Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Provo të dashurosh një gjermane!


(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, shtojca kulturore “Milosao”, më 20 qershor 2010)

Në Berlin apo në Mynih, në Dresden apo Laipcig, kupton që femrat gjermane kanë një adhurim të posaçëm për shqiptarët. Kjo do të thotë se ato i pëlqejnë veçanërisht edhe si meshkuj, jo vetëm sepse për një traditë të vjetër të atij populli në Ballkan ata duan më shumë etninë tonë të arbërve.
Për një femër gjermanike shqiptari është një mesdhetar me shtat të fortë, me lëkurë të rrahur e thekur nga dielli, plot temperament dhe me një burrëri që e përzierë me ca vrazhdësi e bën joshës para seksit tjetër. Kështu ka ndodhur që martesat më të shumta të shqiptarëve me të huajat nuk janë ato me francezet, anglezet apo edhe kanadezet, madje as me italianet e greket, por me gjermanet. Kjo ka ndodhur edhe në vitet njëzetë e tridhjetë të shekullit të shkuar, por edhe në pesëmbëdhjetë vitet e para të diktaturës, deri në çastin e ndarjes ideologjike që regjimi i Tiranës kreu me të gjithë të quajturin “kamp socialist” të Evropës Lindore. Kur pas rënies së atij sistemi politik letërsia artistike apo dokumentare u ndje më shumë e vëmendshme në rrëfimin e historive të dashurive dhe martesave të shqiptarëve me ruset, kjo ndodhi jo thjesht sepse për një periudhë të ngushtë të asaj dekade e gjysme miqësie zyrtare ato qenë numerikisht më të shumtat, por edhe nga që ishte krijuar përshtypja se ato lidhje shpirtërore prej “arsyeve shtetërore” në Tiranë e Moskë qenë prishur më dhunshëm.
Kështu pa dashje dhe pa asnjë paragjykim u harruan gjermanet, dashuritë e tyre nga më prekëset dhe më të sinqertat me shqiptarët.
Rikthimi tek rrëfimi i tre prej tyre mbase nuk është një punë e kotë. Ca më shumë që për hir edhe të lidhjeve kohëgjata të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe të Malit të Zi, që prej shtatë dekadash emigrues në Gjermani, tanimë janë me qindra këto martesa dhe me mijëra fëmijë gjermano-shqiptarë. Madje në disa raste bashkëkombës nga Kosova ja kanë dalë të kenë një bashkëshorte të etnisë së vet të lënë në vendlindje dhe në tokën e famshme të gotëve një tjetër, gjermane, në krah apo në dhomën e gjumit.

ooo

Neshat Hodobashi në fundvjeshtë të vitit të shkuar botoi romanin “Njeriu me dy hije”. Mund të ndodhë që një pjesë e lexuesve të mos ja ketë dëgjuar emrin si shkrimtar, por as ai vetë, kur ia çel këtë temë, nuk e pranon ta ketë fituar këtë status. Në të vërtetë katër dekada më parë ai ka shkruar tre novela, por asnjë prej tyre nuk e pati fatin e botimit. Kështu kush ja ka dëgjuar emrin Neshat Hodobashit e lidh atë me një botim të bujshëm të fillim viteve shtatëdhjetë të shekullit të shkuar. Bëhet fjalë për librin “Një lodër me orarin e trenave” të një autori japonez, i cili i përkthyer prej tij nga gjuha gjermane pati aq fort sukses sa që u shit në tetëmbëdhjetë mijë kopje. Atëherë shqiptarët po përjetonin një stinë të bukur liberalizimi, por që shumë shpejt u mbyll me akullimën dimërore të një plenumi të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, të quajtur i Katërti. Neshat Hodobashi duke qenë bashkëpunëtor i jashtëm i shtëpisë së vetme botuese të librit artistik, “Naim Frashëri”, me frymën e hapjes kulturore kishte përkthyer disa libra, asnjë më pas me gëzimin e publikimit. Ra mbi to, si edhe mbi mijëra krijime, akuza apo thjesht hamendja se mund të ishin vepra revizioniste.
“Njeriu me dy hije” vjen pas më shumë se tre dekadash nga ajo kohë e “Një lodër me orarin e trenave”. Libri është rrëfim autobiografik dhe pas personazhit kryesor Bardhi Kodra gjendet vetë autori. Ndërsa kur flitet për mjaft nga shumë të tjerë të cituar, pothuaj të gjithë janë emra të vërtetë. Plotësisht real është edhe emri Die Gertrude.
