|
Arbëreshë në Berat
(Botuar në 16 maj në gazetën “Illyria”, Nju Jork)
U befasova kur në një nga ditë qëndrimet e mia private në Romë (ishte shkurt 2004) mora vesh se në Grotaferrata do të çelej një ekspozitë e shumë të afërmit tim, piktorit Agron Polovina. Ai jetonte në Berat, gjer atëherë pati promovuar mjaft nga krijimet e tij në shumë vende të kontinentit, nga Greqia e deri në Poloni, përfshi edhe Italinë, por për qytezën në mbikodrën tek këmbët e Romës, mbushur me prani mbresëlënëse arbëreshësh, bashkë asnjëherë nuk patëm folur. Do të habitesha më shumë kur pasi i telefonova më shpjegoi se ekspozita e tij do të hapej në sallën e madhe të bibliotekës së Manastirit San Nilo. Si kishte ndodhur që kushëriri piktor pati zbuluar Grotaferratën dhe krejt në mënyrë të pavarur pati bërë të njëjtën zgjedhje simpatie për këtë qytezë si edhe unë? Nuk vonova të bëja interpretimin e parë. Sipas meje në kohë të ndryshme drejt Grotaferratës ishim orientuar të ndikuar nga përkatësia e të qenit thellësisht beratas. Agron Polovina krijimet e tij i ka të sendërtuara me motive nga identiteti dymijë e katërqind vjeçar i qytetit, me pak fjalë peneli i “shkruan” me ngjyra historinë dhe shpirtin e tij. Patjetër, arsyetoja me vete, kjo frymë e fortë veçansie beratase si edhe niveli shumë i mirë artistik i pikturave e kishin bërë të afrueshëm atë me Grotaferratën.
Kur shkova të marrë pjesë në përurim e pashë prani të madhe vizitorësh e kuptova se në hamendjen time nuk pata gabuar. Teksa rishihja të dyzetë pikturat e ekspozuara dhe se i pranishëm gjatë gjithë kohës qe arkimandriti arbëresh i Manastirit Emiliano Fabrikatore, ndjeva fort se Grotaferrata ishte shumë më e afërt me qytetin e Beratit nga sa më parë pata menduar. Do të ma përforconte këtë ndjesi edhe çfarë më tregoi më pas Agroni. Ajo mbartje e punëve të tij në Grotaferrata si pjesë e veprimtarive për festimin e 1000-vjetorit të themelimit të Abacisë San Nilo qe ideuar dhe mundësuar nga dy italiane. Njëra quhej Ester Melone dhe tjetra Ines Maria Perri. Të dyja bënin pjesë në ARCI, një shoqatë e njohur italiane e promovimit social. Pas vitit të mbrapsht 1997 ato kishin çelur në Berat një zyrë, duke u marrë me nxitjen e talenteve të të rinjve dhe emancipimin e grave. Ndërkohë edhe me një projekt të shumëdëshiruar: do të katalogonin të gjitha veprat ikonografike të Muzeut “Onufri”, një nga mrekullitë e qytetit dhe më tërheqësin për turistët e huaj. Aksioni i tyre këmbëngulës, pasi kreu këtë mision të parë, kaloi në një të dytë, duke sipërmarrë shpëtimin e disa ikonave të rrezikuara nga dëmtimi i rëndë që pësuan pas fshehjes së detyruar të tyre, gjatë shumë muajve të anarkisë së vitit 1997, në një depo të nëndheshme dhe detyrimisht pa asnjë aklimatizim të mjedisit. Plot pasion e vullnet, pasi realizuan edhe këtë vepër të bukur, Ester Melone që ishte nga Roma dhe mikesha e saj Ines Maria Perri, e cila jetonte në Fraskati, pra fare ngjitur me Grotaferratën, së bashku me këshillin e kulturës së qytezës fqinje u bënë organizatorët e asaj ekspozite të Agron Polovinës. Kur i pyetëm përse Berati vinte deri aty, në njëmijë vjetorin e Manastirit San Nilo, ato u përgjigjën me entuziazëm dhe krejtësisht të bindura se kishin të drejtë: të dy qytetet dhe historitë e tyre i bashkonte fryma dhe elementet e pikturës bizantine.
