Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Të duash një shqiptar që nuk e do Skënderbeun


(Botuar në gazetën “Shqip” më 19 korrik 2010)

Trembëdhjetë vite të shkuara qe befasi frymëmarrëse për autorin e këtyre radhëve kur gjeti në Romë, për herë të parë në jetë, një shqiptar që nuk e donte Skënderbeun. I turbulluar e kundërshtoi me sa fjalë që ato çaste i erdhën në majë të gjuhës. Ndërkohë pikërisht që prej këtij momenti iu bë mision të njihte thellësisht personin që nuk e donte Gjergj Kastriotin dhe të kërkonte të zbulonte të tjerë. Pra në thelb sipërmori një sondazh për të kuptuar sadopak sa janë këta bashkëkombës, çfarë përfaqësojnë si identitet social, politik dhe kulturor, moshat e tyre, argumentet që kanë, thellësinë apo përcipësinë e njohjes së jetës dhe gjestit historik të Skënderbeut. Ky shkrim megjithatë nuk ka për qëllim të përgjithësojë rezultatet e këtij kërkimi privat, sepse ai vazhdon të jetë në fazën e arkivimit. Duke qenë se për këtë temë nuk ka ndonjë ngut kemi përshtypjen se pa u vonuar një problem tjetër mund të mos e lëmë në rrjedhën e vet spontane: janë në shtim bashkëkombësit që kanë dyshime dhe mosbesim tek vepra e Gjergj Kastriotit. Arsyet që ata japin nuk janë të shumta, por ajo që përbën majën e shpimit të kritikës së tyre mbetet po e njëjta. Shqiptari në Romë që e mosbesonte është një i emigruar (pothuaj i arratisur) nga vendi ynë në fillim të viteve pesëdhjetë. Vjen nga familja e njohur e Boçarëve. Ai edhe kur e takuam pak muaj më parë na e përsëriti, madje na e la “me shkrim”, se Skënderbeu me luftën e tij deri në ekstrem kundër pushtuesve osmanë jo vetëm e shkatërroi ekonominë e vendit, por edhe shkaktoi shumë jetë të humbura. “Për këtë arsye”, këmbëngul “Kur vdiq Gjergj Kastrioti Boçarët nuk mbajtën zi”.
Mbetet e drejtë e historianëve të konfirmojmë nëse Boçarët pesë a gjashtë shekuj më parë qenë dikushi dhe se vërtet për vdekjen e Skënderbeut nuk mbajtën zi. Ajo që dëshirojmë të kumtojmë tek lexuesi është se pas trembëdhjetë vitesh, ndërsa me bashkëkombësin tonë jemi takuar me dhjetëra e dhjetëra herë, biseduar e ribiseduar gjithçka, një gjë rezulton e pa lëkundur: ai e do shumë atdheun e vet, Shqipërinë. Do të qe zgjatje e këtij artikulli sikur të rrëfenim sa është përpjekur për të siguruar në mbështetje të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999 një avion të madh me ndihma prej një vendi mik nga Lindja. Në dhomën e tij të gjumit Boçari plak mban tre flamuj kombëtarë dhe kur flet për mbrothësi të Shqipërisë së pas vitit 1990 i xixëllojnë sytë.
Me një fjalë ekzistojnë shqiptarë që mund të kenë shumë qortime e rezerva për Gjergj Kastriotin, por pa e zbehur ndjenjën e tyre të mëmëdhetarisë. Mes dhjetëra rasteve të përngjashme që kemi kërkuar dhe ndeshur një na ka lënë shije shumë të hidhur dhe duke qenë se ka të ngjarë që edhe ai në parim të ketë qenë një atdhetar, punën e kreu me zymtinë e një jo patrioti. Pesë vite të shkuara shoqëruam në një udhëtim në Shqipëri tre Kastriotë, pasardhës në linjë mashkullore jashtëmartesore të Ferrantes, nipit të Skënderbeut. Janë italianë. Ndërsa një mbrëmje qenë në një nga tavolinat e një hoteli kryeqytetas, të bërë shumë publikë nga media vizive, u bënë preh e një shqiptari që iu ul pranë pa u marrë leje dhe nisi t’u thoshte se stërgjyshi i tyre nuk qe aspak një hero aq i madh sa e bënin dhe se e kishte përgjakur së koti popullin e vet në një luftë të cilën dihej që nuk e fitonte dot. Pas kësaj bashkëkombësi ishte larguar dhe kur erdhëm në “vendin e krimit” të tre Kastriotët vazhdonin të qenë të traumatizuar. I pati tronditur jo vetëm shkalla e lartë e agresivitetit, por edhe njohuritë që zotëronte, citimet e shumta të autorëve të ndryshëm, datat dhe emrat.
