Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Zbulimi i vonuar: Kështjella Skënderbeu në Itali.


(Botuar në 1 gusht 2010 në “Gazeta Shqiptare”, shtojca kulturore “Milosao”.

Para majit 2008 kisha dëgjuar jo për një por disa Pallate Skënderbeu, të cilët ekzistonin matanë bregut të detit, në Leçe dhe qytezat e shumta pranë saj, por duke qenë se jo rrallë bartësit e këtij informacioni, të gjithë italianë, emërtimin pallat pa ndonjë shpjegim e zëvendësonin lehtësisht me fjalën kështjellë, mu topit kërshëria. Dyshoja në se qe e vërtetë dhe duhej harxhuar kohë për këtë trill. Ndërkohë zhurrmnaja thoshte se një i tillë ishte shembur gjatë kohës së fashizmit, një tjetër rrënuar dy shekuj më parë, se vila në Leuka me pronar të dikurshëm Kastriotë ishte një ndërtesë e viteve një mijë e tetëqind.
Në të gjitha rastet kumtdhënësit bënin fjalë për ndërtesa të mëdha dhe madje fortesa ku patën jetuar realisht pasardhësit e Skënderbeut, sepse dihet që pas vdekjes së Gjergjit djali i tij i vetëm Gjoni dhe e veja, Donika, emigruan në Mbretërinë e Napolit në Italinë e jugut. Pasardhësit e mëvonshëm mbijetuan po aty, pa u rikthyer kurrë në Shqipëri.
Asnjë historian shqiptar dhe madje i huaj, për aq sa për vite të tëra pata lexuar, nuk kishin dëshmuar ose të paktën ngulur këmbë për prani në Itali të objekteve të tilla, pra pallatesh-kështjella. Gjithnjë për aq sa njihesha me çfarë patën shkruar edhe dijetarët arbëreshë po ashtu historia e pallat-kështjellave Skënderbeu nuk ngjante fort e besueshme. Me emrin e tij bashkëkombësit tanë të pesë shekujve më parë kanë emërtuar e thërrasin gjithçka, që nga verërat, skuadrat futbollistike apo të grupet muzikore e vallzonjëse, po ashtu pa fund kanë hotele antikë e modernë. Veç jo se aty kanë jetuar asnjëherë Kastriotë.
Të gjitha këto nëpërmendje kur më në fund në maj 2008 me një mosbesim të pa fikur mora rrugën për të parë një pallat-kështjellë të tyre, u thërrmuan menjëherë sapo ajo grehinë bëri ballë. Ndodhej në qytetin e Galatinës, në zemër të saj, në anë e në ballë të sheshit qendror.
Këtë ngjarje do të tregoj tani, i sigurt se mosbesimin dhe ngathtësinë time të paradokohshme nuk do ta kenë lexuesit dhe në rastin të parë do të vrapojnë atje ku gjithçka kanë për ta parë me sytë e tyre.


ooo

Gjatë vitit 1461 dhe veçanërisht atij 1462, pasi ja doli të bëjë një paqe të gjatë me Mehmetin II, sulltanin më të fuqishëm të perandorisë osmane, me gardën e tij si edhe trupa të tjera të zgjedhura Skënderbeu zbarkoi në Itali dhe e ndihmoi zotin dhe aleatin e tij, mbretin Ferrante të Napolit, të frenonte dhe më pas shpartallonte rebelimin e një grupi feudalësh vendas, kundërshtarë të vjetër të tij dhe të dinastisë spanjolle Aragona, të cilës i përkiste edhe vetë Ferrante. Si shpërblim mbreti i fali Gjergj Kastriotit dy prona jo të vogla, dy feudo shumë të bukura, jo fort larg nga buzëdeti. Quheshin Monte Sant’Angelo dhe Giovanni Rotondo dhe ndodhen në krahinën e Garganos, më shumë se njëqind kilometra mbi qytetin e Barit. Kjo ndodhi në prill 1464 dhe sipas studiuesit Giancarlo Vallone, ndoshta njohësi më i mirë i jetës së Kastriotëve në Itali, në këtë ceremoni duhet të ketë qenë personalisht edhe vetë Skënderbeu. Edhe pse ai për sa jetoi ka kryer vetëm tre udhëtime pune në Itali asnjëherë tjetër nuk është parë në pronat e vetaj. Para se Gjergj Kastrioti të ndërronte jetë në Monte Sant’Angelo, në 5 shkurt 1464, siç pohohet nga një dokument, regjistrohet një prani e të shoqes së tij, Donikës. Sigurisht këto dy feudo italiane me të zotët përtej detit, madje këta të përfshirë në një luftë të pa pushuar me ushtritë pushtuese osmane, i administronin të ngarkuar prej tyre.
