Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Njëri prej antikomunistëve


(Botuar në gazetën “Shqip” më 20 shtator 2010)

Ka njëzetë vite që mes nesh ka marrë jetë shtresa shoqërore e ish-të persekutuarve politikë. Ajo u krijua nga e quajtura “diktatura e proletariatit”, e cila që në emërtim ishte një mashtrim kolosal sepse në emër të një klase të tërë të përvuajtur, atë të punëtorëve, të keqtrajtuar nga kapitalizmi në fazën e tij të hershme dhe të egër, ngriti një tirani partie e personi të vetëm në pushtet. Për pothuaj pesë dekada të tjera të para vitit 1991 kjo shtresë qe e persekutuara drejtpërsëdrejti. Kështu ajo moshën e saj shoqërore në Shqipëri e ka shtatëdhjetëvjeçare.
Daut Bylyku, për të cilin do të flasim disa radhë më pas, është tetëdhjetë vjeç. E ka “të shkruar” në jetën e tij, si në adn, të gjithë këtë histori të pazakonshme. Nuk të ndihmon gjithnjë fati të kesh rastin të njihesh me një të tillë, madje ai zakonisht të shmang, të bën të pafat. Të paktën të vonon nga çasti kur në një apo dy orë mund të reflektosh më tepër se një apo dy vite të tërë. Të persekutuarit politikë shqiptarë gjer në vitin 1990 qenë të shumtë, për frymë njerëzore disa herë më tepër jo se çdo vend tjetër komunist i eurolindjes, por edhe për disa të marrë së bashku. Po të ndodhte të grumbulloheshin njëherë vizualisht, pra që të mund të shiheshin prej të gjithë bashkëkombësve, do të qenë të mjaftueshëm për të ringritur një “shtet” tjetër. Po ashtu nëse do të ngjante të kishin gjithsecili vetëm një thërrime ose edhe një grimcë mllefi, fuqia e shpërthimit politik e hakmarrës të tyre mund të shungullonte gjithë Ballkanin. Veç siç dihet nuk ndodhi gjë.
“Hataja” nuk ngjau sepse ka ish-të persekutuar si Daut Bylyku.
Do të mjaftonte një prijës i tyre me fuqi të mjafta agresive, i cili duke pasur edhe dhuntitë e politikanit të zotëronte aq forcë sa këtë shtresë ta bënte klasë sociale dhe marrjen hak ideologji për të shkaktuar cikle tërmetesh në mirë apo keqstabilitetin e vendit. Mirëpo kjo nuk ngjau dhe nuk ishte vetëm pazotësi, hutim çasti, papërvojë, trashëgimi e vjetër problematike, diversion i pësuar. Ndodhi ashtu më së pari sepse kishte mes saj njerëz si Daut Bylyku.
Ata ishin pambarimisht shumë para vitit 1990, të djathtë, të majtë, socialdemokratë e liberalë të qendrës, me simpati për Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo edhe Italinë, Austrinë, Anglinë, Francën...Rusinë në disa raste, pse jo edhe Greqinë apo Jugosllavinë. Sikur të paktën të qenë lidhur fort me gjithsecilin nga ata shtete që duke mos dashur regjimin politik të vendit kërcënonin edhe sovranitetin territorial të Shqipërisë, pra pavarësinë e saj, do t’i sillnin andralla të paimagjinueshme Tiranës zyrtare. Por këtë nuk e bënë sepse donin mbi të gjitha Shqipërinë. E donin mbi veten e tyre.
Sepse ka bashkëkombës të papotershëm e shpirtmodestë si Daut Bylyku ka ndodhur që nga populli i shumtë i ish-të persekutuarve politikë në këto dy dekada të fundit të veçohen disa të privilegjuar (e kanë edhe dhunti personale përfitimin maksimal nga statusi i tyre) dhe jo pak të lihen mënjanë, kur t’u vijë “radha”. Por nuk është ky problemi. Edhe më përfituesi sot nga ata që kanë vuajtur një gjysmë shekulli ende akoma ka pak rikthyer nga ajo që padrejtësisht i është marrë. Shumë, më fatkeqët, kanë humbur jetën e më “fatlumët” minimumi gjithë rininë.
