Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Antonelo Biaxhini, një nga ata që na shkruan historinë


(“Botuar në “Gazeta Shqiptare”, shtojca kulturore “Milosao”, më 23 maj 2010)

Ishte gjysma e parë e vitit 1998, në një kapërcyell të turbullt mes stinës së dimrit dhe pranverës, kur në Ambasadën tonë në Romë, me një format mjaft i zakonshëm që nuk binte në sy, mbërriti një ftesë e cila bënte fjalë për një bisedë të profesorit të Universitetit “La Sapienza” Antonelo Biaxhini (Antonell Biagini) rreth historisë së Shqipërisë.
Vendi ynë që prej mesit të vitit 1990 me hyrjen në ambasada dhe largimin e atyre pesë mijëve drejt Italisë dhe disa vendeve të Evropës Perëndimore, më vonë me turmat që vraponin drejt porteve dhe tejmbushnin vaporët gjer në rrezik fundosjeje, ra shumë në sy të opinionit publik ndërkombëtar. Për pasojë u fut në rrjetën e dendur e të ngatërruar të komenteve. Nga një popull për të cilin për plot një gjysmë shekulli, pra për të paktën dy breza njerëzorë, si shkak i mbylljes së tij hermetike prej diktaturës kishte mos informim total, ndodhi krejtësisht e kundërta, shfaqja e menjëhershme e tij, sërish totale. Për çdo mendje njerëzore një përmbysje e tillë e gjërave do të qe hutuese, por edhe ngatërrestare. Tashmë lajmet e gjata, reportazhet apo analizat, intervistat rreth asaj që shqiptarët po kryenin si edhe interpretimet për identitetin e tyre ranë në duart e njerëzve që nuk na njihnin fare. Shkruesit e historisë tonë, ata që tashmë po na vizatonin portretin dhe po e ekspozonin faqe gjithë botës, nga padija e madhe dhe boshllëku i deri atëhershëm informativ, qenë të gjithë llojeve. Në këtë sipërmarrje pjesën e luanit e kishin gazetarët. Ata i mbushnin dy apo tre e katër faqe speciale të përditshmeve të tyre me tirazh të lartë ose nga ndonjë kafene e vendit të tyre, ose nga ndonjë qoshe redaksie, më e shumta, po ta kishin fat, edhe prej ndonjë udhëtimit të shpejtë në viset tona. Kështu prej penës rrallë u doli gjë e vërtetë. Nga një studim që në fund të vitit 1997 pati kryer në staf profesorësh i një universiteti në Italinë e veriut rezultonte se shumica e gazetarëve vendas e kishin realizuar informimin e popullit të tyre për shqiptarët duke i përshkruar si qenie ndryshe, madje edhe si “armik” territorial e social.
Kështu në atë fillim të zbehtë pranvere 1998, kur ftesa lajmëronte bisedën e profesorit italian, më shumë se një popull në kërkim të një jete më të mirë për vendasit patëm përfunduar në një etni problematike, prania e të cilëve të bezdiste, të lodhte, të sillte andralla. Imazhi ynë ishte në rrëzim të shpejtë, në pikën më të ulët të shembjes, në prag të përplasjes fatale me pamundësinë për t’u mëkëmbur ndonjëherë.
