Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Jak Serreqi, të rilindësh 81 vjeç


(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, shtojca kulturore “Milosao”, më 2 maj 2010)

Kur u ritakuam qielli po e humbte dritën e saj dite fundprilli dhe heshturazi, si të binte në një ngashërim i papritur, nisi të lëshonte pika shiu. Sapo ishim ulur në pjesën e zbuluar të një bar-i në një kënd të Tiranës dhe qesh gjithë merak nëse më në fund këtë herë do ta zbuloja përfundimisht çfarë çudie njerëzore pati ndodhur tek Jak Sereqi, ky shqiptar i larguar nga vendi i tij që fare fëmijë dhe i rikthyer herë pas here vetëm pas pesëdhjetë e një vitesh. Në të vërtetë nuk qe ky mister që më tundonte më shumë se enigmat e tjera. Bashkëkombësi me tre dekada e gjysmë jete në Itali dhe me mbi katër të tjera në Kanada ishte një qenie e ndërlikuar. Ai fliste, por nuk t’i hapte lehtësisht kthinat e shpirtit e mendjes. Kur në parathënien për albumin e tij të parë Martine Ried, President i Scriba International Art Society, kishte shkruar për pikturat e Jak Serreqit se qe “një tregimtar që nuk i gjen dot fjalët”, me këtë metaforë elegante pati shprehur këtë cilësi të veçantë të tij.
Rrinim përballë njëri-tjetrit në një bisedë të lirshme e megjithatë nuk isha i sigurt se në atë takim të tretë më në fund do të kuptoja si pati ndodhur që pa ditur asnjë fjalë shqip para pesë apo gjashtë vitesh ai i qe kthyer mësimit ngulmues të saj. Jak Serreqi është nipi i një tjetri Jak, emër shumë i njohur në fillimet e shekullit të shkuar, arqipeshkv i Shkodrës, luftëtar i mbrojtjes së saj nga pushtimi malazez, mbetur shkëlqimtar edhe për një thënie të tij, përhapur atëherë prej një gazete të njohur të botës, se në Shqipëri të krishterët dhe myslimanët janë vëllezër.
Brenda një muaji e pata takuar Jakun dy herë. Këtë herë të tretë ishte me të shoqen. Quhet Anna Serena. Italiania ka flokë shumë të bardhë dhe vështrim tepër të kaltër. Flet gjithë hare, sikur të mos kishte gjë në këtë botë të mund ta mërzisë. Që më parë dija se qe piktore e diplomuar në Institutin e Arteve të Peruxhës dhe se ato ditë kishte ardhur në Tiranë për ta ndihmuar të shoqin në botimin e një albumi të dytë. Sepse (dhe kjo është çudia më e madhe) Jak Serreqi, i diplomuar për kimi dhe profesor i kësaj lënde në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin “La Sapienza” të Romës, me stazh të gjatë pune në ndërmarrje private në Itali dhe në Kanada, qe bërë papritur piktor. Ky transformim i kishte ndodhur në moshë të thellë, atëherë kur natyrshëm tek njeriu nis të sundojë ideja se duhet të bëhet gati për ikjen nga kjo jetë dhe për pasojë në të nuk gjenden energji për të rilindur ndonjë dhunti a talent, përveç ndonjë hoby si një përpjekje e fundme për të shijuar ditët e mbetura. Mirëpo në rastin e Jak Serreqit ka ngjarë një dukuri e jashtëzakonshme, i është rikthyer dëshira për një jetë të dytë. Ai ndihet dhe vepron si një njëzetë vjeçar, e shumta sikur sapo ka mbushur tre dekada. Mësimi i gjuhës shqipe dhe pikturimi kur është 81 vjeç duket qartë që janë për të sipërmarrje mjaft serioze, që duan një të ardhme. Shqipen Jak Serreqi e mëson çdo ditë, më e pakta një orë përkushtim. Në përvetësimin e saj është shumë i përpiktë, si të jetë gjuhëtar. Një pjesë të kohës në të tre bisedat tona, i përkorë të mos bëjë asnjë gabim në kohët e foljeve apo në trajtat e shquara apo të pashquara të emrave, i zunë provat e shqiptimit të saktë.
