Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një libër i ndaluar pa dashje


(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, shtojca kulturore “Milosao”, 14 nentor 2010)

Në fundmars 1992 po kthehej nga Beogradi, ku prej afro gjashtë vitesh pati qenë ambasador i vendit të tij. Në Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë e kishte nisur punën sapo në Universitetin e Tiranës mbaroi Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, degën frëngjisht. Në institucionin e rëndësishëm të Punëve të Jashtme në fillim pati qenë referent dhe më pas drejtor për OKB-në dhe organizatat ndërkombëtare. Viti 1971 i la gjurmën e parë të pashlyeshme në kujtesë dhe në biografinë profesionale: bëri pjesë në delegacionin për në FAO tamam në atë seancë kur kjo organizatë e pranoi Shqipërinë anëtare të saj. Ndërkohë vazhdoi studimet për një specializim të dytë. Pa shkëputje nga puna përfundoi Fakultetin Juridik. Pas disa misioneve në përbërje të dërgatave qeveritare në sesione të ndryshme vjetore të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në 1979 e emërua këtu këshilltar pranë Misionit të Përhershëm të vendit të vet. Në 1980 eprorët e tij ndërruan mëndje. E dërguan në Paris, në ambasadë. Do të qe figura numër dy dhe epror do të kishte ndër më legjendarët e diplomacisë shqiptare: Misto Treskën. Që nga kryeqyteti francez për tre vite rresht (1983, 84, 85) do të qe një herë anëtar dhe të dy herët e tjera kryetar i tre delegacioneve në konferenca speciale të OKB-së për Palestinën, për shëndetësinë në botë dhe analizën vjetore të Komisionit Ekonomik për Evropën. Më 1986 nga Tirana i erdhi zhvendosja e tretë. Këtë herë do të shkonte ambasador, por në një zonë shumë të nxehtë: Beograd.
Më shumë se Parisi dhe Nju Jorku të marrë së bashku e ndoshta mjaft herë më tepër, puna në kryeqytetin e Federatës Jugosllave do të ishte kulmimi i pjekurisë së cilësive të tij profesionale, atdhetarisht ndër periudhat më e përkushtuara të të gjithë jetës, emocionalisht kohë e paharrueshme, e pashlyeshme. Ishte moti kur më në fund supershteti artificial ballkanik me luftë të brendshme të përgjakshme nisi pjesë-pjesë të shpërbëhej dhe kur në atë kasaphanë u duhej të mbijetonin fatin e tyre mbi dy milion shqiptarë. Qe koha kur në Lubjana të Sllovenisë u strehua qeveria në mërgim e Kosovës dhe në Beograd njëmbëdhjetë ambasada shtetesh e mbulonin Shqipërinë pa përfaqësues në Tiranë, çfarë do të thoshte shumëfishim i volumit të punës së përditshme sepse të gjithë ata kolegë raportet e bashkëpunimit do t’i mbanin me të.
Tani, në mars 1992, i duhej të largohej e kthehej në Tiranë, në selinë qendrore të Ministrisë. Tek sa bëhej gati të ikte kolegët nga vendet e tjera i patën uruar vazhdimin e profesionit, siç edhe qe e natyrshme për diplomatët e karrierës. Ai i falënderoi, por nuk u tha se kishte pasur mjaftueshëm informacion se në vendin e tij mund të ndodhte krejtësisht e kundërta. Që prej Beogradit situata në Tiranë nuk kuptohej shumë qartë. Kur hyri në kryeqytetin shqiptar kuptoi se aty ende kishte pështjellim, por për ku do të shkonin ngjarjet qe e punë fare e kthjellët. Ishte një jetë që në trazim e sipër po ndërronte diametralisht kah. Shkoi menjëherë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe përmidis tisit të lehtë e të mjegullt të mirësjelljes kuptoi se do të ndodhte ashtu siç ende pa u kthyer i kishte mbërritur lajmi. I kërkuan dorëheqjen. Nuk hepoi. Ra dakord. Qeveria e re qe antikomuniste, kurse ai deri ato çaste vinte, të paktën formalisht, prej anës së kundërt. Me disa lidhje afrie me funksionarë të lartë të regjimit tashmë të përmbysur, por gjithsesi jo nga më të epërmit dhe aspak ndër më të përfolurit, prania e tij e mëtejshme dukej se binte ndesh me rrethanat e frymën e përgjithshme politike të atyre momenteve.