Shkuam patjetër në atë bisedë shpjegimi për Shqipërinë dhe për fatin tonë mbetëm të befasuar. Antonelo Biaxhini na interpretoi krejt ndryshe nga sa imazhi për ne e kishte përmbytur deri ato çaste opinionin publik italian. Në fillim menduam se kjo vinte për shkak të natyrës së tij të mirë njerëzore, të një shpirti humanist që binte menjëherë në sy. Porse kur blemë librin e tij “Historia e Shqipërisë“, botuar vetëm pak muaj më pas, brenda vitit 1998, u bindëm se mirësia e tij ishte vetëm njëri shpjegim. Antonelo Biaxhini qe një historian i vërtetë, në interpretimin e ngjarjeve mendje e pandikuar nga kurrkush. Mbi të gjitha ishte i shumë informuar. Ai kishte lidhje të forta dhe bashkëpunim mjaft aktiv me Shtabin e Ushtrisë Italiane, pra kishte hyrë në arkivin e saj. Në Itali ushtria është e para e cila ka shkelur territorin shqiptar. Kjo ka ndodhur që në fillim të shekullit të shkuar dhe raportet e oficerëve të tyre duhen pasur zili për nivelin shumë cilësor të njohjes së terrenit dhe transparencës informative që kanë jo vetëm me organet e tyre eprore, por edhe me Ministrinë Jashtme Italiane, me Parlamentin, me Kryeministrin.
Ndërkohë Antonelo Biaxhini qe edhe një njohës shumë i mirë i ish-vendeve komuniste të Evropës Lindore.
Kështu tek ai bashkoheshin në një të gjitha cilësitë e një shkruesi serioz historie, çka do të thoshte se për ne shqiptarët ishte edhe pena më “optimale”. Antonelo Biaxhini ishte shfaqur në kohën e duhur, në momentin kur me një shpresë të fundit pak besonim se rrokullima e keqinformimit mund të ndalej.
Ja përse për ne ai u bë emër i shtrenjtë. Koha do ta vërtetonte edhe më shumë këtë ndjesi dhe njëkohësisht gjykim. U takuam bashkë edhe shumë herë të tjera, sepse edhe ai u lidh me Shqipërinë më fort, me intelektualë të saj më dukshëm, me studentë edhe më tepër. E kishte marrë shtysën e parë të lidhjes pikërisht në Romë, në universitetin ku punon, “La Sapienza”. Atje prej treçerek shekulli funksionon Instituti i Studimeve Albanologjike, një katedër me autoritet. Qenë bërë ndikues tek ai në fillim drejtuesi i mëparshëm i tij, Xhuzepe Gradilone, më pas Elio Mirako. Të dy profesorë të ditur arbëreshë, kontribues të mëdhenj për Shqipërinë.

ooo

Sot dinakëria moderne ka përsosur e shpikur teknika jo për t’i asgjësuar popujt, sepse kjo rezulton gjëja më e pamundur. Sot popujt dhe elitat e tyre udhëheqëse dobësohen. Kjo kushton më pak dhe realizohet më shpejt. Zbatuesit e saj po ashtu në “vendin e ngjarjes’” lënë gjurmë pothuaj të padukshme. Mbajtja e shqiptarëve në statusin e të dobëtit të përhershëm në Ballkan, gjendje të cilës edhe vetë në jo pa raste ata i kanë dhënë pandërgjegjshëm shtysë, përhapja e psikologjisë së jetës përtace, tym kafenesh, mosbashkimit social dhe i thellimit të ndarjes mes shtresave të shoqërisë, shkaktimi i shushatjes kolektive dhe i paaftësisë për t’u orientuar shpejt e drejt, mbajtja e gjendjes së një anarkie të vazhdueshme “plas” sot e “pëlcet” nesër, ambientimi me një liri të komanduar nga lart dhe jo prej të drejtës së natyrshme njerëzore, shtrembërimi dhe mpakja e vlerave historike, mosnjohja masive e tyre, jo rrallë edhe pazotësia për të penguar grabitjen që i bëhet kësaj pasurie identiteti, kanë qenë përherë misioni të cilin mosdashësit tanë e kanë realizuar si profesionistë të vërtetë.
