|
Një studiuese bullgare dhe jo vetëm kaq
(Botuar në gazetën “Shqip” më 26 shtator 2010)
Marjana Stamova këtë të mërkurë që vjen mbush në Tiranë dhjetë ditët e lejuara nga Instituti i Studimeve Ballkanike të Sofjes, ku punon dhe të enjten ikën. Kaq ishte koha e dhënë për t’u njohur në arkivat shqiptare. Me një afat të tillë të ngushtë çdo çast që atë e largon nga shfletimi i dosjeve i shkakton një humbje. Megjithatë ajo pranon jo një por dy ditë rresht të pimë nga një kafe. Marjana është mjaft e sjellshme, por ka të ngjarë që këtë fat bashkëbisedimi me të ta kemi prej koleges së saj të Tiranës, historianes Sonila Boçi. Bashkëkombësja jonë ka magjinë të komunikojë me të shumë ëmbëlsisht. Mësojmë se edhe ajo ka pasur disa ditë identike kërkimi dokumentesh në kryeqytetin bullgar dhe kolegia ia ka mbushur ditët me dashuri.
Në vitet dymijë albanologët përbëjnë elitën më në vijë të parë të një identiteti shqiptar përherë e më shumë të dritësuar nga studimet e tyre, të kuptuar më së pari nga vetë ne, por edhe nga bota e madhe e popujve të tjerë. Megjithatë edhe ballkanologët janë mjaft të nevojshëm, pse jo edhe shumë interesantë. Ai komb që ka prirjen të mbyllet në analizat e të vetëve për vetveten përfundon më afër delirit të mbivlerësimit se vetëgjykimit racional, bymen e tejfryn vlerat dhe mpak, shpërfill të metat. Një ballkanolog serioz, studiues i pandikuar prej asnjë dogme historike apo interesi gjeostrategjik të vendit të vet a të një fuqie tjetër, është po aq albanolog i mirë. Po ashtu edhe grekolog, njohës i identitetit kroat, serb, boshnjak, malazez, maqedonas...
Me sa duket Marjana Stamova është një e tillë. Dy bisedat me të, por edhe libri i saj “Çështja shqiptare në Ballkan”, ta bëjnë të mundshme dhe reale këtë mbresë. Botimi 362 faqësh është bullgarisht dhe nëpërmjet rusishtes bëjmë disa tentativa depërtimi në kapitujt e paragrafet nyje të tij. Përshtypja që të lë përforcon idenë se është botim i një shkencëtareje të painfluencuar nga trazimet e ndërhyrjet e zakonshme të të fortëve të shumtë në gadishullin tonë. Ndërkohë Sonila Boçi zbulon butësisht, duke i përcjellë fjalët me një zë të gëzuar, se Marjana e ka pëlqyer shumë Tiranën. Pastaj me nënzë na thotë se ka pasur përshtypjen se kolegia e saj ka ardhur jo me aq shumë opinion të mirë për gjendjen tonë përderisa nga Sofje i gjenden njerëz që në telefon vazhdimisht e pyesin të merakosur përse po qëndron aq gjatë. Ndërkohë ditët e Tiranës tek Stamova kanë bërë të kundërtën. Ajo ka rënë në gjendje adhurimi, të paktën me Urën e Tabakëve. Aty ka bërë një tufë me foto. Duke qenë se historiania Sonila për nga natyra e saj shijon më shumë opinionin se në qytetet e mëdhenj përfaqësues të një shteti e kombi duhet të zërë vend tepër të dukshëm tradita, pra pjesa e vjetër dhe antike, studiuesja bullgare anëson për ndërtesat dhe rrugët moderne. Tirana në këtë pamje të dëshiruar prej saj e ka entuziazmuar. Dyzetë e gjashtë vjeçarja që është një vëzhguese e përhershme, na thotë se mjaftojnë vetëm disa çaste të shkurtra përjetimi në vendin e shqiptarëve për të kuptuar se ata janë jo vetëm evropianë tipikë, por aspak banues të periferisë së kontinentit. Mendon se janë të qendrës së tij. Këtë ndjesi Marjana Stamova mbase e ka prej pasojave që pavetëdijshëm lë në imagjinatë hapësira. Bullgaria nga vendet tradicionale të Perëndimit ndodhet gjeografikisht pak më larg se ne, porse doemos kjo është një gjurmë iluzive. Ajo tashmë është më afër, sepse ka hyrë në Bashkimin Evropian.
