Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Shkrimtarë emigrantë, por jo të ikur

(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, shtojca kulturore “Milosao”, më 3 tetor 2010)

Ndodh në të gjithë botën, por ngjan herë pas here edhe në Shqipëri, të përpilohen, promovohen e deklamohen edhe projekte strategjish për të rikthimin e “trurit të ikur”. Është një merak global, pjesë e natyrshme e zhvillimit aktual të njerëzimit. Në këtë mijëvjeçar të tretë njeriu nuk është krah pune, por mbi të gjitha mendje. Në fabrikat moderne stafet që merren me studimet e prodhimeve të ardhshme dhe laboratorët e tyre shpesh përthithin më shumë fonde se vetë repartet e punës. Sot janë idetë që zënë vendin e parë të vlerësimit, në vendet e zhvilluara përfshirë edhe administratat e shtetit.
Në rastin e Shqipërisë “ikja e trurit” është dukuri e shkaktuar thjesht prej emigracionit për shkaqe ekonomike, jo shkencore. Janë fare pak bashkëkombësit që e kanë lënë Tiranën apo qytete të tjera për të punuar në një universitet të huaj apo si në një qendër kërkimi, në një orkestër muzikore të dëgjuar, në një teatër apo televizion e kinema. Shqiptarët e pas vitit 1990 janë emigrantë për bukën e gojës. I kishte varfëruar diktatura. Masivisht ata që përbënin këtu pjesë të elitës intelektuale lokale apo kombëtare, pra që ishin sadopak “tru”, andej janë akoma thjesht “krah pune”. Vazhdojnë të bëjnë punë të rëndomta, larg dhuntive, aftësive profesionale. Kjo është një krisje dramatike e jetës së tyre, thyerje pse jo, vuajtje shpirtërore që i bren pa pushim. Rikthimi nga krah pune në tru në vendet ku tashmë kanë emigruar mund të jetë proces kohëgjatë, i mundimshëm. E kanë më të shpejtë këtë përparim inxhinierët apo instrumentistët e këngëtarët, balerinët dhe sportistët, mbase edhe mjekët, por mjaft të ndërlikuar aktorët, gjuhëtarët...dhe mbi të gjitha shkrimtarët.
Thuhet se ata janë ndërgjegjja e kombit. Kjo duhet të jetë e vërtetë edhe pse nuk mund ta kenë këtë forcë mrekulluese vetëm ata. Shkrimtarët zotërojnë një dhunti të madhe, atë të mbijetimit. Duan vetëm letër e një laps. Mund ta krijojnë botën e tyre të fantazuar si realitet në çdo vend. U mjafton një tavolinë e thjeshtë bar-kafeje, një parvaz dritareje apo gjunjët e tyre të përthyer ku mbështesin fletoren apo kompjuterin laptop. Atyre u duket i përshtatshëm edhe një shtet me tokë të mbuluar gjithë ditën nga dielli a një tjetër i zhytur në borë e ngricë, mijëra kilometra larg vendlindjes le të jenë. Kjo elitë shpirtfortë e një populli, pra edhe e shqiptarëve, e cila që prej dy dekadash si një stërpikje yjesh është e shpërndarë nëpër botë, aty ku tashmë jeton nuk pëlqen të rrotullohet rreth vetes, të shkuarës. Këta shkrimtarë sot janë përfshirë në përpjekje titanike për t’u afirmuar në botën letrare të vendeve ku jetojnë, mision që duhet të na ngazëllejë. Që të triumfojnë këtu e gjer sa të mbërrijnë në këtë “Olimp” ndërkohë të mos shuhen ata kanë një mjet shpëtimi të talentit të tyre: gjuhën amtare. Kështu shkruajnë e shkruajnë në shqip edhe pse ndodhen mes popujsh që flasin anglisht apo gjuhët gjermanike, në spanjisht, frëngjisht apo me shkronjat italiane. Bëjnë tregime e romane, novelizojnë ngjarje dhe thurin vargje. Të sistemuara në libra botimet e tyre më së shumti i kryejnë në Tiranë. Ka që e bëjnë sendërtimin material të veprës edhe nëpër shtypshkronjat e vendeve ku jetojnë. Gjithsesi që pas vitit 1990 këta bashkëkombës të mendjes, por që shumicën e kohës ua rrëmben puna e krahut, kanë krijuar një letërsi të tërë. Ajo është aq prodhimtare dhe me aq frymë bashkëkohore e nivel artistik, ka kaq shumë autorë, sa në këtë fund të vitit 2010 mund të thuhet se kjo letërsi nuk është aspak më e parëndësishme profesionalisht dhe kombëtarisht nga ajo që krijohet në mëmëdheun e tyre.