Pas vdekjes së Skënderbeut në 17 janar 1468, një kërkese të Donikës e cila bashkë me të birin dhe disa të veja komandantësh shqiptarë të vrarë në rezistencë dëshironin të shkonin përkohësisht në Itali, më 23 shkurt 1468 nga Ferrante i mbërriti përgjigja pozitive. Një anije e dërguar posaçërisht në fund të majit, por jo më parë, i mori dhe i zbarkoi në brigjet italiane dhe më 27 gusht dëshmohet se të dy Kastriotët e mbetur, mëmë e bir, janë të strehuar në kushte shumë të mira dhe nën kujdesin e plotë të mbretit të Napolit në Santa Chiara, në banesën e juristit të njohur vendas Pietro Cola d’Alessandro.
Djali tashmë jetim, Gjoni, ende nuk i ka mbushur të dymbëdhjetat. Ai mërgim i dhimbshëm më shumë se për të ëmën, me porosi dhe amanet të Skënderbeut pak minuta para se të ndërronte jetë, qe kryer për të. Ai ishte trashëgimtari i principatës së tyre dhe pasonjësi i vetëm në familje i veprës së të atit. Ruajtja e jetës së tij qe e rëndësisë shumë të veçantë. Edukimi i tij me dije humaniste, me aftësi udhëheqësi politik dhe të artit ushtarak ishte detyra dhe misioni numër një i të ëmës. Në Itali të dy Kastriotët kishin shkuar vetëm me një qëllim: prej andej të vazhdonin luftën e madhe të qëndresës. Rikthimi në trojet e tyre do të ishte sa më i shpejtë.
Dihet që ngjarjet nuk u zhvilluan në këtë kahje, por morën shtigje të tjera. Donika shumë shpejt do të vendosej pranë oborrit të mbretit dhe do të hynte në rrethin më të ngushtë të tij. Sipas studiuesit Giancarlo Vallone dokumente të viteve 1488, 1496 dhe 1497 provojnë se ajo gjendet vazhdimisht në Napoli. Më pas Donika do të zhvendoset në Spanjë, ku edhe do të ndërrojë jetë në një ditë ende të pasaktësuar deri tani, por që është ndërmjet marsit dhe shtatorit 1505. Si pikë kontakti me të dy feudot në krahinën e Garganos deri tani asaj i është gjetur vetëm një dokument. E ka lëshuar nga Napoli dhe i drejtohet bashkësisë së Monte Sant’Angelo për të paguar taksën e kripës.
Kështu për 21 vite Kastriotët të dy pronat e tyre i qeverisin nga larg, pothuaj pa u njohur as si pamje prej banorëve. Në Napoli Donika bën emër të madh si një grua me mençuri dhe identitet moral të jashtzakonshëm, kurse i biri mbetet anonim. Po mbushte tridhjetë vjeç kur fati i të qenit sadopak protagonist i mbrothi. Më 2 gusht 1485 mbreti Ferrante ai ia hoqi Kastriotëve dy feudot e mëparshme dhe u dha dy të tjera. Këtë herë ato ndodheshin shumë më në jug të qytetit të Barit, madje poshtë Leçes. Janë feudot e Soletos dhe të San Pietros në Galatinë. Dokumenti pronësor i është lëshuar Gjonit me statusin e kontit. Për tashmë tridhjetëvjeçarin që është bërë zot kjo do të thotë një zhvendosje të paktën treqind kilometra më poshtë, në një hapësirë tamam në fund të thembrës së “çizmes” të gadishullit italik, fare afër qytetit të Otrantos. Kjo po ashtu do të thotë se të dy pronat e reja të Kastriotëve ndodhen në distancën më të afërt me Vlorën, portin e pushtuar prej shumë dekadash nga turqit dhe ku po përgatitej për të kapërcyer detin një armatë me 18 mijë ushtarë të stërvitur mirë dhe një flotë me 150 anije. Kjo ngjau vërtet në 18 korrik 1480, por pas disfatës së