Tek Jak Serreqi po ashtu piktura nuk është ndonjë pasion kohëkonsumues, një grishje për të vizatuar lule apo brigje deti me ca dallgë, një pulëbardhë sipër e disa gjurmë hapash mbi rërë. Krijimet e tij janë vepra shumë mbresëlënëse jo vetëm në nivelin artistik, por edhe në forcën e mendimit, të mesazhit njerëzor, të frymës origjinale ekzistencialiste. Jak Serreqi ka një talent të rrallë pikërisht për aftësinë të bëjë art dhe të përcjellë po ashtu mendim, filozofi. Është shumë e vështirë të bashkëjetojnë të dyja pa i marrë njëri-tjetrit hapësirë dhe shpesh herë dëmtuar reciprokisht. Nuk qëndrojnë dot gjithnjë lirshëm dhe natyrshëm ndjenja dhe arsyeja. Është një përmasë delikate afrie e bashkimi, por edhe humnere, kanë rënë e humbur shumë talente. Nuk ka ngjarë kjo me Jak Serreqin.
Me pak fjalë bashkëkombësi ynë 81 vjeçar nuk është një piktor dosido, mesatar apo diçka më shumë se kaq. Është piktor i madh, me të mund të konkurrosh nëpër botë dhe jo vetëm në Romë, Kanada, Tiranë, Australi apo Dubai, ku ka çelur ekspozita. Në të vërtetë krijimet e tij të para kanë marë formë në mes të viteve shtatëdhjetë, kur në Vankuver mori pjesë në dy ekspozita në Universitetin e Kolumbisë Britanike dhe në Institutin Italian të Kulturës. Pastaj gjithçka nga ai mugullim pasioni e la të dremiste. Për nevoja jetese ia dha të gjithë kohën profesionit të kimistit, të cilin siç thotë Anna Serena, nuk e deshi kurrë. Mbeti nën këtë privim të madh të shpirtit deri sa i ndodhi zgjimi i madh, ai i vitit1993, kur erdhi në Shqipëri pas pesëdhjetë e një vitesh ndarjeje.
Tashmë e gjithë e pazakonshmja, e gëzueshmja por edhe më e trishtueshmja, është se ky tetëdhjetë e një vjeçar shumë i mbajtur fizikisht e natyrë sportive, ky talent marramendës, për të krijuar nuk mund të ketë përpara shumë vite të tjera jete. Ai nuk ka as kohë të mjaftueshme të mund të sigurojë në Tiranë lidhje të tilla shoqërore të cilat do ta ndihin t’u bëjë të ditur bashkëkombësve rilindjen që i ka ndodhur, shpërthimin lëbyrës në art dhe në atdhedashje. Kjo e fundit u ka ngjarë shumë shqiptarëve, veçanërisht atyre që për një gjysmë shekulli ua kanë mohuar rikthimin në atdhe. Ajo që nuk u ka ngjarë të mohuarve dhe të ndaluarve padrejtësisht ka të bëjë me gjeninë artistike të Jak Serreqit. Si i tillë ai e meriton të tërheqë të paktën për një ditë të gjithë vëmendjen e edicioneve të lajmeve televizive dhe të faqeve të para të gazetave tona. Rasti i tij (Pse jo?) duhet të ngulitet në kujtesën tonë kolektive.

ooo

I rilinduri i madh, ky Serreq i cili 81 vjeç kërkon të nisë një jetë tjetër të dytë, prej vitit 1967 jeton në Kanada, por në Tiranë ka blerë edhe një shtëpi tjetër. Këtu vjen e rri diçka më shumë se një muaj në vit. Rrugën e kthimit për në Vankuver Jaku do ta marrë në ditët e para të këtij maji, pra pas pak. Kështu që fizikisht do të na mungojë. Ky shkrim do të jetë një përpjekje për ta trupëzuar siluetën e munguar të tij, sidomos të shpirtit dhe kështu mbajtur sado pak mes nesh deri sa të rivijë, këtë verë apo prag vjeshte.
Në atë mbrëmje të fundprillit kur u takuam e ndërsa ai shi me pikla të mëdha na detyroi të hynim nën strehën e tendës së bar-it, Anna Serena dhe Jak Serreqi qenë të gatshëm ta shpjegonin jetën e tyre sipas tragës që kërkova tua zbuloj nëpërmjet pyetjeve. Këtë herë isha më i përgatitur për t-i zhbirruar. Atë që nuk e kisha diktuar të dy takimet e para e pata fat kur shfletova edhe një herë tjetër, kësaj radhe me sy ngulmues, albumin e tij “Metamorfozë: shfaqet një piktor” (Metamorphosis: a painter emerges). Ah, sa nuk thirra, kur mu duk se më në fund e kuptova misterin e rilindjes së tij të pazakonshme. Në qenien e Jak Serreqit shpërthimi i ri i jetës qe shkaktuar nga mungesa. Dihet që ajo e cila të mungon ashpërsisht, rëndë, dhimbshëm e mundimshëm, në rastin më të parë, sapo ndalimi ndërpritet, shpërthen. Nuk ka forcë t’ia presë rrugën. Del si një llavë e tërë ndjenjash dhe përsiatjesh mendimi. Ky çast i gjëmimshëm ka ndodhur tek disa të privuar kur i ka dëshpëruar apo inatosur. Veç kjo është pamja më e rrallë e rivendosjes së lirisë. Më e shpeshta është se mungesa e një lirie të madhe u ka dhënë shtysë të privuarve për të rijetuar më me gëzim në shpirt.