ooo

Mes viteve të jetës në Shqipëri tek Faruk Myrtaj gjendet edhe ky episod. Në mesin e dekadës tetëdhjetë, ndërsa si student i vonuar (për shkak të një “kleçkë në biografi”) sapo pati ardhur në Tiranë, diku afër Bankës së Shtetit e kishte takuar i paharruari Vito Koçi dhe e kishte pyetur “Njihesh me Shuteriqin ti Faruk?” “Jo, nuk njihemi”. “Vërtetë ?! Po ai ka shkruar një reçensë aq entuziaste për ty! Po deshe shko tek Sami Çabej dhe thuaji…më dërgoi Vitua…”. Sami Çabej qe shef i prozës së shkurtër në shtëpinë e vetme botuese të kohës për letërsinë “Naim Frashëri”. Faruku trokiti, hapi derën. Ai i buzëqeshi…“E more vesh?! Kush të tha?!” “Vito më dërgoi këtu”. Sami Çabej nxori disa fletë format bashkë dhe ia zgjati “Ulu aty dhe lexoi…se nuk lejohet t’i marrësh me vete…”. Faruk Myrtaj i lexoi fluturimthi, me gjoksin që mezi i mbushej me frymë. Shuteriqi pati rreshtuar njëra pas tjetrës edhe këto fjalë: “Ky prozator i ri, për të cilin marr vesh që punon në minierë, me kujton Bjornsonin dhe Unamunon, të cilët me siguri s’i ka lexuar, por e çon tek ta jeta dhe talenti i tij…”.
Më shumë se dy dhjetëvjeçarë pas këtij çasti Myrtaj ka publikuar vëllimin me tregime “Dritat e Italisë”. Ja ka kuruar shtëpia botuese “Ideart” e poetit pothuaj simbol të gjeneratës së re të tyre, Arjan Leka. Gjer tek ky libër Faruk Myrtaj pati nxjerrë para lexuesve dy vëllime poetike, përmbledhjet me tregime “Njerëz që kam njohur”, “Marrëveshje për të jetuar”, “Nudo zyrtare”, “Njerëzit janë tepër”, “Luftëtarët vriten në paqe”, “Hijet e virgjëreshave”, romanin “Qyteti i Ministrave” dhe esetë “Përse druhem nga nacionalizmi”, “Markezë shqiptarë” dhe “Si e njoha Kanadanë nëpërmjet letërsisë”. Në këtë vend ka emigruar familjarisht në nëntor 2003, ndër të ikurit e fundmë, të cilët ndodh që shpesh janë refugjatët më të dhimbshëm. Që prej vitit 2004 është anëtar i “The Writer Union of Canada”, pra i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kanadasë dhe i bashkimit tjetër të tyre “PEN Canada”.
Për çdo njeri që përdor mprehtësinë si mënyrë të shpejtë të kapjes së imazhit të një fenomeni, duke e ditur që edhe dukja parathotë përmbajtjen, do të mjaftonin vetëm titujt e botimeve të Faruk Myrtaj për të dalluar jo vetëm inteligjencën e tij për të gdhendur që në kapak të librit fjalë e bashkime lapidare të tyre, por edhe me lëbyrje diamanti të rrezatojnë një mesazh të thekshëm shoqëror. Janë tituj edhe me hijeshi artistike. Po ashtu dallon në to forcën e tij mendore, ca më shumë këtë. “Dritat e Italisë” është sa vepër e mirëfilltë metaforash aq edhe filozofi. Sigurisht për një shkrimtar thellësia e të menduarit dhe përcjellja e kumteve filozofike kanë një formë krejt tjetër prej një traktati. Faruk Myrtaj e ka tashmë krijimtarinë e tij në atë fazë sublime të pjekurisë sa ajo është një ndjenjë e tretur në mendim, një harmoni e tyre, një e tërë, fare e pandashme. Pas këtij çasti kulmor dhuntinë e tij nuk e rrënon më asgjë, madje edhe sikur ta dëshirojë vetë. Kur i dituri Dhimitër Shuteriqi ia pati pikasur shkrimtarit të ri origjinalen, letërsinë që përshkruante jetën në miniera, nga më të parrahurat dhe më të shpërfillurat e “realizmit socialist”, përvoja krijuese e Myrtaj është bërë një thesar i vogël i shtuar edhe me vlera të tjera. Ajo që i kishte ravijëzuar si dhunti Shuteriqi, mund t’i shndërrohej edhe në grackë, në vetmbyllje tematike aty, tek galeritë. Mund të ngjante, pse jo. Kishte lindur në Selenicë të Vlorës në 1955, pra në një qytezë miniere dhe me vështirësi (gjithnjë “kleçka në biografi”) qe diplomuar për inxhinier zgafellash. Kështu punoi për pesë vite me radhë në minierën e vendlindjes dhe një vit tjetër në Memaliaj. Tek “Dritat e Italisë” Faruk Myrtaj jetën e tij të veçantë në thellësi të nëndheut e përdor mjeshtërisht për të përcjellë një simbolikë të tërë të shtypjes njerëzore nëpërmjet luftës së klasave, feks përfytyrimet e të burgosurve politikë, rrëfen se logjika e kastave, e disave që rrinë “sipër” dhe e të tjerëve që dergjen “poshtë”, vazhdon pambarimisht edhe në shoqëri pa diktatura.
