Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Werner Daum, përse fole kaq vonë?


(Botuar në shtojcën kulturore “Milosao”, “Gazeta Shqiptare”, 11 korrik 2010)

Kur disa ditë më parë për ngjarjet e 2 korrikut 1990 ish-ambasadori ad-interim i RFGJ-së në Shqipëri në vitet 1987-1990 Werner Daum i dha një intervistë seksionit shqip të radios “Zëri i Gjermanisë” (“Deutsche Velle”), ndërkohë që edhe përgjigjet e tij i shumëfishuan nëpër shumë faqe speciale të disa prej të përditshmeve tona më të mëdha, dikush në Tiranë që e njihte mjaft mirë diplomatin e huaj bëri spontanisht pyetjen e shumëkuptimshme “I dashur Werner, përse fole kaq vonë?”
Në këtë shkrim në “Milosao”, pra për lexuesit e kulturës, nuk do të shtyhemi në ngasjen për të kërkuar të gjitha ato arsye apo rrethana të cilat një diplomat të huaj tashmë të dalë në pension e shtrënguan që për rolin e tij personal dhe atë të shtetit gjermano-perëndimor në të quajturën “ngjarje të ambasadave”, madje në të gjithë aksionin për rënien e regjimit diktatorial në Shqipëri, të priste plot dy dekada. Sidoqoftë për momentin që Werner Daum zgjodhi si edhe për ato që ai dëshiroi e bëri publike intervista solli një tronditje e një trazim në shumë nga njohuritë që deri ato çaste kemi pasur. Mësuam se politikani i fuqishëm Franc Jozef Shtraus në mes të viteve tetëdhjetë nuk i kishte në dorë t’i realizonte të gjitha ato premtime që i dha Tiranës zyrtare dhe se po ashtu qeveria e Bonit nuk pati asnjë dëshirë për të konspiruar në destabilizimin e posaçëm të regjimit komunist. Në kryeqytetin tonë në vitin nëntëdhjetë me shtetet e tjerë dhe përfaqësitë e tyre mund të ketë ndodhur ndryshe ose e njëjta gjë. Ajo që është e veçantë në rastin gjerman, një vend i cili bën shumë kujdes t’i mbajë të gjallëruara raportet me çdo shtet të shqiptarëve, është se Werner Daum për rrëzimin e diktaturës ka lozur një rol thellësisht të spikatur, krejtësisht atipik (“unë jam diplomat jo tipik”, pohoi në intervistën e tij).
Edhe pse nga disa “krehje” e përgjigjeve të tij me të dhëna të dëshmitarëve të tjerë del si egjër ndonjë pasaktësi (përshembëll biseda në Londër) si edhe profili i dukshëm shumë protagonist i gjermano-perëndimorit, pra mundësia që diçka ta ketë shtuar apo tejheroizuar, në veprën guximtare për t’i dalë kundër eprorëve të vet, madje gjithë kursit të politikës së jashtme gjermane të kohës, ai ka qenë një vizionar i madh. Daum përflitet për aq shumë gjeste të pazakonshme sa në librin e tij “Enigmat e 2 korrikut ‘90” Dilaver Bengasi, atë kohë drejtori i Policisë, shkruan “Duhet thënë se ndërmjet diplomatit Werner Daum dhe ambasadorit gjerman F. Kornek ka pasur kundërshtime për vlerësimin e situatës politike dhe ushtarake në Shqipëri. Sipas diplomatit, në rast se në Shqipëri provokohet një përplasje midis turmave masive dhe forcave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, atëherë kjo do të çonte në shpërthimin e një revolte të përgjithshme, ku edhe ushtria do të kalonte në anën e të revoltuarve. Ndërsa ambasadori F. Kornek, si njohës i mirë i situatës, përjashtonte konfrontimin midis forcave të rendit dhe ushtrisë. Rrjedhojë e mospajtimit të tyre ishte edhe shkaku që ambasadori Kornek u largua nga Shqipëria për arsye “shëndetësore” që në fillim të muajit qershor 1990...”
