Sarajet e Vlorajve. Sipas italianit Gualtiero Castellini, i cili e vizitoi qytetin dhe vise të tjera të Shqipërisë gjatë vitit 1913, “Sarajet e Vlorajve u ndërtuan aty nga viti 1821 nga dy vellezerit, Ismail bej Vlora dhe Beqir bej Vlora. Nga Ismail bej Vlora rrjedh dega e Ismail Qemalit (që ishte nipi i tij)”. Ky kompleks shumë interesant, një skicë të të cilës të kryer në vitin 1861 nga L.A.Rumbold, zëvendëskonsulli i Anglisë dhe i Austrisë në qytet, e keni në shoqërim ilustrues të këtij shkrimi, u prish gjatë kohës kur në krye të bashkisë së qytetit ishte Qazim Kokoshi. Në librin e tij me temë Luftën e Vlorës personaliteti vendas Ago Agaj paraqet mendimin se “Sarajet e Vlorajve u prishën nga Qazim Kokoshi pasi ai kishte një urrejtje për bejlerët e familjes Vlora, përjashto këtu vetëm Ismail Qemalin”. Ndërkohë shton se “është një akt që nuk ia fala kurrë Qazim Kokoshit duke prishur shtëpinë nga ku u valvit Flamuri Kombëtar”.
Edhe pse kjo ngjarje e errëson sjelljen ndaj kryeministrit tonë të parë gjithsesi në orientimin e vet që në fillesë shteti shqiptar nuk e ka çoroditur busullën e respektimit ndaj veprës së tij kombëtare. Pasi trupi iu vendos në varrezat e Kaninës, ku si traditë qe streha postmortum e pjesëtarëve të familjes Vlora, në vitin 1932 ai u zhvendos në qendër të qytetit, në një lulishte që mori emrin e tij dhe ku rrinte po ashtu edhe një obelisk. Megjithatë në librin më luksoz dhe më të plotë që Ahmet Zogu botoi për veten e tij “10 vite mbretëri”, 1938, edhe kur në hyrje përshkruan historinë e Shqipërisë i referohet vetëm Skënderbeut dhe vetes e në asnjë germë Ismail Qemalit. Emrin e këtij e ndeshim vetëm në faqet e mbylljes, tek nëntitulli “Prefektura e Vlonës”, ku shkruhet se nëntori 1912 i dha pavarësinë Shqipërisë, por jo të drejtat e saj dhe se duhej “të vinte një Hyll dhe për herë të parë shndriti në Burgajet të Matit...Është Ati e Vllau shpëtimtar i Kombit, N.M. Tij ZOGU I-rë...” Më pas vijon kapitulli “Veprat kryesore bashkijake dhe Komunale. Bashkija e Vlonës”, ku gjen paragrafin “Është bërë prej Bashkisë muzeu Kombëtar “ZOGU I-rë” në ish-banesën e Ismail Qemali, në Portin e Vlonës, lagja ZOG I-rë”. Pasi rreshton edhe fjalinë “Janë ngrehur, si në Qytet dhe në lagjen “ZOG I-rë, 1 nevojtore publike moderne për Zonja dhe për burra”, vijon “Janë shpronësuar prej Bashkisë pallatet e pashallarëve dhe të Xhemil Vlorës dhe, në atë truall, u krijuan kopshtet dhe parku si dhe u ngritën monumentet përmendorja e Ismail Qemalit”.