Në prill qe i papunë. Po ashtu edhe për pesë muaj të tjerë me radhë. E shoqja Mimoza përpiqej të mos ja bënte të rëndë atë kapërcyell të vështirë të jetës, ku sigurisht nuk do të mungonin edhe dy djemtë e tyre, njëri prej të cilëve ato kohë mjaft shëndetbrishtë. Nuk i tha të shoqit asnjëherë se papunësia e mundonte, por sepse më shumë nga të gjitha e bënte të vuante ajo e paparë dhe e papërfytyruar kurrë që po i shihnin sytë. Tek ecte rrugës në hallin e vet ndërsa shumë nga të njohurit që vinin prej shtresave të thjeshta e përshëndetnin, nuk po i ndodhte kjo me ata që në Paris apo edhe në Nju Jork i patën ndihmuar. Duke qenë në përfaqësinë diplomatike, ndërsa prej Tiranës vinin miq të lartë për t’u kuruar, vazhduar studime e specializime, pse jo edhe thjesht për ndonjë pushim të kamufluar me ndonjë shërbim zyrtar, ata qenë bërë copë të mos u mungonte asgjë. Pikërisht shumë nga këta të favorizuar të asaj kohe, tek shkëmbeheshin me të në rrugë, kthenin kokën në anën tjetër.
Që të mos e lëndonte asnjëherë bashkëshortit nuk ja pohoi këtë hata. Nuk bëri zë po ashtu për t’i thënë se tanimë kishte shumë kohë që në rrugë ecte me sytë ulur, krejtësisht përdhe, jo vetëm sepse po i trajtonin si bllokmenë, ndërsa asnjëherë nuk patën jetuar në atë parcelë të nëmur të kryeqytetit, por sepse nuk donte më t’i shihte ata të privilegjuar të mëparshëm, ata përfitues të pushtetit të dikurshëm që sërish qenë orientuar nga pushteti i ri, patjetër në një spërdredhje tjetër të pasinqertë.
Në fund të vjeshtës më në fund ai nisi një punë të re, në krye të një zyre shoqërie ajrore. Kishte qenë rastësia dhe fati i tij një vizitë e fundit në Lubjanë, ndërsa pati marrë urdhrin të kthehej në Tiranë dhe po kryente, siç e donte rregulli protokollar, takimet e lamtumirës. Nuk mund të ikte pa u përshëndetur me qeverinë në mërgim e Kosovës. Shumë herë për të ruajtur e mbajtur lidhjet me ta dhe bashkërenduar, sidomos kur gjatë vitit të trazuar 1989 nisi greva e minatorëve të Trepçës dhe më pas e gjithë situata u përndez me demonstrata për t’u shkëputur nga federata e rrënuar, i qe dashur të nisej me makinë nga Beogradi, të ngjitej lart e të hynte në Hungari, pastaj të zbriste në Kroaci dhe prej këtej të rendte drejt Sllovenisë. Qe kohë e përleshjeve ushtarake mes serbëve dhe kroatëve e në çdo çast mund të lije jetën në ndonjë skaj rruge, i shpuar tej për tej. Përreth të shtënat e topave nuk mungonin kurrë, por jo rrallë patën ndjerë shumë afër edhe ato të kallashnikovëve dhe madje pickimet në ajër të plumbave të snajperëve. Kur atë fillim viti 1992 bënë takimin e fundit me qeverisësit në mërgim të Kosovës papritmas njëri nga bashkëkombësit i ndërhyri një tjetri duke i propozuar t’ia ngarkonte ambasadorit zyrën e re që shoqëria ajrore sllovene Adria do të çelte në Tiranë. Tjetri nuk kishte hezituar fare, por pati saktësuar se kjo kërkonte të paktën gjashtë muaj kohë.