Po ky autor në po të njëjtin libër thotë se në gusht të vitit 1993 e ka takuar në Tiranë një i ri tridhjetëvjeçar dhe e ka ftuar të pinin së bashku kafe. Ai qe shoferi i kamionit “Skoda” me të cilin shpërthyen muret rrethues të ambasadës gjermano-perëndimore tridhjetë e katër vetë. Bengasit atë ditë ky i pati pohuar se tre javë pas ikjes së refugjatëve në Gjermani disa përfaqësues prej tyre i kishte pritur vetë ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe rivali më i madh politik i Franc Jozef Shtrausit, Hans Ditrih Gensher. Ky i kishte vlerësuar shumë për gjestin që patën kryer duke i dhënë një goditje të fortë regjimit komunist në Shqipëri.
Pas asaj që Werner Daum pohoi për herë të parë, edhe pse disi vonë për arsye që i di vetë ai, patjetër që diplomati gjermano-perëndimor ka të drejtë të zërë vend e të mbetet në historinë e popullit tonë jo vetëm si një mik i sinqertë, por edhe një çlirimtar i madh. Ai nuk është as i pari e nuk do të jetë as i huaji i fundit që lë gjurmë të ngrohta në jetën e shqiptarëve, por. Daum bëri mirë që na e risolli në kujtesë atë që realisht ndodhi. Ndërkohë në Londër, kur në mes të viteve dymijë punonte në ambasadën gjermane, ai ka qenë mik me ambasadorin tonë në kryeqytetin britanik Kastriot Robo dhe së bashku kanë ribiseduar ato çfarë ndodhën në korrik 1990 si edhe më pas. Robo në kohën e zhvillimit të atyre ngjarjeve ka qenë në Tiranë sekretar ndihmës i ministrit të Punëve të Jashtme Reiz Malile, një funksionar i lartë ky mjaft liberal.
Mirëpo Werner Daum jo publikisht, pra në rreth të ngushtë, është ndjerë të flasë edhe shumë vite të shkuara. Pas largimit të tij nga kryeqyteti shqiptar sapo u mbyll vera e atij viti nëntëdhjetë ai u rikthye për pak çaste në Tiranë. Qe vjeshtë e vonë 1991. Në restorantin “Berlin” në periferi të Bllokut, i pari i ngritur prej një privati (ndiqni simbolikën e emrit të tij që spikat rolin gjerman0-perëndimor në rënien e diktaturës shqiptare), diplomati i huaj u takua dhe darkoi me piktorin Spiro Vllahu. Pikërisht nga ky kënd, pra nga lidhjet e bashkëkombësit tonë me Werner Daum-in, do ta ndërtojmë më tej këtë shkrim. Vllahu është një akuarelist i njohur, ndërsa Daum jo vetëm një etnolog dhe autor librash, por edhe koleksionist shumë i pasionuar.


ooo

Vetëm në atë mbrëmje Spiro Vllahu i tha diplomatit gjerman se kur ishin njohur gjatë diktaturës ai pati qënë një i burgosur politik. Në atë fundvjeshtë 1991 Werner Daum e pati përmbajtur gjakftohtësisht habinë dhe pastaj i kishte bërë pyetjen “Si ndodhi?”
Kështu piktori më në fund i rrëfeu jetën e tij. Familja i vinte nga Negovani, fshati në tokë helene që fliste i gjithë shqip. Gjyshi emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kur mori rrugën e kthimit, pak orë pasi të mbërrinte në shtëpi, disa hajdutë e sulmuan, ia vodhën kursimet dhe e therrën. Skeleti i tij u zbulua mjaft vite më vonë nga disa barinj. U gjet cili person qe vetëm nga një palë çorape leshi me thurrje lulesh, të cilat e shoqja ia kishte dërguar në Amerikë. Pas kësaj dite bashkëshortja për të mbajtur fëmijët e vijuar jetën u rimartua me Kola Vllahun, një vlleh grek. Kështu tek fëmijët e lënë nga martesa e parë, asnjëri realisht vlleh, mbeti pasaktësisht mbiemri i dytë. Dionisi, i cili qe babai i Spiro Vllahut, ishte njëkohësisht edhe kushëriri i tretë i Papa Kristo Negovanit.