Ndodhi që dy-tre javë më parë në një tryezë përkujtimore përballë kishim të ulur një zotëri. Qe mjaft i edukuar, qytetar i vjetër i Tiranës. I kishte të gjitha hiret e një të civilizuari, por befas pyeti “Përse Skënderbeu duhej t’i hynte asaj lufte kur e dinte që Perandoria Osmane qe një fuqi shumë e madhe?” Kësaj radhe kuptuam se ndryshe nga i dituri Boçar (në Itali është me titullin e lartë të Kavalierit dhe si farmacist i dekoruar disa herë) apo nga agresori i tre Kastriotëve, bashkëkombësi i tryezës qe një njeri pa ndonjë njohje serioze për Gjergj Kastriotin. Ai nuk po bënte aty histori, por muhabet. Dhe kur një deformim për një çështje shumë të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar bëhet temë muhabeti do të thotë se e keqja e shtrembërimit ka depërtuar thellë, është bërë zakon si të pish një cigare, është shndërruar në një temë ku të thashethemuarit hyn e del si në shtëpinë e vet. Kjo do të thotë se përfolja e Skënderbeut mund të bëhet një krimbalesh që gërryen. Pa dyshuar se edhe bashkëkombësi muhabetçi qe një atdhetar, ajo mënyrë të arsyetuari e tij ishte pasojë të një doktrinimi të ri, të cilën e kemi ndjerë të shumëpranishëm këtë dekadën e fundit sidomos prej trysnisë së disa botimeve të dy a tre autorëve vendas dhe të huaj. Të këmbëngulësh në të metat e Gjergj Kastriotit mbetet pjesë e lirisë së mendimit dhe ka efekt të dobishëm kur arrin të thërrmojë një doktrinim të anasjelltë të Skënderbeut, atë tejnacionalist. Mirëpo problemi nuk është se shqiptarët nuk kanë historianë aq të ditur e të shumtë që në nivelin profesional ta rivendosin gjendjen, por sepse baraspeshimi i mirinformimit duhet ruajtur edhe mes njerëzve të thjeshtë, atje ku sipas mendimit tonë ka tashmë përkrahës të shtuar të dyshimit se Gjergj Kastrioti luftën kundër pushtimit osman, pra kryengritjen e tij dhe rezistencën, e pati marrë përsipër pas një analize gjeostrategjike të gabuar. Madje sipas përfolësve ai oficer i lartë i përgatitur në një nga shkollat ushtarake më të zëshme të kohës paska bërë një gabim tejet banal: nuk ka llogaritur mirë as raportin fizik të forcave në luftim. Prej këtej rrjedh edhe akuza se ai mes të vetëve shkaktoi një kasaphanë. Në pak fjalë Skënderbeu kreu një kuturisje, pra qe një aventurier.
Ka shumë të ngjarë që kjo legjendë të përhapet edhe më shumë. Jetojmë kohë kur edhe mes shqiptarëve është bërë mjaft joshëse shoqëria e konsumit, pra ngopu me lajme sensacionalë dhe pastaj mbllaçiti mbi divan, me këmbët e mbështjella me pantofla.
Gjergj Kastrioti nuk ka qenë i pagabueshëm, ato përherë e më qartë po dritësohen. Në rast se në dimensionin taktik janë vërejtur disa defekte ai nuk ka bërë asnjë gabim në strategjinë e aksionit të tij. Mund të thuhet madje që e ka kryer analizën dhe veprimin deri në përsosmëri. Nuk e kemi fjalën këtu as për kahjen e aleancës politike dhe ushtarake që zgjodhi, as për të drejtën e ligjshme dhe universale të çdo njeriu për të mos pranuar një pushtim të huaj dhe për ta luftuar atë. Skënderbeu e shpërtheu kryengritjen e tij në momentin më të duhur dhe në çastin më sublim dhe më heroik e mbylli.