Pikërisht ato gjashtë muaj priti edhe ai në Tiranë. Veç ish-diplomati me mbi dy dekada përvojë qe njeri mjaft punëtor dhe komunikues i talentuar, njohës i përsosur i katër gjuhëve të huaja dhe me dy diplomime, vullnet hekurt dhe që transformimet e reja në Shqipëri i çmonte dhe i donte me të gjithë forcën e shpirtit.
Kështu nisi jetën e re. Por megjithatë profesioni i vjetër nuk iu nda. E kishte dhunti. Edhe po të mos e ndiqte ai do t’i shkonte ky nga pas. U bë për pak kohë Konsull Nderi i Holandës dhe pastaj një mandat i gjatë me këtë titull për Republikën Sllovene. Në fund të viteve nëntëdhjetë u bë Këshilltar Special i Ministrit të Punëve të Jashtme, drejtor i Drejtorisë së Prognozës, kryetar i grupit të posaçëm të punës për Kosovën, ngritur pranë Kryeministrit kur shpërtheu lufta e çlirimit të bashkëkombësve.
Në vitin 2002 i ndodhi një kthesë e papritur. I propozuan të qe kryetar i një Shërbimi tjetër, këtë herë të atij Informativ. Dy partitë e mëdha patën dëshiruar e rënë dakord të qe numri një i SHISH. Pranoi. Ishte nder për të. Asnjëherë nuk i kishte bjerrë pasioni dhe vetëmohimi për t’i shërbyer mbrojtjes së sovranitetit të atdheut të tij.
Kjo punë e re vijoi edhe gjatë vitit 2003, në 2004 po ashtu....Por se si shkoi më tej do të gjejmë momentin më të përshtatshëm në këtë shkrim postum kushtuar atij, njeriut të punëve gojëmbyllura, të veprave që kyçen nëpër arkiva dhe opinioni publik shumicën nuk i merr vesh dot kurrë, përveç ndonjë dosjeje që çelet pas një çerek shekulli a më pas. Një fat të tillë kishte zgjedhur dhe me të qe mësuar bashkëkombësi për të cilin po flasim dhe të cilit ende nuk ia kemi përmendur emrin.
Është Kujtim Hysenaj.
Mimozës së tij që nga vitet e Nju Jorkut, Parisit apo Beogradit i kishte pohuar se po mbante disa shënime prej atyre pak gjërave që i lejohej t’i regjistronte në një ditar personal dhe tepër intim. Këtë e bënte sepse kishte një dëshirë të përhershme, shumë këmbëngulëse, pothuaj ëndrrën më të madhe të jetës së tij: kur të dilte në pension të shkruante një libër. Jo për veten dhe as familjen, por për të qenë i dobishëm për Shqipërinë. Kur ia kishte pohuar këto shoqes së jetës dhe ajo e pati vështruar butësisht, me zemër të prekur, e gatshme t’i vinte në ndihmë me çdo përkushtim, Kujtim Hysenaj nuk mund ta dinte se pesëdhjetë e shtatë vitet e tij do t’i aviteshim me shpejtësi të frikshme një rreziku të madh e pastaj do të ndërpriteshin.
Ky, i shtrenjti lexues, është thelbi e kumti kryesor, edhe vetë fati tronditës i librit “Diplomati”. I një libri që ka pesë vite që nuk ndodhet në asnjë vitrinë librarie apo raft biblioteke të vendit, as nëpër trojet shqiptare. Që nuk gjendet as tek bashkëkombësit nëpër diasporë, madje as në ndonjë kënd modest të Parisit, të cilin aq joshës e të trazuar Kujtim Hysenaj e përshkruan në 219 faqet e tij.