I riu Spiro në vitet 1954-55 mbaroi shkëlqyeshëm në Tiranë gjimnazin “Qemal Stafa” dhe më pas u nis për në Moskë, tashmë me një bursë për inxhinieri topografike arti minerar. Udhëtimi qe me vaporin rumun “Transilvania”, dhuratë që dikur Hitleri ia pati bërë monarkut filofashist të vendit. Intenerari i mrekulloi, ndërsa në qëndrimi shkurtër në Kostancë, para se të niseshin për në Odesë, e mban mend si port ku kishte hajdutllëk të madh. Pesë vitet e studimit moskovit do t’i linin mbresa të pashlyeshme, siç do t’i mbesnin në kujtesë kthimet në shtëpi gjatë verës, ku një avion sovjetik Tu104, i cili për shumë orë qëndronte në aeroportin e Beogradit, do t’u jepte rastin të bëheshin dëshmitarë të skenës se refuzimit: vetëm studentët apo udhëtarët shqiptarë qenë të ndaluar të delnin, qoftë edhe për një shëtitje të shkurtër, nga sallat e mbyllura të pritjes. Të ngarkuar me shumë mall për vendlindjen studentët në fillim zbrisnin në aeroportin e Laprakës dhe më pas, pasi u ndërtua ai i Rinasit, me valixhe në duar mbërrinin këtu. Kur shkollën në Moskë e përfundoi shkëlqyeshëm emërimin në vendin e vet Spiro Vllahu e pati në Tropojë, shumë shpejt edhe në detyrën e kryeinxhinierit. Më pas do ta vijonte profesionin e vet në minierat veriore të Kukësit, Kurbneshit dhe Mirditës, për të mos munguar në vazhdim në ato qymyrgurore të Shqipërisë së Mesme.
Ndërkohë bënte edhe një jetë të dytë. Kishte pasionin e piktorit. Veçanërisht i feksnin dritë kur nga duart i dilnin akuarele, grafika dhe skica. Kështu në vitin 1974 pa shkëputje nga puna përfundoi Liceun Artistik të Tiranës dhe po këtë vit, tashmë shumë i miqësuar pas të adhuruarit të tij Abdurahim Buza, çeli ekspozitën e parë vetjake. I vuri emrin “Minatorët dhe pejsazhi shqiptar”.
Papritmas, si t’i binte një rrufe në qiell të kaltër, në 3 qershor 1976 e arrestuan. Akuzat qenë një pirg i madh, duke filluar nga sabotimi si edhe e kudogjendura “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Nuk mungonte edhe “spiunazh me sovjetikët”. Gjashtë muaj hetuesi për të “provuar”, nëpërmjet dinakërive dhe shtrëngimit, se kishte qenë një “armik i popullit”. Në të vërtetë Spiro Vllahu që nga çasti i parë i punës në minierat e vendit të tij ishte tronditur nga kushtet e këqija teknike dhe pagat shumë të ulëta. Edhe ushqimi ishte i pakët dhe mjaft i varfër, shpesh herë bukë e çaj, ndonjë supë. Në klubin e minierës së Kamit të Tropojës menyja qe oriz i zierë në mëngjes, në drekë oriz me speca dhe në darkë sërish oriz. Kushtet e të jetuarit dhe të punës ndryshonin shumë nga ato të Bashkimit Sovjetik. Ndërkohë që shteti i tij nxirrte nga puna e minatorëve miliona dollarë, sidomos nga shitja e kromit. Të gjitha këto Spiro Vllahu i pati thënë me dëshirën e mirë që jeta e shqiptarëve të përmirësohej. Porse ata që e kishin pranguar e patën përgjuar shumë herët, që në ditët e para të ardhjes në punë, 1959. Një ditë një nga hetuesit, formalisht më i sjellshmi (sepse kishte edhe një që e merrte nga qelia në dymbëdhjetë të natës dhe e godiste me grushte), nga një paqetë “Partizani” i zgjati një cigare dhe i vuri përpara një dosje të madhe. “Është materiali i akuzës. Hidhi një sy e pastaj më jep shpjegime!”