Kështu dy italianet, por edhe im kushëri, në atë shkurt 2004 më nxitën të bëja njëlloj zbulimi: të kërkoja nëse kishte lidhje të forta të Beratit me arbëreshët. Sepse nga sa pata kërkuar nëpër librat dhe artikujt e historianëve këtej dhe përtej detit tek ta qe fiksuar ideja se emigrimi i bashkëkombësve tanë drejt trojeve italike kishte pasur pika nisjeje Krujën, Shkodrën, Lezhën, Himarën, bregdetin e Vlorës, gadishullin e Peloponezit në jug të Greqisë dhe deri brigjet e Prevezës në veri të saj, por asnjëherë Beratin. Kjo ishte e kuptueshme, sepse Republika e Venedikut mbante vetëm portet dhe po ashtu vetëm portet sulmonte ushtria perandorake osmane. Ndërsa vendosnin të kapërcenin detin, edhe të ardhur nga thellësia e territorit, gjithsesi arbëreshët në portet detare do të grumbulloheshin.
Megjithatë heshtja për Beratin në të gjithë këtë periudhë të vështirë të fatit të etnisë më pezmatonte, nuk më dukej plotësisht një realitet bindës, një heqje mënjanë, mosvëmendje, indiferencë.
Qyteti ishte marrë nga turqit që në vitet e para valës së tyre të pushtimit, në 1417. Kjo u bë kryesisht në mënyrë të butë, duke përdorur më shumë marrëveshjen se përgjakjen e drejtpërdrejtë, duke rënë dakord të mos dëmtohej nga ndonjë luftim i gjatë. Në periudhën bizantine Berati ka qenë një qendër shumë e zhvilluar, me jetë të mirëqënë dhe politikisht me ndikim rajonal. Ai zotëronte një pozicion gjeopolitik të lakmuar, madje edhe infrastrukturë. Rrugë lidhëse prej tij shkonin në drejtim të Lindjes, për në Kostandinopojë. Po ashtu vraponin drejt Jugut, për në Janinë dhe prej andej në të gjithë Greqinë. Drejt brigjeve të Jonit të çonte e njohura «Rruga e detit» . Një udhë tjetër, duke u bashkuar në lumin Shkumbin me korridorin ballkanik “Egnatia” shkonte lehtësisht sa përtej Ohrit ashtu edhe në portin e Durrësit.
Berati vërtet ishte një “qytet i hapur”., i prirë për këtë status.
Gjatë periudhës bizantine ai ka qenë një rezidencë e rëndësishme e fesë së krishterë ortodokse, patjetër edhe strehë e gjallë e kulturës së perandorisë. Banorët e tij ndiheshin me mendje të hapët, me shpirt metropolitan. Në kryeqytet, në Kostandinopojë, ata hynin e dilnin lirisht e me shumicë, bënin tregti e vazhdonin studimet, blinin shtëpi e hapnin dyqane, ngjisnin shkallët e administratës. Me pak fjalë Berati para pushtimit osman qe një qendër e madhe arbëreshësh. Atëherë nuk kishte dalë emri i dytë, ai “shqiptar”, i cili në shekujt e mëpasshëm na u bë brenda vendit emri ynë i parë dhe shkaktoi, me një zell që është për t’u diskutuar, atë ndryshim përmbysës të emërtimit të etnisë sonë, harrimin e cilësimit të përkatësisë me fjalën origjinale autoktone “arbëresh”. Ndërkohë këta shqiptarë të rinj nuk qenë gjë tjetër veç arbëreshët e mëparshëm, po ata të cilët kishin aq shumë famë nëpër Evropë sepse patën kryer kundër fuqisë më të madhe të kohës, Perandorisë Osmane, një rebelim të furishëm e të paepur.
Ata që emigruan jashtë territoreve etnike, duke e mos përjetuar këmbimin e çuditshëm të emrit, e ruajtën formën e mëparshme sipas fonetikës së të folmes së popujve ku u vendosën: arbëresh tek italianët, arvanitas tek helenët në jug dhe arbanas tek sllavët në veri.