parë italianët u mbrojtën mirë. Midis tyre luftoi edhe Gjon Kastrioti, tanimë i dalë nga anonimati dhe i ndjerë sadopak në kronikat vendase. Ai madje realizoi në portin e Vlorës një aksion diversioni i cili për nga shkathtësia luftarake mund të jetë nga më inteligjentët e atyre viteve të ndeshjes me osmanët. Kështu pas disa muajsh turqit u flakën në det. Porse kanosja myslimane tashmë qe edhe më e fortë, alarmi më i madh. Pikërisht për këtë arsye, katër vite pas betejës së Otrantos, mbreti Ferrante e zhvendosi Gjon Kastriotin, të birin e antiturkut më të paepur të Ballkanit, në këtë brez kufitar. Këtu mjaft nga qytezat kishin emigrantë shqiptarë, të gjithë të ikur nga trojet amtare me një mosdashje të dukshme ndaj osmanëve dhe fesë së tyre. Në të gjithë atë hapësirë Galatina, një qytet i gjallë për nga jeta urbane dhe mjedis i zhvilluar kulturor, shqiptarë kishte jo pak. Në një farë mënyre qe një qendër e tyre, një lloj “kryeqyteti”.
Ndërsa të ëmën e la në Napoli Gjon Kastrioti u vendos pikërisht në Galatinë. Më 25 tetor 1496, njëmbëdhjetë vite më vonë nga dhënia e dy feudove të reja dhe titullit kont, ai fitoi statusin e lartë të dukës. Gjoni tashmë qeë dukë i Galatinës dhe kont i Soletos, pra një njeri i fuqishëm. Edhe pse me të atin nuk ngjan në asnjë dhunti për të qenë strateg ushtarak dhe lider politik, si organizator veprimesh luftarake të nivelit të vogël ai ka talent të vërtetë. Profesor Vallone, i cili prej dekadash e njeh dhe kërkon përherë dokumente rreth identitetit të tij, ngul këmbë se Gjon Kastrioti është po ashtu një ushtar i mirë dhe më kryesorja ka adhurim për mbretin, mikun e të atit. Ai është besnik i tij. Kjo në momente të vështira i ka shërbyer që nëpërmjet ndërhyrjeve autoritare të Ferrantes të kapërcejë kontradiktat e përhershme me klasën e pasur qytetare të dy feudeve të tij. Sepse për shkak se qe i huaj, por ndërkaq nga që nuk kishin simpati as për mbretin spanjoll, elita fisnike vendase e refuzuan për shumë kohë ta kishin Gjonin zotin e tyre. Ndërkaq ky ishte prepotent dhe i ashpër, njeri të cilit buza i qeshte rrallë. Nuk duket se ka lënë përreth ndonjë hije dashamirëse edhe e shoqja e tij princesha serbe Erina Brankoviç, por këtë temë në këtë shkrim të mos e ngasim më thellë, duke ja lënë rrëfimin një çasti tjetër.
Gjon Kastrioti ka prirje shpërdorimesh pushteti, ndonjëherë edhe më shumë se kaq. Ai njëherë banorët galatinas të futur në Mitropoli para rezidencës së tij, patjetër në një protestë, i qëlloi prej saj me top. Njëherë tjetër një kontingjent ushtarësh spanjollë të ardhur në Galatinë i lejoi që për pesëmbëdhjetë ditë të plaçkitnin qytetin. Kjo ndodhi më 1504 dhe qe aq shumë e rëndë sa Gjon Kastrioti ja mbathi dhe u strehua në feudin tjetër, në Soleto. Për ta zbutur këtë marrëdhënie të acaruar mes të birit dhe galatinezëve Donika e mençur dhe shpirtmadhe u bëri atyre në mars 1505 dy letra ndjese, po ashtu edhe vetë Gjoni një të tretë, si kofini pas të vjeli, e megjithatë asgjë pothuaj nuk ndryshoi. I biri i vetëm i Skënderbeut të njohur në ato vise për sjellje të mira, vdiq në qytezën e Kanosës, mundet në 25 shtator të po atij viti.