Që në fijet e para të fletëve gjendeshin disa fotografi. E kishin fiksuar pranë një makine “Gaz 69”. Qe viti 1960. Pak nga pak iu kujtua gjithçka. Bashkë me disa minatorë, kolegë dhe një punonjës i Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, ishte në klubin e minierës kur aty kaloi një makinë e konsullatës sovjetike në Tiranë. Donte të hynte në Jugosllavi, mirëpo gabimisht i qenë afruar pikës kufitare të Qafë Prushit, ku kalimi nuk lejohej. Atëherë punonjësi i Ministrisë së Tregtisë së Jashtme iu lut Spiros, me që dinte rusisht, të shkonte e t’i sqaronte se duhej të ktheheshin e të merrnin rrugën për të dalë në pikën doganore të Qafë Morinës. Kështu ai shkoi dhe në vetëm një apo dy minuta u sqaroi gjithçka. Veç e dalloi vonë që jo shumë larg nga makina e konsullatës sovjetike në ndjekje e përgjim të saj rrinte një tjetër “Gaz 69”.
Kur e nxorën në gjyq si dëshmitar se qe “armik populli” mes të tjerëve i doli edhe një mekanik. Këtë e patën sjellë në minierë vetëm për pak kohë dhe pastaj ky u zhduk. Dukej ia kishin nisur vetëm sa për ta parë fizikisht që të mos ngatërrohej kur t’i dëshmonte në gjyq “armiqësinë kundër pushtetit popullor”. Në një nga seancat ky tha se Spiro Vllahu i pati thënë që pas vdekjes së Mao Ce Dunit do të vinte në vendin e parë të shtetit kinez Çu En Lai. Mekaniku kësaj thënieje i shtoi edhe një koment nga vetja. Tha se Lin Bjao qe internuar në një ishull të Mongolisë. Pas kësaj Spiro pati ndërhyrë: “Ky nuk di as gjeografinë! Mongolia nuk ka asnjë dalje në det”. Atëherë gjykatësi pati brofur “I pandehur, do ta lënë politikën e jashtme, kalojmë tek ajo e brendshme”. Atë çast nga zëri i lartë i gjyqtarit dy ndihmëse të tij, kooperativiste të porsa marra nga puna bujqësore, u zgjuan prej një dremitjeje të shkaktuar nga lodhja e asaj dite. Sidoqoftë jo të gjitha “akuzat” e rënda u vërtetuan dhe inxhinieri topograf minierash dhe në të njëjtën kohë piktor u dënua me pesë vite burg. E mbyllën në kampin e punës në Ballsh, ku do të lidhte një miqësi të fortë me Padre Zef Pëllumbin. Ky në librin e tij që pati jehonë të madhe, “Rrno për me tregue!”, ka shumë radhë ku flet për bashkëvuajtësin dhe familjen e tij.

ooo

Ishte në mbyllje të vitit të dytë të vuajtjes së dënimit të padrejtë kur mori vesh lajmin e hidhur të vdekjes së të atit. Nuk i kishte ndodhur për shkaqe natyrore, por në mesnatën e 15 gushtit 1976 qe hedhur nga ballkoni i apartamentit të tyre në Tiranë, kati i katërt. Shtëpia jetonte e ruajtur dukshëm nga njerëz të Sigurimit të Shtetit. Kishte disa javë që fshehurisht i bëhej presion të “dëshmonte” se qe “armik i pushtetit popullor” një fqinj i tyre. Ai nuk kishte pranuar dhe po atë pesëmbëdhjetë gusht një nga oficerët e pati kërcënuar “Do ta shohësh nesër!” Kuptoi se më e pakta të nesërmen do t’i ndodhte arrestimi. Nga që nuk mundi ta përballonte këtë ferr, ndërsa djalin e kishte në burg, zgjodhi si rrugë shpëtimi vetëvrasjen.
Kur “civilët” vrapuan tek trupi i Dionis Vllahu i porsa përplasur në asfalt ai akoma nuk kishte dhënë shpirt.