ooo

Maxhun Peka, një nga diplomatët historikë të shqiptarëve, aktualisht ambasador në Pekin, e ka prirë librin me një parathënie të shkurtër. Qe njohur me të kur qe ende dorëshkrim. “Kur i lexova”, pohon, “u befasova tej mase. Ato janë shumë interesante, shkruar bukur, me një stil që të mban gjithmonë në tension. Kujtimi e identifikon veten me Kastriot Hekalin, i cili është edhe personazhi kryesor i librit, ndërsa bashkëshortja e tij Mimoza Hysenaj shfaqet me emrin Shqipe”. Disa paragrafë më pas ambasadori Peka shkruan “Faktikisht, për kohën që flitet në këtë libër populli e shihte diplomatin si njeri të privilegjuar, që bënte jetë luksoze, ndërkohë që ishte krejt e kundërta: ai merrte një rrogë minimale krahasuar me kolegët e vet në botë, shifrën e së cilës do ta gjeni mes rreshtave të këtij libri, psoniste aty ku çmimet qenë më të ulëta, e u bënte hyzmet anëtarëve të Byrosë Politike, të cilët shoqëroheshin pashmangshmërisht nga një shpurë e madhe njerëzish, që nga truproja e deri tek kuzhinieri. Ai që nuk e bënte një gjë të tillë, përfundonte si Misto Treska, i cili siç jepet edhe më libër, transferohet para kohe në Shqipëri”.
I tillë është “Diplomati”. Duket sikur janë kujtime klasike, tipike të stilit “memorie”, por në të vërtetë janë edhe një roman. I shtrënguar nga rregullat e rrepta të mosthënies, kusht autoritar i profesionit, Kujtim Hysenaj gjen një shteg të lirë, madje me zgjuarsi arrin të çelë një hapësirë të madhe për të krijuar. Fantazon e në të vërtetë në shumicën e faqeve thotë të vërtetën, i përshkruan ngjarjet siç kanë ndodhur. Si përshembëll historitë e dy atentateve me bomba që në 1974 dhe 1976 u kryen ndaj ambasadës së Shqipërisë. Duke qenë se për këtë periudhë arkivat janë hapur sheh se autori ka përshkruar artistikisht një ngjarje krejtësisht reale. Këtë gjë dëshmojnë arkivat edhe për një episod tjetër, rrëfyer plot talent letrar dhe njëkohësisht mprehtësi diplomati. Në një vit të mëpastajmë në Francë erdhi për një turne koncertesh Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore. Qyteti i fundit i përzgjedhur për spektaklin tashmë mjaft të pëlqyer nga vendasit, qe Parisi. Fillin e rrëfimit Kujtim Hysenaj e nis që nga kafja të lagjes Sucy-en-Brie në periferi të kryeqytetit francez, e cila zakonisht frekuentohej nga shqiptarë të arratisur dhe në armiqësi me regjimin e Tiranës. Në një nga tavolinat Kastrioti dalloi katër bashkëkombës nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët po pinin alkool të tepërt. Njëri prej tyre, më i moshuari, quhej Zenel. Me këtë episod nis një nga ngjarjet më rrëmbenjëse të librit. Kur më në fund rrëfimi shumëfaqesh nëpërmjet të papriturave të njëpasnjëshme shkon gjer në fund e kupton se mes antikomunistëve demokratë apo edhe qoftë jo të tillë, pra nga ata me stil politik autoritar e megjithatë atdhedashës, gjenden edhe shpirtshitur, agjentë e provokatorë shtetesh antishqiptarë.