Kur në sallën e madhe të bibliotekës së Manastirit San Nilo pashë të ekspozuara piktura shumica me motive ikonografike të “qytetit të një mbi një dritareve” ideja se Grotaferrata me forcën tërheqëse për arbëreshët e Italisë të grishte në hamendësimin se e njëjta gjë kishte ngjarë edhe me Beratin. Kështu shkova më tej në ngasjen time për të zbuluar misterin.
ooo
Qyteti i vjetër dhe i krijuar katërqind vite para Krishtit duhej të qe në fillim të shekullit të pesëmbëdhjetë, pra kur ra nën pushtimin osman, një megapol arbëreshësh, një kështjellë e vatër e ndezur e tyre, një qendër rrezatuese e identitetit të etnisë. Ka shumë rrethana dhe mjaft faktorë që përcaktuan përse Kruja në motin e Skënderbeut u bë djepi i një rezistence me të gjitha mjetet, veçanërisht ato radikale, dhe si ndodhi që Berati nuk vuri në jetë këtë mënyrë qëndrese. Kruja është në të drejtën e lavdinë e vet, por edhe qyteti i madh jugor, plot banorë e dyqane, me gëlim të tregtisë, kulturës dhe jetës fetare e politike, ka arsyen e tij përse zgjodhi rezistencën e vendosur, por “të butë”. Një etnie i duhen të dyja edhe pse qëndresa duke dhënë jetën është më sublimja, ajo që gdhendet në histori. Ja pse edhe Kruja në luftën njëzetë e pesë vjeçare kundër osmanëve mbeti monument dhe Berati citohet shumë pak, në mos edhe harrohet, ndodh madje që ndokush e rreshton edhe tek “kokëulurit”. Është mjaft i drejtë statusi i kryeqendrës së Gjergj Kastriotit, veç jo i merituar ai i qytetit tonë dymijë e katërqind vjeçar. Në mbijetimin e etnisë dhe të kombit janë të një roli të madh edhe qëndresat “e buta”, mos përplasja patjetër e kurdoherë me mjetet më të forta. Këto mënyra veprimi në histori në pamje të parë duken si kompromise për të shpëtuar kokën, por në të vërtetë janë marrëveshje të përkohshme për të shpëtuar e nxjerrë gjallë nga një pushtim apo asgjësim i rëndë, nga një shkatërrim i sigurtë, të gjithë fuqinë ekonomike, pronat dhe arkivat, pikturat e bibliotekat, kishat e manastiret, vetë njerëzit e sidomos brezin e ri, ata që janë gjithë energjia e të ardhmes. Në historinë e një populli kanë rëndësi vitale jo vetëm lënia pas, si frymëzim, i shëmbullit të heroizmit fizik, por edhe i ruajtjes maksimale të numrit të njerëzve, të pasurisë së tyre materiale e shpirtërore. Edhe pse shqiptarët janë një popull që ka kultin e reagimit të fortë, të ashpër, kryelartë dhe të bujshëm, gjithsesi sa më shumë vite do të shkojnë aq më tepër do të kuptojnë ose të paktën tolerojnë konsideratën për ata që kundër të keqes veprojnë më tërthorazi, më me shumë vlerësim për jetët njerëzore si edhe arritjen e të njëjtit rezultat me më sa më pak dëme e humbje. Kur Skënderbeu me afro tre mijë luftëtarë të zgjedhur, shumica nga Garda Pretoriane e tij, shkuan në Itali për të ndihmuar aleatin e tyre, mbretin e Napolit, të gjithëve u ra në sy se shqiptarët hynin në një betejë e dilnin prej saj pa u merakosur shumë për jetët njerëzore që blatonin. Bashkëkombësit tanë të vjetër aty panë se si kur ndesheshin dy ushtri kundërshtare italiane, pasi niste përleshja fizike dhe vriteshin të parët, nga komandantët e tyre gjendej gjithnjë një kompromis për ta ndërprerë luftën e shtyrë atë për një moment tjetër.
Duke e njohur historinë e Beratit si të një qyteti me qëndresë të pazhurrmshme por në mbrojtje të identitetit etnik e kombëtar shembullore, duke ditur po ashtu çfarë qe e vërtetë në “kompromiset” e tij dhe çfarë e sajuar dhe e shpërdorur, mu shtua besimi se përgjatë betejave të mëdha e të përgjakshme të sulltan Mehmetit me Gjergj Kastriotin dhe pas vdekjes së këtij të fundit, çast ky i pikut më të madh të emigrimit të arbëreshëve në brigjet e gadishullit Apenin, një pjesë e vogël e të ikurve, sigurisht shumë pak, përveç Durrësit dhe Shkodrës të cilët për një duzinë vitesh mbetën nën kontrollin e Republikës së Venedikut, duhet të kenë kërkuar si vendstrehim edhe Beratin. Nuk e kemi fjalën këtu për komandantë repartesh të Skënderbeut apo të spikatur pranë tij si antiosmanë, sepse ky drejtim i shpëtimit mund t’u rrezikonte jetën.
