Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kur na erdhi Ismail Kadare


Entuziazmi i dy ambasadorëve shqiptarë

(Botuar në “Illyria”, Nju Jork, më 6 gusht dhe në “Gazeta Shqiptare”, shtojca kulturore “Milosao” më 15 gusht 2010)

Në ditët e para të këtij muaji, korrik që edhe në Spanjë paralajmëronte një stinë joshëse turistike, në Casa del Libro, një nga libraritë kryesore të Madridit, u paraqit para opinionit publik të vendit në gjuhën spanjolle Guida për Shqipërinë. Ishte e para në llojin e vet. Kur në një popull punët shkojnë gjer aq sa për një vend e popull tjetër botohen libra të kuzhinës apo guida turistike atëherë mund të jesh plotësisht i sigurt se jo vetëm të dy palët respektohen, por edhe duhen. Ngjarja e ndodhur kishte patronazhin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Madrid, por shtytës e protagonist i parë mbetej shtëpia botuese Alhenia Media. Për këtë arsye në aktin ceremonial morën pjesë edhe përfaqësues të qeverisë spanjolle, po ashtu edhe diplomatë të huaj. I takoi ambasadorit shqiptar Kastriot Robo që me këtë rast të mbante një fjalë. Ndërsa përshëndeti shtëpinë botuese ai theksoi se “pas marrjes së Çmimit të Princit të Asturias për letërsinë nga ana e shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare, vitin e kaluar, botimi i këtij libri dhe promovimi i tij është një hap mjaft i rëndësishëm për njohjen e vendit tim, të historisë, kulturës, trashëgimisë, arteve, ekonomisë, në mbarë opinionin publik spanjoll dhe më gjerë”. Diplomati Robo do ta vijonte ndërhyrjen me ato ide të cilat si përfaqësuesi më i lartë i shtetit tonë në Spanjë kishte për detyrë t’ua bënte të ditur të pranishmëve: Shqipëria është një vend i hapur; numri i turistëve rritet nga viti në vit; zhvillimi i turizmit është një prioritet i Qeverisë shqiptare; në Strategjinë e Zhvillimit të Turizmit për vitet 2007-2013 ka një kombinim të zhvillimit turistik duke promovuar vlerat kulturore, si dhe duke ruajtur vlerat natyrore dhe mbrojtjen e mjedisit; Shqipëria e cila tashmë është vend anëtar i NATO-s dhe në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përbën një destinacion të këndshëm për t’u vizituar etj. Në mbyllje të fjalës së vet, siç i takonte dhe e bëri, ambasadori Kastriot Robo i ftoi të pranishmit të vizitonin vendin e tij.
Në këtë veprimtari ku spanjollëve u afrohej një guidë për të njohur nga afër atdheun e shqiptarëve mungonte fizikisht e në të njëjtën kohë qe i pranishëm nismëtari i saj themeltar: shkrimtari Ismail Kadare. Këtë meritë ambasadori e kishte nënkuptuar që në frazën e parë të fjalimit të tij protokollar, kur pati kujtuar Çmimin Princi i Asturias. Për të siç edhe për të gjithë ne të tjerët që sadopak dimë diçka si funksionojnë mekanizmat e ndërlikuar dhe shumë të brishtë të njohjes mes popujve, sa e vështirë është të fitosh statusin e një vendi mik, sa shpesh e pamundur mbetet t’i bëhesh tërheqës një shteti që ndodhet larg dhe i cili në rajonin ku ti ke hapësirën etnike nuk ka interesa gjeostrategjike, sa mundonjëse është duke qenë një popull relativisht i vogël numerikisht t’i shndërrohesh në ofertë një populli të madh e të fuqishëm ekonomikisht, ajo që në fillim të korrikut ngjau në Madrid ka diçka shumë të veçantë. Kjo edhe duhet thënë. Në rast se në Spanjë nuk do të kishte me kohë prani të veprës letrare të Kadaresë dhe ca më shumë nuk do të kishte ngjarë ajo ceremoni mbresëlënëse e marrjes prej tij, para kamerave të medias kontinentale, e Çmimit Princi i Asturias, në këtë vit 2010, por edhe mjaft më pas, nuk do të qe organizuar dot në kryeqytetin spanjoll ndonjë promovim guide turistike për Shqipërinë. Ky arsyetim mund të mos jetë bindës në rastet e disa vendeve të tjera, por në atë të Spanjës po guxojmë ta paraqesim si kategorik.