Jak Serreqit i kanë munguar dëshpërueshëm tre gjëra vitale, pa të cilat jeta ka përmasën e një përgjysmimi të vlerës së saj. Në rastin e tij këto tre dimensione jetike janë Familja, Shqipëria dhe Piktura.
Në albumin e tij “Metamorfozë: shfaqet një piktor” (ai ka edhe një album tjetër, shumë prekës, me punë të përbashkëta me dy mbesat e vogla, Niko dhe Xhema) Jak Serreqi pjesën e parë të krijimeve e titullon “Familja e parë”. Në shpjegimin që i bëhet kësaj përzgjedhjeje thuhet se “Familja e Parë është seria e pikturave që portretizon persona, ngjarje dhe kujtime nga rinia e piktorit. Në disa punë përfshihen anëtarë të familjes së tij në Shqipëri (familja e tij e parë) ndërsa të tjerat frymëzohen nga kujtimet e kohës së kaluar në konvikt në Itali”.
Për ta dhënë të plotë kumtin e mesazhit të tij Jak Serreqi vendos si pikturë të parë, çelëse, përuruese të albumit, “Mendesha”. Krijim i vitit 1997 ajo paraqet një grua plot shëndet të bukur, e cila me një gjest shumë të ëmbël, tërësisht mëmësor, i jep gji një fëmije. Ka të veshur një kostum tradicional shqiptar dhe të gjithë bustin e saj e mbush drita e një dielli që nuk duket, por gjendet aty, shumë afër. Në sfond të pamjes së mendeshës, si e mbështjellë mjegullshëm nga largësia dhe brenga, shihet silueta e një gruaje tjetër, e cila e vështron skenën heshturazi me fjalë që i ka në buzë, por nuk i shqipton dot. Është fëmija i saj ai që pi qumësht nga mëndesha. Ajo nuk ka mundur dot ta ushqejë jo sepse nuk ka dashur, por jeta u soll ashpër me të, ia ndaloi të drejtën e natyrshme për të qenë pranë krijesës së saj.
E tillë realisht ka qenë jeta e Jak Serreqit, me këtë mungesë shumë të dhimbshme në mes, si plagë mes brinjëve. Ai ka lindur në Shkodër. Ishte viti 1929. Tre vjeç bashkë me familjen e tij u vendos në Austri, por kur i qe afruar moshës së gjashtë viteve u rikthyen për të jetuar në Tiranë. Kur qe afro nëntë vjeç prindërit e dërguan në Itali, në qytezën Fraskati, afër Romës, në një kolegj të drejtuar nga jezuitët. Duhej atje të mësonte dhe të kalitej me disiplinë të hekurt. Po të dëshironte të ndiqte edhe karrierën e një kleriku fetar. Nuk duket se kjo alternativë e fundit e ka tunduar të ardhmen e tij. Ndërsa vijonte shkollën, në 1939 ndodhi pushtimi i Shqipërisë dhe gjithkund nëpër kontinent, veçanërisht në detin që ndante Italinë me atdheun e tij, kërcënonin të papriturat e luftës. Prindërit qenë ngulëkembës: ai duhej të vazhdonte shkollimin e tij. Ndërsa pushtimi fashist i Shqipërisë ia ngërtheu jetën kur qe vetëm dhjetë vjeç ai i vënies së saj nën kontrollin totalitar të komunizmit bolshevik, pra edhe i mbylljes së kufijve, e gjeti Jakun ende adoleshent. Familja e tij, të gjithë Serreqët në Tiranë dhe në Shkodër, ranë nën goditje politike, nën dhunë e persekutim. I riu do ta vazhdonte jetën e tij i vetëm, pa nënë e pa babë, pa motrat e pa të vëllanë. Jetim pa qenë realisht jetim. Ja përse shfaqet e para në albumin e tij “Mëndesha”. Ja përse kapitulli “Familja e parë” në albumin “Metamorfozë...” pason me një pikturë të përmallshme, “Kopshti u gjyshes”, krijuar në vitin 2000. Miku dhe kolegu i tij kanadez Michael Le Geyt, me të cilin ka hapur ekspozita të përbashkëta, duke qenë bashkë me Anna Serenën edhe përgatitës i albumit, tek “Kopshti i gjyshes” shpjegon “Kjo pikturë me paqe të gënjeshtërt portretizon gjyshen e autorit ulur në një pemë stolisur me gjethe hardhie në vilën e familjes në Shkodër. Vështroni me vëmendje dhe do të shihni një fytyrë të plakur para kohe dhe të munduar nga hallet. Qetësia sipërfaqësore e dhënë nga shatërvani tetëkëndësh-simbol vazhdimësie, ashtu si edhe pagëzimorja-kontraston me kolonën e thyer dhe sfondin gjak të kuq...”