ooo

Me Werner Daum-in Spiro Vllahu ka një korespondencë të tërë. Në vitin 1995 në përgjigje të një letre që i dërgoi prej selisë së ambasadës gjermane në Gjenevë në fillim shqip e më pas me një frëngjishte të përsosur mes të tjerash ky i shkruante “Shum i nderuar zoti Vllahu, merci beaucoup por votre lettre....”, “akuarelet që u bleva atëherë në Tiranë dhe që i kam pëlqyer shumë tashmë janë në Muzeun Etnografik të Mynihut...kam edhe projektin e një ekspozite për Shqipërinë që të mund ta hap këtej në fillim të vitit 1996 dhe është mirë që disa akuarele të tuat në të mos mungojnë...në rast se të gjenden kopje nga kalendari që ke bërë së fundi për kishat e Shqipërisë do të isha mjaft i gëzuar të më dërgoje një, sigurisht unë ta paguaj, përfshi edhe postën...”. Në një letër të 10 shkurtit 1997 nga ambasada gjermane në Sudan Werner Daum i shkruante Spiro Vllahut “Ah, sa dëshiroj të kaloj disa ditë në Tiranë...Më në fund, më në fund data e ekspozitës për Shqipërinë u fiksua, do të bëhet këtë maj, do të çelet në Salzburg...shekullin e shkuar a mos kishte në Khartum një garnizon me arnautë?!”....(Ambasadori Kastriot Robo thotë se Werner Daum përfaqëson një ndër diplomatët e huaj me njohjen më të mirë të vendeve arabe).
Me gjermano-perëndimorin Daum piktori Spiro Vllahu qe njohur në fillim vjeshtë të vitit 1989. Kishte dalë nga burgu në vitin 1980 dhe pasi punoi si punëtor miniere gjashtë vite doli në pension në zgafellet e Qafës së Gurit në Priskë. Në vitin 1988 pati hapur një ekspozitë vetjake në minierën e Mëzezit, aty ku e patën arrestuar. E quajti “20 vjetori i minierës”. Toleranca iu bë sepse dikush nga autoritetet dhe dashamirësit qe kujtuar se në vitin 1966 Spiro Vllahu kishte qenë jo vetëm konsulent i një dokumentari reportazh të Kinostudios “Shqipëria e Re”, me autor Dhimitër Lala, për një nga rreziqet e ndodhura në minierën e Kurbneshit, por edhe zgjidhës i saj pa asnjë pasojë jete njerëzish. Në 1989 Spiro Vllahu çeli një ekspozitë në Berat. Punë të tij nisën të qenë të pranishme edhe në ekspozita kombëtare.
Atëherë pranë Galerisë Kombëtare së Arteve ishte edhe një sallon shitjeje. Një ditë në mjediset e tij, siç bënte përherë dhe nuk mungonte kurrë, ndodhej edhe diplomati i huaj Werner Daum. Atë fillim vjeshte 1989 me ndërhyrjen dashamirëse të vetë drejtorit të sallonit Sofokli Koci nga krijimtaria e Vllahut qenë ekspozuar njëzetë akuarele. Ndërsa gjendej në ato mjedise edhe vetë Spiro këtij papritmas iu afrua me ngazëllim drejtori i sallonit dhe i tha me një frymë se e kërkonte ambasadori i qeverisë së Bonit. I kishte pëlqyer punimet e tij dhe dëshironte të blinte prej tyre, por më së pari donte ta njihte personalisht. Spiro Vllahu shkoi menjëherë ta takonte dhe u gjet i befasuar nga komplimentet që diplomati gjermano-perëndimor, me një shqipe të qartë, nisi t’i bënte. Pas pesë minutash biseda mes tyre u bë aq intime sa që Werner Daum shqiptoi frazën atë kohë telashsjellëse për çdo dëgjues “Punët tuaja janë më të mira se fjalimi i fundit i Ramiz Alisë“. Atë çast piktori, jeta e të cilit kishte qenë mjaft dramatike, bëri kujdes të mos i kthente përgjigje, por edhe tjetri nuk e kërkoi këtë gjë. I bleu menjëherë të njëzetë akuarelet. Për të qenë më të saktë ai nuk ja bleu pikturat Spiro Vllahut, por shtetit shqiptar. Rregullat e asaj kohe qenë kurnace: autorit për çdo punë të shitur i jepeshin vetëm tremijë lekë të vjetra dhe pjesa e stërmadhe e çmimit të blerjes, kryesisht valutë në dollarë, shkonte në arkën e qeverisë. Atë ditë Werner Daum do t’i jepte Spiros detyrën t’i bënte akuarele nga çdo kënd i bukur dhe i veçantë i Shqipërisë, prej veriut në jug. Kështu ky që të nesërmen i hipi një motori.