oooo

Kastriot Robo është një nga diplomatët më të mirë të shqiptarëve. Megjithatë e theksojmë këtë jo aq fort për të nxjerrë në pah ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Spanjë, sepse të aftë si ai nuk kemi vetëm një apo dy, por sepse dëshirojmë të bëjmë më të dukshëm një ambasador tjetër të Republikës tonë, madje të të gjithë kombit. Ky është Ismail Kadareja. Ai nuk është përfaqësuesi ynë më i madh në një shtet, por në të gjithë botën, në globin e tërë. Secilit prej nesh që me emocion ndoqi ceremoninë e Çmimit Princi i Asturias i ka rënë në sy prania e thekshme mes të pranishmëve e Mbretëreshës së Spanjës, Sofia. Pikërisht kur dy muaj më parë Kastriot Robo dhe bashkëshortja e tij Teuta qenë në takim me të (sipas një rregulli protokollar), kohëzgjatja e bisedës papritmas i prishi të gjitha parametrat e zakonshëm: zgjati njëqind e njëzetë minuta. Ambasadori në intimitet na pohon se jo vetëm të perceptuarit e saj për Shqipërinë qe mjaft pozitiv (Robo e kishte vënë re këtë gjë edhe në takimin e mëparshëm me Mbretin Huan Karlos), por ajo u shpreh e zëmëruar ndaj atyre që përhapin nëpër botë një imazh negativ të shqiptarëve. Dhe Mbretëresha Sofia në ilustrim të qortimit të saj qe shumë konkrete: kritikoi ashpër regjisorin e filmit italian “L’Amerika”, Xhani d’Amelio. Lexuesit të nderuar të “Illyria” patjetër i kujtohet se më i fuqishmi dhe më i rrepti në kundërshtimin e frymës mohuese të këtij filmi, që në seancat e para të shfaqjes së tij vite të shkuara, ka qenë Kadare.
Apo me rastin e botimit të Guidës Turistike për Shqipërinë nuk ju duket se ka një kuptueshmëri të qartë fakti që në Madrid mes shumë njohësve të veprës së shkrimtarit tonë superambasador është edhe drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Bashkëpunimit Ekonomik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Spanjës. Sipas konfirmimit të Robos ai është një nga ata që e ka lexuar Ismail Kadarenë para se të merrte Çmimin Princi i Asturias.
Kastriot Robo ka qenë dy herë dëshmitar i forcës së madhe imazhndryshuese të shkrimtarit shqiptar: Kur qe ambasador në Greqi dhe po ashtu në Britaninë e Madhe.
Në fillim të vitit 2000 Instituti Francez i Kulturës në Athinë organizoi për Ismail Kadarenë një cikël veprimtarish. Mes shumë hollësive që ruan në kujtesë dy episode e kanë bërë Robon të mendojë thellë për shumë kohë. I pari kishte qenë dëshira e shqiptarëve të emigruar për të qenë të pranishëm në veprimtari dhe kur këtë gjë ja kumtoi Kadaresë atij i gëzuan sytë. Organizatorët qenë francezë dhe programin e patën mjaft të ngjeshur, por hapësira kur të dy palët, bashkëkombësit lexues dhe shkrimtar, do të takoheshin, u gjet ditën e dytë. Në atë bisedë që zgjati më shumë se dy orë ambasadori Robo kujton se që në fillim për fatin e atij takimi i qe krijuar një gjendje e mëdyshtë. Sapo kishte nisur kuvendimi i përbashkët kur një emigrant kërkoi të bënte një pyetje. Sapo mori lejen ky menjëherë i