Një lexues i romanit, patjetër njohës shumë i mirë i letërsisë, në një hyrje shpjeguese pa shumë fjalë, por të thellë në gjykime, thotë se në qendër të librit “Njeriu me dy hije” është “jeta e një personazhi të kohës sonë”, se Neshat Hodobashi, pra krijesa letrare me emrin Bardhi, ka meritën që pas dramës “nuk e humbi fillin e jetës, një rrezik shumë i madh për kohën”. “Ai e donte vendin e tij të bëhej si Evropa” shton, por gjithçka i mbeti si dëshirë dhe vetëm ëndërr, si shumëve. Autori i parathënies nuk heziton të shkruajë se ai roman është “Historia e një njeriu që nuk ndeshet, nuk e ka guximin të kundërshtojë dhe për këtë gjë është i ndërgjegjshëm, sepse ndryshe mund të humbiste vetë ekzistencën e tij”. Dhe përfundon “Vetëm dashuria për jetën është motivi i bindjes dhe i heshtjes së tij”.
Kjo është edhe drama mbi dramë e librit “Njeriu me dy hije”. Pas vitit nëntëdhjetë, pra kur diktatura u shemb dhe mbi fatet e njerëzve pushteti politik nuk kërcënonte me burg apo marrje jete, në viset tona u shumuan disa “trima” që i quajtën jo vetëm oportunistë, por të fajshëm ata që u goditën nga regjimi stalinist dhe nuk kundërshtuan. Thua se ata nuk kishin dalë të paktën njëherë kundër ndërsa vepruan jo në përputhje me rregullat shumë shtrënguese të tij. Nuk e bënë për të dytën herë sepse goditja do të vinte e sigurt dhe asgjësuese. Kështu pritën e shpresuan në një ditë të ardhme, të paktën në mundësinë për një rrëfim publik të asaj që u kishte ndodhur në një kohë të marrë dhe absurde.
Bardhi Kodra, pra Neshat Hodobashi, ishte një fëmijë i lindur në një fshat shumë të largët dhe të varfër të Skraparit, në një shtëpi mali mbi çatinë e të cilës fishkëllenin erërat e forta dhe gjatë dimrave buçitnin furtunat. Si pasojë e disa rrethanave fatlume dhe vullnetit për të mësuar e dalë sa më shpejt nga kurthi i asaj vetmie dhe izolimi nga bota e madhe një ditë të mesit të viteve pesëdhjetë nga Tirana iu akordua një bursë për të studiuar në Gjermani, në degën e inxhinierisë së metaleve. Janë shumë mbresëlënëse, madje artistikisht shkruar mjaft hirshëm, ato faqe ku autori përshkruan udhëtimin e dyqind studentëve shqiptarë, të cilët nisen për në vendet e “kampit socialist” që nga porti i Durrësit, me vaporin rus të pasagjerëve “Krimea”. Është mot me det të zëmëruar dhe pulëbardha nervoze këlthasin mbi dallgët e kreshpëruara. Pas kalimit të ngushticës së Bosforit, ndërsa në të dy anët e brigjeve i mahnit Stambolli, mbërritën në portin e Varnës. Këtu zbarkuan ata që do të studionin në Bullgari. Porti tjetër ku “Krimea” qëndroi ishte Kostanca. Këtu, ndërsa vapori bashkë me studentët e shumtë që do të ndiqnin shkollat në Bashkimin Sovjetik mori rrugën drejt Odesës, zbritën të gjithë ata që do të shkonin në vendet e tjera, duke nisur nga Rumania e përfunduar në Poloni e Gjermaninë Lindore. Udhëtimi me tren për në Bukuresht dhe prej këtej në Budapest e bën Neshat Hodobashin të tronditet nga ajo që sheh. I dalin natyrshëm nga brendësia e gjoksit fjalët “Kemi hyrë në Evropë!” Kudo gjithçka qe e sistemuar dhe e harmonishme, e rregullt dhe e mirëqënë. Gjatë një shëtitjeje mbrëmjeje në kryeqytetin hungarez në një vitrinë pa ekranin e një televizori me ngjyra. Mbeti i pagojë dhe që prej këtij çasti do të mundohej t’i shpjegonte vetes se si edhe i njëjti sistem politik, në atë rast komunizmi, nuk qe njëlloj si në vendin e tij. Për aq sa do të shihte në ato ditë udhëtimi nëpër Evropën lindore ai dukej sheshit që ndryshonte shumë, por këtë gjë do ta kuptonte e vuante thekshëm me ato që më pas do t’i ngjanin.