Njohja me Daut Bylykun të ndihmon të depërtosh më thellë në historinë e rezistencës antikomuniste shqiptare. Ajo është zbuluar fare pak, dramatikisht pak. Ka shumë rrethana që e pengojnë të dalë me të gjithë shtatin, të ngrihet si Sfinksi, të ringjallet. Ajo është një nga të kaluarat më vezulluese dhe më me dinjitet që ka përjetuar Shqipëria pas humbjes së sovranitetit të saj prej pushtimit fashist të Luftës së Dytë Botërore. Qëndresa antikomuniste, pra kundërdiktatoriale, e shndrit historinë tonë, e bën më të vyer, i shton të ardhme. Kur njeh nga afër Daut Bylykun, këtë bashkëkombës tipik të kësaj rezistence, e kupton më mirë se në çdo çast të jetës tënde që detyrimi moral (të paktën) për të depërtuar në të pathënat e saj është edhe një nga mënyrat për të larguar përfundimisht ato gjurmë nostalgjie që ende, edhe pse kuptueshëm, vegjetojnë mes nesh. Prania sot në jetën e vendit e të shoqërisë sonë e ish-komunistëve, pjesa dërmuese e të cilëve e angazhuar në distancim të hapur të diktaturës dhe e mobilizuar në ngritjen e mbrojtjen e shoqërisë së hapur, nuk përbën asnjë arsye apo faktor frenues që të mos pranojmë se gjatë gjithë tiranisë së partisë dhe personit të vetëm në pushtet, pra gjer në çastet e Revolucionit të Dhjetorit, antikomunizmi ka qenë luftë e mirëfilltë për demokraci. Problemet me të, pra zbehjet e tij, kanë ndodhur gjatë luftës çlirimtare, ku rezistenca më e fuqishme u krye nga lëvizja partizane e udhëhequr prej komunistëve dhe ku jo pak prej antikomunistëve u prinë të bashkëpunonin me pushtuesit ende pa u realizuar dëbimi i tyre nga vendi, sovranitetin e të cilit e kishin rrëmbyer dhe shkelur me thundrat e çizmeve të një pushtuesi. Raste zbehjesh të qëndresës së vërtetë antikomuniste si një nga traditat më shkëlqyese të historisë së shqiptarëve u vunë re edhe pas rënies së diktaturës, herë sepse mbeturinat e saj nuk qenë vetëm gërmadha politike, por edhe pengesa reale, herë sepse në rivalitetin partiak përdoreshin jo për largpamje, por për qëllime afatshkurtra. Përveç retorikës së panevojshme kundërkomuniste dëm jo të vogël kanë shkaktuar individë apo grupe me ish-të persekutuar politikë falsë. Moria e tyre dhe talenti gjenial që kanë për shtirrje e përfitimi mbi shpinë të të vuajturve realë, ka kaluar çdo kufi imagjinate.
Kur e njeh nga afër Daut Bylyku ka sjelljen e një zotërie të cilin mund ta ndeshësh lehtësisht në rrugët e Vjenës apo të Londrës. Madje ngjan me një aristokrat kush e di prej sa brezash. Të gjitha këto i ka jo vetëm në tiparet e fytyrës, në mënyrën se si ecën, si të përshëndet, si flet dhe arsyeton. Asgjë të shtirë nuk ka ai njeri, gjithçka krejt të natyrshme. Ka aq shumë delikatesë sa duket i rritur në një oborr mbretëror, por mëson se ka lindur e tashmë është bërë tetëdhjetëvjeçar në një shtëpi të thjeshtë tiranase. Daut Bylyku është aq me elegancë i mbajtur, duket si muzikant, poet apo shkrimtar, sa mbetesh pa gojë kur merr vesh se pas lufte ka mbaruar një shkollë të mesme mekanike dhe gjithë jetën e pasburgut politik e ka kaluar duke u marrë me hekura apo me thurje kashte si punëtor në atëkohë Ndërmarrjen Artistike “Migjeni”. Në të vërtetë ka duar artisti, sepse dikur ka skicuar peizazhe. Ai është gjithashtu aq shumë paqësor sa mezi e pranon që këtë cilësi e ka pasur të lindur dhe të edukuar nga familja dhe jo sepse iu trysnua, iu ngulit si deformim frike nga regjimi i dhunshëm i dy burgimeve të tij. Fryma e tij paqësore vjen prej shpirtit të tolerancës që ka, edhe kjo e natyrshme, mirëfilli mendësi qytetëruese.