tha Kadaresë “Shqipëria a është vendi ku ke lindur?” “Po”, iu përgjigj shkrimtari. “Atëherë përse jeton në Paris?”, pati vazhduar tjetri. Kadare kishte vënë lehtësisht buzën në gaz dhe pati nisur qetësisht shpjegimin. Kishte folur për atdheun e vet, Shqipërinë, historinë e saj plot sakrifica e dhimbje, por për të cilën ndihej krenar, pastaj për Francën që e konsideronte si atdhe të dytë. Prej andej fati i tij artistik kishte marrë rrugët e gjëra të botës. Pyetësi naiv a mbase edhe pak i mbrapsht në ngasjen e tij nuk e kishte trazuar më atmosferën e bukur të bashkëbisedimit. Ishin vitet e ndoshta muajt e fundit kur kjo pyetje absurde, pra përse Kadare e kishte braktisur Shqipërinë, vazhdonte të pluskonte. Tani edhe më i pasionuari pas këtij lloj ngacmimi e di apo të paktën ka mundësi ta kuptojë se qe e mbarë ajo ikje e shkrimtarit në tetor 1990, duke e tronditur para opinionit publik ndërkombëtar regjimin që rezistonte të binte, por me më shumë mbrothësi bilanci njëzetë vjeçar i pranisë së Ismail Kadaresë në Perëndim. Ne si komb jemi me fat që kemi përfaqësuesin tonë më të shquar jashtë kufirit, në qendër e në vetë “syrin” e botës, atje ku ai kishte dhe ka mundësinë e madhe të bënte vetë emër dhe po ashtu të krijojë një nga kryeveprat e tij kombëtariste: të përhapë kudo imazhin njerëzor të shqiptarëve, të rrëfejë historinë e tyre të veçantë, të mbrojë çështjen shqiptare, Kosovën...
Ngjarja tjetër në Athinën e fillim vitit 2000 kishte të bënte jo vetëm me jehonën e madhe të pranisë së tij (me tituj të dukshëm në pothuaj të gjitha faqet e para të gazetave kryesore helene dhe titrat e televizioneve), por sepse Kastriot Robo pas largimit të Kadaresë vuri re një dukuri që deri pak çaste më parë e hamendësonte të paimagjinueshme. Shfaqja e Ismail Kadaresë në Greqi, fjalët që kishte shqiptuar, mendimet që pati shprehur, thellësia, eleganca dhe kthjelltësia e tyre, origjinaliteti dhe forca hipnotizuese, kishin shkaktuar një revolucion të vërtetë në opinionin publik helen. Lexuesit vendas përmbysën brenda vetes muret e ndarjes dhe të mosnjohjes me letërsinë, botimet dhe kulturën shqiptare. Në qoftë se deri në vitit 1997 as që mund të bëhej fjalë për ndonjë frymë mirëdashëse për libra, gazeta apo botime letrare shqiptare dhe deri në atë fillim 2000 vetëm sa kishte bulëzuar një dëshirë e zbehtë, më pas gjithçka e vjetër, frymë e trashëguar nga keqkuptimet, u shemb. Me këtë interpretim të sinqertë të kësaj dukurie nga ambasadori Robo nuk dëshirojmë të krijojmë për lexuesin një Kadare si një “Deus ex machina”, një perëndi që krijon e shuan vetë jetën, sepse kontribues të kësaj përmbysjeje pozitive në opinionin publik helen ka shumë, janë deri edhe vetë ata mijëra bashkëkombës të emigruar, por këtë vërshim vlerash të grumbulluara e të ndalura në kufirin jugor nga një digë nënvlerësimi dhe mosbesimi qe fuqia tërmetore e emrit dhe e autoritetit letrar të Ismail Kadaresë që i bëri çarjen, pra hapjen.
