Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Intrigë me 28 Nëntorin 1912


(Botuar në gazetën “Shqip” më 28 tetor 2010)

Zbarkoi në aeroportin e Rinasit në një të shtunë të këtij tetori, për të qëndruar vetëm pak ditë, sepse që nga viti 1998, kur bashkë me të shoqen dhe djalin emigroi në një qytezë afër Milanos, në Shqipëri rikthehej herë pas here prej ndjenjës së mallit. Ndërkohë e ka ende shtëpinë në Tiranë. Veç në këtë kthim të fundit për të qe më ndryshe. Ishte i ftuar në Prishtinë në një promovim libri me autor studiuesin Eqrem Zenelaj (“Çështja shqiptare nga këndvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-Hungarisë 1699-1918”), por që për befasi të tij, ndërsa në vendin e vet është si gjithë njerëzit e tjerë të thjeshtë pothuaj në anonimat, sapo në Qafë Morinë kaloi kufirin, u shndërrua magjishëm në person tepër të rëndësishëm publik, në një autoritet. Që prej këtij çasti gjithçka mori formën e një vizite zyrtare, madje në nivel shumë të lartë protokolli. E priti kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ende bashkëngjitur edhe me detyrën e përkohshme të Presidentit të Republikës. Kjo ndodhi të martën, sepse të mërkurën në po atë zyrë dhe në po atë kolltuk ku u ul dhe shkëmbeu libra me Krasniqin (ky i dha me autograf të vetin e porsabotuar “Kosova në kontekst historik” dhe mori nga bashkëkombësi i ardhur nga Tirana “Shqipëria dhe shqiptarët”, Ismail Qemal Bej Vlora”) do të ulej Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillari Klinton.
Të porsaardhurin në viset e tij njeri i zakonshëm veç e veç në zyrat e tyre e takuan edhe dy ministra, ai i Arsimit dhe i Punëve të Brendshme. Nuk mungoi të bisedonte posaçërisht me të edhe Zëvendëskryeministri. Pasi shkoi tek varri i Ibrahim Rugovës në shtëpinë e presidentit historik të Kosovës e priti e shoqja, duke i dhuruar botimin e plotë të gjashtë vëllimeve të veprës së tij dijetare. Po ashtu dha edhe dy intervista në televizionet kryesore të vendit, vizitoi në Prishtinë Bibliotekën Kombëtare dhe Institutin Albanologjik. Ndërkohë i ndodhi edhe një e papritur tjetër emocionuese. Në shkollën tetëvjeçare “Ismail Qemali”, një godinë e re me përmasa e arkitekturë mbresëlënëse, e pritën mësues shumë të sjellshëm dhe dy mijë nxënës të saj. I përkushtuan me nderim pritjen me Himnin e Flamurit.
Në mbarim të tre ditëve të Prishtinës një tjetër, të katërtën e kaloi në Prizren, ku doemos do të vizitonte shtëpinë monument, atë të Lidhjes me emrin e njohur të qytetit. Ditën e pestë do të ndodhej në Tiranë për t’u larguar drejt qytezës afër Milanos të nesërmen, sërish duke e bërë fluturimin nga aeroporti i Rinasit.