“Dritat e Italisë” ka pesëmbëdhjetë tregime: “Dritarevetëm”, “Mos ik!”, “Nadja”, “Si vdesin shpendët”, “Rrugë-humbur”, “Turmat e dimrit”, “Vetja tjetër”...Sigurisht është edhe “Dritat e Italisë”, përshkrim metaforik nga Myrtaj i atij vegimi që prej këtij bregu gjatë tiranisë së gjysmëshekullit të shkuar u dha shpresë për një jetë më të mirë të gjithë shqiptarëve. Ndërkohë vëllimi del përtej këtyre “dritave” që vagëllonin e mekeshin larg, në horizont, atje ku në muzg deti takonte e puqte qiellin. Në shumë nga tregimet e tij të botimit të ri Faruk Myrtaj shndërron në buste e monumente të gjallë, pa bërë pa gur, mermer e bronc, jetën e një të emigruari. Jeta larg atdheut, kjo është “Dritat e Italisë”. Myrtaj depërton tek shqiptari i mërguar, zbulon fshehuri intime të shpirtit të tij, shpesh sëmbime ekzistencialiste nga më torturueset, në disa raste duke i realizuar këto rrëfime edhe në nivelin e letërsisë më të mirë bashkëkohore në botë. “Të jesh, pra të jetosh”, na shkruante një ditë me një mesazh email, “është thjesht të kesh këndvështrimin tënd”. Kësaj mënyre të kuptuari, këtij thelbi e kodi i ka besuar Faruk Myrtaj, prandaj edhe ja ka dalë. Jashtë jetës nuk formohet dot asnjë shkrimtar, edhe sikur për sendërtimin e tij të përpiqen akademi të tëra. Pa gjetur këndin e vet të pasqyrimit të jetës njerëzore ëndrra për t’u bërë një ditë shkrimtar po ashtu është e fikur.“Dritat e Italisë” nis me “Nata e Vajzave” dhe mbyllet me “Wrong Number” (“Numri i gabuar”). Të dy tregimet janë në vëllim si porta e hyrjes dhe e daljes prej tij. Kanë temë gruan si bashkëshorte dhe nuk duket se është një rastësi. Bën përbetim të brendshëm të autorit, dëshirë të tij të zjarrtë, strategji artistike. Të dy këto tregime që hapin e mbyllin librin janë himne për gruan, në rastin e Myrtaj qartazi edhe për shoqen e tij të jetës. Në këtë dashuri e përkushtim ai është mjaft i sinqertë. Të qe ndryshe, pra një hipokrizi, nga duart e tij nuk mund të ndodhte të dilnin krijime vezulluese si to. Faruk Myrtaj nga këndi i divanit sheh gruan e tij tek punon shtiza, tashmë e thinjur. Pikëllohet. Shkruan “Më besohet se pemët e drurët kanë fat më të mirë se njerëzit, në këtë planet. Zhvishen në vjeshtë, trishtohen në dimër, por vjen sërish pranvera, vishen e kundërmojnë limfë të re”. Me sytë e zëmrës këtë rinim të bashkëshortes së tij ëndërron, e lut. Do t’i japë të shoqes së tij edhe një jetë tjetër, më e pakta.