Në mëngjesin tjetër u nisën drejt Berlinit dhe pastaj u vendos në Laipcig, ku ishte Instituti, shkolla e tij. Në qytetin e luleve ose siç i thonë ndryshe edhe i trëndafilave pa se vendasit në jetë orientoheshin nga tre rregulla të hekurta: dashuria për punën, për librin dhe respekti për njeriun. Çdo ditë e më shumë Hodobashi po kuptonte se vendi i tij ishte tepër larg standardeve të qytetërimit të kontinentit. Do të bindej ca më shumë për këtë një ditë (qe fillim vere, sezon provimesh), kur doli i vetëm në qytet e ndërsa për të pirë një freskuese apo ngrënë ndonjë ëmbëlsirë të lehtë, kaloi pranë një Rongcafe dhe afër saj i zunë sytë një kioskë tepër tërheqëse. Brenda ishin dy bionde, rreth të dyzetave njëra, me tipare të bukura, dhe pranë saj një vajzë që i ngjante, e hijshme krejt si një hyjni. Kjo do të qe Gertruda, gjermania me të cilën do të dashuroheshin me të gjithë forcën e shpirtit.
Përveç gjimnazit ajo mësonte violinën, e motra Krimhild në kohën e lirë merrej me fizarmonikë. Romani tregon përqafimin e parë në divan të dy të dashuruarve, çast kur i pa e ëma dhe u tha “Ju vetëm të doni njëri-tjetrin dhe të mësoni, se për ju punoj unë”. Pastaj ndodhi që Gertruda shkoi në Berlin, në Ministrinë e Brendshme nxori një leje për të shkuar në pjesën perëndimore të Gjermanisë ku takoi të atin. Ky që prej mbarimit të luftës, duke qenë se qe mobilizuar dhe pati luftuar në frontin rus, i kërcënuar mos më pas burgosej, e pati braktisur pjesën lindore të shtetit, tashmë nën kontrollin sovjetik, dhe kishte kaluar në Perëndim. Qe shumë i sëmurë. Gertruda e cila nuk e kishte takuar babanë e vet prej shumë kohësh, i tha se donte një shqiptar dhe se bashkë me të, kur ky të mbaronte studimet, do të kthehej në vendin e tij. I kërkoi bekimin për këtë hap të rëndësishëm që po bënte në jetë. I ati iu përgjigj “Djali që ti ke njohur mund të jetë shumë i mirë, po vendlindja e tij, Shqipëria, është vendi i burgjeve dhe i kampeve të përqendrimeve, ku njerëzit mbyllen për një fjalë goje. Ai është i izoluar totalisht dhe njerëzit jetojnë nën hijen e frikës”.
Gertruda nuk e besoi. Këtë gjë ia tha menjëherë të dashurit. Ajo u habit kur fjala Perëndim, që shqiptoi, e hutoi dhe e vuri në panik këtë të fundit. Mirëpo ky vinte prej një vendi të veçantë, ku edhe komunizmi nuk ngjante aq shumë me atë të vendeve të tjera. Ai e dinte se një e dashur me babanë e arratisur në Perëndim do të kishte hapur në jetën e tij një plagë politike. Ia shpjegoi këtë gjë Gertrudës, por ajo veç thoshte e habitur “Si mund të ndërhyhet në jetën personale të njerëzve!?” Pastaj ndodhi ajo që pritej. Studentit Hodobashi iu shfaq “HIJA”, ndjekësi, përgjuesi. Në pushimet e verës i ndodhi rikthimi i përkohshëm në Shqipëri me tren deri në Pragë dhe prej këtej në Rinas me një avion rus “Tupolev”. Sërish nga lart pa se si territori i butë i fushave të gjëra të vendeve të tjera u pasua nga vargmalet e ashpra në hyrje të atdheut të vet. Kur erdhi muaji shtator emrin nuk e gjeti në listën e studentëve që do të riktheheshin. U thirr nga zëvendësministri i arsimit dhe dëgjoi fjalët kërcënuese “Nuk do të kthehesh më, nuk ke bursë, zgjidh një degë fakulteti në Tiranë!” Në gjendjen e re të papritur i shkroi disa reshta Gertrudës, fare shkurt, sepse çdo teprim do t’ia shtonte rrezikun. Ajo i bëri menjëherë një telefonatë, ku ngulte këmbë se nuk kuptonte asgjë. Pastaj e dashura gjermane i dërgoi një letër, ku i shkruante se kishte rregulluar një vizë bashkë me një grup turistësh gjermanë. Ja edhe zbritja e saj në Rinas. Tek u takuan një aparat