|
Hapen mendjet bashkë me kufijtë
(Botuar në gazetën “Shqip” më 10 tetor 2010)
Në kujtimet e botuara të një ambasadori të fundviteve tetëdhjetë, me seli pune në Buones Aires (libri “Atje larg...në fund të botës”, 2009), tregohet me pikëllim se si Miguel Ndrico, bashkëkombës i larguar nga Dropulli 17 vjeç dhe tashmë në 1988 qytetar argjentinas gjashtëdhjetëvjeçar, i kërkoi një vizë hyrëse për në Shqipëri. Ia shpjegoi brengën me fjalët “Malli për nënën më bren dhe frika se nuk do ta gjej gjallë më mundon natë e ditë”. Që kur kishte emigruar nuk e pati parë më për shkak të mbylljes së kufijve të atdheut të vet. Duke qenë se në Buones Aires ishte anëtar i spikatur i shoqërisë patriotike “Skënderbeu”, bashkësi e njohur atë kohë për lidhje të mira me Tiranën zyrtare, nuk dyshoi në plotësimin e dëshirës. Ambasadori ia nisi kërkesën qendrës bashkë me pëlqimin e tij dhe Ministria e Jashtme për kompetencë asaj të Punëve të Brendshme, mirëpo pas shumë muajsh jo vetëm që nuk erdhi ndonjë miratim, por as edhe një lloj përgjigjeje sqaruese. Atëherë dropulliti Ndrico tha se e kishte gjetur një zgjidhje për të shuar mallin që po e përvëlonte. Nga bashkëfshatarët pati marrë vesh se për herë të parë që nga paslufa në kufi do të bëhej një takim mes shqiptarëve që jetonin në Greqi dhe të afërmve të tyre në Shqipëri. Kështu u nis. Ndërroi në dy ditë tre avionë dhe prej Athinës, ku zbarkoi së fundi, mbërriti në kufi me atdheun e vet. Atë natë të tretë e gdhiu i pagjumë nga gëzimi dhe në orën e caktuar bashkë me grumbullin e shqiptarëve që jetonin në fshatrat grekë shkoi në pikën e takimit të premtuar. “Përfytyrimi për nënën e tij ishte i dyshimtë”, shkruan në librin e kujtimeve ambasadori, “dhe vizioni i saj lëkundej midis sa e sa formave që shfaqeshin e zhdukeshin rrufeshëm nga mendja. Ndali përpara rojeve të kufirit shqiptar. Ajo që e njohu e para ishte nëna e tij, e cila e thirri “Ku je biri im, eja të të takoj!” Migueli tentoi të shkonte drejt saj, por para tij u zgjat një bajonetë...Sipas tregimit të Miguelit “rregulli” kërkonte që të qëndronin 8 metra larg njeriut të tyre. Unë, larg nënës time. Ajo më fliste dhe qante. Unë dalloja fytyrën e saj të mbuluar nga rrudhat, trupin e vogëluar, lotët që i rridhnin pa pushim. Iu luta edhe njëherë ushtarit: Vij nga Argjentina. E di ti ku bie Argjentina? Në fund të botës...” Djaloshi që shtrëngonte armën me të dyja duart, si për ta larguar nga vetja përgjegjësinë, më tha: “Thuaji atij atje!”,-dhe më tregoi një oficer disa metra më tutje. Iu drejtova oficerit, por ai nuk mu përgjigj. Qëndrova aty përballë nënës sime. Nuk i mata orët. Në grykë më ishte mbledhur një lëmsh...”
Tani, në prag të ditës reale kur të gjithë shqiptarët do të mund të hyjnë e dalin lirisht nëpër Evropë, me episodet e dhimbshme të tyre nga koha e kufijve hermetikisht të mbyllur mund të bëhen libra dhe xhirohen filma që do të ngashërenin gjithë kontinentin. Kjo do të ndodhte në mënyrë të sigurt jo sepse Lufta e Ftohtë e shkaktoi këtë dramë gjithkund ku ngriti Murin e Ndarjes, atë simbolikisht që quajtur të Berlinit, por sepse në të gjithë këtë vuajtje rasti shqiptar është më lënguesi dhe më absurdi. Shumë faktorë gjeopolitikë më të rëndësishëm nga sa ka peshë strategjike vendi ynë modest murit ndarës i vunë emrin e Berlinit, porse në qoftë se do të kërkohej shëmbulli i vërtetë i murit më ndarës të një populli nga pjesa tjetër e botës ai do të merrte emrin e Tiranës.
Por këtë gjë mund ta kuptojnë vetëm shqiptarët. Dramatikisht vetëm ata e dinë se si mbyllja totale, moslëvizja gjer në ngrirje, minimalisht brenda vendit dhe absolutisht jashtë tij, kjo “gatitu” në një shoqëri të vënë në rresht nën bilbilin e shtetit, një gjysmë shekulli të tërë vit pas viti, ka krijuar tek gjithsecili individ që e përjetoi, një traumë psikologjike të rëndë. Kush kujton se pas vitit nëntëdhjetë shpëtoi prej saj e ka thjesht dëshirë të mirë, cili beson se në këtë fund të vitit dymijë e dhjetë e ka lënë prapa po ashtu nuk është realist. Nga ai ndalim shqiptarit nuk iu mpi trupi, por mendja. Iu ngushtua ajo, në rastet më të rënda edhe iu mbyll.