Antonelo Biaxhini mbërriti në Tiranë në mbrëmjen e 13 majit, ditë e enjte. Ishte i ftuar i Universitetit të Durrësit, por edhe i Ministrisë së Punëve të Jashtme. E patëm vendosur këtë takim që dy muaj më parë, në Romë, në fundshkurt. Protokolli ynë parashikonte një intervistë në televizionin Ora News, në MPJ takime me dy drejtorë dhe një pritje nga zëvendësministri Selim Belortaja, edhe ai studiues. Kur në mëngjesin e 14 majit u takuam para Hotel Tirana dhe morëm rrugën për në studion e televizionit, qielli herë vesonte shi dhe herë e linte diellin të shfaqte mes resh një skaj të rruzullit të tij lëbyrës. Pamjet e sheshit Skënderbeu, gropa të shumta mbi asfalt dhe rendje e çoroditur dhe halldupe makinash, pranë monumentit edhe kantieri prej ku ka nisur ristrukturimi i tij, Biaxhini i ndoqi në heshtje. Kur kaluam para Hotel Dajtit dhe u shfaqën të nderura mbi bulevard parullat politike të opozitës dhe në sfond, ndërsa bëmë kthesën e domosdoshme për të ecur buzë Lanës drejt lindjes e shkuar pranë godinës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, mjediset grevuese para Kryeministrisë i vështroi me ngulmim. Kur ato për shkak të largimit tonë nuk dukeshin më Antonelo Biaxhini shprehu shqetësim mos çuarja e ndeshjes partiake deri në protestë urie mund të shkaktonte në Bruksel ndonjë ngurrim apo ngadalësim për çështjen e liberalizimit të vizave. Ishte i sinqertë dhe nuk donte të mbante asnjë anë. Si historian që ishte palë të admiruar kishte vetëm popullin shqiptar.
Ai e di çdo me thënë imazh për një vend e popull. Vetë është një realizues i tij. Që prej vitit 1998, kur libri afro treqind faqesh “Historia e Shqipërisë“ kreu botimin e parë, deri më 2007, është publikuar pesë herë me radhë. Shtëpia botuese e vendit të vet nuk është një e zakonshme, por ndër më të mëdhatë, Bompiani. Kur nëpër vitrinat e librarive doli për herë të parë e kishin zënë radhën për të tërhequr vëmendjen e lexuesve historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e Izraelit, e Greqisë moderne, e Irlandës dhe e Spanjës. Shqipëria doli e gjashta “në garë” dhe e fitoi. Në sajë të Antolo Biaxhinit.
Mbijetimi i librit për një dekadë rresht me pesë edicione është dëshmia më e mirë jo vetëm e suksesit të tij apo e interesimit të vijuar të opinionit publik italian për shqiptarët. Kjo provon se përtej detit përherë e më shumë shtohet ajo masë e popullit fqinj e cila ka dëshirë të na njohë për mirë dhe madje kësaj gjëje nuk i bën bisht, por i gëzohet. Pesë herë në Itali nuk është botuar dot asnjë libër keqdashës për ne, madje edhe i krijuari më dinakërisht.
Në këtë botë përherë e më shumë të globalizuar ku lajmi hyn në çdo skutë të globit imazhi është shndërruar në vetë kapitalin real të një vendi, në dëshminë në se ai ka apo jo një të ardhme, në se paraqet apo jo një vlerë e joshje pozitive, një interes për ta njohur apo bashkëpunuar. Ca prej një provincializmi që vegjeton mes nesh, jo pak edhe si megalomani që vjen prej kompleksit tonë ballkanik se në këtë botë ndihemi të rëndësishëm, popull krenar, trim e moskokëçarës ndaj rreziqeve. Ja përse mes nesh nuk ka pak të cilët nuk duan të kuptojmë se imazhi ynë, fotografia, pra “fytyra” jonë, përtej kufijve të etnisë sonë bëhet nga të tjerët. Edhe më i madhi e më i talentuari prej nesh, ai që jeton e punon në zemër të qendrave më të mëdha ndikuese të Evropës apo të Amerikës, në rastin më të pakundërshtueshëm përshembëll pena gjeniale dhe kombëtarisht e pasionuar e Ismail Kadaresë, nuk kanë asnjë mundësi të përballin apo baraspeshojnë forcën e autorëve vendas.