Por bashkë me disa probleme, si edhe përfolje se kishte pasur edhe fëmijë jashtëmartesorë, ai la pas pesë pinjollë të ligjshëm. Këta qenë Gjergji, Kostandini, Federiku, Ferrante dhe Maria.
Ilegalisht, pra nga njëra gojë tek tjetra, një pjesë intelektualë, disa në viset tona dhe të tjerë të emigruar nëpër vende të huaja, kanë mbajtur të gjallë këto kohë thashethemin e bujshëm, sipas të cilit Skënderbeu ka pasur probleme të impotencës seksuale. Dikush ka shkuar edhe më larg, madje në një shkrim të tij në një të përditshme të madhe shqiptare hamendjen e vet edhe e ka “fshikur” lehtas, midis rreshtave, pa guxuar ta thotë troç. Gjithsesi fakti që Gjergj Kastrioti me martesën e vonuar me Donika Arianitasin bëri vetëm një djalë në 1455 dhe pastaj nuk lindën më, ndërsa e shoqja në të vërtetë qe me shëndet të plotë për të qenë e begatë, nuk është aq autoritar sa ta shtysh më tej e të besosh këtë ide provokuese. E cekëm shkurt një temë të tillë jo për t’i çelur Skënderbeut një shoulajm, por sepse jemi duke rrëfyer për të birin e tij të vetëm Gjonin, për pesë fëmijët e tij të ligjshëm dhe Galatinën, qytezën italiane të mbajtur për shekuj me radhë jashtë vëmendjes së shqiptarëve.
Për lexuesin me siguri është e qartë që Kastriotët kanë prirjen të lindin natyrshëm fëmijë, pa ndonjë pengim gjenetik. Veçanërisht ata janë të zotë të sjellin në jetë meshkuj. E theksojmë këtë gjë sepse pikërisht këtu, në vijimësinë e trashëgimisë, u ka ndodhur dëmi dhe ne ua kemi kthyer në hata. Është thënë dhe po ashtu shkruar, këmbëngulur fort, se në linjë mashkullore dera e Gjergj Kastriot Skënderbeut është mbyllur dhe prej këtej tek shqiptarët janë bërë të gjitha përpjekjet, pse jo edhe intrigat, për ta ndërprerë kontaktin dhe njohjen nga afër me pasardhësit e heroit të tyre dhe të Evropës, edhe pse këta rridhnin natyrshëm, pra duke mos qenë të ligjshëm qenë pasardhës natyralë të Skënderbeut.
Kur Gjergji dhe Donika lindën që në fillim një djalë me siguri kanë gjykuar se në ato rrethana kaq u mjaftonte të siguronin vijimësinë e trashëgimisë së tyre për të mos i shtuar vetes në të ardhmen telashe të luftës brenda llojit (me të lindur Gjoni nipi Hamzai, një talent ushtarak e lideri politik, i tradhëtoi). Kur më pas i biri i vetëm lindi katër meshkuj sigurisht qe shumë herë më i sigurt se i ati që familja e tyre tashmë shumë e famshme do ta vazhdonte e trashëgonte emrin dhe pasurinë, kurorën princërore dhe në çastin më të mundshëm atë mbretërore. Gjoni qe me edukatë të rrënjosur fort që nga i gjyshi, emrin e të cilit kishte marrë, krijues ky i katër djemve dhe i pesë vajzave. Tek Kastriotët ka qenë mision jete të fituar pozicionin e të parit dhe e më të fuqishmit. As Skënderbeu nuk e ka fshehur sa qe gjallë që e lakmonte lartësinë e mbretit. Ai bëri shumë për të mbërritur deri atje, edhe pse qëlloi i pafat prej shumë rrethanave ndërkombëtare.