fotografik u shkreh befas para tyre. Të nesërmen shkuan në Kuvendin Popullor, ku zëvendëskryetarit të tij Gertruda i tha se patën ardhur “të kërkojmë të drejtën tonë e cila garantohet nga kushtetuta juaj”. Mirëpo tjetri iu përgjigj “Nuk lejojmë martesa me të huaj, kemi rreth njëqind e pesëdhjetë gra të huaja këtu dhe mezi presim të largohen drejt vendeve nga kanë ardhur. Nuk mund t’ju them më tepër se kaq, tani mund të largoheni”. Atëherë të dy të dashuruarit shkuan tek ambasadori gjermanolindor, i thanë edhe atij “Duam të lidhim martesë, na ndihmoni!” Ky sqaroi “me këta këtu nuk mund të merresh vesh, janë shumë të ashpër dhe të prerë në gjykim, prandaj nuk ju ndihmoj dot”. Pastaj u zgjati dorën në shenjë ndarjeje. “Mos të dorëzohemi”, i tha të dashurit Gertruda, “do të trokasim në dyert e tyre dhjetë, njëqind herë, derisa të lodhen e të dorëzohen ata para nesh, duke na dhënë lejen që kërkojmë”. Të nesërmen me pak fruta dhe disa gjëra të tjera për të ngrënë studenti i penguar shqiptar shkoi në plazhin e Durrësit, tek hotel Adriatik, ku bashkë me turistët gjermanë rrinte edhe Gertruda. Ajo sa e pa iu hodh në krahë dhe të dy shkuan drejt bregut të detit për të shëtitur e biseduar në intimitet. Pas pak minutash u shfaq një polic që i tha Neshat Hodobashit “Eja me mua!” Në vijim të historisë është futja në një qeli, vajza që shkon në degën e Brendshme dhe e kërkon, përgjigja “Nuk është këtu”, nxjerra nga qelia në një orë të vonë, ritakimi, tashmë shumë tronditës, ai që i lutet se dashuria e tyre është shumë e pamundur dhe Gertruda që si gjithnjë ngul këmbë. Kur hipën në avion përsërit “Bashkë të ty do t’i përballojmë. Ki besim në dashurinë tonë!”
Deri sa kjo dashuri të fikej e ndarë dhunshëm dhe mes të dyve të mos kishte më as korrespondencë me letra dhe as telefonata ka edhe historinë e një kartoline të vonë të ardhur nga Laipcigu dhe që atij nuk i kishte rënë në dorë, por megjithatë u thirr urgjentisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku një kolonel dhe një major i nisën hetimin...Romani mbyllet se si Bardhi Kodra, personazhi që mbart jetën e vetë autorit, krijon familje me një bashkëkombëse me emrin kuptimplotë Vlera, e cila edhe ajo është një bionde e bukur, madje më e hijshme se Gertruda. Duket në fillim sikur kjo lidhje e re e sinqertë qe një lloj kompensimi, kërkimi i dhimbshëm për një të ngjashme nga dashuria e humbur, por nuk ishte kështu. Shqiptarja Vlera ishte një grua me këmbë në tokë dhe e fortë në jetë. Vetë natyrë e mbyllur dhe e brishtë ai kishte gjetur sigurinë e tij, përballimin e realitetit të vështirë të vendit të vet problematik. “Ai kishte ëndërruar të bëhej njeri i dobishëm dhe të linte gjurmë në jetë”, janë fjalët e fundit të librit “Njeriu me dy hije”, “Të ndodhej pranë njerëzve në nevojë. Kishte ëndërruar për një shoqëri të lirë dhe dinjitoze në sytë e botës”.
Në libër nuk tregohet se si në vitin 2007, kësaj here me ndihmën e vajzës së tij studente në Gjermani, Neshat Hodobashi, pasi që nga viti 1991 kishte folur në telefon me Gertrudën, më në fund u takua me të dhe të shoqin e saj, një mjek psikiatër, shtatlartë e pamje bukur, shumë i sjellshëm. Drekuan për tre orë në një qytet të famshëm në kufi me Austrinë dhe Zvicrën, ku ka liqene të bukur. Tashmë Gertruda librin me historinë e dashurisë së tyre të ndaluar politikisht në Shqipëri e ka në duar edhe në gjuhën gjermane. E ka përkthyer si dhuratë për të Neshat Hodobashi. Kurse ajo thotë se me siguri do ta gjejë një shtëpi botuese dhe do t’ua bëjë të ditur lexuesve të vendit të vet.