Këtë e themi se në kënde dhe qoshe të shumta të elitës tonë, por edhe të disa zyrave të shtetit dhe administratës, nuk bëhet aspak sa duhet dhe sa realisht kemi nevojë urgjente për të inkurajuar e vlerësuar personalitete të tilla. E vërteta e madhe, ajo që nuk mund të mjegullohet kurrë, është se bashkë me mjaft bashkëkombës të shquar imazhin dhe nderin e Shqipërisë e kanë mbrojtur dhe fisnikërisht i bëjnë edhe sot roje qindra personalitete dhe miq të huaj. Të mësuar të përballemi me armiq realë dhe sidomos të shpikur, përherë për të huajt me një hije dyshimi të ngulur rrudhë e thellë mbi ballë, i kemi shkaktuar vendit tonë dhe historisë së tij një mungesë të madhe të tyre. Në se dyshoni sadopak për këtë gropë mjafton të shihni sa prej këtyre miqve të mëdhenj nuk janë të pranishëm në emërtimet e rrugëve të kryeqytetit apo kudo tjetër, sa mungojnë në listat e të dekoruarve apo të “qytetarëve të nderit”, në bustet, shtatoret apo çdo forme tjetër pasqyrimi artistik. Ndoshta diçka më shumë është kryer prej botimeve në libra...
Këtu nuk e kemi fjalën posaçërisht për të provokuar vëmendje eprore ndaj Antonelo Biaxhinit. Me sa e njohim atij nuk i ka shkuar në mendje se mund t’ia vlejë për një dekoratë.

ooo

Intervista në televizion shkoi mirë. Gazetarja e pyeti për çfarë dëshironte dhe Biaxhini iu përgjigj të gjithave fare hapët. Ai shpjegoi se studimin e parë për shqiptarët, gjithnjë falë ndikimit në universitetin “La Sapienza” të katedrës albanologjike, e pati kryer në vitet shtatëdhjetë. Atëherë duke analizuar Shqipërinë e vitit 1912 pohoi se kishte kuptuar që pavarësimi i këtij vendi nuk kishte qenë një dhuratë prej disa fuqive të mëdha, mes tyre edhe Italisë. Sipas tij (dhe këtë gjë e ka nënvizuar fort edhe në libër) Austria dhe Italia për qëllimet e tyre gjeostrategjike në Ballkan ishin fort të interesuara për një Shqipëri unike dhe homogjene, shtet i pavarur. Në të pesë botimet e plotësuara të librit të tij këtë ide Antonelo Biaxhini e nxjerr dukshëm në pah, pa thënë drejt për së drejti, por gjithsesi duke lënë të nënkuptohet se Shqipëria e mëvetësuar do të qe në gadishull një balancim me sllavët jugorë dhe helenët. Në një farë mënyre shteti i ri i pavarur do të ishte “mesi i artë”, mesorja ose më saktë peshorja, pika e baraspeshimit mes dy etnive që synonin kontrollin total të Ballkanit. Shqipëria do të qe hapësira që i ndante, pra që nuk i linte të bashkoheshin apo të kacafyteshin me njëra-tjetrën.
Antonelo Biaxhini nuk e shkruan, por autorit të këtyre radhëve, të cilit i kanë rënë në dorë libra italianë të vjetër, të specializuar në analizë gjeopolitike të kësaj periudhe (të para dhe pas vitit 1912), veçanërisht edhe një paketë jo e vogël me dokumente të çsekretuara e të bëra publike prej arkivit të Shtabit të Ushtrisë Italiane, i është dukur që çështja e Ballkanit përmban një kod të fshehtë të raporteve mes tre etnive më të mëdha të saj: serbëve, shqiptarëve dhe grekëve. Të parët dhe të tretët, agresivë në zgjerim territorial dhe në pamundësi të kësaj të paktën në forcë ndikuese e komanduese, për fatin e gadishullit si edhe të çdo skeme tjetër gjeopolitike në rajon ngjajnë me dy masa uraniumi në brendësi të një bombe atomike. Ata që për të hapur rrugën e tyre e mbërritur deri në bregdetin adriatikas kanë dashur t’i vënë flakën Ballkanit janë përpjekur për të krijuar “masën kritike”, pra që t’i bashkojnë këto dy potenciale shpërthyese. Ato fuqi të mëdha të kohës, të cilat ndikimin në gadishull e kanë parë me një mënyrë tjetër, më të moderuar dhe pa shumë dhunë, duke mbajtur të veçuar serbët dhe helenët kanë inkurajuar forcimin e shqiptarëve. Kështu organizimi në një shtet tërësor e të pandashëm ishte mënyra më e mirë.
