Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kujtimi i Enver Hoxhës dhe monumenti i Ahmet Zogut


(Botuar në gazetën “Shqip” më 7 nëntor 2010)

Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha janë dy figura historike. Nuk e vendosën dot këtë status të tyre as paraardhësit tanë dhe as ne, bashkëkohësit. Sa ishin gjallë ia dolën ata vetë, me mjetet e mënyrat e tyre. Tani, në vitin 2010, ndërsa janë vetëm kujtime, por edhe trashëgimi kombëtare, na takon pikërisht neve dhe çdo brezi të mëpasshëm të rregullojmë me ta një raport të caktuar, mundësisht më realin. Kjo do të thotë më të dobishmin për të ardhmen. Asnjë popull nuk e përdor trashëgiminë e vet për të shkuarën. Dihet që e sotmja dhe e nesërmja jonë janë shoqëria e hapur dhe bashkimi i plotë me shtetet e shoqëritë e zhvilluara të Perëndimit.
Në këtë përmbajtje të re historike dhe gjeopolitike analiza e parë që të shkon në mendje është llogaria e thjeshtë se të dy bashkëkombësit e sipërcituar drejtpërsëdrejti si kryetarë shteti kanë ushtruar pushtet mbi shqiptarët në mbi gjashtëdhjetë vite. Ndikim politik për një periudhë akoma më të shumtë. Duke qenë se shtet i mëvetësuar u bëmë vetëm në fund të 1912-tës dhe një lloj jete të normalizuar të tij e nisën pas 1920 (Kongresit të Lushnjës), Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës u takon të kenë mbajtur nën kontroll gati tre të katërtat e historisë së tij. Për rrjedhim po kaq të kenë zotëruar e kushtëzuar edhe të gjithë shoqërinë tonë.
Ja përse qëndrimet, opinionet, studimet dhe botimet, çdo sipërmarrje propagandistike apo thjesht artistike, çfarëdo operacioni politik lyp kujdes të madh. Të dy janë aq peshërëndë në historinë tonë sa kur i largon nga vëmendja të rikthehen më shumë, kur i mban ngulshëm nën vëmendje ta bëjnë bumerangun edhe më agresivisht sa qenë gjallë. Duke qenë se çështja e masës së raporteve me trashëgiminë e tyre nuk është aspak punë e lehtë dhe askush nuk e ka të përkryer këtë dhunti, po i paraqesim lexuesit, si vetëm një nga gjashtë milion bashkëkombësit, një pikëpamje personale.
Pak më shumë se një muaj më parë na ra rruga të kalonim nëpër Burrel. Në sheshin qendror të tij ka një përmendore të Ahmet Zogut. Ndërsa më pas do të riktheheshim për të ardhur në Tiranë në atë kalim të shpejtë u mjaftova me disa fotografime të shtatores nga pas xhamave të makinës. Kur ndodhi kalimi i dytë iu luta drejtuesit të veturës, një njeri imi i dashur, ta mbante një çast dhe të më bënte një foto tek monumenti. Më pa aq shumë i lemerisur dhe më tha ca fjalë aq të pazgjedhura sa u nemita. Makina bëri tutje duke shfryrë dhe akoma e kam peng. Në rastin më të parë që do të rikaloj në Burrel do ta bëj atë foto. Ahmet Zogu është një trashëgimi pozitive në historinë tonë. Ndërkohë në rast se bëhet publik një projekt për vendosjen në Tiranë të një monumenti të tij do të isha kundër. Kjo sepse për të sotmen e për të ardhmen, përveç se lëndë historike, politikani Zogu përbën edhe një model për ata që merren me ushtrimin e këtij profesioni mjaft ndikues mbi jetën e fatet e të tjerëve. Në rastet kur politikanët paraardhës nuk shërbejnë dot si model për kolegët e tyre bashkëkohës apo të dekadave në ardhje gjithsesi mund të shndërrohen në një justifikim në rast të një vepre të gabuar.
Sepse në fund të fundit shtetari Ahmet Zogu ka pasur edhe jo pak të meta e ka kryer më shumë se një gabim të madh. Nuk po radhisim këtu as kultin e tij të individit, tepër të ekzagjeruar dhe për të cilin bashkëkombësit janë informuar fare pak, as sepse mbret ai u vetshpall me truke të zakonshme legjislative. Në fund të fundit po të qe president ai njëlloj do të sillej. Stili autoritar dhe përqendrimi i të gjitha punëve drejtuese në një dorë tek ne nuk është prirje e pazakonshme, jashtë rregullit të përgjithshëm, por mirë e bukur një nga veset tona kombëtare. Madje nuk ndodh vetëm në politikë. Këtu duket më shumë. Të maskuar apo të fshehur do ta gjesh që nga familja e në çdo pore tjetër të shoqërisë, prej një funksionari administrate e deri tek një pronar sipërmarrjeje private. Nuk mungon deri edhe tek disa policë të trafikut rrugor, të cilët i orientojnë makinat jo nga respektimi i shenjave të semaforit, por të dorës e bilbilit të tyre. Sigurisht një stil i tillë nuk e favorizon sa duhet demokratizimin e shpejtë të shoqërisë dhe të shtetit. Prej trysnisë së grupeve dhe individëve më të evropianizuar të opinionit publik ai politikushtruesve duhet t’u kufizohet, pse jo edhe me pak më shumë mirëvullnet mund të frenohet edhe nga këta vetë. Por ja që për fat të keq nga kjo mënyrë veprimi kush më pak e kush këto ditë u entuziazmuam nga një skenë që na panë sytë. Mjaftoi një ton i lartë zëri dhe fjalësh të forta drejt një shoqate që për kryeqytetin administronte shërbimin urban dhe si me magji të zgjidhej menjëherë gjendja e pajisjes së udhëtarëve me abone. Nëpër vende të emancipuara siç nuk ngjan që një palë në mënyrë të njëanshme të shpërfillë me dhjetëra mijë qytetarë po ashtu nuk ndodh edhe e kundërta: një qeverisës qendror apo lokal ta çkoklavitë situatën me një ent privat me vetëm një urdhër.
