|
Një garip pret heqjen e vizave
(Botuar në gazetën Shqip më 24 nëntor 2010)
Mbase diku në një nga vendet më të qarkulluara të Tiranës, pse jo edhe në qytete të tjera, kohëshënuesë elektronikë po të tregonin ditët, orët dhe minutat që afrojnë çastin e hapjes së kufijve do të na ndihmonin më shumë për ta ndjerë këtë ngjarje ashtu siç në të vërtetë është: revolucion në mënyrën tonë të të jetuarit. E dimë që kjo fjalë, revolucion, e nënkuptuar jo në fushën e teknologjisë, por në atë të sistemit shoqëror, akoma ka shije të hidhur, por përpjekja për të përdorur simotrën e saj evolucion na u duk e pamjaftueshme. Në këto dy dekada për dukuri të ndryshme janë konsumuar me bollëk fjalë përcaktuese aq shumë të forta sa na kanë ngulitur në kujtesë edhe të tilla që nuk e vlenin. Ndjesë lexuesit nëse përdorimi i termit revolucion u duket i bujshëm e poteremadh, apo propagandistik. Por ne, njerëzit, për nga natyra harrojmë shpejt dhe në mos në dhjetor, muajt e parë të vitit të ardhshëm do të na duket se kështu, të lirë që me vetëm një pasaportë biometrike ti biem kryq e tërthor gjithë kontinentit evropian, kemi qenë përherë.
Edhe ngjarjet e mëdha veniten, veç do të qe mirë që kjo të ndodhte natyrshëm e në kohën e vet. Duhet thënë se na ngjau sforcueshëm. Në zbehjen e ngjarjes dhe kështu në ftohjen e shndërrimin e shpejtë të saj në rutinë ndikoi edhe një rrethanë që mbase në kryeqendrën projektuese të BE, në Bruksel, nuk e pikasën se mund të kryhej pak më ndryshe. Në një ditë na dhanë gëzimin dhe menjëherë të nesërmen trishtimin. Madje në të vërtetë nuk qenë dy ditë, pra dyzetë e tetë orë, por vetëm gjysma e tyre. Me një kalendar pune të radhitur pak më në mënyrë pedagogjike, duke i ndarë dy ditë-vendimet me një hapësirë një apo dy javësh, shpirtërisht dhe psikologjikisht do ta shijonim më mirë të parin dhe më me gatishmëri pranimi e reflektimi të dytin. Por kjo tashmë ndodhi.
Në lodhjen e ngjarjes së madhe kanë bërë trysni dhe mënyra se si tek ne zhvillohet gara politike, si brenda radhëve të saj po përdoret përjashtimi reciprok i meritave, si një segment i fortë i elitës anashkalon kontributin e pjesës tjetër, si vlerësohen vetëm konsumatore dhe jo protagoniste shtresa të shumta të popullit të thjeshtë, jo rrallë edhe diaspora jonë nëpër botë, ku tashmë figura e saj e mirë qe edhe ajo një nga shumë shtysat për çeljen e kufijve.
Por mosshijimi i plotë i revolucionit të hyrjes së lirë në Evropë do të ishte shumë pak arsye për tu ankuar, hiçgjë edhe ajo histori e dy datave dhe e dy vendimeve që mund të mos rrinin aq ngushtë e ngushtë me njëra-tjetrën. Sepse mund të na ndodhë, pra këtë herë prej vetes, që procesin ta komprometojmë. Të paktën ta bëjmë të merret nëpër gojë anë e kënd kontinentit. Kur nga Brukseli na dhanë njëherësh lajmin e ëmbël e të hidhur, edhe pse me inkurajim pozitiv të padyshimtë, në skajet e humbëta të ndërgjegjes e merakut tonë mbetën gjurmët e një parandjenje se në qendrat e fuqishme të kontinentit akoma ka individë apo grupe të caktuara mendësish që, për të bërë më në fund një shembull, janë gati të na japin një masë tjetër ndëshkuese. Mjafton të bëjmë një gabim: të shkelim rregullat e lejehyrjes e lejeqëndrimit. Kur muaj më parë u bë hapja për Serbinë dhe Maqedoninë rastet e shpërdoruesve u gjetën nga shqiptarët. Edhe një familje që ditë më parë nuk u lejua të hyjë në një vend të Evropës sepse në shumën e përgjithshme të parave që kishte marrë me vete mungonin vetëm tre-katër dhjetëshe euro, shqiptarë qenë. Të besosh se gjithë udhëtarët nga vende të tjera nuk gjenden shpesh herë edhe me një mungesë të tillë të papërfillshme monedhash e megjithatë askush nuk i kontrollon dhe ndalon, do të qe naivitet. Ata u kthyen mbrapsht se qenë shqiptarë. Sigurisht ky nuk është racizëm, por paragjykim po. Edhe paralajmërim.
Dhe duke qenë se nga mosnjohja e mirë e rregullave të qarkullimit të lirë nëpër Evropë mund të gabojnë edhe bashkëkombës nga fshatra të thella apo edhe prej brenda qyteteve nga tepër të rinjtë, se ndokush nga halli do të kuturisë të kërkojë punë dhe kështu të hyjë në klandenstinitet, gjithsesi këta nuk duket se hë për hë, që në ditët e para, do të bëhen shkak për të dhënë rastin e një masë të re ndëshkimore.
Ata që mund ta shkaktojnë këtë janë garipët. Janë ata që nuk kanë asnjë nevojë pune dhe mall për të takuar familjarët e larguar prej vitesh. Sigurisht ata nuk do tu hipin avionëve, trageteve apo makinave të tyre personale, as për tu kuruar apo thjesht bërë turizëm a shoping. Këta, si garipë që janë, do të dalin për qejf. Për të shitur ca mend e ngacmuar çupa, për të bërë potere nëpër dyqanet e mëdhenj e nginjur me pije nëpër lokale, për të hyrë vrullshëm nëpër diskoteka e folur me zë të lartë, për ta ngarë veturën sa tu duken udhëtarët e tjerë miza.
Të gjendur në siklet nga kritikat përse në kufi duhet të ketë edhe ndonjë kontroll, pra rregull, prej një qëndrimi të skajshëm se duhej të kishe në xhepa deri edhe shuma të mëdha parash, këto ditë pa dashje po kalohet në tjetrin. Kalim fjollë.
Mirëpo garipët nuk e kuptojnë këtë gjë. Kujtojnë se matanë kufijve ka plasur ahengu. Duhet ti ndihmojmë të mos na prishin punë. Qoftë edhe me një kthim të përkohshëm mbrapsht. Të paktën sa të shohin të tjerët, shumicën, si me aq dinjitet respektuan rregullat.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|