Sipas librit të tij si edhe asaj që pohoi në televizion Antonelo Biaxhinit të gjitha dokumentet që ka shfletuar në arkivat e vendit të tij provojnë se tek shqiptarët në momentet e pavarësimit të tyre ishte krijuar e pjekur shpirti nacionalist, dëshira për një shtet kombëtar. Për të kjo dukuri nuk përmbante asnjë vonesë. Sipas Biaxhinit shqiptarët në vitin 1912 kishin një shpirt të pjekur për liri dhe nuk mund të kishte ndonjë fuqi që t’i ndalte në realizimin e aspiratës së tyre. Një nga pjesët e librit që është e dendësuar nga dokumentet dhe plot informacion të rrallë, kanë të bëjnë me këtë periudhë, pra duzinën e viteve deri sa më në fund flamuri i ngritur në 28 nëntor në Vlorë shndërrohet në një shtet të stabilizuar duke filluar nga viti 1925.
Duke lexuar librin e Biaxhinit bëhesh akoma më shumë i vetëdijshëm se forcimi i Shqipërisë apo i të gjithë shqiptarëve, pra edhe i Kosovës sot, kuptuar në frymë tolerance dhe miqësie me popujt e tjerë të rajonit, por veçanërisht me serbët dhe grekët, shton një faktor të ri qëndrueshmërie në rajon, rrit përmasën e mundësisë së gadishullit për t’u zhvilluar më shumë ekonomikisht. Skemat e vjetra të ndeshjes mes tyre, të rrëmbimit të trojeve të ndërsjella apo politikat e dobësimit të tjetrit me iluzionin për të “gëzuar” forcën ekskluzive të njërës palë, vërtetohen nga historia si mjaft dritëshkurtra.
Ndërsa lexon “Historia e Shqipërisë“ e Antonelo Biaxhinit e kupton edhe më mirë se sa e ligë qe ajo marrëveshje e fshehtë e vitit 1913 ku disa fuqi të mëdha të kontinentit ranë në ujdi që përveç rrëmbimit të Kosovës trojet e tjera të shqiptarëve të ndaheshin sipas skemës vrastare: jugu gjer në Shkumbin grekëve, veriu deri mbi Mat serbëve dhe shtetit të ardhshëm shqiptar vetëm hapësira e mbetur, e ngushtuar sa një rrip toke. Dhe do të konsiderohej si shtet mysliman, pra islamik!? Gjoja mes dy hapësirave të mëdha të krishtera Shqipëria do të qe një zonë sanitare, një territor-tampon, një lloj “kushinete”, thjesht një brez kufiri. Pra në thelb një jo shtet.
Po të lexosh librin e Biaxhinit, njëlloj si edhe me disa libra të tjerë të vyer italianë të historisë së Ballkanit, kupton se kjo, periudha nga viti 1912 deri në 1925 ka qenë e jashtëzakonshme, mes nesh më pak e bëra e njohur deri në themel, ndërsa është më e merituara për t’u bërë sa më shumë e më qartë publike, në libra e filma, në faqe gazetash dhe botime akademike, në konferenca shkencore dhe muzeume.


