Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pikëllimi është shumë pak


(Botuar në gazetën “Shqip” më 14 nëntor 2010)

Gëzimin e hyrjes pa asnjë pengim kufitar deri në zemër të kontinentit europian e goditën ballazi dy ngjarje mjaft të hidhura. Një autobus që udhëtonte drejt një vendi të vetë BE-së u shëmb nën rënien nëpër mbi njëqind metra brinjë e thiktë mali, duke hapur vaje për nëntë morte dhe plagosur e gjymtuar dhjetëra të tjerë. Pa mbaruar kjo dhimbje pasoi edhe një tjetër, akoma më rënqethëse. Katër fëmijë të varfër u mbytën natën në një kthinë të mjerueshme pa energji elektrike prej një zjarri tinzar i shkaktuar nga një gjysmë qiriu. Nuk ka mbetur shqiptar që pasi e ka marrë vesh këtë lajm të fundit të mos ketë ndjerë rënkim në gjoks, të mos i jenë rrëmbushur sytë apo qarë me dënesë në ndonjë skaj të shtëpisë ku jeton, zyrës ku bën shërbimin publik apo dyqanit e firmës private ku ndodhet i punësuar. Duke mos e paragjykuar nuk jemi të sigurt nëse këtë gjendje shumë të rëndë shpirtërore të mbarë popullit e kanë kuptuar plotësisht njerëzit e fuqishëm të vendit, ata që kanë pushtet dhe autoritet në të gjitha majat e shoqërisë tonë dhe u mjafton për ta ndryshuar fatin e fëmijëve shumë të varfër vetëm një fjalë, një dalje në televizion, një vendim partie apo bashkësie organizatash joqeveritare, një dekret kabineti qeveritar apo vendim mbipartizan strukture kuvendore, nismë e një grupi mediash apo shoqate sipërmarrësish, kumte qëndrash universitare apo gjeste nga personalitete të diasporës sonë nëpër botë. Patjetër individualisht u ka dhembur. Kush ka pasur në dorë të bënte diçka që të mos u ndodhte ajo gjëmë me siguri tani ndihet ligsht e provon brengë.
Megjithatë deri këto çaste, disa ditë pas ngjarjes, askush prej tyre, edhe pse ka shprehur pikëllim, nuk ka kushtruar që t’i jepet fund realisht varfërisë së fëmijëve. Nuk durohet uria tek ta, nuk mund të tolerohet nga asnjë shoqëri normale, nga asnjë klasë politike, nga asnjë buxhet shteti, bashkie apo komune. Nuk mund në prag të ditës së hyrjes lirisht në pjesën e zhvilluar të kontinentit katër shqiptarë vocrrakë me emrat evropianë Kasandra, Nertila, Robert dhe Vilson, të humbasin jetën prej pamundësisë së kushteve më minimale. Nga përgjegjësia për atë që ndodhi, si nga Gjyqi i Madh, nuk mund të fshihet e shpëtojë asnjë prej nesh. Akti ynë i parë i dhimbjes është forca për të ndryshuar gjendjen, për të reformuar gjithçka që shpëton fëmijët nga varfëria, çdo ligj e kod, çdo mënyrë të deri tanishme pune. Si mund të thuhet në një zyrë qeverisjeje lokale se nuk e dinte gjendjen? Për çfarë janë gjithë ata nëpunës bashkie apo komune kur nuk kontrollojnë dot e njohin territorin e tyre? Dhe ky nuk është ndonjë mision i vështirë, përshembëll si të identifikojnë sa kriminelë kanë e ku janë vendosur, sa hajdutë e sa vagabondë, sa trafikantë e faksifikatorë u vërtiten rrotull e çdo punë tjetër të rrezikshme, por thjesht sa fëmijë shumë të varfër kanë. Në të gjithë Shqipërinë kjo punë paqësore dhe më e lehta në botë, aq fort e vyer dhe shumë humane, të cilën po e bëre ta shpërblen edhe Zoti e natyra me jetë të gjatë, në se organizohet, kryhet në vetëm pak ditë. Dhjetëra herë dëgjojmë për grupe të ndryshme Task Force, përshembëll kundër pastrimit të parave, por le të ngrihet edhe një tjetër i tillë për të regjistruar fëmijët e uritur dhe të paveshur e diku me fondet modeste të shtetit, diku tjetër të njerëzve të bisnesit, diku prej kontributit të bamirësve, diku tjetër le t’i shkundë ca xhepat ndonjë deputet sepse çuditërisht ka disa legjislatura që ata nuk vijnë nga shtresat e thjeshta apo të ulëta të popullit, nga apartamente një dhomë e kuzhinë e që duke mos pasur dot një makinë personale udhëtojnë nëpër autobuza urbanë apo ndërqytetës. Po vijnë apo po shkojnë tek kamja edhe disa shoqata që merren me fatin e fëmijëve apo mbrojtjen e gruas. Mes atyre që punojnë sinqerisht dhe me përkushtim patjetër e keni vënë re sa janë shtuar disa portrete që dalin përherë e më shpesh në televizion me në majë të gjuhës fraza të gjata propagandistike. Janë ata apo ato të shumuar nga ambiciet që shoqatën humanitare ta përdorin si pistë lëshimi pa fre në fushën e politikës.