Në “Dritat e Italisë” tregimi “Ne këtu poshtë” është një befasi, ndoshta i rreshtueshëm në kolanën e më të mirëve në letërsinë shqipe. Janë dy shtëpi që rrinë përballë njëra-tjetrës, “Në të njëjtën kodrinë, ndërprerë prej rrjedhës së një përroi midis. Në të dy anët gjeje të njëjtat pemë, drurë, shkurre. Dielli i ndihte njëlloj dhe perëndimi në të njëjtën orë mbërrinte. Pjerrësia e dy gjysmave të kodrinës kullonte butë-butë në përrua. Edhe toka përqark shtëpive dukej e njëjtë. Në të dy krahët, numër pothuaj i njëjtë mollësh, hardhish, dardhash, kumbullash, arrash, fiqsh, kajsish, shegësh, gorricash, xinxifesh, lisash, shtogjesh, ferrash, drizash, këlkazash dhe aty më poshtë, buzë përroit, bostane, shalqinj dhe pjepra, domate, speca, bamje, patëllxhanë, kunguj…”. Harmoni e natyrës, rrëfen intrigën e tregimit Faruk Myrtaj, por jo në njerëz. Në të dy shtëpitë e përballa jetojnë Bari Livadhi dhe Isa Malëshova. I pari përgjon të dytin, e spiunon, kërkon t’i bëjë të zezën. Ky lufton ta sfidojë, ia përplas në fytyrë. Më keq se kaq, e tall.
Ndoshta kjo i kujton Faruk Myrtaj episode jete në Tiranë, tek vinte nga miniera e Memaliajt dhe për ta ndihmuar të mos e bëhej rrënuese “kleçka në biografi” i gjendeshin pranë i mençuri me shije të shkëlqyera për letrat dhe padyshim njeri nga kryeredaktorët më të aftë të kohës Remzi Lani, poeti me varg të stuhishëm dhe zemra e madhe e Xhevair Spahiut, shpirti i përhershëm mospajtues me çdo diktat pushteti të paarsyeshëm, Ilirjan Zhupa, mbështetësi i të diturve Mehmet Elezi, i cili më në fund, në nëntor 1989 e mori në përbërje të redaksisë së gazetës “Zëri i Rinisë”.

ooo

Tek njëri pas tjetrit, pasi i ke lexuar me një frymë të 316 faqet, mbarojnë rreshtat e librit “Genocidi i Poezisë” krijuesi e furtunshëm i tyre, Gëzim Hajdari, shënon vendet e kohët kur e ka nisur dhe përfunduar: “Darsia 2001, Ciociaria 2009”. E pari është fshati i vendlindjes së tij në Lushnjë, aty ku duket në disa ditë qëndrimi, kthyer nga mërgimi sa për të parë e puthur duart e dy prindërve të tij të moshuar, ka filluar ta shkruajë. Darsia e kthente pas në kohë, në kujtime të dhimbshme. Në 23 qershor 1953 të atin e patën hequr nga puna dhe “Zëri i Popullit” i asaj dite botoi artikullin “Pushohet nga puna Riza Hajdari, si bir i kulakut”. Veli Hajdarin, gjyshin, vërtet e kishin shpallur kulak dhe i patën marrë 250 ha tokë, qindra kokë dele, dhjetëra lopë, ha me pyje, dy dyqane që ndodheshin në qendër të Lushnjes. Gjithë jetën më pas Rizanë e diplomuar në Tiranë e punësuan bari për të kullotur qetë e kooperativës.
Ciociaria (Coçaria) është në Italinë qendrore krahina e shumënjohur prej mjaft filmave me famë botërore, ku në kryeqendrën e saj, qytetin Frozinone, një orë larg Romës, Gëzim Hajdari jeton dhe për merita të veçante letrare prej shumë vitesh është “Qytetar Nderi”.
I mbyllur me kronologjinë e vendet ku për tetë vite shkroi “Genocidi i Poezisë”, vepër që e konsideron si librin e tij të jetës, gjithsesi ai nuk mbyllet me shënimin “Darsia 2001, Ciociaria 2009 . Vijon edhe në një faqe pasardhëse. Në fletën tjetër, aty ku mund të rrinte e qetë vetëm një faqe e bardhë, sipas specialistëve të botimeve çast i shkurtër pushimi që të ndihmon të mbyllesh brenda vetes e të reflektosh për sa ke lexuar, gjendet edhe ky shënim i dytë: “U kërkoj ndjesë lexuesve për ndonjë pasaktësi që mund të hasin në këtë “Gjëmë”. Mjaft referime që kanë të bëjnë me personazhet, vuajtjet, dënimet, dëshmitë dhe terrorin shtetëror ndaj poetëve shqiptarë, janë marrë nga dokumente, arkivat, intervistat, shkrimet dhe librat e botuar në Shqipëri e jashtë saj. Autori s’ka bërë asnjë ndërhyrje drejtshkrimore apo gjuhësore për sa i përket dëshmive, intervistave po rrëfimeve të mbijetuara nga diktatura”.