ooo

Kur në 1998 Bompiani nxori për lexuesit italianë botimin e parë të “Historia e Shqipërisë“ pa u mbyllur ky vit u krye në Tiranë një ngjarje e çmuar. Falë kujdesit të Piro Mishës, drejtues i Shtëpisë së Librit dhe të Komunikimit, si edhe një përkthimi të përsosur të Shpëtim Çuçkës, ato kohë pas një përvoje diplomatike si ambasadori ynë në Moskë, drejtor i drejtorisë së kulturës në Ministrinë e Punëve të jashtme, në një format kuptimplotë si libër shkolle “Historia e Shqipërisë“ iu ofrua lexuesve shqiptarë. Gjesti nuk kishte të bënte fare me ndonjë sipërmarrje diplomatike, ishte tërësisht aksion kulturor. As në gjysmë ditën kur profesor Biaxhini qe mysafir në Ministrinë e Punëve të Jashtme apo jashtë saj në shoqërim nga punonjës të atij shërbimi, përveç bashkëpunimit institucional për të ndihmuar studentët shqiptarë në Romë apo konferencave njohëse të historisë së marrëdhënieve të përbashkëta, ai qe i lirë të gjykonte e shprehej personalisht për situatën në Ballkan. Dhe për disa gjëra kishte mendimet e tij të pavarura, jo fort të përputhshme me diplomacinë shqiptare. Por këto kishin fare pak rëndësi dhe askush nuk hyri në mes për t’i “bërë të ditur qëndrimet tona”, çfarë është detyrë vetëm me përfaqësuesit politikë apo diplomatikë të një shteti tjetër, por kurrë me shkencëtarët.
Shpëtim Çuçka, i cili me një frymë brenda dy muajve pati përkthyer librin, kur e pyet për mbresat e atyre çasteve pati dëshirë të vërë në dukje se një italian, qoftë edhe profesor apo studiues, e ka rrezikun e paraqitjes dhe të interpretimit të gjërave nga frymë perandorake apo ish-fashiste, si përfaqësues i një vendi më të madh e që i jep vetes të drejtën të të japë mësime, pse jo edhe i ndikuar nga mendësi kolonizatorësh. Por jo, ngul këmbë ai, libri i Antonelo Biaxhinit “ishte vështrimi pa xhama të errët i jetës dhe i historisë së një populli, interpretimi i tyre pa asnjë doktrinim dhe frymë spekulative”
. “Ai është i shkuar thjesht”, pohon Çuçka, “nuk të rëndon, komunikon njerëzisht dhe hapët, nuk dëshiron të ushtrojë ndikim e pushtet, nuk përmban asgjë të sofistikuar e dinake, është i qartë, i shtrirë, pozitivisht linear, pra pa stërhollime, pa mani interpretimesh”. Sipas tij “Historia e Shqipërisë“ njëkohësisht “është një libër i mirinformuar dhe dokumentuar deri në rrënjë. Pra është i besueshëm”.


ooo

Antonelo Biaxhini është zëvendësrektor për çështjet e kooperimit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin “La Sapienza” në Romë, koordinator në kursin e përgatitjes së diplomatëve të Evropës Qendrore dhe Lindore si edhe të Argjentinës, drejtor i Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Hungareze në Itali, në vitet 1997-1999 president i Shoqërisë Italiane të Historisë Ushtarake, autor i botimeve “Italia dhe Turqia (1904-1911)”, “Marrëdhëniet mes Italisë dhe Malit të Zi gjatë Luftës së Parë botërore”, “Momente të historisë ballkanike”, “Në Rusi midis luftës dhe revolucionit”, “Historia e Turqisë bashkëkohëse”, “Historia e Hungarisë moderne”....
Gjithsesi pa u shkuar deri në fund korpusit të botimeve tij për lexuesin duhet të shtojmë edhe një hollësi kuptimplote. Tek “Historia e Shqipërisë”, në faqen e parë, gjenden fjalët “Këtë libër ua kushtoj prindërve të mi”.
Kështu profesor Biaxhini i deklaroi shqiptarët të dashur po aq sa edhe nëna e i ati që i dhanë jetën.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com