Në qershor 2005 Kastriot Robo do të ishte në Edinburg, brenda sallës ku shkrimtari do të merrte, në një garë të bukur me gjashtëqind autorë nga tridhjetë e pesë vende të botës, mes më në fund tetëmbëdhjetë finalistëve të përzgjedhur për ndeshjen finale (disa fitimtarë të Nobel-it), çmimin e parë “Man Booker International”. Ambasadorit shqiptar, përveç të priturës se shumë shqiptarë të emigruar në Britani dëshironin të qenë të pranishëm në sallën e veprimtarisë, ku të gjitha vendet me kohë ishin parazënë (dhe ai ja doli sërish t’ua plotësonte dëshirën), u emocionua shumë nga mënyra se si Ismail Kadare, pasi pak çaste më parë kishte vizituar në qendër të Edinburgut Kështjellën e Hamletit, në fjalën e tij bëri një përqasje plot mall me kalanë e Gjirokastrës, vendlindjes së tij. Të nesërmen titujt e faqeve të para të “The Independent”. “The Guardian”. “The Times” lajmëronin praninë e tij, gjithçka që kishte thënë. Ato vinin në dukje se shkrimtari shqiptar i kishte dhënë frymë veprës së tij në gjuhën angleze që në vitin 1971 me “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, më pas me “Prillin e thyer”, “Ura me tre harqe”. “Dosja H.”, “Tri këngë zie për Kosovën”, ....

oooo

Në paraditen e 20 shtatorit 2003 Leonidha Mërtiri, ambasadori i Repubikës së Shqipërisë në Bukuresht, mori makinën e tij të parë dhe u nis për në aeroport. Do të priste Ismail Kadarenë. Ishte Lidhja e Shkrimtarëve Rumunë, e cila ditë më parë e pati vënë në dijeni se për shkrimtarin e njohur të vendit të tyre do të kishte një çmim shumë të rëndësishëm. Ai do të jepej në një veprimtari të organizuar në qytetin bregdetar të Kostancës dhe qenë ftuar në të shumë shkrimtarë nga rajoni e kontinenti. Kryetari i Lidhjes qe një i njohur i Mërtirit, madje ato ditë edhe në prag të emërimit si Sekretar Shteti në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rumanisë për Çështjet e Kulturës. Pasi kishte marrë njoftimin e parë me telefonatë, pa pritur mbërritjen e ftesës, ambasadori pati telefonuar në Paris Kadarenë. Ky e pohoi ngjarjen dhe tha se do të vinte më 20 shtator, paradite, në aeroportin e Bukureshtit.
Tek e priste në krah me një grup të Lidhjes së Shkrimtarëve Rumunë Leonidha Mërtiri mendonte se Ismail Kadare mbase e kishte të mjegullt emrin e pamjen e tij. Ndoshta sadopak mund ta ndihmonte një kujtim i vitit 1989, kur ndërsa punonte si diplomat i rëndësishëm në ambasadën tonë në Beograd, pati shoqëruar për në qytetin e Borit Dritëro Agollin dhe Kadarenë. Bori ishte një qytet minatorësh dhe në të qenë ftuar nga Ballkani mjaft njerëz të kulturës. Dy shkrimtarët e talentuar Mërtiri i kishte ftuar më pas në shtëpi për drekë dhe sigurisht atmosfera intime e atyre çasteve, siç i kishte mbetur thellësisht atij në kujtesë, mbase ndonjë gjurmë pati lënë edhe tek dy shqiptarët e mëdhenj. Tek Ismail Kadare këtë gjë e dëshironte dhe e shpresonte shumë. Kështu ndjeu emocion të fortë tek e pa të zbriste shkallët e avionit dhe vinte drejt pritësve. Shoqërohej nga një zonjë, e cila shumë shpejt do të prezantohej. Qe shkrimtare belge dhe ishte një nga të ftuarat në veprimtarinë e Kostancës.