Kush ia dhunoi emrin

Intrigimi më i madh ndaj shtetarit të parë shqiptar, të cilit për njëmijë arsye nga bashkëkombësit nuk i njihet masivisht jeta dhe profili shumë i lartë si politikan, pa dyshim gjatë shekullit të shkuar dhe ende këtë dhjetëvjeçar më i kompletuari, është kryer përreth emrit të tij. Mjaft e ndërlikuar kjo pandershmëri, sepse është lënë qëllimisht të qëndrojë në rolin e një monumenti dhe jo të një personaliteti që me idetë dhe veprën e tij të nxit e të “rivalizon”. Në këtë proçes hileqar betonizimi dhe ngurtëzimi, për ta dobësuar, e kanë veçuar nga familja e tij Vlora. Këtë fat ua ka dhënë edhe ai vetë pikërisht me përdorimin e emrit zyrtar, ku mbiemri Vlora në pjesën dërmuese të gjurmëve të tij dokumentare mungon. Sepse “Ismail Qemali” ka qenë përherë formulimi i pëlqyer nga vetë ai. Qe emri i tij politik. Sipas rregullit të zakonshëm evropian, i cili ka traditë zbatimi edhe tek ne, emri i rregullt duhej të qe Ismail Vlora. Ose po të vendosej edhe titulli hierarkik osman Ismail Bej Vlora. Të tillë e kishte nipi i tij shumë problematik në ambiciet e tij, Eqerem Bej Vlora. Apo edhe të tjerët e dinastisë së tyre të madhe e që nuk shuhej kurrë sepse e kishte të falur nga natyra epërsinë të lindëte shumë meshkuj. Duke qenë se qe një protagonist politik i lartë në Perandorinë Osmane, sipas një tradite të saj ku mbiemri nuk ishte ndonjë rëndësi, emrit të vënë kur lindi ai i shtoi vetë një të dytë, të sajuar, por me reputacion të mirë atë kohë. Kështu e gjithë bëma e tij historike veproi sa qe gjallë dhe po ashtu pas vdekjes duke mbetur i regjistruar në kronika me dy emra të bashkuar, ku i dyti, Qemali, brezave të mëpasshëm të Shqipërisë u krijoi ndjesinë e një emri Ismail dhe të një mbiemri Qemali.
Në të gjitha dokumentet e fundshekullit të nëntëmbëdhjetë ai gjendet në këtë formë. Edhe kur në 18 prill 1905 dr. Ranzi i vizaton pemën gjenealogjike të gjithë familjes Vlora ai gjendet në formën Ismail Qemal Pasha. Në 11 gusht 1908 ambasadori Italian në Londër i dërgoi ministrit të vet të jashtëm në Romë një telegram të mbyllur rreth një bisede të bërë në mbrëmjen e një dite më parë “me Ismail Qemalin”. Ndërsa në 19 mars 1912 konsulli italian në Korfuz e informon Romën se “Meriton të vihet në dukje fakti që Syrja Bej Vlora ndërkohë që është edhe kryetar i “Bashkimit Liberal”, që siç dihet financohet nga Austria, është mjaft i mbështetur edhe nga Turqit e Rinj. Hamëndesoj se kjo bëhet për të hequr qafe me çdo mënyrë Ismail Qemal Bej”, pak më pas vijon “Në Vlorë, megjithë urdhërin për arrestim, pritet Ismal Qemali, lufta e të cilit me Syrjanë është shumë e fortë”. Vetëm në 30 shtator 1912, kur konsulli italian nga Vlora i dërgon qëndrës së vet një telegram tjetër, emri i politikanit shqiptar ka formën e plotë: “Të dy partitë e drejtuara nga Syrja Bej Vlora dhe nga Ismail Qemal Bej Vlora kanë rinisur luftime të ashpra... Eqerem Bej, i biri i Syrjait, po kërkon të përgatisë një lëvizje kryengritëse pro Austrisë dhe në 28 të këtij muaji mori të zbarkuara nga anija Lloyd, 300 Mannlicher”. Në 10 qershor 1912 një lajm i gazetës “Koha” ia formulon sipas traditës: “Ismail Qemal Beu, deputet i Beratit”. Në 27 tetor 1912 një raport i Ministrisë së Brendshme të Rumanisë ku flitet për mbërritjen e tij në Bukuresht dhe pritjen që i është bërë nga shqiptarët e kolonisë, thotë se me trenin special të orës 7.20 “erdhi edhe patrioti shqiptar, deputeti turk Ismail Qemal Beu”. Më 9 nëntor 1912 telegrami i tij i nisur nga Vjena shprehet “Vij me vaporin më të parë. E ardhmja