Mendojmë një çast se ballkanologia nga Sofja këtë përshtypje e ka edhe prej bardhësisë së qartë të lëkurës sonë, por këtë temë nuk e ngasim. Veç është ajo që e shtyn më tej arsyetimin për evropianizmin e dukshëm të shqiptarëve. Tha se në mënyrën e ndërtimit të jetës, të shoqërisë, të ekonomisë, të kulturës e kështu me radhë, ne ndiqnim modelin italian. Ajo nuk e kishte fjalën aspak për ndonjë ndikim rrënues dhe ca më pak për kopjim. Doemos absolutisht jo për të pohuar se shqiptarëve u mungon identiteti. Studiuesja bullgare donte të thoshte si mënyrë organizimi të jetës. Me model italian, pra shëmbull për t’u ndjekur, ajo nënkuptonte një shoqëri ku individi bëhet i mirëqenë më shumë se shteti, më i pasur dhe më i fortë se ai. Nuk e ngacmojmë më tej edhe këtë temë jo thjesht sepse ne vetë shqiptarët e njohim këtë vlerë tonën, të çmuar për njeriun që sheh afër dhe po aq defekt të madh për një popull që është i detyruar ta hedhë vështrimin edhe larg. Marjana Stamova atë opinion e dha në argumentim të idesë se shqiptarët janë popull tipik me orientim nga Evropa.
Pas vitit 1990 gjithsecilit i kujtohet se si bashkë me shumëpartitizmin dhe liri të tjera qe jetike për shoqërinë shqiptare të porsahapur edhe mëkëmbja ekonomike. Ndërsa mbërritën nga Perëndimi ndihma ushqimore, më së pari oris, miell, sheqer, vaj, makarona (Si kishim qenë katandisur!), nga emigracioni ynë i porsaikur hyri njëkohshëm para dhe tregtarët si rrugën më të favorshme për të blerë mall zgjodhën Bullgarinë. Kjo ndodhi për disa vite rresht. Pastaj pak nga pak u hapën dhe u bënë më të aktivë tregjet e Greqisë e të Italisë. Tashmë prej shumë kohësh Shqipëria në zhvillim përthith e shkëmben mall me zemrën e kontinentit, veç gjithsesi në çastet më jetike të një vendi që kishte lënë pas të kaluar të hidhur, në atë që mes nesh thirret si Rilindja e Dytë, na u gjetën edhe bullgarët. Pati ngjarë e njëjta gjë edhe gjatë Rilindjes së Parë, asaj mëmë, ku shpëtimi nga e shkuara e perandorisë osmane e pati një nga bazat më të mëdha të mbështetjes dhe inkurajimit në Sofje. Afria shpirtërore ka qenë kaq proverbiale sa ngjashmërinë më të madhe si shqiptarët ashtu edhe bullgarët nuk e gjenin me popujt e tjerë fqinj, por me njëri-tjetrin. “Kokë bullgari” dhe “Kokë shqiptari” është thënë e madje ka edhe një tufë barsoletash shoqëruese.
Mirëpo dekadën e fundit, sigurisht për faj të askujt sepse janë efekte zhvillimesh të rajonit e të vetë globalizmit, dukemi sikur rrimë disi të mënjanuar. Marjana Stamova me librin e saj “Çështja shqiptare në Ballkan” (mbase ndokush do ta përkthejë atë në shqip) na inkurajon të pohojmë se në fushën e studimeve të identiteteve kombëtare kemi të gjitha ngasjet emocionale dhe arsyet e ftohta për t’i rigjallëruar bashkëpunimet me bullgarët. Ballkanologia Stamova thotë se pas një pauze mosinteresimi opinioni publik i vendit të saj dëshmon vëmendje në rritje për shqiptarët. Na njohin shumë pak, sikundër edhe ne nuk mund të mburremi. Për arsye që kuptohen në Bullgari shumë energji shkencore investohet për studimet e shumicave apo pakicave në Maqedoni dhe me këtë rast lapsi prehet edhe për shqiptarët. Në Institutin ku punon një koleg i Marjanës ka shkruar për popullsinë bullgare në Shqipëri, por “në plan etnografik” saktëson ajo. Shton se edhe një tjetër studiues ka botuar për goranët, banorët e Gorës në Kosovë, por edhe për në anën tonë të kufirit. Pastaj shpreh keqardhjen që një profesore e dashur për të, e cila ka qenë e specializuar për shqiptarët, për shkak të moshës ka ndërruar jetë, duke e lënë të zbrazët vijimin e kontributit.