Të gjithë shkëmbyen me gëzim shtrëngimet e duarve. Kur u takua me Leonidha Mërtirin Ismail Kadare e pyeti se si qe me shëndet zonja e tij. Ambasadorit iu mblodh një lëmsh gëzimi dhe pikëllimi në fyt. Kadare e mbante mend ngjarjen e Borit dhe sidomos drekën në shtëpinë e tyre në Beograd. I kujtohej e shoqja, ajo që i gostiti me gatimet e saj dhe që tashmë nuk jetonte më. E kishte tretur dhe humbur jetën e saj në një aksident të dhimbshëm. Mërtiri i tha shkrimtarit “Faleminderit!” dhe asnjë fjalë më tej. Kur erdhi çasti që Ismail Kadare të hipte në makinë e prej aeroportit të merrnin rrugën e gjatë gati katër orësh për në qytetin ku do të niste që atë mbrëmje aktiviteti, ambasadori ia ofroi udhëtimin me makinën e tyre. Mjeti me të cilin kishin dalë ta merrnin njerëzit e Lidhjes qe shumë e ulët, e tejpërdorur dhe me siguri do t’ia shtonte Ismail Kadaresë lodhjen e atij udhëtimi të nisur atë ditë që nga Parisi. Por shkrimtari u përgjigj se për respekt të organizatorëve, edhe sikur t’i binin rrotat rrugës, do të ulej në makinën e miqve rumunë. Atëherë Mërtiri e kuptoi se do të qe më e udhës ta bënte bisedën me pritësit vendas dhe kur ua tha dëshirën ata ranë dakord menjëherë. Vetëm këtë moment Kadare u bind, veç shtoi se kishte me vete edhe kolegen belge. “Patjetër edhe për të ka vend në makinën tonë“, brofi tërë entuziazëm ambasadori shqiptar dhe kështu dolën pa u vonuar nga aeroporti. “Po të jetë e mundur”, u lut shkrimtari, “t’i bëjmë një shikim të shkurtër Bukureshtit?” E thënë e bërë. Makina e parë e ambasadorit të Shqipërisë riktheu për në kryeqytet dhe pa dalë nga makina Ismail Kadare pa gjithçka sa mundi. Më pas u nisën për në Kostancë. Rrugës shkrimtari iu rikthye një mbrese që kishte pasur në atë vështrim të shpejtë të kryeqytetit rumun: kishte shumë pak ndërtime të reja. Kjo për të donte të thoshte se në Tiranë gjithçka ndryshonte me shpejtësi. Pikërisht në atë udhëtim Kadare rikujtoi vizitën e tij dhe të Agollit në qytetin e Borit si edhe drekën. Duke i lënë herë pas here vend një bisede të mirësjellshme me shkrimtaren belge, e gjithë e folura tjetër u bë për Shqipërinë. Më shumë se ambasadori qe Ismail Kadare që e shtynte kuvendimin në atë drejtim.
Ishte ora nëntë e mbrëmjes kur mbërritën në Kostancë dhe shkrimtari la çantën e udhëtimit në dhomën e hotelit. Ajo qe fare e thjeshtë. Kur Leonidha Mërtiri hapi derën e frigoriferit pa se brenda qe krejtësisht bosh. E porositi menjëherë shoferin të kërkonte ndonjë dyqan të hapur e të blinte disa lëngje e ndonjë ushqim të nevojshëm. “Dua vetëm ujë“, ndërhyri me zë të ulët e të butë Kadare, “Vetëm pak ujë!” Duke qenë se vërtet ishte tepër vonë për të blerë ndonjë gjë në treg frigoriferi i dhomës së shkrimtarit të madh “u mbush” vetëm me dy shishe plastike me ujë. Më në fund pas pak minutash Ismail Kadare dhe Leonidha Mërtiri zbritën në katin e parë dhe hynë në sallën ku që atë mbrëmje do të niste veprimtaria. Në mjedisin e madh ende kishin ardhur fare pak nga shumë të ftuarit. Mes të rrallëve binte në sy vetëm një burrë dhe një grua që të ulur në ndenjëset e larta bisedonin buzë banakut të një bar-i. Ambasadorit shqiptar nuk iu desh shumë ta njihte. Qe i famshmi disident antikomunist rumun, më i madhi mes tyre, poeti Mirçea Dinesku. Në fund të vitit 1988 prej qëndrimit të tij kritikues ndaj Çausheskut qe arrestuar dhe më pas përfunduar në arrest shtëpiak. Në fillim të vitit 1989 Mirçea kishte botuar në të përditshmen franceze “Liberation” një artikull kundër totalitarizmit në vendin e vet, shkrim që jehonoi në disa vende të Evropës Perëndimore, veçanërisht në Gjermani, Holandë, Suedi...Mbi gjendjen e rëndë në Rumani ai qe një zgjim i plotë i opinionit publik ndërkombëtar. Kur po atë vit 1989 shpërtheu revolucioni Mirçea Dinesku ishte në rreshtin e parë të protestuesve që hynë dhe morën nën kontroll radiotelevizionin shtetëror.
