|
Krushqit rrinë akoma të ngrirë
(Botuar në gazetën “Shqip” më 24 qershor 2010)
Një bashkëkombës këto ditë shpërndau në internet këtë opinion të tij: “Bekim Fehmiu ka qenë aktor i madh, nuk do koment. Ashtu nuk do koment se Bekim Fehmiu e ka vetëm emrin shqiptar. Por Bekim Fehmiu ka qenë aktor i madh serb. Nuk mund të thuhet kurrë që ka qenë shqiptar kur nuk ka fol asnjë fjalë shqip në skenë apo film. Aktori që refuzoi të luante shqip në Kosovë bile as edhe një dramë të vetme. Bekim Fehmiu ka qenë dhe mbetur aktor serb e jugosllav…Dhe vetëvrasja nuk është veti e shqiptarëve. Enigma e vetëvrasjes duhet gjetur tek rrënjët e martesës! Kështu u vetëvra edhe Rrahman Morina, baxhanaku i Bekimit si dhe shumë të vetëquajtur shqiptarë të martuar me serbe.
Bekim na turpërove kur jetove dhe na turpërove kur vdiqe!
Ty harroftë emri! Amen!”
Personi që shkruan këto fjalë, edhe pse mendon sinqerisht që këtë mallkim publik e bën për hir të atdhedashurisë, është po ashtu edhe një patriot mendjengushtë. Por është edhe një i pashpirt. Bekim Fehmiu u vetëvra. Ky gjest i dhimbshëm me siguri ka ardhur si pasojë e një krize të madhe njerëzore të tij. Kishte kaluar një hemorragji të rëndë në tru dhe prej kohësh qe ndarë nga jeta artistike. Vetëm individët e mësuar me kontakt intensiv publik e dinë çfarë drame ua gërryen nën brinjë kjo mungesë. Mirëpo një njeri i zakonshëm, jeta e të cilit vërtitet në anonimat, nuk mund ta kuptojë kurrë këtë gjë.
Nuk u vetëvrakan shqiptarët! Sipas vetndjerjes raciste të shpërndarësit në internet të “turpit” të Bekim Fehmiut ne qenkemi një popull special. Sepse ndodh që jo vetëm nga një bashkëkombës mendohet kështu ka ngjarë të mos na bëjë përshtypje se si dy të rinj të dashuruar pak muaj më parë, nga që i penguan prindërit të lidhnin jetën, u vetëvranë. Prej një ngjarjeje të tillë popuj të tjerë nga tronditja e dhimbja kanë krijuar kryevepra botërore.
Mjaftonte të lexoje në “Shqip”, marrë nga “Koha Ditore”, intervistën e bashkëshortes së Bekim Fehmiut për të kuptuar se ajo vetëvrasje e tij në rrethanat e qarta si qe kryer, ka qenë një akt i madh besimi dhe dashurie për jetën. Ajo nuk kishte asnjë lidhje dhe shpjegim me ndonjë tradhti apo indiferencë kombëtare, me ndonjë pendim nga familja e ca më pak se e shoqja Branka Petriç qe serbe. Një shoqëri e shëndoshë si edhe çdo individ nuk ka asnjë të drejtë ta interpretojë një vetëvrasje si akt që duhet ndjekur për model. Jeta çohet natyrshëm gjer në fund. Por të vetëvrarët nuk mund të interpretohen të gjithë si të fajshmit apo më të dobëtit. Madje si në rastin e Bekim Fehmiut një shoqëri e tërë mund të marrë forcë e të reflektojë. Kjo me sa duket ka nisur, shumë janë shprehur në media, të panumërt janë ata njerëz të thjeshtë, të cilët duke mos e pasur mundësinë e dukshmërisë publike, po thonë mes njëri-tjetrit gjëra mjaft të mençura.
Ka qenë pas mesnatë kur autori i këtij shkrimi u ngrit nga shtrati dhe në gjysmë errësirë, pothuaj si një somnambul, në bibliotekën e vet, në raftin vetëm me botimet e Ismail Kadaresë, mori librin “Koha e shkrimeve” dhe në novelën “Krushqit janë të ngrirë“, verifikoi një ankth që po e linte të pagjumë. E mbante mend emrin e personazhit shqiptar Shpend Brezftohti, por pati harruar atë të vajzës serbe me të cilën bashkëkombësi nga Kosova kishte rënë në dashuri. Pa se quhej Mlladenka Markoviç.