Kështu Marjana Stamova me librin e saj të drejtpërdrejtë për shqiptarët është një vazhduese, por edhe një befasi e gëzuar sepse do të ketë jetë të gjatë përpara. Me të shënohet një rikthim i vëmendjes së ballkanologjisë bullgare për historinë dhe identitetin tonë. Kjo është shenjë se që prej këtij çasti mund e duhet ringritje. E sinqertë Stamova pohon se në fillim, kur nuk e kishte përcaktuar ende temën e doktoraturës, nuk i kishte shkuar ndërmend fare tema shqiptare. Përreth kishte vakum për të, as interes dhe as kërshëri, asnjë ngacmim, asnjë impuls. Kishte disa vite që ishte mbyllur edhe ndërhyrja e NATO-s për Kosovën dhe lajmet e vëmendja patën uri tjetër. Pikërisht këtë moment njeriu që ia spikati ku mund të përqendrohej studimi i saj qe Bobi Bobev. Ai është dijetar, profesor me titull, punonjës shkencor në institutin ku punon edhe Marjana. Kërkimet e botimet e tij janë marrë me shqiptarët mes dy luftërave botërore. Ai ia rekomandoi objektin e kërkimit duke i thënë se marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave të kësaj kohe mbeten në Ballkan ndër më interesantet, pse jo edhe më të jashtëzakonshmet.
Dhe Bobi Bobev i di mirë këto punë. Ai një kohë ka qenë edhe ambasador i vendit të vet në Tiranë.
Duke qenë se ky rrëfim nuk mund të zgjatet më (sepse e gjithë historia si një ballkanologeje bullgare i hyri në zemër Shqipëria është e gjatë), studentja Marjana Stamova e cila në Sofje pati përfunduar katedrën “Historia e Bizantit dhe popujt ballkanikë”, më pas duke e kryer masterin me “Marrëdhëniet bullgaro-jugosllave (1953-1963)”, në vitin 2003 doktoraturën e mbrojti nëpërmjet studimit “Problemi shqiptar në federatën jugosllave dhe marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare (1945-1974). Prej kësaj lënde doli libri “Çështja shqiptare në Ballkan”, veç tashmë e vëzhguar gjer në vitin 1981. Marjana thotë se në vazhdim do t’i rikthehet një zhbirimi më të thellë të viteve shtatëdhjetë, por ne parandiejmë që një ditë ajo do të dalë përtej vitit të demonstratave të mëdha 1981, duke kapur distancën gjer në motin historik 1999. Pastaj sigurisht do të vijë në vitet e mëpastajmë, kur Kosova u shpall shtet i pavarur.
Marjana Stamova di mjaft. Për çështjen shqiptare, por edhe për Kosovën e kurthin e robërimit apo luftën e shpëtimit të saj, ajo ka shfletuar shumë dosje në arkivat e Sofjes, të Beogradit, të Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi...Thotë se e ka gati një përmbledhje të të gjitha këtyre dokumenteve. I quan befasuese sidomos ato të Zagrebit dhe Lubjanës. I mjaftojnë vetëm pak mbështetje financiare, një sponsor si i thonë, dhe do të dalë në dritë libri që mund të dëshmojë të papara e të pathëna, të padëgjuara po e po, fakte të forta të rivizatojnë konture të tjera nga sa kanë ngrirë përtej kufijve tanë por edhe nga sa deri tani pëlqejmë të dimë vetë ne shqiptarët.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|