ooo

Quhet Waltraud. Mbiemrin e prindërve e ka Tunger. Qenë familje punëtore nga Khemnitz, qytet i atëherë Gjermanisë Lindore. Në shkollën tetëvjeçare kishte ëndërruar të bëhej kopshtare ose laborante në uzinën Fettchemie të lagjes së saj në Kappel. Pasi pati bërë një vit shkolle të mesme në Leipzig e dërguan për studime të mëtejshme në Institutin Ekonomik Shtetëror të Moskës, në Fakultetin e Ekonomisë Bujqësore. Po i afrohej realizimit të ëndrrës së saj dhe pasi të mbaronte vitet e shkollimit moskovit menjëherë do të rikthehej në atdhe. Mirëpo i doli përpara një student nga Shqipëria. Ishte nga krahina me emrin Skrapar dhe djalë simpatik. Vazhdonte në Moskë studimet në të njëjtin institut. Të vetëm përballë njëri-tjetrit qenë takuar afër daljes së metrosë “Sokolniki” një mbrëmje dimri dhjetori, viti 1953. Në një nga librat e saj me kujtime Waltraud shkruan “Me etje thitha ajrin e freskët. Në bibliotekën e Institutit kisha ndenjur gjatë mbi libra. Qëndrova e pavendosur me çantën plot libra dhe mendova: të hipi në tramvaj apo më mirë të shkoj më këmbë në konviktin tonë “Stromynka Nr. 32”. Në atë çast u dha Ilmiu, që më përshëndeti dhe më ofroi të më mbante çantën. Dëbora kishte shtruar goxha dhe vazhdonte të binte ngadalë. Ishte një bukuri e vërtetë!”
Gjashtë vite më vonë prej këtij çasti, në 26 gusht 1959, ndërsa Waltraud Tunger qe rikthyer të punonte në vendlindjen e vet, i ati e shoqëroi deri në Berlin, ku prej aeroportit Schönefeld do të niste fluturimin drejt të panjohurës, Shqipërisë. Ndërsa hipi në avion nuk mund ta dinte se për arsye ideologjike Shqipëria do të vetëmbyllej hermetikisht edhe me “kampin socialist” dhe ajo nuk do të komunikonte dhe as nuk do t’i shihte dot prindërit e vet deri sa ata të ndërronin jetë. Shenja që po hynte në një pjesë të trazuar të jetës së saj iu paratha që atë ditë. Kishte pothuaj gjashtëdhjetë minuta që po fluturonin, ishte ora 14.00, kur befas avioni filloi të bënte një kthesë të fortë. Për shkak të ndryshimit të shpejtë të drejtimit të fluturimit pasagjerëve iu morën mendtë dhe nga zhurma e sforcuar e motorëve nisën t’u buçitnin veshët. Në bord u shfaq stjuardesa që u kërkoi ndjesë. Tha se u duhej te ktheheshim për në Budapest. Duke qenë se po fluturonin drejt Tiranës Jugosllavia nuk u kishte dhënë lejen për të kaluar mbi territorin e saj. Tensioni i marrëdhënieve Beograd-Tiranë kishte rënë si shkreptimë e parë politike mbi martesën e saj, ngjarjen më të bukur që deri atëherë pati ëndërruar. Mundi të vijë tek bashkëshorti i ardhshëm vetëm të nesërmen, më 27 gusht, dhe pas fare pak kohësh qëndrimi në Tiranë puna e saj e parë që do ta priste, ishte transferimi në Fier. Shkolla ku të dy që do qenë mësues gjendej në periferi të qytetit. Makina nuk kishte, ca më pak nuk funksiononte në atë drejtim ndonjë shërbim urban. Kështu përdorën një biçikletë që kishin. Në fillim hipte mbi të Waltraud dhe pasi bënte një copë udhë e linte buzë rrugës, duke vijuar më tej më këmbë. Ndërkaq i nisur me këmbë pas pak Ilmiu merrte biçikletën dhe e arrinte Waltraud duke kryer edhe njëqind metra më tutje. Pastaj e linte biçikletën buzë rruge dhe vijonte pa të. Kur gjermanka mbërrinte deri tek dyrrotëshi i hipte dhe vraponte me të përpara. Kështu deri sa mbërrinin në shkollë.
Ndihej e gëzuar gjithsesi. Shkonte shumë mirë me shqiptarët. Ata e thërritnin miqësisht Vala!
Shumë më pas gjermania Waltraud do të punonte në Radio-Tirana, në redaksinë për të dëgjuesit e huaj. Në 16 janar 1976 bashkë me të shoqin, të larguar nga Komisioni i Planit të Shtetit dhe të emëruar papritmas në një degë banke në qytetin e Kukësit, do të niseshim për në veri. Do të shkruante në një nga botimet e saj “Arritëm në Kukës në errësirë...Rruga s’kishte të sosur. Herë pas here zbrisnim nga makina për të shpirë këmbët, po futeshim përsëri me vrap se nuk duronim dot të ftohtit....Në Kukësin e Ri...ulërinte një furtunë e tmerrshme. Ajo na hapte rrobat, pallton, sikur donte të na zhvishte. Ne kruspulloseshim, mbështilleshim, thuaj në atë çast përlesheshim me të....Kur hapëm spondin e makinës nga të ftohtit gjethet e të gjitha luleve u zgërlaqën. Unë s’kisha kohë t’i qaja lulet e mia. Tani nevojiteshin krahë të fortë, që të ngrinin plaçkat në apartamentin tonë, në katin e dytë. ...Orenditë tona ishin të thjeshta.... Ne s’kishim komplet kolltukësh, por kishim një televizor, një frigorifer dhe një lavatriçe gjysmë automatike. Kishim një krevat dopio dhe një dollap rrobash si dhe një etazher dhe shumë libra. Kisha edhe një makinë qepëse të sjellë nga Moska, një makinë shkrimi, mjeti më i çmuar për mua, që ma kishin sjellë prindërit. Përveç këtyre kishim edhe një bufe të fortë që u mbijetoi 7 transportimeve....Nga korrenti që u krijua prej dyerve të hapura, u thye xhami i derës së dhomës së tharjes. Kjo e bëri tepër të ftohtë shtëpinë dhe të vështirë për të kaluar natën këtu...fqinjët na ofruan për të bujtur në shtëpitë e tyre”.