Ndërkaq drejt këtij qyteti të gjallë ekonomikisht dhe në një pakt mospërplasjeje të ashpër me perandorinë e fuqishme osmane duhet të kenë ardhur arbëreshë nga vendndodhjet e tyre në trojet helene, nga Peloponezi dhe Atika. Aty ata qenë të punësuar në mbrojtjen e porteve dhe kështjellave të Republikës së Venedikut dhe pas rënies së tyre e pushtimit të përshkallëzuar nga turqit, ndërsa masa dërmuese kapërceu detin dhe një pjesë mbeti aty, të tjerë duhet të kenë marrë rrugën e rikthimit në brëndësi të trojeve amtare. Të paktën janë vendosur në jugun tonë, në Prevezë, Janinë e Gjirokastër, në Kaninë e në Vlorë, mbi të gjitha në Berat.
Ishin arbëreshë që vinin tek arbëreshët. Nuk kishin asnjë dallim etnik dhe atë kohë thirreshin njëlloj. Berati ardhësve ua ruante jetën, i ndihmonte pas atij emigrimi raskapitës që nga jugu i gadishullit, të rimëkëmbeshin ekonomikisht. Popullsia vendase duke qenë masivisht me besim të krishterë ortodoks dhe me një islamizim të ngadaltë, terren ku të dy fetë kishin rregulluar baraspeshimet e tyre si edhe tolerancën e ndërsjelltë, favorizonte po ashtu, siç edhe ngjau me ikësit përtej trojeve etnike, në ruajtjen e identitetit të tyre. Berati patjetër këtë kohë ka qenë një vend i përshtatshëm migrimi. Të mos harrojmë se ikja duke kaluar detin jo vetëm qe e kushtueshme dhe për rrjedhojë jo kushdo mund ta kryente. Në rastet kur këtë ikje e sponsorizonin apo e ndihmonin edhe feudalë të Italisë apo edhe vetë Selia e Shenjtë gjithsesi sipërmarrja qe e rrezikshme për jetën. Kronikat e pakta të kohës shënojnë, por edhe rrëfimet e dëshmitarëve përpiqen ta konfirmojnë, se në ato lundrime kanë ndodhur mbytje të mëdha, ndonjëherë edhe kasaphana të vërteta.
Ky në një farë mënyre ishte arsyetimi im, e gjitha një hamendje logjike, por gjithsesi pa dokumenta, pa citime apo referime historianësh, madje nuk ekzistonte as ndonjë përfolje e tyre. Kërkimi nëpër tragën e kësaj hipoteze qe si një udhëtim në shkretëtirë dhe në fund gjithçka mund të rezultonte thjesht një dëshirë e mirë, pra që edhe mund të më komprometonte si thjesht amator. Megjithatë i sigurtë, por pa asnjë provë, bëra përpara. Më inkurajonte vetëm një rast, një fakt, i cili qe pothuaj një grimcë. Në qytetin e Beratit janë një fis, disa familje me kryefamiljarë Vangjel, Thoma, Nikolla, Zoi, Ylli, Anastas, Llazar dhe Arben, të cilët mbiemrin e kanë Arbëri (jo me theks në fund, por tek “ë”-ja). Kjo fjalë, pra Arbëri, për autorin e këtyre radhëve përmbante të gjithë ngjashmërinë e nevojshme me formën “arbëresh”. Saktësojmë se të gjithë Arbërit e Beratit, pothuaj pesëdhjetë individë, nuk janë me ngjyrë qoftë edhe zbehtësisht të zeshkët, por dukshëm lëkurëbardhë, shenjë e papërzjerjes së tyre të mëpasshme në martesa me osmanë, dukuri që gjatë pesëqind viteve të perandorisë së Portës së Lartë duke mos qenë shumë e shpeshtë nuk ishte edhe e rrallë. Fisi Arbëri po ashtu janë ortodoksë, madje gjyshi i tyre ka qenë klerik, prift kishe. Në qytetin e Beratit ata pohojnë se kanë zbritur dy breza më parë, duke ardhur nga fshati i Dobronikut, i cili është tek “portat” jugore të tij, në një kodër shumë panoramike dhe me vendbanim historik, me një të kaluar të vjetër. Për fat të keq të pesëdhjetët Arbëri, më të moshuarit, nuk e mbajnë mend si shkon në thellësi të kohës pema e tyre gjenealogjike.