Është saktësisht kështu siç pohon Gëzim Hajdari.
Sepse nuk ka ndërhyrë në to ai është më bindës në veprën e tij denoncuese dhe njëkohësisht më argumentues në analizën depërtuese, madje shpërthyese, të tillë që bën copë e thërrime çdo tabu të deritanishme në mënyrën se si është parë, vlerësuar e promovuar letërsia shqiptare e krijuar në periudhën e diktaturës. Ndërkohë “Genocidin...” e tij Hajdari e shtrin edhe në vitet tridhjetë, e gjen si varrmihës talentesh e jetë marrës edhe në vitet e sundimit serb në Kosovë, i zbulon gjurmët e dhunshme edhe në Maqedoni. Gëzimi nuk ka ndërhyrë në dëshmitë e rrëfimeve të të pësuarve, poetëve të ndaluar e të persekutuar, si edhe të të tjerëve të cilët në mungesë të martirëve që nuk jetojnë më, rrëfejnë krimin e kryer mbi ta. Po të ndodhte kjo vepra “Genocidi i Poezisë” do të zbehej e të humbte puls. Do të bjerrte frymën e denoncimit, i cili në këtë libër është shtrëngatë. Do t’i mungonte vetë thelbi i tij: zemërimi.
Duke i përcjellë dëshmitë tronditëse tek lexuesi me atë forcë që kanë rrëfimet e drejtpërdrejta ky libër është një risi në kulturën shqiptare, një gjë e jashtëzakonshme, deri tani i vetmi.
Në parathënie autori shkruan “Historia e poezisë shqipe është më tragjikja në Evropë”. Më pas ngul këmbë se “Numri i intelektualëve shqiptarë të masakruar mizorisht e tejkalon atë të Rumanisë, Polonisë dhe të ish Çekosllavakisë të marra së bashku. Për këtë “holokaust” nuk është folur kurrë deri sot përtej kufijve të Shqipërisë, përkundrazi është bërë çfarë është e mundur për ta fshehur. Madje edhe gazetarë, shkrimtarë e politikanë perëndimorë u kanë servirur një realitet të rremë popujve të tyre…Mund të thuhet pa ngurrim se opozitarët e parë të kastës gjakësore të Enver Hoxhës ishin pikërisht poetët…Inkuizicioni shtetëror ishte i dhunshëm, i tmerrshëm dhe rënqethës. Vendi u kthye në një qimiter të llahtarshëm. Lista e këngëtarëve të pushkatuar nga regjimi është e gjatë dhe i përngjan një gojëdhëne të pabesueshme, mjafton të përmendim emrat: Mark Çuni, Ndre Zadeja, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi e Genc Leka, Havzi Nela. Vdiqën në burgje Vinçens Prennushi. Et’hem Haxhiademi, Bernardin Palaj, Qemal Draçini…Mbyllur në qelitë e kobshme, Kudret Kokoshi, Kasëm Trebeshina, Frederik Reshpja, Musine Kokalari, Lazër Radi, Mark Ndoja, Petro Marko, Ylber Merdani, lanë në birucat e Spaçit e të Burrelit vitet më të bukura të jetës…”riedukimi ideologjik” si Faslli Haliti e Sadik Bejko…Mjaft poetë u dënuan me heshtje të detyruar si Lasgush Poradeci, Sejfulla Malëshova, Lek Previzi, Primo Shllaku...“të paktit poetë që mundën të arratiseshin, duke kaluar telat me gjëmba të kufirit, ishin Arshi Pipa, Isuf Luzaj, Martin Camaj,… Bilal Xhaferi e Gjek Marinaj”.
Libri i ri i Gëzim Hajdarit, tashmë një poet me emër përtej kufijve të Italisë, por edhe autor studimesh si një cikël për folklorin dhe epikën shqiptare, sot edhe shkrimtari dygjuhësh më i spikatur, përbën një enciklopedi të vuajtjes së poetëve si edhe shfarosjes së tyre. Kur Hajdari përdor fjalën genocid është i bindur se ndaj këtyre luftëtarëve të fjalës së lirë ka pasur realisht një krim të tillë. Fizikisht po e po, përderisa një pjesë i prangosën dhe mbyllën në burgje, disa i pushkatuan e të tjerë i përndoqën gjithë jetën. Edhe pse termi është i fortë dhe në një ballafaqim juridik një teknokrat sallash gjyqësore do të gjente edhe copëra nenesh e kodesh që mund ta kontestonin sadopak, në të vërtetë ai ka qenë genocid.