Në këto çaste njëri vëlla i të shoqit, atë kohë Hero i Punës Socialiste, i cili i pati shoqëruar për ndihmë deri aty, kur pa me sytë e tij kushtet e reja të jetës i pati thënë “Si ua punuan kështu, më keq se sa një armiku!” Pastaj Waltraud ndërhyn për ta shpjeguar atë cinizëm që u kishte rënë mbi shpinë: “Për familjen e Ilmiut dhe tërë fisin e tij, ky transferim i detyruar, në palcën e dimrit, në skajin verior të Shqipërisë, ishte një goditje e fortë në sytë e njerëzve. Shumë nuk e shpjegonin dot ndryshe. Ata dyshonin, se unë isha agjente”.
Këtë fjalë, “agjente”, Waltraud e përdor vetëm njëherë në të tre librat e saj të kujtimeve nga Shqipëria. Është një fjalë shumë fyese. Gjermania ndjen turp edhe ta shkruajë. Ajo e citon njëherë ndoshta që vetëm ta flakë nga trupi i saj, ku ia kishin ngjitur fshehurisht. Waltraud jetoi në viset tona 37 vite dhe u rikthye në tokën e vet vetëm në vitin 1996. Që prej këtij çasti ajo nisi të shkruante dhe publikonte librat e rrëfimit për jetën e saj. Nisi me “Albanien – Mein Leben (1959 – 1996)”, të botuar fillimisht në Gjermani. Për publikun tonë ai erdhi vetëm në vitin 2000 nën titullin “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri ” (1959 – 1996)”. Pastaj Waltraud publikoi në të dy gjuhët “Shpirtra shtegtarë“, ku janë rrëfyer vitet e saj të kthimit në atdheun e vet të lindjes. Në 2009 gjermania që kaloi në Shqipëri më shumë se gjysmën e jetës së vet botoi librin e tretë “Vjehrra ime Kolja”.
Por Waltraud Tunger ndërkohë kishte përkthyer në gjermanisht mbi njëzetë libra të autorëve tanë, në shumicën e tyre pa pasur të drejtën të kishte emrin e saj në faqen e parë të brendshme. Dhe nuk qenë libra dosido, por ndër më përfaqësuesit e identitetit dhe të vlerave tona kombëtare. Ishte “Komisari Memo” i Dritëro Agollit, “Nëpër analet e diplomacisë angleze” i Arben Putos, “Skënderbeu” i Sabri Godos, botimi i Akademisë së Shkencave “Shqiptarët dhe trojet e tyre”, “Autobiografia e popullit tim në vargje” e Ismail Kadaresë, “Eqerem Çabej”, biografi e shkruar nga gjuhëtari Shaban Demiraj, “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës”, libra shkencorë të Myzafer Korkutit, Neritan Cekës...
“Mjerisht nuk e merrja vesh fatin e librave të përkthyera nga unë”, shkruan Waltraud, “Por një herë më ndodhi një ngjarje që më dha hov. Në gusht 1979...takova për herë të parë Dritero Agollin me të shoqen e tij, Sadijen. U gëzova shumë që pata rastin për të parë nga afër shkrimtarin, mendimet e të cilit i kisha njohur gjatë përkthimit të librit “Komisari Memo”. Ai na tregoi se romani i tij ishte pëlqyer në Gjermani dhe se i kishin dhuruar një vëllim të lidhur bukur në gjermanisht. Me tej, ai tregoi se ky roman kishte marrë edhe një çmim si përkthimi më i mirë vjetor për letërsi të huaj. Ai shtoi se vlerat e romanit ishin rritur nga përkthimi im i mirë”.
