|
Ja çfarë na ndodhi
(Botuar në gazetën “Shqip” më 3 qershor 2010)
Ka lindur në Itali dhe për t’i mësuar gjuhën shqipe jemi munduar jo pak. Në fillim e kishte të vështirë, sepse duke qenë tepër vogël nuk gjente dot aq forcë mendore e vullnet psikologjik të vinte nën kontroll njëherësh dy të folura, pse jo edhe dy lloj të interpretuari të gjërave. Nga që nuk i ndante dot të qenit italian dhe shqiptar njëkohësisht, kopshtin me aq shumë lodra, me shokë dhe edukatore që flisnin vetëm gjuhën e vendit, me atë tjetrën, të prindërve të vet, të cilët gjithsesi qenë të detyruar të zgjidhnin një përmasë të tyre të kombinimit mes dy të folurave, erdhi dita që më në fund ja dolëm ne në Tiranë. Nipin tonë nuk e ndihmuan aq shumë abetaret e shqipes me formatin letër dhe as ato në lëndë elektronike, madje në fillim as dukshëm filmat e Digitalb. Këta do të duheshin më vonë. Nipit tonë ia mësuam gjuhën duke e sjellë në Shqipëri gjatë muajve të verës dhe duke e regjistruar në kopshte të ndryshme private. Katër të tilla ndërroi, si edhe po kaq edhe shoqëri të bashkëmoshatarëve e të edukatoreve. Këto qëlluan “bravi”, siç kishte qejf t’i falenderonte. Sidomos iu dha me shpirt nënës së një mësueseje, e cila ishte një gjyshe e ëmbël nga Elbasani. Shumë e ndihmuan edhe lodrat e pasdites me shokët e pallatit e të banesave përreth. Dalluam se ndikonte fort në përvetësimin e të folurit shqip loja e futbollit si edhe një tjetër, e cila me sa duket është vetëm shqiptare, loja “Mos u nxeh”. I ka mbetur mendja pas kësaj të fundit dhe këto ditë, kur bashkë me të atin e të ëmën erdhën një javë për të kryer procedurat e marrjes së kartave të identitetit dhe të pasaportave biometrike, kërkoi dhe bleu edhe një tjetër. Kështu ka tri vite e më shumë që nipi ynë shqipen e flet mirë e qartë dhe se nuk mëdyshohet e mbulohet nga djersë në rast se detyrohet që në të njëjtën kohë të flasë lirshëm me një italian dhe shkoqur me një nga viset tona.
Ishte të jetuarit në Shqipëri, të paktën në rastin tonë, që e kreu përsosmërisht këtë mision. Të bindur për këtë, pra mrekullinë që tek i vogli bëri të jetuarit çdo vit një apo dy muaj në Shqipëri, i shtuam “presionet” tek vajza jonë dhe tek i ati, shqiptar dyzetë karatësh edhe ky, që të na i linin edhe këtë verë. Mbase edhe mund t’ia kishim dalë kësaj ëndrre po të mos ndodhte një ngjarje e papritur. Qe dita e dytë apo e tretë e mbërritjes së nipit në këto anët tona kur pas një loje me shokët e pallatit dhe të banesave përreth të ëmës së tij, kush e di për çfarë arsye apo thjesht se e pa të birin shumë të ngazëllyer, i hipi në kokë ta pyeste në se i pëlqente Shqipëria. I vogli, akoma nëntë vjeç, ia ktheu përgjigjen menjëherë “Po mami, më pëlqen shumë”. Gjithë kërshëri vajza jonë i bëri pyetjen tjetër, thelbësoren, shpjeguesen, atë që kërkonte argumentin, logjikën, arsyen, provën. Edhe më parë nipi ynë, ndonjëherë hapët, por më shpesh me marifet, pra në mënyrë të tërthortë, i qe nënshtruar, sidomos nga ne dy gjyshërit, një “sondazhi” të tillë. Përgjigjet kishin qenë pozitive. Në arsyet që parashtronte qe përkujdesja e madhe (e gjyshja në dispozicion të plotë të tij deri edhe këmbët ia lante në një legen plastmasi me ujë të ngrohtë), ushqimi i shijshëm, shëtitjet tek Liqeni i Tiranës, kopshtet me mollë në Tushemisht buzë liqenit të Ohrit…Me një fjalë qe shumë i lumtur. Për çudi por edhe fatmirësisht për dy gjyshërit e tij “patriotë” ai nuk pati asnjë ankim për një krizë të befasishme të bllokimit të frymëmarrjes që ia shkaktoi alergjia nga pluhuri i dendur i Tiranës dhe duke e parë se nipi në atdheun e prindërve të tij po rrezikonte jetën, me një taksi e dërguam urgjent në spital. Nuk u ankua edhe nga një skenë që i ndodhte përherë kur luante futboll me shokët e tij shqiptarë. Kur luftonte për të marrë topin disa prej tyre e goditnin nga këmbët. Në fillim e bënë gjak, na duhej t’i përdornim kompresa dhe menjëherë më pas ta mjekonim. Megjithatë nuk e penguam të vazhdonte lojën e futbollit me bashkëmoshatarët e tij sepse e vërteta qe se ishin djem shumë të mirë, mjaft të dashur me të, tërë gjallëri dhe njohës së shkëlqyer të kompjuterit, i kishin parë të gjitha filmat e moshës, nga më të famshmit në botë, njëlloj si nipi ynë në Romë. Ky ishte tepër i vogël që t’i shpjegonim se shqiptarët janë popull i bukur dhe vital, zëmër ngrohtë dhe që kanë respekt për mikun, por ndërkohë duan të gjithë të jenë të parët e që të gjithë pretendojnë se e kanë fituar një lojë ku vetëm njëri mund të jetë ngadhënjyesi. Ishte pra tepër i ngatërruar edhe për një të rritur shpjegimi i simbolikës së atyre goditjeve të forta në kërcinë e njomë të gjurit sa herë që guxonte të kapte, qoftë edhe për dy-tre sekonda, topin. Mendonim se po të donte njohjen më të afërt të popullit tonë, me virtutet dhe defektet e tij, mund ta bënte kur të rritej e bëhej burrë. Le ta kryente këtë punë pasi të njihte më mirë edhe popullin ku kishte lindur dhe ku pati bërë zgjidhjen të jetonte. Duke kuptuar se as italianët nuk qenë të përkryer do të dinte të justifikonte e pse jo të falte edhe të metat e shqiptarëve. Me një fjalë ne dëshironim që ai të ndihej i qetë se gjyshërit e tij jetonin në një vend pak a shumë normal, si gjithë të tjerët në kontinent ose në Perëndim, siç i themi më shpesh familjes së kombeve të cilës duam t’i përngjajmë.