Kështu gjithçka mbeti një gjysmë provë, por gjithsesi një gjurmë e pazakonshme që nuk e braktisa. Ajo ma mbante të hapur shtegun e besimit se në Berat në mes të shekullit të pesëmbëdhjetë dhe në fillim të njëqindvjeçarit pasues, pasojë e rezistencës kundërosmane, janë vendosur familje arbëreshësh nga Morea, pra Peloponezi dhe viset e tjera helene. Një verifikim i shpejtë në numeratorin telefonik të Shqipërisë po ashtu bëri të delte në pah se me këtë mbiemër shumë kuptimplotë, përjashto rastin Arbnori, konkretisht njeriun e rezistencës kundër diktaturës, të paharruarin Pjetër, katolik, nuk kishte shenja të tjera të dukshme. Gjendej me mbiemrin Arbëri një familje në Koplik të Shkodrës dhe një tjetër në Tiranë, të dyja me emra të traditës myslimane.
Ja përse Berati me historinë e tij të një pakti të heshtur me perandorinë osmane dhe prej të cilit ruante një status administrimi me liri relative, duhej të kishte mbështjellë e ruajtur në gjirin e tij, në shtëpitë brenda kalasë e më pas të zbritura matanë mureve rrethues, në faqen lindore, përballë diellit, jo pak arbëreshë të mos ikur në Itali.
Në kërkimin tim gjurma e dytë nuk vonoi. Ishte dentisti Abdulla, një bashkëqytetës, i ardhur edhe ai në Tiranë. Njeri plot mend dhe me kërshëri të shumtë për të mësuar gjëra të reja, mbi të gjitha edhe krenar që është nga Çamëria, ndërsa ishim në një bisedë pothuaj të rastësishme, më shkëndijoi ndër mend se këtë herë duhej të shkoja përtej asaj që vazhdimisht interesohesha të dija rreth jetës së të parëve të tij në Paramithi. Jo sepse prej andartëve grekë në fund të vitit 1944 dhe të shtetit helen të pasçlirimit nga pushtimi gjerman nuk qenë tronditëse muajt e pastrimit etnik të mijëra çamëve, as se nuk ishte i dhimbshëm dhe subjekt i ndonjë shkrimi ai udhëtim shpëtimi në brendësi të territorit të Shqipërisë, pastaj zgjedhja prej familjes së Abdullait (në atë nëntor 1944 bashkë me fëmijët qe vetëm e ëma dhe i ati mbërriti vetëm në qershor 1945) dhe i familjes së xhaxhait i qytetit të Beratit për të qëndruar vetëm një natë e të nesërmen vijimi i rrugës për më në thellësi. Sigurisht qe interesante se si për shkak të prishjes ato ditë të Urës së Kuçit, e cila e ngritur mbi lumin Devoll të çonte drejt Durrësit dhe Tiranës, në pritje të rregullimit të saj, pjesëtarët e njërës familje patën vendosur të qëndronin përgjithmonë në Berat dhe tjetra mori më vonë rrugën drejt kryeqytetit.
Kësaj radhe e gjithë ngasja ime për të kërkuar prova të zhvendosjes së arbëreshëve nga Peloponezi jo në drejtim të brigjeve italiane, por në brendësi të trojeve etnike, u përqendrua tek mbiemri i mikut tim. Si nuk e kisha pikasur që më parë. Ai është Manopulli, tërësisht i ngjashëm me një qytezë greke në Peloponez dhe shumë i përafërt me emërtime të tjera, sidomos me Monopoli, deri edhe emër qyteti në brigjet joniane të Italisë së Jugut. Edhe këtu qe themeluar nga ardhës helenë (greqisht do të thotë “qytet i veçantë“).