Kështu Gjoni i cili të paktën njëzetë vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Galatina ka qenë i bindur se misionit jetik të familjes së tyre ja ka dalë që me fëmijën e parë, të cilit edhe emrin ja zgjodhi qartësisht: Gjergji. Mirëpo fati jo përherë të ndihmon, ai është mjeshtër i të papriturave. Gjergji i dytë mori drejtimin e një jete, e cila po të rrëfehet për aq sa deri tani në arkivat italiane është zbuluar, të lë me gojë hapët. E gjithë trajektorja e trazuar e tij përfundoi në Stamboll (Kostadinopojën e turqizuar). U bë mysliman dhe kështu u këputën përfundimisht fijet e lidhjes me traditën familjare. Jeta e djalit të dytë, Kostandinit, një prift i krishterë shumë i mençur, u mbyll me një vdekje në moshën 21 vjeçare. Nuk dihet viti, po mjaft i ri ndërroi jetë edhe djali i tretë i Gjon Kastriotit, Federiku. Kështu shpresa mbeti tek i katërti dhe i fundit i ligjshëm: Ferrante. I ati i kishte vënë emrin e shumë të adhuruarit prej tij mbretit të Napolit, i cili nuk jetonte më që prej vitit 1496. Në një farë mënyre qe një akt kujtimi dhe nderimi për të.
Kështu ky djalë, pra i fundit, mori mbi vete, donte nuk donte, të gjithë përgjegjësinë për vazhdimësinë e familjes Kastrioti. Mbase nuk ishte për t’u alarmuar, sepse ky qe rast i përsëritur. E njëjta gjë pati ndodhur, veç me sukses, edhe tek fëmijët e Gjonit të parë. Mes katër meshkujve Gjergji (Skënderbeu i mëpasshëm) kishte qenë fëmija më i vogël.
Pra Ferrante mund të mos druhej nga pasuksesi. I martuar me bijën e një dere të pasur dhe fisnike të krahinës, Adriana Aquaviva, lindi një djalë. Kastriotët edhe njëherë tjetër dëshmuan se janë të bollshëm me nxjerrjen në jetë të meshkujve. Sipas rregullit suprem të familjes Ferrante të porsalindurit ja vuri emrin Gjergji. Kështu u shënua në pemën e tyre gjenealogjike vazhdimësia e kurorës, e pasurive, titujve, famës së madhe. Mirëpo Gjergji i tretë nuk do të jetonte më shumë se dhjetë vite. Prirja e një pjese të Kastriotëve për të vdekur në moshë të re autorin e këtyre radhëve e ka ndihmuar në ndjekjen e fatit të pasardhësve të Skënderbeut në Itali, temë për të cilën ka shkruar me kohë, duke mbrojtur idenë jo zyrtare se ata janë gjallë dhe jo të shuar.
Duke qenë se pikërisht në “Gazeta Shqiptare” dy vite të kaluara kam botuar një shkrim të hollësishëm për fatin e fëmijëve të ligjshëm të Ferrantes (dy, Gjergji dhe vajza Erina), si edhe atyre jashtëmartesorë me të paktën tre gra të ndryshme, por gjithsesi natyralë (shtatë djem dhe katër vajza), po e ndërpres këtu rendjen e po rikthehem tek ajo që premtuam në fillim: pallati-kështjellë i Kastriotëve në Galatinë.

ooo

Kur në atë maj 2008 e pashë me sytë e mi mbeta i befasuar. Ekzistonte. Qe godina më e madhe në qendër të qytetit. Ishte mezi i tre shesheve: Piazza San Pietro, Piazza della Pupa, Piazza Alighieri. Ishte zemra e zemrave të Galatinës. Në ballë të saj, në faqen e përparme, me germa të mëdha qe shkruar Castello Castriota Scanderbeg, pra Kështjella e Kastriotit Skënderbe. Iu luta fatit, në mos edhe Zotit, që për atje më kishte shtyrë profesor Giancarlo Vallone dhe veçanërisht Alessandro Castriota Scanderbeg, një pasardhës i heroit tonë dhe mjek shumë i njohur. I kisha aty ato çaste edhe për të më lehtësuar me çdo shpjegim, madje Alessandro qe bashkë me të shoqen, belgen Tulkens si edhe dy vajzat e tyre të vogla.
