Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

As viktimë, as hero etnik


(Botuar në gazetën “Shqip“ më 19 gusht 2010)

Në rast se do të vijohet që vdekja e dhimbshme e shqiptarit me origjinë greke Aristotel Guma prej ndokujt apo disave do të plazmohet nën imazhin e një viktime etnike do të ngjajnë disa çudira. E para do të prodhoheshin “heronj etnikë“. Këta janë mostra, sidomos për qytetërimin të cilit i përkasim grekë e shqiptarë, atij të Bashkimit Evropian. Gjithsesi çudia më kryesore, madje çudia më pak e habitshme, është se i gjithë operacioni për krijimin e “viktimës etnike” do të dështojë. Do të përfundojë jo si furtunë në një gotë me ujë, por më keq, si një flluskë sapuni. Do të prodhojë vetëm një “Puf!”
Historia e bashkëjetesës së shqiptarëve me minoritarët është pak të quhet një rast për të qenë shëmbëll pozitiv për Ballkanin e shumë etnive. Mund të shkosh edhe përtej këtyre kufijve gadishullorë, të guxosh të kapërcesh edhe ato të kontinentit. Në bisedat tona të përditshme apo në shkrimet e librat që botojmë, në ato që nxjerrin në pah studiuesit vendas dhe të huaj, në fjalimet apo gjuhën e politikanëve, përherë e gjithnjë citohet toleranca jonë fetare. Ndonjëherë edhe ajo mes veriut dhe jugut (Sa pak vëmendje ka për të!). Porse nuk gjen dëshmi të plota e ngulëkëmbje se ne kemi edhe një pasuri tjetër të tolerancës: atë me grekët që jetojnë në viset tona. Dhe kjo nuk është vetëm meritë e shqiptarëve. Do të kuturisja ta vlerësoja si një nga cilësitë më të vyera të popullit helen. Në historinë e botës qytetërimi i tyre vuri themelet e demokracisë jo për hir të disa filozofëve dhe teorive, por prej praktikës. Ai civilizim zgjerohej, përhapej dhe transferohej në popuj të tjerë fqinj nëpërmjet lëvizjes së lirë e paqësore të njerëzve. Popullsia e qyteteve të tyre shtohej dhe kështu prej nevojës së mbijetimit e linte atë, duke emigruar në vise të tjera. Këtu së bashku me vendasit krijonte qytetin e ri. Shumë e shumë shekuj para se grekët të qenë kjo pakicë aq e vyer e tanishme në krahinat tona jugore në një mënyrë të tillë ka ndodhur edhe me ne. Bashkëjetesën mes dy popujve e ka ngjizur dhe bërë të pa shkatërrueshme kjo marrëdhënie historike.
Sepse trashëgohej kjo traditë, ky kod sjelljeje e ndërsjellë, brezi i vonë i lidhjes, minoritarët, ditën që duke e konsideruar Greqinë si mëmëdhe të pazëvendësueshëm Shqipërinë ta shihnin si atdheun e tyre. Dy gjuhët që ata përdorin, secila me një aksent të lehtë e të bukur të tjetrës, ky thesar i bilinguizmit tonë, në thelb është vetëm një dhe e njëjta mënyrë të foluri e të menduari: vëllazërimi.
Bashkëjetesa mes popujve përbën dhunti të lindur me vetë njeriun. Ajo është shumë më e vjetër se shteti dhe kombi, më e hershme se edhe politika, letërsia apo arti profesionist. Para se të hartohej e thurej filozofi mes popujve është bërë miqësi. Kanë qenë krerë të veçantë dhe etja për pasuri e pushtet i disa individëve që ka vëllavrarë. Por kjo nuk e ka përmbysur dot e zhvlerësuar rregullin fisnik të bashkëjetesës etnike mes shqiptarëve dhe grekëve. Mos nuk mjaftojnë për ta provuar këtë edhe mbi gjashtëqind mijë jetë të anëve tona të emigruara në vendin e helenëve?
Grekët dhe shqiptarët janë dy popujt autoktonë të këtij gadishulli dhe në rast se veçanërisht kanë shumë të ngjashme e të shkëmbyera mes tyre, fjalë, shprehje, zakone, perëndi, veshje, folklor, kjo ka ndodhur sepse kanë bashkëjetuar. Po të ndodhte e kundërta, përleshja etnike, do t’i kishin refuzuar të gjitha. Tisi i mjegullt që bie herë pas here mbi këtë lidhje të madhe e të fortë të shqiptarëve me grekët është krijesë i njëqind apo dyqind viteve të shkuara. Ajo përbën thjesht një shtresë e re mërçi ultranacionalist, të cilës koha nuk i ka dhënë asnjë shans të ardhmeje, madje ajo po e roit pa pushim. Kush rri i mbërthyer pas saj do të dalë në breg siç uji që rrjedh nxjerr llozhërat.
Shpikja e një viktime etnike greke në Shqipëri bart me vete një nonsens të madh historik. Nuk provohet të ketë ngjarë ndonjëherë. Pra nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk ka për të ekzistuar kurrë.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com