Fisi Manopulli në Shqipëri mbetet rast unik. Njëlloj si fisi Arbëri. Të pesë familjet përbërëse të tij fisi tani ndodhen të mbledhur në Tiranë. Abdullai thotë se sipas jetëshkrimit të tyre ata janë zhvendosur nga krahina e Lalës në Peloponez rreth viteve 1460-1470, pasojë e pushtimit të territorit nga ushtria osmane. Kanë qenë tre fise arbëreshe që kanë marrë rrugën e emigrimit jo drejt brigjeve italiane por në veri. Manopulli u vendos në Parathimi të krahinës së Çamërisë, kurse Mani dhe Megallopulli, dy fiset e tjera, në dy qytete për të cilat Abdullai nuk ka dijeni të saktë. Këto që thotë ai i dëshmon me një libër të historianit grek Vasili Krapsiti, “Historia e vërtetë për myslimanët e Çamërisë”, botim i kryer në Athinë në vitin 1992. Sipas Krapsitit Familja Manopulli në qytetin e Paramithisë ka qenë shumë e pasur dhe në fotot që boton në libër shtëpitë e saj të mëdha spikatin në të gjithë pamjen e qytetit, dallohen qartë në sfond, vendosur veçuar në një kodër në të majtë të pamjes. Në kopjen që në vitin 2000 i ka dhuruar, kur Abdullai u takua për herë të parë me Vasili Krapsitin, me një shqipe fare të bukur, edhe sepse autori është grek, ky i shkruan “Mikut tim Abdullahit, me dashuri, nga vendlindja e bukur e familjes së tij të dëgjuar dhe aristokrate”.
Duke e konsideruar këtë dëshmi të dytë po aq sa e para, pra një gjysmë provë, në kërkimin se një pjesë e arbëreshëve pas pushtimit osman të trojeve të Peloponezit dhe Atikës nuk zgjodhën emigrimin në brigjet e krishtera italiane, por edhe territorin arbëror në hapësirat amtare, po i paraqesim lexuesit edhe një rast të tretë. Mes ortodoksëve të Beratit, shumë rrallë, por me një nënkuptim të qartë, ka qenë përdorur emërtimi “arbëresh” për vetëm një palë prej tyre. Me një farë mënyre arbëresh ata, sigurisht duke mos quajtur bashkëkombësit e shndërruar në myslimanë, në shekujt e mëparshëm nën administrimin pushtues turk, kanë cilësuar ata që ishin me origjinë të qartë autoktone. Për ta zhbiruar këtë “racizëm” të vogël, por që në të vërtetë duhej të ishte një mënyrë e butë, pra “beratase”, për të ruajtur identitetin etnik, në një fat të lumtur (sepse shumicën e vitit e kalon në Kanada), arritëm të takonim studiuesen Parashqevi Sahatçiu, autore e albumit më të mirë fotografik për Beratin. Do të mjaftonin njëzetë minuta të një mbrëmjeje, ulur në një stol lulishteje, që mësuesja e dashur e rinisë së qytetit, prej shumë vitesh në pension, me një gjuhë elegante dhe saktësi të mahnitshme, të më pohonte dëshminë tjetër. Mes shumë episodeve ajo shqiptoi vargjet e një kënge beratase sipas të cilës një nënë dhe i ati donin ta martonin vajzën e tyre vetëm me një djalë arbëresh, jo ta lidhnin me një familje “çobene” Kjo donte të thoshte se pëlqenin një të krishterë ortodoks shqiptar dhe jo të krishterë ortodoks vlleh. Këta patën ardhur me shumicë në Berat të emigruar nga Voskopoja sidomos pas djegies së parë dhe të dytë të saj (1769 dhe 1773).
ooo
Tre gjysmë prova mund të mos bëjnë akoma një dëshmi të plotë, por një ide, një siluetë të saj, e skicojnë: Berati është vend i arbëreshëve dhe ka mirëpritur në mote të vështira të vijnë për të jetuar më të mbrojtur, shumë bashkë etnikë e bashkëkombës. Në dyzetë kishat e tij ata ruajtën ritin bizantin, i cili gjithsesi është një pasuri në rrënjët e historisë së shqiptarëve.
Me kaq, të dashur lexues të “Illyria”, po e mbyll këtë cikël të parë për arbëreshët, duke pritur me durim muaj të ardhshëm mbase në një rikthim të dytë. Ndërkaq falënderoj gazetarin me puls modern Ruben Havxhiu, redaktor përgjegjës i kësaj gazete, si edhe pronarin Vehbi Bajrami, që ma lehtësuan këtë mundësi komunikimi me ju. Kudo ku ndodheni në Nju Jork e më tej, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ju dërgoj përrunjësisht mirënjohjen më të thellë.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|