Madje i tillë do të mbetej edhe në rastin sikur ndëshkimet mbi ta nuk do të shkonin deri tek burgimet apo tek likuidimi fizik, pra do të funksiononte kundër poetëve thjesht ndalimi i botimit. Ata do të pengoheshin edhe të mos e deklamonin poezinë e tyre në një mbrëmje miqsh, ditëlindje apo takim me lexues, në një vend publik, qoftë edhe modest. E gjithë poezia e krijuar nga populli, ai që ne e quajmë folklor, ka mbijetuar prej lirisë për t’u përcjellë gojë më gojë, jo nëpërmjet fletëve të një libri. Kështu ka ardhur deri sot një kryevepër e krijimtarisë gojore të shqiptarëve “Eposi i Kreshnikëve”. Edhe monumenti botëror “Iliada”, gjithçka e krijuar nga Homeri, ka mbërritur deri tek ne prej mosndalimit të fjalës së cituar apo të kënduar nëpër bujtina të mbushura me udhëtarë.
Genocid madje nuk ka përse të mos quhej edhe në rastin kur poezia do të lejohej të botohej e deklamohej në vende publike, por si ndëshkim mbi të do të binte censura, mosthënia e plotë e një mendimi a shprehja gjer në fund e një ndjenje. Po u sakatua fjala ajo në të vërtetë është vrarë. Prandaj edhe është masakruar e i është marrë jeta atij që di të përdorë magjinë e saj, shkrimtarit e poetit.
Me ndihmën e shumë autorëve, dëshmitarëve dhe rrëfyesve, tek “Genocidi i Poezisë”, ndërsa kudo ku gjen hapësirën e analizës Gëzim Hajdari ndërhyn me forcë logjike e patos, provohet se poezia shqiptare qe kënga e vyer e rezistencës antidiktatoriale. Poezia dhe poetët për nga natyra e tyre rebele nuk i kanë bërë kokëulje regjimeve, për t’u bërë qëndresë kanë përdorur të paktën konspiracionin e metaforës. Ndoshta nisur nga kjo Gëzim Hajdari është i ashpër ndaj atyre poetëve, qofshin edhe më të mëdhenjtë e kohës si Ismail Kadare e Dritëro Agolli, të cilët në një farë mënyre i konsideron se u konformuan me sistemin politik apo kryen pakte me të. Këtu Gëzim Hajdari përdor një masë të tij të akuzës dhe të denoncimit publik, po ashtu edhe të analizës e argumentimit, me të cilën mund të mos përputhesh plotësisht.
Por “Genocidi i Poezisë” është dhe mbetet një libër furtunë, që vetëtin e shpërndan shtrëngatë nëpër tokë e qiell. E lexon me një frymë e mbetesh pa frymë.

ooo

Në këtë sprovë të idesë që në emigracion tashmë bën jetë të denjë një letërsi tërësisht bashkëkohore në jo pak raste edhe e epërme ndaj asaj që krijohet në trojet tona, Gëzim Hajdarin dhe Faruk Myrtaj e morëm duke mos i mburrur si më të mirët. Ka mjaft të tillë, madje disa kanë hyrë në kolonat e publikimeve me tirazh të lartë të shtëpive më të mëdha botuese të Perëndimit. Privilegji i vetëm i dy krijuesve bashkëkombës ishte që i morëm se janë shumë të denjë të jenë shtysë për të bërë pyetjen-thirrje “Po a mund të zgjasë më që autorë të tillë në emigracion të mos hyjnë nëpër programet apo antologjitë e shkollave, si tekste të drejtpërdrejta apo alternative?”
Po u vonuam ata do të hyjnë në antologjitë e shkollave të vendeve ku jetojnë. Atëherë edhe pse kjo dukuri mund të mos quhet me fjalën tronditëse “genocid”, do të thirret dëbim. Internim madje. Pse jo edhe persekutim. Kjo do ta bënte qindrafish më të dhimbshme gjendjen e tyre të emigrantit të përhershëm, të shqiptarit që nuk ka atdhe as pas njëqind vitesh.

Ylli Polovina

Peshkopi, në një hotel, më 11-13 shtator 2010


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com