|
Foto: .jpg | Provokacioni i një pulle që nga Uashingtoni
(Botuar në gazetën “Illyria”, Nju Jork, 15 qershor 2010)
Para afro pesë vitesh zarfi postar që shihni bashkëngjitur, i rënë në dorë për herë të parë në Tiranë te një bashkëkombës me emër joshës për median, prej tij në ngutje e sipër u interpretua si zbulimi mahnitës dhe për herë të parë i një pulle amerikane të bërë me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Që prej këtij çasti në shtypin shqiptar dhe për shqiptarët kudo ku gjenden nuk është folur më. Duke qenë se gafa e bashkëkombësit, sigurisht krejt e paqëllimtë, është tepër e madhe jo vetëm për pasaktësinë kohore, por edhe se në të vërtetë kemi të bëjmë me një provokacion politik dhe historik nga më të mëdhenjtë, e quajtëm të dobishme t’i rikthehemi këtij zarfi. Këtë po e bëjmë tek “Illyria” edhe për arsyen se të gjithë shqiptarët që ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht studiuesit dhe koleksionistët e pullave, mund të shkojnë shumë më tej në zbulimin gjer në fund të rrënjëve të këtij komploti të shëmtuar.
Në Shqipëri këtë zarf e kanë pesë koleksionistë, por të tjera kopje me siguri ndodhen edhe nëpër njerëz të tjerë, përfshi edhe përtej brigjeve të Paqësorit. Ai gjendet në shitje edhe në internet. Për tua paraqitur lexuesve ne e siguruam nga koleksionisti i njohur dhe diplomati Thimi Nika.
Në historinë filatelike të para vitit 1944 njihen vetëm tre vende që kanë prodhuar pulla për Shqipërinë: Italia gjatë periudhës së pushtimit (zyrtarisht për ta e bashkimit të dy vendeve nën kurorën e Viktor Emanuelit), nazistët gjermanë që prej 14 shtator 1943 e deri sa u dëbuan si edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas çlirimit të vendit për Shqipërinë janë shumuar pulla nga shumë shtete të të quajturit “kamp socialist”, përfshi jo vetëm Bashkimin Sovjetik, por pas prishjes me të edhe nga dikur Republika Popullore e Kinës. Pas vitit 1990 kjo traditë ka vijuar në kahe të kundërt: është Shqipëria që ka prodhuar pulla për vende të tjera, për Evropën e Bashkuar dhe jo pak për ShBA. Me temë shqiptare ka disa vite që ka nisur të botojë e nxjerrë në treg Maqedonia. Patjetër Kosova. Në fillim i kishte me kreun UNMIK, tani me titullin e merituar të shtetit të vet të pavarur.
Në të gjithë këtë pamje ku janë edhe periudha ideologjike e stalinizmit dhe ato të pushtimit, fate të hidhur që nuk i kishim vetëm ne shqiptarët, gjithçka sa ka ndodhur mund të cilësohet “normale”. Në mijërat e pullave dhe të zarfeve me të cilat janë dërguar e marrë letra vetëm një është rast provokativ: ky që po ju paraqesim.
Në vitin 1943 në ShBA qeveria amerikane prodhoi një emision pullash me në qendër të pamjes flamurin e të gjithë atyre shteteve që u bashkuan në koalicionin e madh antifashist. Mes tyre ishte edhe Shqipëria. Kjo jo vetëm për meritë të lëvizjes partizane, por edhe të Ahmet Zogut, i cili edhe pse në mërgim, mbështeti në të gjitha herët luftën e madhe çlirimtare të popujve të pushtuar. Pulla shqiptare e prodhuar nga qeveria amerikane (ndërkohë e vetmja e prodhuar për ne gjatë gjithë historisë së këtij vendi të madh) gjendet në skaj të zarfit dhe kushton pesë cent. Flamuri është ai tradicionali, doemos pa yllin e kuq. Ky nuk ndodhet as në siluetën e flamurit tonë në pamjen tjetër, ku shkruhet provokacioni i paturpshëm se Tiranën e kanë çliruar partizanët jugosllavë. Ylli i kuq gjendet vetëm bashkëngjitur portretit dhe emrit të Josif Broz Titos.
Sipas rregullit një zarf i tillë, pra që ka pullën dhe një vizatim të dytë, quhet “Zarf FDC” ose anglisht “zarf i prodhuar ditën e parë”. Kjo do të thotë që në rast se një pullë nga qeveria e një vendi (në të gjithë botën pulla është monopol shtetëror) botohet e shpërndahet në një datë të caktuar atëherë edhe vizatimi i dytë në shoqërim të saj duhet të jetë në të njëjtën kohë. Ajo pamje që ju shihni bashkëngjitur këtij shkrimi përveç të pavërtetës historike ka falsitet edhe në korrektesën për të zbatuar këtë rregull. Pulla është prodhuar në vitin 1943 kurse pamja një vit më pas, në 18 nëntor 1944. Provokatori apo një grup i tyre e ka sajuar këtë gënjeshtër pikërisht të nesërmen e çlirimit të Tiranës, punë e kryer me një zell të madh. Shpëtimi i kryeqyteteve të vendeve të pushtuara nga nazifashistët atëherë përbënte një lajm shumë të madh. E njëjta gjë, pra jehona e madhe, ndodhi edhe me rastin e çlirimit të Tiranës. Të ligjtë e kanë shfrytëzuar këtë moment bumi mediatik dhe janë përpjekur të kryejnë dizinformimin e publikut amerikan dhe atij botëror (letrat shpërndahen kudo, sidomos nëpërmjet korrespodencës së emigrantëve).
Mashtrimit të tyre ata nuk ja dolën dot as atëherë dhe as tani, ku copëra të provokacionit vërtiten vetëm nëpër zarfe të rrallë, tashmë jo prehu i opinionit publik por e koleksionistëve. Të gjithë e dinë që jo Tiranën nuk e çliruan jugosllavët, por qenë brigada partizane shqiptare ato që luftuan për çlirimin e Jugosllavisë së jugut. Ata që e kanë intriguar këtë provokacion jo nga një qytet periferik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por drejt për së drejti nga kryeqyteti i tij Uashington, për trishtimin tonë aspak të bllokuara nga zyrat postare amerikane (teknikisht zarfet ishin false) kanë parathënë se çfarë do t’i ndodhte Shqipërisë në rast se “në mbrojte të saj” do të lejoheshin të hynin divizione jugosllave, do të bëheshim “republika e shtatë” apo do të shndërroheshim në gjymtyrë e një të quajture “federatë ballkanike”.
Ithtari i vetëm i Marshallit Tito apo një çetë e tyre, në 18 nëntor 1944 duke e kryer provokacionin nga zemra e demokracisë globale, të bëjnë të kuptosh fare qartë se edhe pse prej disenjatorësh qenë duar po aq të ndotura e të lyera me gjak si të atyre që kryen masakrën e Tivarit.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|