Ajo novelë mahnitëse rrëfen se si shtypja e dhunshme e protestave paqësore të vitit 1981, duke ia marrë jetën Shpend Brezftohtit, shkatërroi edhe një dashuri të një shqiptari me një serbe. Tani që kemi Kosovën të lirë e shtet më vete dhe kur mbrojtja e kësaj të drejte është mision jete i të gjithë shqiptarëve, nuk ka asnjë arsye ta shohim një lidhje martesore të tillë kombëtarisht si një “tradhti”. Ato janë ura të mëdha lidhjeje me një popull fqinj. Dashuritë kurrë nuk kanë punuar në favor të shovinistëve, as të ultranacionalistëve. I kanë shërbyer fisnikërisht të ardhmes. Bekim Fehmiu dhe dashuria e tij Branka Petriç, një lidhje e fortë artistësh të talentuar, na bëjnë nder në Tiranë dhe në Beograd. Kur ndodhi që bashkia e kryeqytetit tonë shpalli qytetar nderi Goran Bregoviç, ka një mijë herë më shumë të drejtë dhe detyrim ta gjejë një mënyrë për ta bërë të dukshme se ne të gjithë shqiptarët e çmojmë shumë dhe e duam Bekim Fehmiun. Ai është një aktor i kalibrit botëror. E kishim harruar ose të paktën nuk e sillnim ndërmend shpesh këtë të vërtetë. Ia kishim lënë peng Luftës së Ftohtë, ndërsa qe çmuar nga regjisorë të huaj me shumë emër se ishte i pari dhe më i shquari aktor i lindjes komuniste që çau perden e hekurt dhe bëri famë në Perëndim.
Bekim Fehmiu e ka dashur shumë popullin e vet. Nuk është e hijshme t’i kujtojmë një artisti të atyre përmasave se nuk luajti ndonjë pjesë në shqip apo se punoi me teatrin dhe kinemanë jugosllave. Një talent i madh nuk mund të mbijetojë pa një karrierë artistike dhe për këtë gjë ai e ka jetike zgjedhjen e mundësive më të mira për t’ia ndalë mbanë, i ka të lejueshme edhe kompromiset. Një gjeni, dhe Bekim Fehmiu qe një i tillë, dëshmi e kontribut të patriotizmit nuk ka as daljen në mal dhe as kallashnikovin. Jemi të mbushur plot me mirënjohje dhe na mbushem sytë me lot sa herë që shohim në fotografi bashkëkombës nga Kosova që për çlirimin e trojeve të tyre kanë dhënë jetën. Ata janë heronj. Porse Bekim Fehmiu nuk duhej ta jepte jetën, madje as karrierën, duke u dhënë shkak që si “irredentist” ta dëbonin nga ekrani i filmit apo salla e teatrit. Patriotizmi qe talenti i tij. E shohim tani sa e drejtë dhe e arsyeshme është të sillej saktësisht ashtu siç veproi. Bashkëkombësi ynë i madh ndarjen me aktrimin, pra me profesionin që e kishte bërë të shquhej në të gjithë botën, në thelb ndarjen me vetë jetën e tij, në vitet tetëdhjetë e kreu për të protestuar ndaj dhunës që makina shtetërore serbe i bënte popullit të vet. Ky gjest atdhetar përmban një madhështi monumentale. Poeti i madh hungarez Shandor Petëf thoshte se për dashurinë do të jepte jetën, por për atdheun do të jepte edhe vetë dashurinë. Bekim Fehmiu për profesionin e tij do të jepte edhe jetën (siç e dha, në atë krizë të heshtur e të përmbajtur plot dinjitet), kurse për atdheun do të jete edhe profesionin e vet.
Cili ka pasur mundësi të shohë dhjetë minutat e dokumentarit të Kinostudios “Shqipëria e Re” për vizitën e tij në vitin 1972, përpos ndonjë stili ideologjik të kohës, do të shohë se me sa dashuri e kanë pritur shqiptarët në Tiranë, Gjirokastër, Korçë, në Shkodër, ku pati jetuar për disa kohë familja e tij. Është prekëse sa i gëzuar ndihet edhe vetë Bekim Fehmiu, sa mall shpreh. Këto ditë pyetëm një vullnetar të anëve tona, kolonel, i cili gjatë luftës për çlirimin e Kosovës ka qenë ndihmës i shefit të Shtabit të UÇK-së. Pas çlirimit për disa kohë ai qe në Prishtinë shef kabineti i Ministrit të Mbrojtjes. Kishte qenë dëshmitar i momentit kur Bekim Fehmiu pati ardhur që nga Beogradi për të falënderuar çlirimtarët dhe gëzuar Kosovës së lirë. “Qëndruam fare pak çaste në paradhomë dhe lajmërova menjëherë ministrin. Më ka mbetur në mendje fytyra e lumtur e tij. Kishte ato kohë edhe prej atyre që vinin nga Beogradi, ku u patën bërë shërbime të ndota serbëve dhe nxitonin të dukeshin në Prishtinë për të larë mëkatet e tyre. U dallohej menjëherë hipokrizia. Porse gëzimi i Bekim Fehmiut qe shumë i sinqertë, ngazëllim gati fëminor”.
Bisedën me këtë kolonel, i cili quhet Dilaver Goxhai, e bëmë para se të përhapej lajmi se artistit tonë të madh me famë botërore, siç edhe e kishte lënë në amanet, hiri i eshtrave iu shpërnda në një mëngjes të hershëm në ujërat e lumit Lumbardh të Prizrenit.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|