Ndërkohë nipit tonë i pati ndodhur që në lojën “Mos u nxeh” kishte jo pak nga shokët vendas të cilët përpiqeshin t’ia hidhnin. Për këtë defekt të anëve tona ne nuk u shqetësuam shumë sepse matanë brigjeve italianët janë më të “zotë”. Ndërkohë edhe nipit, ndryshe nga goditjet nën gju, kjo të hedhur nuk i kishte bërë ndonjë përshtypje. Qeshte dhe e shpjegonte me vetë lojën, e cila këtë kishte për synim të mos nxeheshe.
Ne, dy gjyshërve “patriotë”, na krijoi atëherë, pra kur nipi ynë qe vetëm shtatë vjeç, alarm vetëm një thënie e tij e pa të keq. I pasionuar pas lojërave elektronike, por edhe filmave në televizion, një çast kur ne e ndërruam kanalin dhe nisëm të ndiqnim pamjet e një debati politik, ai u zbeh në fytyrë dhe pyeti përse po ziheshin. Si ta sqaronim e qetësonim se ata politikanë dhe analistë nuk po grindeshin fare, por sipas standartit tonë po kryenin një debat?
Kur këto ditë i ardhur me gëzim të bënte foton e linte gjurmën e gishtit në aparaturat speciale që përgatisnin kartën shqiptare të identitetit dhe të pasaportës biometrike e jëma i kërkoi arsyen përse e pëlqente shumë Shqipërinë, nipi nuk e vonoi fare përgjigjen. Ajo ishte fjalë për fjalë “Shqipëria më pëlqen se nuk ka rregulla”.
Ne dy gjyshërit për fat nuk qemë të pranishëm në këtë hata, sepse do të na kishte rënë qielli mbi kokë. Vajza e mbetur shumë ngushtë nga pa dashje sfida e të birit nuk la asnjë sekondë ta mbushte mëdyshja. Ia behu “Jo të keqen mami, Shqipëria ka rregulla, por i ka rregulla të veçanta, të sajat”.
Kur e dëgjuam këtë përgjigje, thamë, së paku bija jonë nuk na kishte nxjerrë pa rregulla. Por edhe nipi nuk e kishte ngarë bisedën më tej. Veçse këtë herë, pas kësaj që ndodhi, ne nuk u ndjemë më t’u luteshim prindërve të tij të na i linin një muaj edhe këtë verë. Nuk do ta bëjmë lutjen as verën e ardhshme. Do ta mendojmë mirë edhe më pas, duke pritur kohën kur ai të rritet dhe Shqipëria të jetë zhvilluar e ndryshuar më shumë, përshtatur më fort me qytetërimin perëndimor. Nuk duam që atë, të cilën e formon andej në një shoqëri më të përparuar, t’i prishet apo cenohet, t’i dobësohet e bjerrë në anët tona. Periudha e mrekullisë shqiptare hë për hë, pas viteve të bukura të mësimit të gjuhës, e ka mbyllur fletën e saj të parë. Të shpresojmë në hapjen e një faqeje të dytë, ndërsa do të hyjmë e dalim lirisht në civilizimin e madh.
Për fat të keq, por edhe të mirë, nipit tonë i kishin mjaftuar vetëm pak vite jetë dhe ende pa mbaruar klasën e tretë fillore të zbulonte defektin tonë kryesor, atë që mbështjell e çmbështjell rreth vetes gjithë qytetërimin tonë, gjithë kuptimin e të qenit shqiptar, vetë identitetin. Ne dy gjyshërit e tij jemi të sigurt se duke qenë atdhetarë modestë si të gjithë bashkëkombësit tani për tani e kemi të pamundur t’i shpjegojmë nipit se cili në anët tona është raporti i individit me bashkësinë, pse i pari është aq shumë i fortë sa nuk e lë kurrë të forcohet sa duhet as shoqërinë, as elitën udhëheqëse, as piramidën ligjore të shtetit, se është fat kur shefi tend hierarkik apo punëdhënësi, privat apo publik, është njeri i mirë, i arsyeshëm, që të qan një hall, të mirëbeson me dashuri një punë të vështirë dhe pas kësaj di të të falënderojë. Ndryshe, po rastisi i mbrapshtë, arrivist dhe i lig, i pazemër dhe intrigant, hajdut dhe vagabond, shumë rrallë ka forcë eprore që e ndal, ligj dhe sistem rregullash që i vënë kufirin.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|