Kur i ndodhi të shkonte në Velsh të Elbasanit për të pikturuar kishën e Onufrit, vend ku për të arritur, në mungesë të një rruge makinash, duhej të ecje në këmbë mbi tre orë e gjysmë, nga vendasit mori vesh se aty pati ardhur “një gjerman i gjatë me gjyslyke” dhe kishte blerë një kostum kombëtar shqiptar”. Pati qenë Daum.
Në intervistën e tij dhënë ditë më parë për 2 korrikun në “Zëri i Gjermanisë“ Werner pohonte “Unë e kam dashur Shqipërinë që në fillim, i kam dashur shumë shqiptarët, atë natyrë të mrekullueshme me male dhe det, pyjet. Jam ndierë shumë mirë atje”.
Por lexuesi i këtyre radhëve është mirë të dijë se Werner Daum është nismëtari dhe autori kryesor i librit “Albanien zwischen Kreuz und Halbmond” (“Shqipëria ndërmjet Kryqit dhe Gjysmëhënës së Kuqe\\\"). Me të janë bashkëpunëtorë edhe Peter Bartl, Ferdinand Leka, Marina Marinescu, Afërdita Onuzi, Walter Raunig, Spiro Shkurti dhe Agron Xhagolli. Ky botim i Muzeut Etnografik të Mynihut, shumë dashamirës për shqiptarët e njëkohësisht mjaft luksoz, është i vitit 1998. Në kapitullin mbi jetën e piktorit shumë të njohur gjerman Hans Troshel shkruhet edhe për nxënësin e tij shqiptar.
Ky është Spiro Vllahu. Tashmë ka bërë emër. Në vitin 1993 pas një ekspozite në Galerinë e Arteve në Tiranë hapi një tjetër në Australi, në qytetin Adelaid pranë kryeqytetit Melburn. Që nga viti 1999 e në vazhdim ai ka marrë pjesë në konkursin e emisionit të pullave shqiptare dhe ka fituar 11 çmime të para e jo pak të dyta.

ooo

Burgun e Tiranës Spiro Vllahu nuk e pati njohur vetëm në gjashtë muajt e hetimit të rëndë të vitit 1976, por më shumë se tridhjetë vite të shkuara, kur qe vetëm dhjetë vjeç. Duke qenë se ishin të varfër i ati, Dionisi, kishte ngjitur me burgun një barakë të vogël me vetëm një vrimë nga ana e brendshme e tij. Ky sportel binte në oborr dhe të burgosurit mund të blinin me listë ndonjë ushqim apo kinkaleri emergjence. Ata nuk kishin në duar para, por pagesat prej llogarive të tyre i kryente administrata e burgut. Dhjetëvjeçari Spiro e ndihmonte të atin duke shitur gazetën më të madhe të kohës, “Bashkimi”. Prej shtatit e moshës së imtë ndonjëherë kishte privilegjin që rojet ta lejonin të kapërcente kangjellat e portës së madhe të hyrjes dhe të lëvizte nëpër oborr. Në këtë mënyrë edhe gazeta shitej më mirë.
Kështu Spiro Vllahu do të ngulitë në kujtesë pamje dhe ngjarje të pazakonta dhe nga të tjerë të pamundura për t’u dëshmuar. Në ato vite të para të pasçlirimit birucat qenë mbushur plot me intelektualë të së djathtës antikomuniste, me nacionalistë të shquar, me klerikë fetarë, veçanërisht katolikë, si edhe me disa që patën bashkëpunuar me kabinete qeveritare të pushtuesve italianë dhe gjermanë. Brenda ngushticës së burgut ata bënin një jetë të gjallë kulturore. Luanin pjesë teatrore, bënin debate akademike, pikturonin dhe gdhendnin Mikelanxhelo. Ata që mbetën pa u pushkatuar në 1948 i dërguan në kanalin e Jubës, në jug, ku nëpër këmbë u ngjiteshin dhe ua pinin gjakun shushunjat.