Prej fotografive shoqëruese të këtij shkrimi edhe lexuesit pamja do t’i duket si e një pallati të zakonshëm. Jemi mësuar, ca më shumë nën ndikimin e historisë së jetës dhe veprës së Skënderbeut, se kështjellat janë maja të fortifikuara malesh apo kodrash të thikta. Në Shqipëri nuk gjen fortesa në fushë. Veç në Itali kjo ndodh, po ashtu edhe në vende të tjera. Pallati Castriota Scanderbeg në Galatinë qe edhe kështjellë. Mjaftonte jo vetëm emri i shkruar në ballë tè godinès, por që nëpërmjet të diturit Vallone të riktheheshe në kohë pesë shekuj të shkuara dhe po ashtu të hyje brenda ndërtesës së madhe, të depërtoje në të fshehtat e saj. Në fillim u njohëm me portën kryesore historike. Ajo qe në krahun e kundërt të anës ku ishin shkruar germat e mëdha të emrit dhe ku ishte hyrja aktuale, ajo moderne. Tek porta historike, e cila shihte nga pjesa e vjetër e Galatinës dhe dilte menjëherë edhe në oborrin e kishës kryesore më të vjetër të qytetit, kishës mëmë si i thonë italianët, mund ta ndjeje veten në atmosferën e madhështisë së dikurshme. Pallati-kështjellë kur këtu jetonin Gjoni dhe më pas Ferrante Castriota qe në skaj të qytetit. Shekuj të shkuar andej nga qe hyrja e tanishme nuk ekzistonte asnjë banesë. Kështu ajo ishte edhe kufiri verior i Galatinës. Qyteti shtrihej nën të, “në gjunjë”. Ky pallat qe ndërtuar në vitet 1300 dhe para se mbreti Ferrante t’ia dhuronte Skënderbeut e kishin pronë familja shumë e fuqishme vendase Orsini Del Balzo.
Kur u ndodhëm në oborrin e brendshëm të hyrjes historike mbi krye të portikut pamë një stemë. Nuk qe e Kastriotëve dhe u trishtuam. Vallone sqaroi se pas vdekjes së Ferrantes dhe kur trashëgimtarja e ligjshme e tij, Erina, u martua tek dera fisnike e Sanseverinëve, pas një periudhe jo shumë të gjatë ende pronë e Kastriotes dhe e të shoqit, pallatin e pati blerë familja gjenoveze Spinola. Sipas rregullit ajo duhej ta hiqte stemën e pronarit të mëparshëm dhe të vinte të vetën. Ajo që fotografuam dhe po ja paraqitim lexuesit bashkë me këtë shkrim është pikërisht stema e Spinolajve. Të njëjtën gjë kishin bërë pasardhësit e mëvonshëm të Kastriotëve të shkuar ca kohë në Napoli e më pas të rikthyer në Leçe, degë të cilës i përkiste edhe mjeku Alessandro. Rezidencën e tyre dy shekuj të shkuara e kishin blerë në qytezën Rufano, jo shumë larg nga trojet e feudeve të tyre të dikurshëm Galatina dhe Soleto. Ajo është një ndërtesë antike e tipit gjysmëkështjellë, me oborr të madh të brendshëm, dy kate të lartë e salla të mëdha pritjeje. Dyqind e kusur vite shkuar Kastriotët patën prishur stemën e ish-pronarëve dhe vendosën të tyren. Është një shqiponjë e madhe hijerëndë. Atje kam shkuar disa herë, shumë e shumë kohë para se të bindesha për të mos dyshuar që në atë krahinë gjendej një surprizë, një pallat mjaft herë më i madh se ai i Rufanos, pallat-kështjellë e rezidencë disa dekadëshe e birit dhe e nipit të Skënderbeut.
Kur iu drejtuam anës tjetër të pallatit, atje ku edhe hyrja si edhe shkallët rrotulluese impononin kohë moderne, kuptuam se po hynim në një hotel. Poshtë germave të emrit të heroit tonë gjendeshin në anglisht Suites&Apartament. Kujtimi në Itali i qe shndërruar në joshje turistike. Që në dhjetë minutat e para fiksuam në kujtesë të dhënat kryesore të atij transformimi. Pallati i Kastriotëve tashmë ishte pronë e tre italianëve, dy vëllezërve Maxhoni dhe e një tjetri, atij që e pati kthyer në bujtinë bashkëkohore. Ky kishte dyzetë përqind të godinës. Qe një njeri me natyrë të gëzuar dhe nuk i mungonte dhuntia e italianëve, të fliste e fliste, me këmbë e me duar. Quhej Xhuzepe. Tek na shoqëronte për të shpjeguar mrekullinë e rikonstruksionit të brendshëm pa prishur asnjë nga identiteti i mjediseve të dikurshme, një çast thirri për ndihmë të birin. Pier Antonio erdhi duke rendur. Qe natyrë artistike dhe kishte dhunti të pikturuarin. Shpjegimet i kishte mjaft të qarta. Megjithatë për fat pranë kishim profesor Vallonen. Është mjeshtëria e tij që në prani të dy bashkëkombësve të vet të prirë për modernistet e turizëm për sa kohë vizituam atë pallat nuk u shkëputëm nga historia e ndodhur katër shekuj më parë. Giancarlo Vallone e di që rëndësi mbi rëndësi ka Skënderbeu dhe epoka e tij e jo çmimet e dhomave të fjetjes.