Hapja e saj, të menduarit thellë e të vështruarit larg, krijimi i kulturës vizionare për të nesërmen, vetë të ardhmen, tek një qenie njerëzore të gjymtuar për pesë dekada rresht kërkon kohën e natyrshme të rehabilitimit. Ajo që do të ngjajë në fund të këtij viti, e formuluar dhe e interpretuar me të gjitha termat politikë e socialë të mundshëm (liberalizim vizash, lehtësim, heqje, proçes eurointegrimi, kanditim, anëtarësim), në thelbin e vet është njëra nga kurat më të efektshme të traumës sonë psikologjike të mbylljes së dikurshme. Në shtatë tetor Parlamenti Evropian në votimin e tij me një shumicë mjaft inkurajuese, edhe pse nuk mund ta ketë kuptuar çfarë krisje e thyerje psikike u është bërë shqiptarëve nga totalitarizmi, na ndihmuan jo aq për hapjen fizike të kufijve se sa të mendjes.
Deputetët e kontinentit qenë mendjehapur pa vendosën që edhe shqiptarëve t’u çelen kufijtë. Ishte mbyllja e mendjeve ajo që dikur në Evropë i pati kyçur. Gëzim për boshnjakët, sigurisht. Por ata në kohën e komunizmit të llojit të tyre, pra në atë gjysmëshekull izolimi për ne, hynin dhe dilnin nga kufijtë e tyre jo një nga një, por me trena të tërë. Ja përse për shqiptarët ajo që pas pak do të ndodhë nuk është thjesht gëzim, por çlirim. Këtë fjalë të fundit ne e përdorim disa herë në historinë tonë kombëtare, herë saktësisht, herë shpërdorueshëm. Veç Çlirim i vërtetë, fizik e shpirtëror, shoqëror e kulturor, mendor e psikologjik, është ai i fund vitit. Është rasti i parë në këto njëzetë vite kur shqiptari do të ndihet zyrtarisht edhe si evropian, si pjesëtar i shoqërisë së tij në zhvillim e sipër, por ende me probleme, dhe asaj shumë të zhvilluar të Perëndimit. Ky qytetar i dyfishtë, nënshtetas i vendit të vet por njëkohshëm edhe i një kontinenti të tërë të bashkuar, do të jetë më i lirë. Do të ndihet më i shpëtuar nga mbipushtetet lokale apo shovenët brenda rajonit.
Në rast se ajo datë e çeljes së kufijve për të hyrë e dalë rregullisht nëpër vendet e Bashkimit Evropian nuk do të gdhendet diku, qoftë edhe në një pllakë përkujtuese në kryeqytet ku në korrik 1990 bënë kryengritjen e hyrjes nëpër ambasada pararendësit e mëdhenj të kësaj dite, apo në një pikë doganore të përzgjedhur simbolikisht, do ta ngulitin atë në kujtesën e tyre individuale dhe në memorien kombëtare vetë shqiptarët. Janë ata që do ta përjetojnë në mënyrë të paharrueshme, veçanërisht ajo shumicë e njerëzve të thjeshtë që deri tani nuk e pati mundësi lirinë e një vize nga radhët e gjata para ambasadave, shtresat pa fuqi ekonomike apo lidhje shoqërore favorizuese, gjyshe që po treten nga malli për të takuar nipërit e mbesat, bujq e punëtorë, bashkëkombës nga ata që për të mbijetuar dalin buzë rrugës e shesin një tufë me qepë, pra ata që nuk e patën fatin e ne të tjerëve, në forma të ndryshme të mundësuar për t’i hipur një autobusi ndërkontinental, një trageti apo një avioni. Mirëpo janë pikërisht ata, të thjeshtët e të pamundësuarit deri tani për një vizë, që e mbajnë të gjallë dhe e ruajnë kujtesën kombëtare, enciklopedinë e madhe të arkivimit gojë më gojë.
E meritonim. Kjo fjalë e ky pohim ende nervozon debat. Ka këtej nga ne, por edhe nëpër kontinent, që thonë se na kanë bërë një lëshim. Sipas tyre duhej të vinte disi më pas, kur të “piqeshim” me shumë. Por si nuk e shohin që popull dhe elitë e tij, pas asaj traume të diktaturës aq shumë rënonjëse shpirtërisht e gjymtuese psikologjikisht, jemi duke u mëkëmbur?
Në rast se fjala “meritë” duket plot pretendime vetmburrëse në fund të fundit duhej të ndodhte kështu. Hapja e kufijve na DUHEJ. Duhej për ne, por edhe për vetë Evropën. Po përjetojmë një akt çlirimi të dy palët. Ne dhe Evropa duke çelur kufijtë hapëm mendjet.
Sepse është e tillë pritet një hov i vërtetë në jetën e shqiptarëve.
Sepse është liri nuk do të ketë ikje. Ikej kur ajo mungonte.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|