Keni dëgjuar tek ne, si gjithkund të vendet normale, të ketë një mencë nga bashkia, nga kjo kishë apo ajo xhami e madhe, prej kësaj apo asaj firme të njohur sipërmarrjeje?
Ajo që ndodhi pak ditë më parë, edhe pse hapat që po bëjmë drejt Bashkimit Evropian janë premtuese dhe nuk mund t’i errësojë asgjë, na bën të papajtueshëm me vetë kulturën e botës së zhvilluar. Tragjedinë e katër vocrrakëve të Sukthit, që atë ditë kobi kishin në arkën e shtëpisë vetëm dyqind lekë, e lajmëroi edhe një gazetë e madhe e Kanadasë. Mirëpo andej bën jetë një botë tjetër, një mendësi dhe ligje që të dënojnë rëndë për çdo shkujdesje, braktisje, varfërim, dhunë e mospërfillje ndaj fëmijëve. Këtu tek ne nuk mund të kuptohet se si një prindi amerikan që të hyjë në dhomën e fëmijës së vet (edhe kur ky është pak vjeçar), i duhet më parë të trokasë e të marrë leje. Nga anët tona plot tolerancë për njëmijë gjëra të tjera as nuk mund të përfytyrohet që një fëmijë të ketë prej shtetit në dispozicion një numër të posaçëm telefoni ku, po iu shkelën qoftë edhe një grimë të drejtat, mund të denoncojë edhe prindin e vet. Jemi njerës visesh të ashpëra dhe megjithëse me kult për familjen as që mund ta kuptojmë se si ndodhi që në pesë apo gjashtë vitet e fundit dy bashkëkombës nga anët tona, kur në dy qytete të ndryshme të Kanadasë në sy të njerëzve u dhanë nga një shuplakë të butë fëmijëve të tyre për gabime të vogla që realisht i patën kryer, përfunduan në faqet e para të gazetave më të mëdha të vendit dhe televizionet i bënë copë e çikë. Fare afër nesh, në Itali, ende pulson nervoze një protestë e gjatë e një shoqate emigrantësh shqiptarë për dënimin që një gjykatë i ka dhënë një babai të mirë të viseve tona, i cili është parë duke puthur organet genitale të vocrrakut. Edhe pse ende tek ne, në të vërtetë tashmë e zhdukur nga kultura e shumicës, ky gjest mbijeton si formë dashurie për “burrin” e ardhshëm që do na bëka çudira të mëdha jo me mendtë e kokës, por me veglën e rëndomtë që ka në pjesën e anasjelltë të trupit, tek populli fqinj është kuptuar si pedofili. Dhe pedofili, pra abuzim seksual me fëmijën, për të gjithë botën e zhvilluar perëndimore do të thotë krim i lemerishëm, hapu burg të futesh e të mos dalësh dot.
Fëmijët, këto krijesa të jashtëzakonshme të së ardhmes, por të brishta e që kërkojnë mbrojtje nga ne të rriturit, duan dhe meritojnë mbrojtje të jashtëzakonshme edhe nga shteti e shoqëria. Jeta e humbur e katër vocërrakëve me ditëvdekje ditëhyrjen tonë në Evropë, duke na drithëruar të gjithëve, ka si rrugëdalje të hijshme vetëm të tundemi nga vendi.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com