Ndërkaq Xhuzepe një çast, ndërsa askush nuk e pyeti, ai shqipton “Ferrante boia!” Kjo në shqip do të thotë “Ferrante xhelati!” E kapërcejmë këtë situatë me humor, duke i thënë italianit të shkathët se natyra disi e ashpër e Ferrantes nuk mund ta rrëzonte deri në marrjen e atij epiteti. Prepotentë atë kohë dhe shumë më pas, shtojmë, qenë edhe mjaft kontë, dukë e princër italianë. Pastaj thamë një fjalë edhe për padëshirën e galatinezëve për të pranuar si pronar një shqiptar, pra një të huaj...Xhuzepe vuri buzën në gaz dhe kështu na erdhi sërish radha për t’i bërë një ironi. E ngacmojmë mos ndoshta ai duke e theksuar (pa ja kërkuar njeri) përcaktimin “Ferrante xhelat” bën si me historinë e Kontit Drakula në Rumani, edhe ai bashkëkohës i Skënderbeut. Pra rriste forcën joshëse të turistëve. Me të dëgjuar këto Xhuzepe sërish nuk e prishi gjakun dhe kështu na dha një lehtësim të ri për t’i bërë një qortim: përse në hyrje apo në brendësi të hotelit të tij modern, pra të pallatit të dikurshëm të Kastriotëve, famë që e trashëgonte dhe e përdorte edhe ai me germat e emrit në faqe të ndërtesës, nuk kishte në mos një pikturë të paktën një foto të Skënderbeut. Këtu Xhuzepe u ndje keq dhe në ndihmë ndërhyri i biri. Premtoi se do ta pikturonte dhe do ta vendoste në mur, madje në një nga dhomat kryesore martesore të hotelit.
Vetëm kur e mori mirë veten, pra ndonjë një çerek ore më vonë, Xhuzepe tha se do të qe mirë për të, por edhe për qeveritarët shqiptarë që të vinin e flinin një natë në ato dhoma, në pallatin e heroit të tyre kombëtar më të pëlqyer. I japim të drejtë, por duke shtuar se këtë gjë duhet ta bëjnë të gjithë shqiptarët. Në rast se nuk mund të kalojnë aty një natë, mund të ndalen për ta vizituar, për të shijuar ndonjë drekë e sidomos bërë fotografi.
Në atë një orë gjatë të cilës vizituam çdo mjedis e skutë të katër katëshit Castriota Scanderbeg kuptuam përse ajo ndërtesë qe edhe vërtet një kështjellë. Aty Ferrante ka sunduar për plot 45 vite. Despoti shqiptar në katet përdhese të rezidencës kishte burgun, po ashtu edhe stallën ku mbante kuajt, u jepte ujë dhe i ushqente. Pamë edhe kullat ku rrinin rojet që lëviznin për të mbajtur nën vëzhgim çdo rrezik. Vendrojet e tyre, për sa pamë ose të paktën për sa nga struktura e vjetër kishte mbetur, gjendeshin jo me vështrim nga jashtë Galatinës, por drejt qytetit.
Kur dolëm në një nga dritaret që shihte andej ku qe shtrirë Galatina moderne, por kur në kohë të Kastriotëve nuk jetonte asnjë banor, Giancarlo Vallone tregoi me dorë një objekt. Në të vërtetë ai nuk ekzistonte dhe ai dorën e nderi vetëm në ajër. Profesori shpjegoi se afërsisht atje jashtë mureve të qytetit qe Kisha Domenikane, e quajtur saktësisht Santa Maria della Grazia dei Domenicani. Atje qenë varrosur dikur dy dukët Kastriotë, të paktën Ferrante dhe e shoqja Adriana. Shtoi se në afërsi të saj qe edhe kisha e shqiptarëve, tashmë e shuar nga faqja e dheut. Sipas kronikave ajo edhe në kohën e vet ishte e vjetër, me plot mungesa dhe vështirësi për t’u mirëmbajtur. Quhej Sancti Nicolai de Foveis extra Moenia.