Disidenti rumun thjesht me kërshëri për të parë se cilët hynë në sallë ato çaste ktheu kokën nga ta. Pastaj gjithçka tjetër ndodhi si me një film negativ të futur në solucion, ku pamjet shfaqen shpenguar njëra pas tjetrës. Mirçea Dinesku u hodh nga karrigia e tij e lartë dhe frymën e ndali para Ismail Kadaresë. Aty hapi krahët si për t’iu lutur qiellit dhe ra në gjunjë. Shkrimtari shqiptar u duk i hutuar, jo më pak u nemit Leonidha Mërtiri. “Është ëndërr apo zhgjëndërr!”, thirri Dinesku, “Jam para Ismail Kadaresë apo më bëjnë sytë?”
Kadare vuri buzën në gaz. Ndërkohë ishte afruar edhe bashkëbiseduesja e Dineskut. Ajo zgjati dorën vrullshëm dhe u prezantua. Qe e shoqja. Leonidha Mërtiri edhe pse nuk e kishte takuar asnjëherë dinte që ajo ishte një shumëgjuhëshe e njohur në vendin e vet. Por ku linte radhë Mirçea! E mori prej krahu Ismail Kadarenë dhe të ndjekur nga pas prej bashkëshortes dhe ambasadorit shqiptar, e futi me forcë në kuzhinë. Ua paraqiti një për një gatuesve dhe u tha se për atë shkrimtar të famshëm të botës duhej të përgatitnin mezet më të mira e të shijshme të globit.
Veprimtaria e Kostancës atë mbrëmje nisi kur salla u mbush plot me shkrimtarë nga Ballkani, por ku nuk mungonin edhe nga Evropa e deri prej Izraelit. Leonidha Mërtiri atë ditë takoi shumë emra të njohur. Një çast Kadare e prezantoi me një shkrimtar serb, të cilin ambasadori shqiptar tha se e njihte që prej kohës kur punonte në Beograd. Kjo i pëlqeu Kadaresë. Aktiviteti i Lidhjes së Shkrimtarëve Rumunë vijoi edhe të nesërmen, më 21 shtator. Më 22 shtator shkrimtari gjendej në mjediset e ambasadës shqiptare në Bukuresht ku vajza e vogël, pesëvjeçarja Eva, i dhuroi një tufë me lule dhe ndryshe nga sa kishte premtuar, pra të bëhej trime e të rrinte aty edhe për një foto, ja mbathi nëpër shkallë. Në atë pak kohë sa qëndroi në seli ai i përgëzoi diplomatët dhe bëri me ta fotografi. Pastaj dolën nëpër Bukuresht. Sërish tek shihnin vetëm ndërtesat e ngritura dekada më parë Ismail Kadare përsëriti frazën “Mendoni sa shpejt po ecim ne! Shqipëria fluturon”.
Pasdite ambasadori e shoqëroi me makinën e tij të parë gjer brenda në aeroport. Tek shkrimtari u nis për të ngjitur shkallët prej një grupi të huajsh që pritnin radhën dikush tregoi me dorë në drejtimin e tij. Pastaj nisën të flitnin e shqiptonin emrin e tij.
Më 23 shtator, siç edhe kishte ndodhur më 20, 21 dhe 22, titujt e faqeve të para të gazetave më të mëdha rumune flitnin për të, citonin çfarë kishte thënë. Prej të ftuarve në veprimtarinë e Kostancës Ismail Kadare qe më tërheqësi, më i adhuruari, më mediatiku.
Raportin për këtë ngjarje Leonidha Mërtiri nisi ta përgatisë që atë mbrëmje. E kishte nisur informimin për në Tiranë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, kur i ra telefoni celular dhe në ekran pa emrin e njërit prej funksionarëve të Kryeministrisë. Pas fjalëve të para zëri i përtejmë në receptor tha se me siguri në ditët e tij në Rumani Kadare e kishte sharë qeverinë shqiptare.
Ambasadori iu përgjigj me një “jo” të shkurtër. Pastaj shtoi disa fjalë pas të të cilave në zërin që vinte nga zyra komode e administratës qendrore ra heshtje.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com