Ja përse gjermania Waltraud thotë “Jeta ime i ngjan një mozaiku të madh prej guriçkash, të bardha dhe të zeza, me ngjyra dhe pa ngjyra, të errëta e me shkëlqim...Me këtë rast mu kujtua “Bukuroshja e Durrësit”, një mozaik, monument kulture i antikitetit shqiptar”. Ajo kujdeset të sqarojë se me dashurinë e saj me një shqiptar “Nuk më vjen keq që e kam bërë këtë hap të rëndësishëm, se unë respektova jetën time, nuk isha martuar as Ulbrihtin, as me Enver Hoxhën e as me Hrushovin, por me Ilmi Bejkon nga Sevrani i Skraparit, një student shqiptar që studioi bashkë me mua në Moskë”.
Tani prej afro dy vitesh bashkëshorti, studenti që takoi në atë mbrëmje të bukur të dhjetorit 1953 para metrosë “Sokolniki” në Moskë, ka ndërruar jetë. Në Gjermani Waltraud, pra Vala, jeton me djalin Ilir dhe me vajzën Aneta. Emrat shqiptarë vijojnë edhe tek nipërit e mbesat.

ooo

Pas vitit 1990, pra kur Shqipëria shpëtoi nga regjimi i mbyllur, nisi rrugën e vet edhe një letërsi autobiografike e një tipi të veçantë, për çka mund të thuhet se në përmasat që ka marrë mund të jetë fenomen i vetëm anëve tona. Kjo gjini më tepër se letrare është dokumentare dhe tashmë përfshin me qindra e qindra autorë. Bashkëkombësit të çliruar nga çdo lloj censure shteti, por edhe autokontrolli, çfarë jo përherë është gjë e gabuar, duke qenë se janë shqiptarë dhe si të tillë prej temperamentit dhe mendësisë na lëvron gjak protagonisti dhe të vetndjeri person “VIP”, shkruajnë histori të jetëve të tyre, por edhe të familjeve e fisit, përshkruajnë fshatin apo krahinën, tregojnë për shokë e miq, bashkëngjisin fotografi të xhaxhai e dajës, tezes e gjyshes, fqinjit e të rojtarit të pyllit, të këngëtarit popullor të nahijes dhe të furrxhiut të lagjes.
Mes këtyre botimeve gjen të tilla që nuk i çon dot deri në fund, aq vetëmburrje kanë. Veç në jo pak raste tek u shfleton faqet e tyre të përmbytin emocionet, janë shumë të sinqertë dhe prej jetës së atij personi e familjes së tij, fshatit apo gjithë krahinës, mëson mjaft. Zakonisht këto libra nuk botohen për t’u shpërndarë në rrjetin librar, nuk janë për të gjithë opinionin publik. Autorët i shumëfishojnë në tirazhe të kufizuar. Gjen që libra të tillë kujtimesh i botojnë deri edhe në pesëqind kopje, të rastis, si në një rast që njoh, vetëm në njëzetë copë. Në këtë ndodhi të fundit ai tirazh shumë i cunguar na u duk i padrejtë, sepse libri autobiografik ishte shkruar me aq shumë ndjenjë dhe mbartte aq fort vlerë shoqërore sa meritonte, edhe pse i shpërndarë vetëm nëpër miq, më shumë njohje publike.
Për fat një triologji e Flamur Çanit, në realkomunizëm ish-kryetar i komitetit ekzekutiv të Gjirokastrës dhe me fillimin e pluralizmit deputet në Kuvendin Popullor të kohës, është botuar në pesëqind kopje dhe sipas rregullit të pashkruar të kësaj letërsie duke mos u gjendur nëpër librari, ndodhet i shpërndarë nëpër familjarë, miq e shokë të autorit.
Mes qindra episodeve që përshkruan në vëllimin e tretë, “Kënga e zemrave”, ish-politikani Flamur Çani përshkruan edhe historinë e një gjermaneje të quajtur Karola. Në krahinën e tij të Labërisë (vendlindja e autorit është fshati i njohur i Mashkullorës) gjatë viteve të rezistencës kundër pushtimit fashist kishte bërë emër edhe një partizan, të cilin përveç emrit të vërtetë e thërritnin edhe me një nofkë përkëdhelëse: Xhaxhi. Bënte pjesë në Brigadën e VIII Sulmuese. Në një betejë të shtatorit 1944 ai u kap rob nga gjermanët dhe u çuan në kampin e përqendrimit në Bukenvald. “Ishte 20 vjeç, i gjatë, i shëndoshë, biond dhe me një trup e fytyrë shumë të bukur”, shkruan Çani. Në kampin e përqendrimit ai u tret e dobësua shumë. Pas një viti e gjysmë mundi të arratisej dhe kërkoi strehim dhe mjekim në fshatin më të afërt. Në shtëpinë ku trokiti i dhanë rroba për t’u ndërruar dhe pas disa ditëve i ofruan punë: të ruante dhe ushqente pesë lopë race që kishin. Para se të delte partizan Xhaxhi kishte qenë blegtor. Shumë shpejt nga bujtësit e vet mori vesh që kishte hyrë në shtëpinë e një gjenerali të ushtrisë hitleriane i cili ndodhej në frontin sovjetik.