ooo


Sipas gazetarit vendas Enzo Ligori, njëkohësisht edhe bashkëpunëtor i Universitetit të Salentos, në Galatinë popullsia shqiptare arrinte deri në 10-15 për qind të numrit të përgjithshëm. Një regjistrim i vitit 1545 thotë se numri i kurorave në qytet qe 1368, nga të cilat 902 të tatueshme. Prej këtyre 66 kurora ishin shqiptare, 31 të regjistruara si greke, por që prej mbiemrave duken shkoqur që janë arbër. Ka edhe po aq të cilët shënohen si “lindorë“ e që patjetër, sipas Ligorit, një pjesë janë prej viseve shqiptare. Ky gazetar ngul këmbë se viti 1545 nuk është më i miri për të nxjerrë në pah përmasën reale të arbërve në Galatina, sepse këtë kohë, për arsye të disa rrethanave jo favorizuese, ishte një mot kur shqiptarët kishin prirjen ta braktisnin qytetin. Kulmimi i qëndrimit të tyre në Galatina sipas tij duhet të ketë ndodhur në vitet e para të qeverisjes së dukës Ferrante Castriota si edhe gjatë periudhës së Gjonit, që aty i thonë “i Kastriotit të Parë“. Këtë pikëpamje e ka edhe profesor Vallone, i cili në disa nga studimet e tij thekson dukshëm se arbrit (arbëreshët), i kishin Kastriotët mbështetje të madhe. Për këtë dhunti të pasardhësve të Skënderbeut në Itali kishte ndodhur që vetë mbreti Ferrante ua pati ulur atyre taksën për kurorë deri në shumën modeste të njëmbëdhjetë karlinëve, gjithnjë sepse “qenë të varfër dhe të vuajtur”. Vallone shkruan se edhe Gjoni, që kur ishte në feudon Giovanni Rotondo, kishte bujtur e sistemuar aty 20 kurora emigrantësh shqiptarë.
Megjithatë në Galatina ka pasur edhe disa shqiptarë shumë të pasur, dy prej të cilëve janë familja Bisha dhe ajo e tregtarit Lekë Lala. Prej bashkëkombësve tanë të atyre moteve kanë dalë edhe filozofë mjaft të njohur si Pietro Galatino, i cili rridhte prej një familjeje durrsake. Galatina ka qenë qendra mè e madhe humaniste e Pulies jugore dhe aty krenohen që në të kaluarën e tyre ka bërë vepër një shqiptar tjetër, Teofil Zimara, me sa duket emigruar këtej prej bregut të Himarës.
Edhe tani po të dëgjosh jo pak mbiemra të galatinezëve kupton se pesë e më shumë shekuj më parë nuk ishin veç disa bashkëkombës kryelartë të Kastriotëve, ndjekës dhe adhurues të veprës së Skënderbeut, të cilët kishin fatin e madh ta vazhdonin këtë bashkëjetesë, kësaj radhe në Itali, me këtë familje të shquar princërore. Kjo nuk ndodh kudo dhe me të gjithë arbëreshët. Shumica e tyre dërmuese janë vendosur në hapësira të tjera të gadishullit Apenin, deri edhe fare në jug, në ishullin e madh të Siçilisë. Përveç një pjese (në Kalabri) që kanë arritur të bashkëjetojnë e të mbrohen nga Erina, stërmbesa e mahnitshme e Skënderbeut dhe vajza e Ferrantes, gjithë të tjerët nuk kanë pasur afër asnjë Kastriot real.
Kjo është e veçanta e Galatinës, e habitshmja dhe e jashtëzakonshmja e saj. Ajo simbolikisht apo në çdo mënyrë metaforike ta emërtosh është një “Krujë“ në Itali. E harruar, e pazbuluar dukshëm nga ne, e pa popullarizuar, e pa vizituar. Madje edhe autori i këtyre radhëve priti më kot dy vite të tëra për ta bërë më në fund të ditur në një gazetë të diele.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com