e Shqipërisë është e siguruar...Qemal, Grand Hotel”. Po këtë datë, 9 nëntor, në gegërisht, ndoshta për shkak të ndonjë bashkëpunëtori të tij nga veriu i vendit që e ka formuluar tekstin në postëtelegraf, i dërgon mesazh edhe parësisë së Vlorës “Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipërisë asht sigurue”. Firmos Ismail Qemal. Në 20 nëntor kur i dha një intervistë gazetës “Il Piccolo” të Triestes, shkrimi nis “Dje në mëngjez mbërriti në qytetin tonë drejt për së drejti nga Viena shefi i Partisë Indipendente shqiptare Ismail Qemal Bej-Vlora...” Më pas e citon vetëm Ismal Qemal. Aq të natyrshëm dhe të pëlqyer e ka emrin e tij politik sa edhe në deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë ai e firmos, shkruar me germa të vogla dhe modeste, “Ismail Qemal”. Studiuesi e veprimtari i madh arbëresh Zef Skiroi të nesërmen e shpalljes së Pavarësisë, më 29 nëntor, i është drejtuar me një telegram përgëzimi si kryetar qeverie me emrin Ismail Qemal. Në 6 dhjetor po nga Zyra Telegrafike e Napolit Filippo Castriota Scanderbeg ia dërgon mesazhin e urimit në adresën “Ismail Kemal bey (Albania)”. Në ditën e dorëheqjes shpallja e saj nis e formuluar “Sot, në 22 janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit u mblodh né praninë e Shkëlqesisë së Tij Ismail Qemal Bej”. Në firmosje të dorëheqjes është shkruar nga dora e tij “Ismail Qemal”. Po këtë ditë të 22 janarit ai i dërgon një telegram prefektit të Elbasanit dhe i bën dijeni për çfarë ndodhi e duke deklaruar “Ju them, megjithatë, mirë u pafshim, duke ia besuar Atdheun e dashur dhe Kombin mbrojtjes hynore”, firmos “Ismail Qemal Vlora”. Në pranverë 1918 ndërsa kalon nga Parisi në Marsejë, pastaj drejt Barcelonës gjithnjë telegramet e fshehta të konsujve apo policisë politike e regjistrojnë me Ismail Qemal Bej. Kur në janar 1919 hyn në Peruxha ato e njoftojnë me emrin Ismail Qemal. Kështu e firmos edhe një promemorie drejtuar kryeministrit italian Vittorio Emanuele Orlando. Gjithçka ndryshon kur në këtë qytet ndërron jetë dhe tashmë vërtetimi mjekësor i vdekjes i referohet vetëm emrit të regjistruar kur pati lindur. Në 27 janar 1919 gazeta “L’Unione Liberale” shkruan “Dje në mbrëmje në orën 23.30 pushoi së jetuari në Hotel Brufani miku i shquar i qytetit Ismail Qemal Bej Vlora”. “La Tribuna” e Romës në 28 janar ia shkruan emrin sërish Ismail Qemal Bej Vlora. Po ashtu “Il Giornale d’Italia”. Në viset shqiptare në “Koha”, më 30 janar 1919, Mihal Grameno i thotë Ismail Qemali, gazeta “Koha e re”, 31 janar, e shkruan Ismajl Qemal beu. Më 17 shkurt një telegram i kryetarit të bashkisë së Elbasanit mbi ceremoninë e organizuar me rastin e vdekjes dhe varrimit të Ismail Qemalit, kryer në orën 9 në xhaminë e Ballias, e quan Ismail Qemal bej Vlora. Madje edhe vetë Darlingu, misionari i kurajshëm për të zyrtarizuar emrin e plotë të shpallësit të Pavarësisë, në parathënien e librit “Shqipëria dhe shqiptarët”, 2008, në tre faqe e gjysmë e citon stërgjyshin e tij 13 herë e në të gjitha në formën Ismail Qemali.

ooo