. Piktura e tretë e rreshtuar në album e ka titullin “Boshllëku i djalit” (1997). Të vendosur në sfondin e një qilimi shqiptar të dy prindërit e Jak Serreqit qëndrojnë në këmbë pas një karrigeje bosh, mbi ndenjësen e të cilës rrinë një palë këpucë të vetmuara, mbase të lëna nga i biri që i vogël apo të paveshura kurrë prej tij. Në një pikturë të mëpasshme të kapitullit ”Familja e parë” ndodhet krijimi “I vetëm, por jo i vetmuar”. Është pamja e një sheshi oborri të mbyllur, me siguri imazh i seminarit jezuit të Fraskatit, ku një fëmijë luan i vetëm. “Kjo lojë e vetmuar mund t’ju duket e dhimbshme”, shpjegon tashmë 81 vjeçari, “por në të vërtetë ishte një kohë e lumtur e pa kokëçarje sepse më stimulonte zhvillimin e burimeve të brendshme mjaft të rëndësishme për jetën e një njeriu”.
Kështu mungesat e rënda në jetën e Jak Serreqit u shndërruan në energji shpërthyese. Shqipëria e ndaluar për një gjysmë shekulli dhe tashmë e ritakuar me mall të madh nuk shihet vetëm në album (piktura “Klubi i Laçit”, 2005), por mbi të gjitha në jetën e tij prej mërgimtari të detyruar. Kur erdhi për herë të parë në vitin 1993 Jak Serreqi kishte përshtypjen se e pati bërë rikthimin në mëmëdhe vetëm për ta parë dhe thjesht çmallur. Pastaj, sigurisht, mendonte se do të tërhiqej në jetën e tij të mëparshme, në Vankuver, pranë dy mbesave, vajzave të djalit të parë Alesio, pranë Elandit, djalit të birit të dytë, Nikola, deri tani mashkulli i vetëm Serreq dhe në pritje të martesës së Mikeles, djalit të tyre të tretë ende beqar. Në atë ardhje të vitit 1993 inxhinieri kimist Jak, i cili për këtë profesion kishte dhënë leksione në universitetin më të njohur të Romës, qe specializuar në Peruxha, në Mançester të Anglisë dhe në Kanada, nuk i shkonte dot ndërmend ato që i ndodhën më pas dhe e transformuan, e ribënë t’i hynte një jete të dytë. Më kot kishte gjykuar se pas vitit 1993 nuk do të kthehej shpesh në Shqipëri, nuk do ta mësonte gjuhën e prindërve të tij dhe nuk do t’i kushtonte kohë të lirë pikturës.
Ndërkaq ngjau e kundërta e të trejave. Ngjarja kyçe, ajo që e nxiti ndryshimin e tij të madh, kishte të bënte me një episod. Në ditët e kursyera të qëndrimit në Shkodër gjatë kthimin të parë nipi i arqipeshkvit të famshëm të qytetit bëri një vizitë në kishën katolike. Ajo qe ende e varfër, pa pajisjet e nevojshme, me mure të zhveshur. Një nga priftërinjtë pyetjes së tij se me çfarë mund të ndihmonte iu përgjigj se mjaftonte të gjente ndonjë piktor në Itali apo në Kanada, i cili për kishën të dhuronte ndonjë krijim. Jak Serreqi e mori përsipër dhe këtë gjë ia tha Serenës. Bashkëshortja, kjo grua me natyrë optimiste dhe këshilluese inteligjente, përveç se piktore edhe gazetare në një një televizion të Vankuverit, iu përgjigj menjëherë. Zgjidhja e saj ishte e papërfytyruar nga Jaku: Pikturat për kishën e Shkodrës përse të mos i bënte vetë?