Tek “Diplomati”, tek ky libër sa krijesë artistike aq edhe plot lëndë historike, ka një subjekt të harmonizuar e mbërthyer mirë në një strukturë kompozuese me një gjetje origjinale të autorit. Të gjitha ngjarjet Kujtim Hysenaj, si të jetë në mos një shkrimtar profesionist një intelektual i pajisur me këtë përvojë, tamam si nëpër një pëlhurë fine thur paralelisht me çiftin Kastriot-Shqipe edhe fatin e një dysheje tjetër njerëzore. Ndërsa dy të parët i gjykon si të palës afër pushtetit, edhe pse aspak fanatikë por me mendje të hapur, tek dy të dytët vështron pothuaj anën e anasjelltë, ata që u panë me dyshim apo u keqtrajtuan gjer në dhimbje. Kështu merr jetë e përshkruhet linja e dashurisë midis dy të rinjve, Takut dhe Mirelës. Kjo është një vajzë që ka ardhur në Paris për t’u specializuar dhe për të kuruar disa probleme shëndetësore dhe merr vesh se aty ndodhet edhe ish i dashuri, me të cilin në Tiranë qe ndarë për probleme që i krijonte e quajtura luftë klasash. Në anashkalim e shpërfillje, në mos rebelim me këto rregulla shtrënguese, edhe pse funksionar i lartë shteti, Kastrioti i ndihmon dy të rinjtë të takohen e të përpiqen të ringjallin ndjenjën e këputur dhunshëm. Por jo për fajin e tij nuk qe e thënë që dy dikur të dashuruar ta rilidhnin jetën bashkë.
Janë prekëse në libër faqet e herë pas hershme për këtë dashuri të humbur politikisht në Tiranë e të dëmtuar aq shumë atje sa të qe e parehabilitueshme në një botë të hapët e kryeqytet si Parisi. Kujtim Hysenaj e përshkruan me aq dashuri këtë linjë të dytë të vetvetes e të bashkëshortes së tij (personazheve Kastrioti dhe Shqipe), sa duket sikur kërkon patjetër të shprehë një ëndërr, të thotë një mesazh e të bëjë të ditur dëshirën për një brez të ri të lirë. Ai lufton nëpër të gjitha faqet e librit për t’i bërë të lumtur dy të rinjtë dhe nuk mund ta dinte (në të vërtetë e kuptonte), se jeta të cilën e kishte dashur shumë do t’i ndërpriste në mes të tijën, do ta ndante mizorisht nga dashuria e tij, Mimoza.

ooo

Duke qenë i mençur Kujtim Hysenaj e di se për një diplomat që ka qenë në Paris në momentet kur Mehmet Shehu do të vetëvritej, po ashtu në mes të dekadës së parë të viteve dymijë edhe drejtues i shërbimit inteligjent shqiptar, nuk mund t’i shmangej thënies së disa të vërtetave, përshkrimit të paktën të një zinxhiri ngjarjesh që e shpjegojnë jetën e prerë të kryeministrit karrierë gjatë si një nga ndodhitë më të bujshme të historisë së shqiptarëve. Ai e di se edhe lexuesi ka kërshëri dhe se libri bëhet për ta. Prandaj tek “Diplomati” ai ka mbi dyzetë faqe mjaft interesante dhe të pabëra publike për Mehmet Shehun. Janë tre kapituj të tërë, i katërmbëdhjeti, i tetëmbëdhjetë, po ashtu edhe ai pasues.
Mjaft tërheqëse janë edhe ato pjesë të librit kur Kujtim Hysenaj pohon për raportet e vështira që shpesh diplomatët e karrierës kishin me një pjesë të zbuluesve, punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme të kamufluar përkohësisht në ambasadë me të njëjtin status ai ata. Në faqen 133 gjenden edhe këto radhë: “Shpeshherë ftohjet me Francën na kanë ardhur nga gjëra të tilla, si përshembëll: takimi i Leka Zogut dhe Geraldinës me presidentin francez Zhiskar D’Esten, në ceremoninë e varrimit të Sadatit. Më pas, në maj 1981, Leka takohet në Paris me nënkryetarin e Partisë Bashkimi Demokrat Francez, Likanuet. Atij i njihet pasaporta diplomatike e Oborrit Mbretëror dhe gjatë një vizite në Paris, po më 1981-shin, i vihet në dispozicion një veturë zyrtare, madje shoqërohet edhe me dy oficerë të Sigurimit Francez. Me ndërhyrjen e “emigracionit reaksionar” shqiptar, Bashkia e Parisit lejon emërtimin e një rruge në Paris me emrin e Skënderbeut, gjë që autoritetet e ligjshme shqiptare s’e kishin bërë dot. E keqja është se përfundimet i nxirrnin njerëz që nuk kanë asgjë të përbashkët me diplomacinë, që kanë studiuar në Moskë, flasin rusisht dhe përfundojnë si zbulues në Paris”.