Kur Enver Hoxha dhe komunistët e tjerë erdhën në pushtet e gjetën këtë traditë të pandryshuar as nga Ahmet Zogu dhe gjatë pushtimit fashist italian e gjerman as prej qeverive kolaboracioniste. Megjithatë ato dy dekada në dokumente pasardhësve të Ismail Qemalit u shkruhej rregullisht mbiemri Vlora. Për ta dëshmuar këtë bashkëshoqëruese me këtë shkrim keni një pasaportë dhe një librezë studentore të nipit të tij, Ismailit. Ndërkaq për shoqërinë e ideologjizuar që komunistët po nisnin të sajonin formulimi tradicional dhe tashmë zyrtar Ismail Qemali u mbarëshkonte në mënyrë të përsosur. Familja Vlora duhej shkëputur nga përfaqësuesi i saj i shquar, duhej lënë mënjanë, mos cituar, harruar mundësisht, sepse sipas teorisë marksiste-leniniste dhe praktikës staliniste i përkiste kastës së shfrytëzuesve, pra hynte në armiqtë e papajtueshëm të “shoqërisë socialiste”. Megjithatë nisur nga dëshira për ta respektuar themeluesin e shtetit të pavarur, por ndërkohë edhe për ta përshtatur me rregullat e reja të regjimit si edhe domosdoshmërinë jetike për ta përdorur politikisht, patjetër me udhëzim të Enver Hoxhës, pasardhësin e drejtpërdrejtë të burrit të njohur të shtetit shqiptar, pra djalin e tij Qamilin, e thirri në zyrë Mehmet Shehu. Ky, edhe pse dihej që i ftuari kishte qenë mik me Ahmet Zogun, më pas i akuzuar prej tij si kundërshtar politik dhe për pasojë u arratis, i rikthyer pas pushtimit dhe i zgjedhur si anëtar i Këshillit të Shtetit dhe në tetor 1943 edhe si deputet, i ofroi një marrëveshje. I tha se do ta bënin diplomat, madje edhe ambasador në ndonjë prej vendeve të kampit socialist, veç duhej të prishte fejesën e djalit të tij, Ismailit (të atit të Darlingut), me vajzën e një familjeje, ato kohë at e bir të arrestuar, i pari më pas dënuar me pesëmbëdhjetë vite burg dhe i dyti pushkatuar me grupin ku qe edhe kunati i Enver Hoxhës, Bahri Omari. Njeriu që kishte përfunduar një pjesë të shkollimit në Stamboll dhe tjetrën, atë universitare, në Nice të Francës, në vitin 1923 Sekretar i rangut të III-të në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, në 1925 Sekretar i Parë, në 13 nëntor 1926 nga Presidenti i Republikës Franceze i nderuar me urdhrin e lartë “Chavalier de la Légion d\\\\\\\'Honneur” (“Kavaljer i Legjionit të Nderit”) dhe në shkurtin e dy viteve më pas prej Ahmet Zogut me titullin “Kavalier i Urdhrit të Skënderbeut”, e shmangu ofertën me mjaft kujdes. Premtoi se do të mendohej. Mirëpo u kuptua shpejt se nuk kishte dëshirë të bashkëpunonte me qeverisësit e rinj. Kështu në 10 dhjetor 1947 me urdhër të Gjykatës Ushtarake të Tiranës u prangua. Në urdhrin e ndalimit thuhet “Qamil Vlora, i biri i Ismailit dhe i Kleoniqit, vjeç 51, nga Vlora, me profesion nëpunës, i arrestuar në datën 10/XII/946, akuzohet se ka mbajtë armë pa leje në kundërshtim me urdhëresën e Ministris P. Brendeshme. Me qenë se faji i tij parashikohet nga Neni 1 të ligjës Nr.21 datë 13 dhjetor 1945 si Sabotator i pushtetit...” U dënua me dy vite burgim. Pas katër muajsh në qeli u sëmur prej tuberkulozit. Ndërroi jetë në vitin 1950. Të birin, Ismailin, e burgosën kur qe kapërcyelli i viteve 1949-50, ndërsa ishte duke kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Nuk iu gjet asnjë faj penal. Por nuk kishte nevojë për fakte, gjithçka bëhej për t’i traumatizuar dhe njollosur, për t’i zhveshur nga e drejta morale për të qenë pasardhësit e ligjshëm të Ismail Qemalit. Që intriga të shkonte gjer në fund regjimi gjykoi se kjo çrrënjosje duhej kryer edhe ligjërisht. Për këtë diversion mënyra më e mirë ishte t’u mohohej përkatësia nga familja Vlora. Nuk ishte operacion shumë i vështirë. Stërgjyshi i tyre i famshëm pa dashje ua kishte lehtësuar, po ashtu edhe qeverisësit pasardhës. Ndërhyrja manipuluese mund të kryhej në dokumente, sepse aty akoma mbetej e shkruar Ismail Qemal Vlora apo Qamil Ismail Vlora. Apo Ismail Qamil Vlora. Vlora e patën mbiemrin edhe pasardhësit e tjerë, por shumica duke mos qenë të drejtpërdrejtë si trashëgimtarë nuk e merakosën regjimin e Tiranës.