Kaq mjaftoi, pak sekonda mëdyshje nëse ia delte dot dhe pastaj vendimi: do t’i hynte punës. Sikur lutja për ta ndihmuar Jak Serreqit t’i vinte nga një kishë e një vendi tjetër, ajo mrekulli rilindëse tek ai nuk do të ndodhte kurrë. Në atë vit 1993, në takimin me mëmëdheun e munguar për pesëdhjetë e një vite, u bashkuan në një dashuria e pashuar për Shqipërinë, për prindërit e familjen e parë, për pikturën. Gjithçka u bë masë e shndritshme, vezulluese, e ngarkuar me energji pothuaj kozmike. Ishte atdheu shtysa dhe forca e të gjithave. Për Jak Serreqin qe ai kodi i çdo rilindjeje.
Në atë mbrëmje të takimit të tretë atë dhe Anna Serenën i gjeta me shpirt të kthjellët, të pamunduar prej ndonjë dyshimi se jemi vend i trazuar nga shumë mbrapshti. Të dy kishin në vështrim dëlirësi dhe çuditërisht nuk i pati nervozuar një debat i gjatë në një televizion, ku për çështjen e projektit të ri të Sheshit Skënderbeu specialistë të arkitekturës apo publicistikës, qenë kacafytur e patën përdorur gjuhën e politikës. Thjesht ishin zhgënjyer, e tregonin si një episod që donin ta harronin. Serena shtoi miqësisht se “këto ditë jam përpjekur nëpërmjet televizionit të mësoj ndonjë fjalë shqip, por edhe ato pak që dija prej atij emisioni më dolën nga mendja”.
Jak Serreqi është optimist. “Për pesë a gjashtë vite”, parashikon “Shqipëria mund të bëhet qendër e një lëvizje intelektuale”. Pastaj e kthjellon idenë e tij, i cili në fillim të duket trill patriotizmi. Sipas tij ajo që ka ndodhur me ne pas vitit 1990, pra si është rrëzuar diktatura më e ashpër e kontinentit dhe si pa dhunë e gjak, me një vitalitet të madh, po përballim rilindjen tonë kombëtare, është një shembull unik. Këtë gjë sipas tij jo vetëm Evropa, por e gjithë bota, duhet ta mësojë, ta dijë si përvojë. Tetëdhjetë e një vjeçari me atë energji të pashtershme ngul këmbë se Shqipëria më tepër se e bukur është një vend shumë interesant. Ajo ndryshon shpejt. Gabon jo pak, por kjo ndodh, ngul këmbë ai, sepse shqiptarët vrapojnë, nuk duan e nuk dinë të ecin ngadalë.
Kur Jak Serreqi shprehet kështu ideja e parë që të vjen në mend është se kjo që thotë mbetet një nga shpjegimet përse edhe ai në mug të jetës gjeti tek vetja forca për të shkëlqyer me pikturën e tij.

ooo

Pas pak ditësh, në një të hënë, ai së bashku me Anna Serenën, mbiemri i të cilës në pasaportën kanadeze është Serreqi dhe kjo në Rinas i bën shumë kuriozë punonjësit me uniformë të rojes kufitare, do të rikthehen në Vankuver. Këtë qytet e duan shumë, e kanë zgjedhur vetë. Është buzë oqeanit dhe ka temperaturën më të ngrohtë në Kanada. Ndërsa qytetet e tjera gremisen deri në minus tridhjetë e më tepër Vankuveri nuk e kalon minus njëzetën, madje kjo ndodh për e shumta dy javë në vit. Në verë temperatura mbërrin gjer në njëzetë e pesë plus dhe në buzëdet mund të bësh banjë. Uji megjithatë është ca i ftohtë, thonë, por mund ta durosh.
Në Vankuver do ta presë familja e tyre e dytë, ajo që ngritën me shumë mundim dhe të cilën e ruajnë të bashkuar, të gjithë nën mbiemrin Serreqi. Tashmë ajo është një përzierje e katër kombeve. Një djalë nusen e ka finlandeze, tjetri franceze, në pemën e tyre gjenealogjike ka hyrë edhe një malazez.
Tek sa do të rikthehen i pret Buçka, nipi, Elandi. Emrin përkëdhelës shqiptar e kanë vënë sepse Serreqi i vogël është buçko, me faqe të mbushura. Të dy gjyshërit që tani kanë bërë plan si t’i mësojnë gjuhën shqipe dhe ta sjellin për dy-tre javë në anët tona, pra në viset e tyre të vërteta.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com