Megjithatë të moskeqkuptohemi! Shpirti paqësor i Daut Bylykut dhe mendësia e tij toleruese nuk janë aspak pajtim me të padrejtën. Menjëherë pas vendosjes në Shqipëri të diktaturës staliniste ai u bë antikomunist pikërisht sepse qe luftëtar kundër padrejtësive. Këto ditë të fundit Dauti ndihet i shqetësuar (jo për veten, por për shoqërinë) prej një revanshi të pajustifikueshëm në shkallët e larta të politikës jo i individëve të veçuar, por tashmë të një grupi prej bijve të dikur nomenklaturës së lartë të diktaturës.
Kaq i brishtë të duket tek ecën zhytur në mendimet e veta apo flet për gjëra të zakonshme të jetës njerëzore sa të trondit kur pas ngulmimit tënd më në fund të shpjegon jetën e vet. Tmerret e tij dhe të bashkëvuajtësve në punimet e një kanali të madh vaditës, viteve pesëdhjetë, nuk mund të besohen nga një rrëfimtar i tretë, qoftë edhe i stërvitur me kolonat e gazetave. Duhet të jetë vetë ai, me zërin e tij kur tek përshkruan dhunën fizike të disa gjakpirësve rënkon lehtë “Oh, ta dije!”, si shpreh mirënjohjen kur dëshmon se si midis kriminelëve kishte edhe nëpunës apo oficerë me zemër njeriu....dhe pastaj me sa forcë shpirti mban shpërthimin e ngashërimit, kur kujton nënën, mos epjen e saj në hetuesi, ardhjet në burg me një boçe ndërresash e pak ushqim, vështrimi i saj i pikëlluar kur vite më pas e përcillte të birin për në punë dhe ngazëllimi kur ai kthehej, sepse i kishte thënë, “Po nuk erdha pasdite në tre e gjysmë atëherë më kanë arrestuar”.
Ditët e fundit ishim me Daut Bylykun shumë afër vendit ku sapo nisi dekada e viteve pesëdhjetë tentoi të arratisej dhe në një kurth e kapën. Shtegu i ikjes qe një luginë e thellë në verilindje të vendit, grykë ky gjysmën e vitit binte borë e ulërinin ujqërit. Donte largohej nga atdheu i tij, por qe tërë pezm. Nuk kishte rrugë tjetër. Bënte pjesë në Frontin e Rezistencës, një organizatë antikomuniste, ndaj të cilës kishin nisur masat e egra shtypëse.
Kështu bëri bashkëjetesën e rëndë dhe të detyruar me sistemin shoqëror që nuk e donte, sepse qe demokrat, mospajtues me fashizmin dhe komunizmin. Në prag të vitit të ri 1989, prej kohësh jo i riburgosur, do të arrestohej sërish dhe në fillim janar 1990 do të lirohej, ndërsa në një zyrë sekrete prej goditjeve me shkelma në veshka do të urinonte gjak për shumë e shumë ditë më pas.
Pak muaj më parë, pra në verë 2010, në faqet e disa gazetave Daut Bylyku do të shihte se si edhe për Frontin e Rezistencës, një nga qëndresat më të spikatura antikomuniste dhe kundërtiranike në Shqipëri, historia qe falsifikuar nga diktatura dhe lexuesve prej pakujdesit dhe mosnjohjes, po u ofrohej e gjymtuar, e pavërtetë.
Në thelb duke e harruar për së dyti.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com