Në burgun e Tiranës mes asaj elite njeriu që fëmijën dhjetëvjeçar e rrethoi me shumë dashuri e përkujdesje qe Patër Anton Arapi. Kleriku i njohur prej kohësh ishte mik i të atit. Kështu ndodhi që një ditë ai i thotë Dionisit se do të qe mirë që i biri të merrte mësime vizatimi nga një piktor shumë i njohur gjerman. Ky ndodhej në burg me dy të tjerë bashkëkombës. Ia thanë këtë dëshirë edhe Spiro dhe ky ngazëlleu. Profesori i tij quhej Hans Troshel dhe në qelitë e Tiranës ndodhej sepse qe arrestuar nga komunistët si përkthyes i pushtuesve hitlerianë. Spiro Vllahu shumë shpejt do ta dëgjonte të vërtetën e fatit të Troshelit. Ai kishte qenë kundërnazist dhe për këtë arsye edhe i arratisur politik prej vendit të vet. Kur nga malli tentoi të kthehej Hitleri dha urdhër të arrestohej. Pasi e mbajtën në një burg të rëndë piktorin me shumë emër një ditë i afruan të vetmen mundësi për të jetuar jashtë qelisë. Me qenë se Hans Troshel e donte Shqipërinë dhe madje si i pasionuar pas zoologjisë në një libër për shpendët kishte paraqitur shumë prej tyre të fotografuar në viset e “vendit të shqiponjave”, këtë herë mund të rikthehej në Tiranë. Megjithatë me një kusht: të bënte punën e përkthyesit zyrtar të komandës gjermane. Troshel pranoi dhe, siç do t’i tregonte nxënësit të tij të vogël pati marrë pjesë në shumë bisedime për shkëmbime robërish në rrethinat e malit të Tomorit, ku nga pala e partizanëve në një rast nuk kishte munguar edhe Mehmet Shehu.
Vllahu e ka të pashlyer çastin e parë të njohjes me piktorin e madh gjerman. Qe ora kur të burgosurit i nxirrnin për ajrosje në oborr dhe befas dëgjoi zërin e të atit ta thërriste për t’u prezantuar me mësuesin e tij të ardhshëm. “Qëndroi para meje një burrë me trup mesatar”, tregon Spiro Vllahu, “biond me sy bojëqielli. Me një lëkurë ngjyrë bronzi në okër, thatanik por trup sportiv, me mjekër të argjendtë deri në gjoks, me pantallona të shkurtra ngjyrë kaki (ushtarake), me nallane druri. Ishte i zbathur dhe i veshur me një këmishë me mëngë të shkurtra, të vjetruar dhe të zbardhur, me vija të bardha. Më zgjati dorën dhe më përshëndeti”. Pastaj Troshel i kishte përkëdhelur flokët dhe i pati thënë të atit se me çfarë materialesh vizatimi duhej të pajiste të birin. Me ta gjendej pranë edhe Patër Anton Arapi, shumë i gëzuar.
“Këshilla e parë që më dha”, kujton Spiro, ishte “Niks kopir”. Këtë piktori shqiptar dhe i vetmi nxënës shqiptar i Hans Troshelit, do ta kishte “veth në vesh” gjithë jetën. Nuk do të kopjonte dhe imitonte asnjë autor tjetër, do të zbulonte vetëm veten. “Në fillim mora mësimet me laps duke vizatuar objektet me të cilat jetonin të burgosurit: shtambat e ujit, gavetat, nallanet, qirinjtë...”. Në periudhën e dytë gjermani i shquar i dha mësimet e teknikës së grafikës me tush. Ky ishte edhe rasti fatlum kur për herë të parë pa edhe pikturat e Troshelit: errësira e qelive, stallat e fjetjes, frëngjitë e rojeve, merimangat në tavan, portretet e trishtuara dhe të pashpresa të të burgosurve, këmbët e zbathura jashtë batanijeve, duar të thara me damarët jashtë, qirinj të shuar, fytyra të sfilitura në gjumë të thellë...