Kur Gjergj Kastrioti nisi aksionin e tij çlirues të gjitha viset tona dhe të ballkanasve ndodheshin në një betejë të vazhduar me osmanët. Pushtimet e deri atëhershme qenë kryer pas përleshjesh të mëdha, rebelimesh të tëra dhe nuk qenë të qëndrueshme. Në vitet 20-30 të atij shekulli (1421-24 dhe 1432-33) patën shkëlqyer në kryengritjet e tyre që nga Gjergj Arianiti, Topiajt e deri tek Nikollë Dukagjini. Harta e rebelimit përfshiu të gjitha territoret etnike nga jugu deri në veri. Kundërveprimi shtypës ka qenë shumë i përgjakshëm, tepër mizor, në kufi të terrorit. Kjo harrohet të thuhet. Kryengritja e Skënderbeut qe vazhdim i natyrshëm, pjesë dialektike e atij zhvillimi, një kulmim i tyre, akti më sipëror. Marin Barleti e konfirmon në librin e tij se Gjergj Kastrioti në Krujën e çliruar në fjalën e vet u tha banorëve dhe pasuesve se “lirinë nuk ua solla unë, por atë e gjeta mes jush”. Kjo do të thotë se prej disa dekadash shqiptarët jetonin në gjendjen shpirtndezur të rezistencës dhe po të mos ekzistonte princi Kastriot do të qe një kapiten tjetër për t’i prirë në fazën e re të qëndresës. Ekzistonte liria dhe dëshira për të rezistuar pa mori jetë e krahë misioni i Gjergjit. Nuk ishte koha nën urdhrat e Skënderbeut, por ky nën verdiktin e kohës. Pra ai e gjeti tek njerëzit veprën që bëri, ishin të dy palët të një mendjeje, të një strategjie. Besëlidhja e Lezhës ka pasur favorizuese gjeninë ushtarake dhe aftësinë diplomatike të Gjergj Kastriotit, përkrahjen e Republikës së Venedikut, të Selisë së Shenjtë apo edhe dhe të Perëndimit të krishterë, por ajo u realizua për herë të parë më 1444 sepse të gjithë feudalët dhe prijësit e kishin në zemër projektin e çlirimit përfundimtar. Skënderbeu e nisi misionin e tij historik me bashkimin, jo si vetmitar a ca më pak si aventurier. Sepse njehsimin gjeostrategjik e kishte kryer saktësisht platformën e tij të bashkimit e shtriu jo vetëm me aleatë ballkanas, por edhe me të gjitha fuqitë e mëdha të kohës. Veprimi i tij ushtarak dhe politik qe pjesë e një të tëre. Kështu edhe do të mbante përgjegjësi para historisë.
Aq në kohë ishte ajo sa kur në fillim të nëntorit 1443 në betejën e Nishit braktisi ushtrinë e sulltanit asaj armate të stërfuqishme nuk i pati ndodhur vetëm ajo humbje. Më 1442 Gjon Huniadi, gjenerali më i famshëm dhe më i fortë i hapësirës që nga Polonia, Hungaria e deri në Rumani, kishte realizuar një fitore e madhe ushtarake. Në përballje të osmanëve dhe në përpjekje për t’i zbythur përtej ngushticës së Bosforit ato kohë funksiononte projekti më vizionar dhe më ngazëllues i rezistencës kontinentale: pushtuesi do të goditej në një bashkëveprim të plotë nga lindja e kontinentit, nga perëndimi i tij dhe në shpinë nga Ballkani. Të gjithë besonin se pas kësaj ai do të thërrmohej e tërhiqej. Pas ngadhënjimit në Nish ushtria e madhe dhe e paguar mirë e Huniadit mori Sofjen dhe zbriti më poshtë. Aksioni i Skënderbeut me marrjen e Krujës dhe çlirimin e rrufeshëm të hapësirës së principatës së Kastriotëve, pastaj pa u vonuar, në mars 1444, me Kuvendin e Lezhës, bënte pjesë në realizimin e këtij projekti strategjik evropian. Po atë vit në një kryqëzatë të dytë Gjon Huniadi dështoi (në Varna), por projekti i madh kontinental u mbajt i gjallë. Në një fushatë të dytë në vitin 1448 gjenerali i forcave të krishtera të eurolindjes zbriti fitimtar deri në Kosovë, fare afër Prishtinës dhe në betejën me armatën perandorake osmane humbi vetëm sepse e tradhtoi një nga Ballkani, pra nga forca ushtarake që pushtuesin duhej ta godiste në shpinë. Ky qe despoti serb Gjergj Brankoviç, i cili në paudhësinë e tij shkoi edhe më tej: bllokoi kalimin e ushtrisë së Skënderbeut. Ky qe nisur për t’u bashkuar me Huniadin. Më pas Huniadi kreu një ngadhënjim në betejën e Krushevacit në Serbi (1454), më vonë edhe në muret e Beogradit. Qe fatale vdekja e tij në 1456, në frontin e luftës, për një arsye fare të rëndomtë: nga përhapja e murtajës.
