Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Erdhe përsëri, o Jak?

(Botuar në gazetën “Shqip” më 29 gusht 2010)

Zëri që papritmas ngroh receptorin e telefonit fiks dhe thotë se ato momente ndodhet në Tiranë e ka një emër. Quhet Jak Serreqi. Vjen nga Vankuveri i Kanadasë. Hapësira e përshkruar prej tij gjer në Shqipëri është shtatë mijë kilometra. Që nga minuta e nisjes gjer sa avioni prek pistën e Rinasit i janë dashur trembëdhjetë orë të plota. Ndërkaq itinerari ka dy ndalime ndërmjetëse: një në Toronto dhe tjetrin në Mynih. Në të dyja rastet në ndërrim të aeroplanit ka nga dy orë e gjysmë pritje. Edhe një tjetër hollësi: udhëtari apo i porsambërrituri është tetëdhjetë e një vjeç. Ka ardhur bashkë me të shoqen, italianen Anna Serena, edhe ajo fort e moshuar. Qenë të dy në Tiranë në prill të këtij viti dhe atëherë Jak Serreqi tha se do të rikthehej vetëm në pranverën e ardhshme. Porse shihni çfarë ka ndodhur! U rishfaq në kryeqytetin e shqiptarëve në fundgusht, vetëm katër muaj më pas. Këtë herë, siç shpjegon me një ngazëllim të brendshëm, ka marrë me vete edhe të dy djemtë.
Por çfarë e ka shtrënguar bashkëkombësin tetëdhjetenjëvjeçar të ribëjë ardhje-vajtje një mijë e katërqind kilometra udhëtim? Kur Jak Serreqi i fton njerëzit e vet në Tiranë të vijnë në Vankuver, pra në bregun tjetër të Kanadasë, atë me pamje nga Oqeani Paqësor, gjithnjë duke ua sipërmarrë shpenzimet, ata mëdyshojnë dhe më në fund thonë se është shumë, shumë distancë e madhe. “Por për mua”, pyet e përgjigjet ai me humor, “a nuk është larg?”
Mirëpo për të ardhur këtu nuk ka largësi për Jak Serreqin. Shqipëria për të është pol energjie, shtyhet e përthithet prej saj. Kjo i ka nisur në vitin 1993, kur mbërriti në Tiranë për herë të parë dhe çast ku vendosi të vinte edhe ndonjë herë tjetër, e shumta. Qe larguar nga Shqipëria fare i vogël dhe fillikat për të mësuar në një shkollë katolike në Romë, vitet tridhjetë. Pastaj nisi lufta e nxehtë, pasoi e ftohta, dy botët që u ndanë dhe kufijtë e militarizuar, duke humbur bashkë me prindërit e familjen edhe kontaktin me gjuhën. Kështu e harroi shqipen. Atdheu duke u zbehur, iu bë kujtim mjaft i largët, një periferi e qenies së tij. U ritakua me të kur mendonte se nuk do ta gjenin më kurrë njëri-tjetrin. U hapën kufijtë dhe drejt vendlindjes e shtyu takimi me të vetët. Të paktën kështu iu duk. Ndërkaq u desh ca kohë të kuptonte se qe në të vërtetë e mbi të gjitha Shqipëria. Madje jo tamam ajo, pra malli për të, por Shqipëria që po ndryshonte dhe rritej. Po të ngjante që ajo të bëhej më keq me siguri nuk do t’i ndodhte të rendte e rivraponte drejt saj si tani. Jo sepse Jak Serreqi, i nipi i një tjetri Jak Serreqi, në fillim të shekullit të shkuar, kryepeshkop i Shkodrës dhe një nga mbrojtësit më të spikatur të qytetit nga agresioni malazez, nuk do t’i gjendej afër në ndonjë hall të madh. Kur luftohej për të çliruar Kosovën, ai që nga Vankuveri mblodhi e dha ndihma. E veçanta e tetëdhjetenjëvjeçarit Jak është se zgjimi i tij në mug të jetës, rilindja shpirtërore, ngjyrat e motivet e bukura që pikturon, ardhjet e shpeshta në Shqipëri, udhëtimet në Shkodër, Laç apo në Berat, i lidhen me zgjimin tonë kombëtar, me rilindjen që kemi. Mirëpo që këtu brenda ne e kemi mjaft të vështirë ta kuptojmë këtë gjë. Pastaj mbi imazhin e jetës sonë të përditshme rëndojnë edhe probleme të ditës, defekte dhe mangësi reale, luftë partiake me mjete ekzaltuese dhe tërësisht mohuese. Kështu jo të gjithë, ca më tepër e papuni, mund të shijojë një dukuri në hov: ka disa muaj rresht që media të huaja mjaft të rëndësishme shkruajnë e flasin shumë mirë për Shqipërinë.
Para se të ngjante kjo gjë, vendi ynë, që tashmë po zgjon nëpër botë interes të mbarë, qe Jak Serreqi i cili paralajmëroi. Në prill të këtij viti na pati thënë se 
“për pesë a gjashtë vite Shqipëria mund të bëhet qendër e një lëvizje intelektuale”. Është shumë inteligjent, mjaft i pandikuar nga idetë partiake apo të nacionalizmit shtirak e vetëmburrës, për të qenë të bindur se tetëdhjetëvjeçari, i cili e ka kaluar të gjithë jetën në Perëndim, duke mos qenë një orakull, parathotë një gjë të realizueshme. A nuk e vutë re se edhe kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, vendi ku u përpoqën që të mos e thonin kurrë se prej cilës etni vinte Nënë Tereza, këtë herë, në ceremoninë e 100-vjetorit të lindjes së saj, shqiptoi të vërtetën: e shënjta shqiptare.
Por të rikthehemi tek ajo ngjarje konkrete që e shtyu Jak Serreqin të bënte sërish katërmbëdhjetë mijë kilometra. Ai mori pjesë më 21 gusht në shugurimin e kishës së re e shumë të bukur në Pentar, një fshat në buzë të kufirit me Malin e Zi. Pati një vit e gjysmë që punonte piktura për mjediset e saj. Solli katërmbëdhjetë të tilla që u vendosën në muret e kishës. Përshkruajnë sipas Ungjillit katërmbëdhjetë stacionet e Jezu Krishtit ku ai, ndërsa shkonte të kryqëzohej, binte dhe ngrihej. “Via Crucis”, “Rruga e Kryqit” quhet. Porse Jak Serreqi, si njeri shumë i lirë që është, ka kryer një befasi. Të katërmbëdhjetë pikturat e tij i ka quajtur “Stazioni del Uomo”, “Stacionet e Njeriut”. Ndërsa tek riti katolik tregohet rruga që në jetë kalon Krishti, tetëdhjetë e njëvjeçari me krijimet e tij do të rrëfejë rrugën e vetë Njeriut.
Një çast, pastaj edhe në një të dytë, duke gjetur një moment të kujdesshëm edhe një herë të tretë, për të larguar çdo dyshim se gjithçka e ka kryer vetëm për besimin në një fe, saktëson se ciklin e të katërmbëdhjetë pikturave e ka bërë për Shqipërinë. Këtë gjë e shqipton me një shqipe pothuaj të mësuar. Pohimi i tij tingëllon si vargu lapidar i Vaso Pashës “Feja e shqiptarët është Shqipëria”.
Thua Jak Serreqi është vërtet një orakull?

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com