Personi për të cilin deri këto çaste përshkruam këtë rrjedhë ngjarjesh quhet Darling. Këtë emër që vjen prej gjuhës angleze e që do të thotë “njeri i dashur”, ia ka vënë i ati, Ismaili, i cili nuk jeton më. Një pjesë të studimeve i pati kryer në Siena të Italisë, një vit për mjekësi në Vjenë dhe gjimnazin përfunduar në Paris. I ati i Ismailit, pra gjyshi i Darlingut, i quajtur Qamil, zotëronte shumë gjuhë të huaja. Kishte lindur në Stamboll, aty përfunduar një pjesë të shkollimit dhe tjetrën, atë universitare, në Nice të Francës. Në vitin 1923 u emërua Sekretar i rangut të III-të në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, në 1925 Sekretar i Parë, në 13 nëntor 1926 nga Presidenti i Republikës Franceze u nderua me urdhrin e lartë “Chavalier de la Légion d\\\\\\\'Honneur” (“Kavaljer i Legjionit të Nderit”) dhe në shkurtin e dy viteve më pas prej Ahmet Zogut u dekorua me titullin “Kavalier i Urdhrit të Skënderbeut”. Më pas i akuzuar si kundërshtar politik mori përgjigje zemërimin dhe përndjekjen e ish-presidentit tashmë bërë mbret. Kështu që u arratis për t’u rikthyer pas ikjes së Zogut, kur Shqipëria ishte pushtuar nga fashistët italianë. Pranoi të zgjidhej anëtar i Këshillit të Shtetit dhe në tetor 1943, pra kur vendi gjendej nën fashistët gjermanë, edhe deputet. Pushteti i ri komunist sapo erdhi e trajtoi me kujdes, mbase edhe dinakëri, por vitet e para edhe me dëshirë për të mos e ndëshkuar. Madje Qamilin e priti vetë Mehmet Shehu. Gjatë tërë bisedës njeriu i hekurt i regjimit i dëshmoi respekt dhe i afroi punën e diplomatit, madje në postin e një ambasadori në ndonjë prej vendeve të kampit socialist. Veç Shehu shtoi se i vinin një kusht: duhej të prishte fejesën e djalit të tij, Ismailit, me vajzën e një familjeje, ato kohë at e bir të arrestuar, i pari më pas dënuar me pesëmbëdhjetë vite burg dhe i dyti pushkatuar me grupin ku qe edhe kunati i Enver Hoxhës, Bahri Omari.
Gjyshi i Darlingut, Qamili, e shmangu ofertën e punës së ambasadorit me shumë finesë. Tha se do të mendohej. Mirëpo duke qenë se kaloi shumë kohë dhe nuk ktheu përgjigje as për favorin dhe as për kushtin, çfarë u nënkuptua si padëshirë bashkëpunimi me qeverisësit e rinj, në 10 dhjetor 1947 u prangua me akuzën për “armë mbajtje pa leje”. Duke qenë se e kishte me të vërtetë një relikte të tillë, sigurisht jo për ndonjë atentat apo rebelim me armë, u dënua me dy vite burgim. Pas katër muajsh në qeli u sëmur prej tuberkulozit. Iu bë një kurim, por nuk shpëtoi dot. Ndërroi jetë në vitin 1950.
Të birin, Ismailin, e burgosën kur qe kapërcyelli i viteve 1949-50, ndërsa ishte duke kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Iu bë për ta trembur, sepse nuk iu gjet asnjë faj penal.
Kështu familja e tyre, për pasojë edhe brezat e saj të lindur në vitet e diktaturës, mes tyre edhe Darlingu, të cilit i ndodhi të vinte në jetë në 1967, u trajtuan jo vetëm ftohtësisht, si e mosdashur, por edhe me rregullat cinike të të mosbesuarit kombëtarisht. Kjo u përjetua si fyerja më e madhe. Në vitet 1990-91 nuk mund të pritej tjetër përgjigje nga i riu me emrin si njeri i dashur veç të qe së bashku me të gjithë ata që e rrëzuan sistemin. Më pas Darling për disa vite punoi në një institucion që përkujdesej për ish-të përndjekurit politikë.
Natyrshëm lexuesit tashmë i është sosur durimi dhe, për të kuptuar këtë histori familjeje, i duhet të dijë mbiemrin, pra përkatësinë në një fis apo”derë“ siç ende themi. Kështu saktësojmë se gjyshi Qamil, babai Ismail dhe vetë Darlingu nuk janë gjë tjetër veç pjesë e një emri historik shumë të njohur. I pari është një nga gjashtë djemtë e Ismail Qemalit. I dyti është nipi i themeluesit të shtetit tonë dhe i treti stërnipi. Sepse qe i tillë Darlingut i ndodhi ajo befasi e përmallshme në Kosovë.
Mund ta shtjellësh këtë temë, pra të ndryshimit të madh të përmalljes mes dy kufijve, edhe duke arsyetuar se në trojet e bashkëkombësve tanë, për shkak të shumë rrethanave që dihen, atdhedashuria u është kthyer në nostalgji romantike për çdo shenjë të Kombit, kurse ne këtej për pasojë të rrethanave të tjera, duke menduar se jemi racionalë shfaqemi më prozaikë. Pra ajo që dëshirojmë të kumtojmë nuk ka të bëjë me nxitjen e ndonjë protokolli ceremonish shtetërore për Darlingun, as për të vëllanë e tij që jeton këtu në Tiranë apo për të tjerë pasardhës që vijnë nga Ismail Qemali, edhe pse është e dhimbshme për një shtet i çdo ngjyre politike qoftë të ketë të shkruar në historinë e tij atë që ndodhi para vitit 1990 kur asnjëherë dhe asnjëri prej tyre që jetonin në Shqipëri nuk u ftua zyrtarisht të qëndronte në një kënd modest mes turmës së madhe të atyre që rrinin në podiumet anësore të tribunës apo në rreshtat e para a të dyta të ceremonive zyrtare të Ditës së Pavarësisë.