Në këtë banesë dashamirëse përveç gjyshes dhe bashkëshortes së gjeneralit ndodhej edhe vajza e tyre, tetëmbëdhjetë vjeçarja Karola. “Vajza kishte një trup të gjatë, të mbushur dhe me flokë bionde. Bënte vazhdimisht tualet”, e përshkruan autori. Duke qenë se punonte mirë e hoqën nga plevica, ku banonte më parë dhe e futën brenda në shtëpi. Kështu Karola ra në dashuri me shqiptarin.
Në shtator 1946 Xhaxhi i rregulloi dokumentet të kthehej në Shqipëri dhe me gjithë lutjet e familjes gjermane të qëndronte aty nuk e ktheu mendjen. Ditën që u bë gati të nisej Karola i tha se do të vinte edhe ajo me të. Kështu erdhën të dy në Labëri dhe ajo u bë nusja e tij. Mirëpo jo vetëm nuk dinte shqip, por edhe as kishte dëshirë ta mësonte këtë gjuhë. Po ashtu ajo nuk dinte as të bënte punë shtëpie. Megjithatë edhe pse kaq fort e përkëdhelur në shtëpinë fshatare të Labërisë e trajtuan mirë. Mosdurimi ndodhi kur pas disa vitesh jete bashkëshortore dhe një vizite mjekësore doli që gjermania Karola nuk lindte fëmijë. Ishte viti 1958 dhe më në fund Xhaxhi e ndau.
Këtë histori në librin e tij “Kënga e zëmrave” Flamur Çani e vijon “Ajo u nis në këmbë për në Gjirokastër. Pas dy orë rrugë në xhade takoi fshatarin tonë, Neshetin. Atij i kishte vdekur gruaja dhe vendosi ta marrë gjermanen. Ai ishte në gjendje të mirë ekonomike. Karola aty trajtohej mirë. Por Nesheti ishte familje e lidhur ngushtë me LANÇ. Kishte dy vëllezër dhe pesë kushërinj dëshmorë të luftës. Kundër vendimit të tij dhe nuses gjermane u ngrit një opinion i tërë jo vetëm në familje e fis, por edhe në të gjithë veteranët e Luftës. Nëna dhe gratë e dëshmorëve në fshat, rreth njëzetë, nuk mund të pranonin një gjë të tillë. Nesheti nuk e përballoi dot opinionin shoqëror dhe u detyrua pas një viti ta ndante”.
Në këtë martesë të dytë Karola, duke pasur fqinjë familjen Çani, ishte përpjekur shumë të mësonte nga e ëma e autorit të librit të gatuante gjellë e bënte bukë. Sa herë që këto punë i bënte mirë gjermania i hidhej në qafë nënës shqiptare dhe e mbulonte me të puthura e falënderime. Në një nga këto çaste Karola e pafat kishte psherëtirë “S’ma ka njeri fajin, fatin tim kështu e ndërtova vetë”.
“Mbeti sërish rrugëve”, vijon Çani rrëfimin e historisë së Karolës, “Me një boçë në dorë doli te baxhua e Mashkullorës. Dikur ndali një makinë e parkut të Sarandës, duket një vagabond, e mori si pasagjere dhe e zbriti në të hyrë të Delvinës. Nën Rusan, pranë Delvinës, ishin vendosur nja pesëdhjetë familje arixhinjsh. Aty u njoh me njërin prej tyre, që më vonë u bë kryetar i lagjes së arixhinjve. Ai kishte një turp e fytyrë të plotë, zeshkan, me mustaqe dhe në pamje nuk të jepte aq përshtypjen se ishte arixhi”.
Në 1988 si kryetar i komitetit ekzekutiv të Gjirokastrës Flamur Çani shkoi në lagjen e tyre sepse i ishte dhënë detyrë të ngriheshin aty dyzetë apartamente, shtëpi që do të ishin me katër hyrje gjithsecila. Aty takoi për herë të fundit Karolën. “Ruante bukurinë e dikurshme”, shkruan, “sikur të ishte e re. Më njohu sa më pa dhe erdhi e më takoi. Si dukej qe e pakënaqur që ishte katandisur e marrë një arixhi, për më tepër që ai e trajtonte keq”.
Ndërkohë familja e saj në Gjermani po mbushte dekadën që e kërkonte ta gjente, por kryearixhiu e mbante fshehur. Në vitin 1989 më në fund në Tiranë funksiononte ambasada e Republikës Federale dhe ajo e zbuloi ku gjendej. E morën dhe me shpejtësi e dërguan në atdheun e saj.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com