Kështu nisi dinakërisht heqja e mbiemrit Vlora. Ai u bë Ismaili. Librezën ushtarake tashmë të vetëm Ismail Qamil Ismailit, lëshuar në vitin 1967 nga Dega Ushtarake Tiranë, me shënimet lindur më 1920, shtatlartësi 1.68, zotërim të gjuhëve frengjisht, jugosllavisht dhe italisht, i paparti dhe me profesion tornitor (!?), e keni bashkëngjitur me këtë shkrim. Një vit më vonë, në 1 mars 1968, kur për nevoja personale u hartua një dëshmi-trashëgimie rezultoi se vetëm Qamilit i qe ndryshuar mbiemri. Arsyeja e manipulimit ishte fare e qartë: katër djem të themeluesit të Pavarësisë kishin vdekur para vitit 1944, i pesti, Qazim Vlora, qe vendosur në Strugë, ku edhe vdiq, ndërsa i gjashti, Qamili, ishte i vetmi që jetonte në Shqipëri dhe përbënte kanosje nga e drejta e ligjshme për të qenë një herë në vit bashkë me të ftuarit zyrtarë në festimet e 28 Nëntorit. Aq i bërë me ngut politik ishte ky falsifikim sa vetëm në vitin 1994, ndërsa kërkuan pajisjen me një çertifikatë të gjendjes civile, u dëshmua që krimi shtetëror i ndryshimit të identitetit ishte kryer menjëherë pas çlirimit, në vitin 1945. Ky mashtrim për të shkëputur linjën mashkullore të trashëgimisë së pasardhësve të ligjshëm të figurës sublime Ismail Qemali qe aq fort i qëllimtë sa që asnjërës prej dy prej vajzave të tij, të cilat jetuan në Shqipëri pas \\\\\\\'44-ës dhe ndërruan jetë njëra më 1952 dhe tjetra në 1954, nuk iu ndryshua aspak mbiemri!!! Por ndërkohë shfaqet një çudi e papritur: në vendimin e trupit gjykues që shqyrtoi atë proçes trashëgimie pohohet “Vërtetimin e faktit se me vdekjen e Ismail Qemal Vlorës më 1919 në Itali....” Pra del emri i vërtetë dhe i plotë bashkëkombësit të shquar, të cilit komunizmi në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” të botuar në vitin 1985 ia ka shkruar të zezë në të bardhë këtë biografi: “QEMALI Ismail (1844-1919). Udhëheqës i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe kryeministër i parë i Shqipërisë së pavarur. Hero i Popullit. Lindi në Vlorë në një familje çifligare...”
Vetëm në vitin 1990, pak kohë para se të ndërronte jetë nipi i tij Ismaili, me një kërkesë qe ua drejtoi organeve kompetente, arriti ta rimerrte mbiemrin e vërtetë. Kështu edhe dy djemtë e tij u bënë Qamil Ismail Vlora dhe Darling Ismail Vlora. Djemtë e të parit Igli dhe Braian Qamil Vlora dhe i të dytit Iv Darling Vlora.

Në Peruxha, tek Hotel Brufani

Kur në fillim të këtij shkrimi iu drejtuam fotografit Qerim Vrioni për të na dëshmuar mbi ngjarjen e ligë të goditjes me thikë të pikturës së Ismail Qemalit patëm parasysh se ai është njëri prej atyre bashkëkombësve i cili ka një foto kujtim që në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, ku bashkë me një shok ka dalë tek varri i shqiptarit shumë të shquar, gjest që nuk e bëjnë shumë prej nesh, sepse pëlqejnë fiksimin e pamjes para kompleksit monumental të Shpalljes së Pavarësisë. Këto rradhë të fundit po i mbyllim me një episod të dytë, kryer prej një bashkëkombëseje tjetër, e cila edhe ajo rrjedh prej një familjeje të nderuar atdhetare, por që për rrethana vetmodestie pak e njohin. Quhet Beatriçe Hazdedari. Ajo shkon shpesh në qytetin italian Peruxha tek Hotel Brufani, atje ku ka ndërruar jetë papritur dhe jo shumë bindshëm themeluesi i shtetit tonë të pavarur. Në hyrje të ndërtesës pesëkatëshe ka një pllakë, në të cilën shkruhet “Këtu ka bujtur patrioti i madh shqiptar Ismail Bej Qemali dhe ndërri jetë po në këtë hotel”. Dhoma e tij gjendet në katin e tretë dhe është e ruajtur si atëherë. Krevati është po ai dhe në të njëjtin pozicion të dikurshëm. Dollapi po ashtu, si edhe tekstili e vizatimi i perdeve. Punën e ciceronit e kryen denjësisht mazhordomi. Di gjithçka për shqiptarin e shquar, çdo hollësi. Të shpjegon se në dollapin e dhomës muzeale ruhen një pjesë të sendeve të Ismail Qemalit, ndërsa pjesa tjetër është marrë nga mbesa e tij Nermin Falaski Vlora si edhe është vendosur në muzeun historik të Peruxhës.
Duhet të kesh një autorizim të posaçëm që mazhordomi i ditur, por edhe flokëthinjur, të tregohet i gatshëm të të hapë zemrën e flasë. Ose mjafton fjala magjike që në në rastin e saj e përdori krenarisht Beatriçe Haznedari: Jam shqiptare.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com