Ja pse Ahmet Zogu edhe pse autoritar për shtetbërjen tonë mbetet një trashëgimi pozitive. Por ndërkohë aspak për t’u rekomanduar si model kombëtar qeverisjeje sidomos për raportet që pati me paratë publike apo sepse mbetet i shumë diskutuar për mënyrën e shkëmbimit të territoreve me mbretërinë jugosllave. Po ashtu si veproi në çastin e pushtimit të Shqipërisë prej fashizmit italian. Në këtë kuptim, pra që politikani Zogu nuk është shembull i plotë dhe i përkryer i një modeli, në kryeqytet monumenti i tij është e tepërt. Këtu mjafton ai bulevard i madh e i gjerë që mban emrin e tij.
Për trashëgiminë tjetër historike, Enver Hoxhën, çështja e vlerësimit është më e ndërlikuar. Jo vetëm sepse akoma përfaqëson një të kaluar të afërt dhe për rrjedhim me akoma pasoja përvëluese si edhe emocione të nxehta, por edhe sepse ai dhe sistemi politik që ndërtoi qenë tërësisht antimodele edhe për vetë njerëzimin. Enver Hoxha nuk hyn në pasuritë kombëtare, por në fatkeqësitë kombëtare. Ndërsa studimet dhe analizat për bëmën e tij nuk do të ndalen kurrë, me Hoxhën si shembull publik këputen kontaktet, jo rilidhen. Sfumohen ato, jo spikaten. Për të ardhmen ai nuk përfaqëson asnjë pikë të rëndësishme referimi. Në rast se për shembull prej kujtimit të tij kanë mbetur sende private të cilët më parë janë vendosur apo ndodhur në institucione publike ato duhet t’i rikthehen menjëherë familjes. Vendi i natyrshëm i tyre është atje, jo në popull. Të tijtë mund t’i publikojnë edhe në internet, po të duan, por një muze privat me to nëpër stenda apo çdo mjedis tjetër me orar të afishuar tek dera nuk mund të realizohet. Është treguar mençuri që librat e Enver Hoxhës lejohen të shiten, madje jo vetëm nga ata shumëfaqesh ku ai qe autor, por edhe prej atyre të cilët anësohen në favor të tij. Nuk i ka ndaluar njeri botimet e bashkëshortes së vet që e marrin në mbrojtje të gjithë veprën e tij, gjurmën problematike historike që ka lënë. Nuk u fut në ndonjë trysni politike as zoti Ramiz Alia kur, edhe pse prej brezit të bashkëpunëtorëve të tij kryesorë i ka nxjerrë diktatorit më shumë të meta, në librin e vet testament “Jeta ime” e cilëson atë rilindas të madh. Në të vërtetë kjo ishte e tepërt, e shmangshme prej një politikani të vjetër. Presidenti i parë i shoqërisë së hapur shqiptare nuk duhet të na rekomandojë Enver Hoxhën si një nga modelet kombëtare.
Ndërkohë asgjë nuk ndodh në rast se në Gjirokastër apo në tregtore të tjera shiten filxhanë me portretin e tij. Nuk po ngjan asgjë edhe pse në gjykatore kanë marrë firma të ligjshme ekzistence edhe dy apo tre parti enveriste. Për sa kohë ato nuk bëjnë thirrje për përmbysje me dhunë të sistemit aktual shoqëror dhe nuk kryejnë asnjë veprim të tillë, çfarë vërtet është kështu, pra janë parti që pranojnë ndryshimin e kabineteve qeveritare nëpërmjet votës, nuk mund të dhunohen për t’u nxjerrë jashtë ligjit.
Veç një monument i tij apo edhe çdo bust publik deri edhe në skajin më të largët të vendit nuk mund të lejohet. Po ashtu çdo formë tjetër kujtimi e tij në përmasa të tilla që krijon rrethana të rekomandohet tinës si model apo shembull publik për t’u ndjekur. Edhe pse qeveritë zgjidhen me shumicën e një pjese të shoqërisë shteti është i përbashkët, i të gjithëve. Duke qenë i tillë, pra që nuk mund kurrsesi të kryejë rol partiak apo ideologjik, një mision të madh e ka: atë edukativ.
Në mes të Tiranës, kryeqytetit tonë dhe metropolit më të madh të kombit, për të qenë shembull edukimi për gjeneratat e sotme e të nesërme dy monumente shumë të dashur, pra edhe ndikues, na mjaftojnë: Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Nënë Tereza.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com