ooo

Tani na duhet ta mbyllim sa më shpejt këtë shkrim. Aspak sepse dy faqe të “Milosao” kërkojnë një volum të caktuar dhe skaji i tij maksimal po shkon drejt mbushjes. Ndërkohë kaq hapësirë qenë tepër të mjaftueshme për ta ndërtuar shkrimin edhe në një formë tjetër. Madje do të qe shumë më joshës për ndjenjat e dhembshurisë të lexuesve. Sepse në jetën e Kujtim Hysenajt ka edhe dy vite lufte për t’i bërë sfidë vdekjes. Në korrik 2003 ndjeu një si marrje mendsh dhe ja vuri fajin ndonjë lëkundjeje të tensionit të gjakut, por kur në një klinikë të Tiranës i futën një sondë në stomak dalluan menjëherë një tumor. Luftoi ai njeri i fortë për t’i dhënë kurajë jetës, një operacion në Nju Jork, kurime me rrezatim në Ankara, pastaj përpjekjet ende shpresuese në Selanik, ku më në fund ra në komë. Për dhjetë ditë rresht binte shi i rrëmbyer dhe nëpër qiell pështjellime të kërleshura resh sterrë të zeza lëshonin vetëtima. As edhe një helikopter i madh i NATO-s, një prej tyre që kanë brenda shërbim ambulator, nuk ngrihej dot dhe as ulej. Mundi më në fund vetëm një avion i “Albania Airlines” ta merrte me vete e ta ulte në tokën e tij, ku dha shpirt menjëherë.
Nuk mundemi të rrëfejmë asgjë më tepër se kaq, sepse jo më shumë por edhe këto pak rreshta për të dashurin e tyre do ta bënin të palexueshëm këtë shkrim për Mimozën e dy djemtë. U ka ndodhur edhe me librin “Diplomati”. Duke e bërë zemrën të fortë kanë shfletuar vetëm diçka aty-këtu, nëpër ngjarje ku nuk mund t’i mbytë ngashërimi.
Kujtim Hysenaj i kishte thënë bashkëshortes së tij se do ta shkruante një libër kur të dilte në pension. Vetëm ai vrasës i pabesë, tumori, e shtrëngoi të ulej dhe hidhte në kompjuter krijesën e tij postume. E nisi jo kur iu gjet plaga kërcënuese, por kur e kuptoi se po shkonte drejt shuarjes. Shkrimi i atij libri duhet të ketë qenë një vuajtje e madhe, fizike dhe shpirtërore. Ndoshta prandaj duket sikur atje ka rikrijuar veten dhe të tillë, personazh letrar dhe kështu më jetëgjatë se reali, po e linte pas për të qenë përherë bashkë me familjen e tij. Sepse e kuptoi këtë amanet të fundit dorëshkrimin ende të pambaruar Mimoza ia dorëzoi shtëpisë botuese “Dudaj”. Ata e redaktuan, i gjetën një “mbyllje” letrare dhe i shtypën gratis pesëqind kopje.
Shoqja e tij e jetës kopjet e para i shpërndau kur gjashtë muaj më pas nga jetëhumbja e Kujtim Hysenaj Shërbimi Informativ Shqiptar organizoi një përkujtimore. Më pas libri u mbyll në shtëpi. Ende ndodhet atje, prej pesë vitesh i ndaluar pa dashje. Mimoza thotë se nuk ka qenë kurrë e sigurt se ai mund të ishte në nivelin për t’u shfaqur në vitrinat e librarive.
Porse jemi duke e bindur se është krejtësisht e kundërta.

Ylli Polovina






















Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com