Pas kësaj fare natyrshëm mes shumë popujve dhe prijësve të Ballkanit e të eurolindjes për arsye të talentit të tij të jashtëzakonshëm ushtarak, shkathtësisë taktike dhe vizionit strategjik, po ashtu edhe besnikërisë ndaj çështjes së krishterë, ai që përmbushte të dhënat e një lideri rajonal qe Gjergj Kastrioti. Ky menjëherë pas vdekjes së parakohshme të Gjon Huniadit dërgoi dhe priti ambasadorë nga i gjithë europerëndimi. Këtu vepronin shtete shumë të fuqishme që nga Republika e Venedikut, Mbretëria e Napolit dhe Selia e Shenjtë. Gjer sa edhe ai për një arsye banale, nga malaria, ndërroi jetë, bëri gjithçka të ishte e mbetej pjesë e pandarë e një aleance të madhe, bashkim që po të vepronte njëmendshëm e siguronte fitoren përfundimtare kundër Perandorisë Osmane. Papa Piu II, lideri i gjithë europerëndimit, organizoi në 1459 në Mantova një kongres aleance të të gjitha shteteve të krishtera të kontinentit, por ajo nuk qëlloi dot të ishte besëlidhje. Pazotësinë për të qenë të bashkuar dhe nisur ushtrinë e përbashkët kundër osmanëve nuk e parashihte dot Papa e jo më Skënderbeu ynë matanë brigjeve. Ky priti me durim, por nuk ra viktimë e gjendjes. Më 1460 kreu me sulltan Mehmetin II, “Pushtonjësin e Madh”, pra në të gjithë historinë shumëshekullore të Perandorisë Osmane prijësin më të fortë dhe më të famshëm, një marrëveshje paqeje. Ishte rasti i dytë i një periudhe mosluftimi me Portën e Lartë. Historianët thonë se këtë herë të dytë firmat u hodhën për të paktën tre vite qetësi. Paqja qe në momentin e duhur. Barleti shkruan se lajmi u prit me brohori të pashuara nga populli. Pas pesëmbëdhjetë vitesh rezistencë vendi ishte dëmtuar dhe duhej të mbyllte e shëronte plagët e mara.
Qe Papa Piu II, Republika e Venedikut dhe vende të tjera të europerëndimit, që me zotimin se këtë herë kryqëzata antiosmane do të kryhej realisht, i bënë trysni Skënderbeut ta prishte në mënyrë të njëanshme këtë armëpushim. Ai rezistoi shumë, skajshëm, sepse nuk dëshironte ta shkatërronte vendin e popullin e vet. Ai e kishte sipërmarrë aksionin çlirimtar për të fituar e ruajtur tokat e njerëzit e tij. Kështu vetëm kur në fillim të nëntorit 1463 kryqëzata u shpall zyrtarisht, ai më 27 nëntor me disa sulme nervoze në periferi të Ohrit i shpalli luftë Perandorisë Osmane. Mirëpo ushtarët kryqtarë, të gjithë vullnetarët me pikë grumbullimi portin e Ankonës në Itali, nuk u plotësuan dot kurrë si një ushtri e tërë as në verën e vitit 1464. Gjithçka e bëri krejtësisht të pamundur edhe vdekja e vetë Papës në 14 gusht 1464.
Tre vitet e tjera, sepse në 17 janar 1468 Gjergj Kastrioti ndërroi jetë, kanë brenda përpjekjet e tij titanike për të mos qene kurrë i vetëm në këtë luftë, por në aleancën e madhe. Janë dramatike dhe po aq historike tre muajt e pranisë së tij në Romë. Ato të bindin se ai nuk ka bërë asnjë llogari të gabuar strategjike. Në dekadat e mëvonshme edhe pse ai nuk jetonte më shpresa, projektet dhe përpjekjet e kontinentit për të dëbuar pushtuesit nuk reshtën. Megjithëse ripushtimi i trojeve rebele u krye shqiptarët po ashtu zienin nga fryma e rezistencës. Më 1481 në kryengritjen e jugut priu edhe i biri i vetëm i Skënderbeut, Gjon Kastrioti. Më 1506 në kryengritjen në veri të Shqipërisë hyri në aksion nipi i tij, Gjergj Kastrioti i Riu. Aq e madhe ishte shpresa e fitores mbi osmanët sa në vitin 1510 Marin Barleti, një nga shkrimtarët më të talentuar të kohës, bëri librin për Skënderbeun. Ai u botua për të qenë flamur frymëzimi. Tamam këtë vit, sepse besonin për një fitore reale, princi Gjon Muzaka shkroi në Napoli librin e tij me kujtime, në fakt testament për të bijtë, ku u rikujtonte kufijtë e pronave të tyre për t’i marë kur të ktheheshin në trojet e çliruara. Sepse i gjithë eurokontinenti kishte shpresë për të mundur pushtuesin osman për shekuj të tërë emri i Gjergj Kastriotit u mbajt i gjallë në kujtesën e tij.
Historia e botës dhe e vetë njeriut dëshmon se pushtuesi përherë është më i fuqishëm, ai që goditet më i dobëti. Nderi dhe llogaria më e mirë e të sulmuarit është të mbrohet. Nderi i brezave të mëpasshëm, pra i atdhetarëve modernë, është ta mësojnë thellësisht historinë.

Ylli Polovina


















































Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com