Darlingun e sollëm në kujtesë të opinionit publik jo për këto që pohuam më lart, por për një gjest të tij mjaft të veçantë, tepër të mençur e të fortë. Tek pasardhësit e kryeministrit tonë të parë, midis shumëve që rrinë heshtur janë edhe ata që bëjnë protagonizëm. Zakoni i këtyre të fundit, dëshmi që i përkasin një familjeje shumë të ditur, është pasioni për të shkruar libra. Nedimi, profesor në Bari të Italisë, i cili lindi e jetoi gjithë kohën jashtë Shqipërisë, së fundi ka botuar një dhjetrafaqësh sipas të cilit origjinën e familjes së tyre, ende me një pamjaftueshmëri dokumentesh, e lidh me prejardhjen e drejtpërdrejtë me princin e njohur të motit të Skënderbeut, njëkohësish vjehërr i tij, Gjergj Aranit Komnenin. Nermini (Falaski), e cila nuk jeton më, por ruajti përherë lidhje të forta me shtetarët e Tiranës, në librat e saj ndihet krenare për përkatësinë nga populli shqiptar dhe prej Ismail Qemalit. Ajo me bashkëshortin e saj diplomat italian ka qenë e vyer në botimin “Memorie” (“Kujtime”) të nismëtarit të pavarësimit si edhe të një tufe dokumentesh interesante të marra prej arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit fqinj.
Darlingu në këtë traditë është akoma edhe më interesant. Nuk e kemi fjalën për librin “Shqipëria dhe shqiptarët”, mirëfilli vepër e Ismail Qemalit, botuar në vitin 1917 në revistën e njohur londineze “Quarterly Review”. Këtë perlë të lënë mënjanë për shumë kohë nga vëmendja e shqiptarëve, krijim të njëhershëm dijetari dhe burri të madh shteti, dy vite më parë Darling e botoi, të shoqëruar me një aparat të tërë shpjegimesh, në gjuhën tonë.
Por ajo që ishte një vepër (në mos kryevepër veprimi historik) qe një letër të cilën ia dërgoi grupit akademik të punës për tre vëllimëshin e ri të Enciklopedisë Shqiptare. Aty ai propozoi që zëri “Ismail Qemali” të mos ishte i vendosur tek germa “Q”, por tek “V”. E kërkoi këtë gjë për hir të së vërtetës së mohuar se kryeministri i parë i të gjithë shqiptarëve, por edhe stërgjyshi i tij, mbiemrin e kishte Vlora. Pra quhej Ismail Qemal Vlora, madje sipas zakonit tonë të sotëm thjesht duhet të thirret Ismail Vlora. Qemal ka qenë emri i dytë i tij, në familjet e mëdha zakon sipas kulturës osmane, kohë kur edhe themeluesi i shtetit shqiptar jetoi. Pra Ismail Qemal qenë vetëm dy emra. Por ndërsa para vitit 1912 kjo mund të kuptohej si zakon i paqëllimtë, po ashtu edhe në ndonjë fjalim apo shkresë edhe pak kohë pas 28 nëntorit të këtij viti, duke filluar nga i njëjti muaj i vitit 1944 e deri sa diktatura u shpërbë, mungesa e mbiemrit të vërtetë ka qenë një nga manipulimet historike dhe propagandistike më të mëdha të regjimit ideologjik të kohës. Bëhej për të mohuar një nga familjet më të mëdha, një dinasti kombëtare disa qindravjeçare.
Rrëfimi i kësaj intrige nuk e ka vendin këtu, por nuk do të vonojë përtej 28 nëntorit të këtij viti. Rëndësi ka që Akademia e Shkencave të Shqipërisë propozimin e Darlingut e gjeti shumë të arsyeshëm dhe të drejtë. Tashmë Ismail Qemal Vlora, pra Ismail Vlora, gjendet tek germa “V”, pranë të parëve dhe familjes së tij.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com