Spiro Vllahu që nga 1946 deri në 48 do ta kishte këtë fat të madh. Ai për afro tre vite me mosngasjen e rojeve do të kapërcente kangjellat dhe prej katit të parë ku qenë birucat e izolimit dhe dhomat e torturave do të ngjitej në katin e dytë, ku ishin fjetinat dhe e priste Hans Troshel përherë duke vizatuar ulur përdhe me në fund të këmbëve nallanet. I vogli me porosi të të atit, të paktën edhe si një mënyrë për ta shpërblyer mësuesin e tij, i sillte përherë ushqime. Tashmë qe në përfundim edhe të fazës së tretë, asaj të krijimit të pejsazhit dhe të thurjes së kompozimit.
Në përfundim të atij kursi me shumë fat për pasionin e tij të të pikturuarit Spiro Vllahu nuk e dinte që në po ato mjedise, madje saktësisht në atë vend ku do të merrte mësimet e Hans Troshelit, në vitin 1976 do të gjendej edhe vetë i pranguar. Do të rrinte për gjashtë muaj të pambarimta mbi një dyshek me kashte dhe tre batanije të holluara nga tejpërdorimi, me çdo ditë vetëm tridhjetë minuta ajrosje.

ooo

Kur në 20 shkurt 1991 u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës, pasi e gjithë Tirana pati kushtruar “Tek sheshi, tek sheshi!” Spiro Vllahu, nipi Andrea dhe Padër Zef Pëllumbi, tashmë të dy miq të vjetër që nga vitet e burgimit në kampin e punës në Ballsh, do të ishin të pranishëm aty, tek shkallët e Pallatit të Kulturës. Diktatori do të rrëzohej para syve dhe gëzimit të tyre. Ato çaste do t’u shkonte vështrimi tek monumenti i patundur i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Natyrshëm piktorit shqiptar Vllahu do të rivinin në kujtesë dy ngjarje. E para kishte të bënte me Patër Anton Arapin. Ishte një mëngjes gri, mbase ora tetë apo nëntë, kur u hap dera e ndërtesës së brendshme të burgut dhe i rrethuar nga katër partizanë të veshur me rroba angleze, me në duart e lidhura zinxhirë, bëri ball Patër Anton Arapi. Ishte si përherë i veshur me zhgun dhe me në gjoks kryqin. Po e çonin për ta pushkatuar. Ishte edhe Lef Nosi, nxorën në oborr edhe të tjerë. Të burgosurit nëpër qeli për t’i përshëndetur u zgjatën dhe u kapën në hekurat e dritareve të katit të tretë. Spiro Vllahu u pa vetëm duart, fytyrat nuk u dalloheshin. Këtë skenë ai nuk harron dot, i ka të ngulur në tru, përlotet sa herë që thotë çfarë ato çaste Patër Anton Arapi u tha bashkëvuajtësve të tij që kishin kapur me duart e zgjatura e të dridhura shufrat e hekurta e të kryqëzuara të dritareve të vogla të qelive: “Ma bëni hallall burra! Rroftë Shqipnia!”
Atë 20 shkurt 1991 piktori Spiro Vllahu do të risillte në kujtesë edhe portretin e Werner Daum-it. Në librin me atë autor e përkujdesës kryesor “Albanien zwischen Kreuz und Halbmond” në kopertinë dhe në pjesën e pasme të saj janë vendosur dy pamje të diktatorit shqiptar: kur po bëhej gati të përurohej dhe kur ai u rrëzua. Një herë, fundi i vitit 1989, ndërsa po kalonte afër monumentit të Skënderbeut papritmas iu shfaq para me aparat fotografik në dorë diplomati gjermano-perëndimor. Sapo i kishte bërë një shkrepje. E pati fotografuar mikun e vet piktor me në sfond kryeheroin e madh shqiptar.
Ishte njeri i të papriturave, fare i paparashikueshëm, ky Werner Daum. Njëherë pati ndodhur që e kthyen tek hipte në avionin me të cilin për në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, shtator 1990, po nisej Ramiz Alia. Ka edhe çudira të tjera për t’i rrëfyer diplomati gjermano-perëndimor, por kurioziteti i tepërt do ta shthurte misionin që ka ky shkrim: të dëshmojë se ai është dhe mbetet një mik i madh i shqiptarëve. Pyetja mbase shumëkuptimëshe “Përse fole kaq vonë Werner Daum?” ka këtë si përgjigje të parë.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com