Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

1957, AMBASADORI SHQIPTAR ME AUTOMATIK NE BAGAZHET E TIJ PERSONALE
FILIP KASTRIOTI, NJĖ TELEGRAM URIMI PĖR ISMAIL QEMALIN
SKĖNDERBEU-AVION
POPA E FUNDIT
TĖ TJERA HOLLĖSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMĖS ME FAMILJEN POPAJ
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

E dashur BE, pse të mos takohemi në 1 korrik?


E dashur BE, pse të mos takohemi më 1 korrik?

(Botuar në gazetën “Shqip” 29 shkurt 2010)

Për mjaft arsye dhe e përcaktuar nga një mal i madh me shkaqe tema e liberalizimit të plotë të vizave hyrëse për në hapësirën Shengen, pra në vendet e Bashkimit Evropian, herë kërcen ndër interesimet e para të opinionit tonë publik, herë zhytet aq thellë në një ankth të heshtur sa duket sikur në këtë pritje edhe fryma një ditë do të na pushojë. Shqiptarët optimistë dhe po aq me shpresë të mbajtur në një fill peri pyesin njëri-tjetrin në se kjo hapje kufijsh do të bëhet këtë vit apo do të ndodhë më pas? Ka shumë që ndihen të lodhur dhe janë deri edhe mosbesues në se ngjarja e lumtur do të realizohet ndonjë ditë. Nuk mungojnë prej shqiptarëve ata, të cilët pasi kanë ndeshur në radhën e gjatë para ambasadave dhe paketës së madhe të kushteve që duhet të plotësojnë, për atë që dashurojnë prej motesh, Evropën, të belbëzojnë me vete “më do, nuk më do, më do, nuk më do…”.
Për një habi, e cila mund të mos jetë çudi, në të gjithë Ballkanin ne dhe boshnjakët kemi mbetur të fundit. Duke qenë se nga qendra e madhe e qeverisjes kontinentale, Brukseli, asnjëherë nuk është lëkundur mendimi se Shqipërisë dhe Bosnjës do t’u liberalizohet regjimi i vizave në të njëjtin çast, konkluzioni është i kthjellët: në gadishull ne do të jemi të fundit.
Të jesh i fundit i klasës!? Hajde duroje!
Megjithatë po të mos i lësh pak vend durimit dhe të mos bësh një përpjekje për të arsyetuar jo i këshilluar nga emocionet, por prej analizës, fjala I FUNDIT të bie në kokë si goditje çomange. Pyetja të vjen vetvetiu dhe të çarmatos, të lë pa gojë: Vërtet përse shqiptarët duhet të jenë të fundit?
Në përgjigje shpejt e shpejt mund të të vijnë në mendje të gjithë argumentet që ke përgatitur ca nga vetja dhe ca të tjera të huajtura prej bisedave të pafundme me të tjerë. Ato thonë plot gjëra të hatashme, që nga dyshimi se shqiptarët disa qarqe të pushtetshme në zëmër të kontinentit i shohin si myslimanë me predispozicion të antikrishter e deri se Evropa na ka trajtuar përherë jo vetëm si qytetarë të dorës së tretë të saj, por pa ndonjë dashuri të dukshme. Duke mos na dashur neve po aq shumë sa e duam, arsyetohet në dhjetëra mijëra shqiptarë, kontinenti mëmë po gabon me ne.
Në këtë shkurt të vitit 2010, afro tre muaj pasi serbët, maqedonasit dhe malazezët çokën gotat e shampanjës nën kullën Eifel të Parisit, shqiptarit popull i thjeshtë, i cili është edhe më pësuari nga regjimi i tanishëm kufizues i hyrjes në hapësirën Shengen, nuk i kanë mbetur më dëshirë të dëgjojë për ta bindur një parti, një politikan, një gazetë, një ambasador apo qeveritar i huaj a i vendit. Jo sepse nuk do t’i dëgjojë apo bluan zemëratë me ta. Thjesht tanimë ai edhe të dojë nuk kupton dot më përse po ndodh kështu, ku e ka bërë gabimin e madh, ku e ka defektin e rendë, dreqi e mori çfarë nga kushtet e rëndësishme nuk ka plotësuar, pse për disa ditë po të hyjë ai në vendet e Bashkimit Evropian që këtë verë çfarë do të ngjajë, cila gjëmë do ta mbërthejë kontinentin, çfarë sëkëlldie rendi publik presin, cilin tërmet demografik fantazojnë prej gjysmës së tre milionëve e ca prej nesh, sepse kaq kanë mbetur pa siguruar nëpërmjet bashkimeve familjare me fëmijët e tyre emigrantë leje e dokumente qëndrimi?
Sigurisht nga ana teknike diçka ka mbetur pa u mbyllur përfundimisht prej Shqipërisë, ndaj edhe qeveria ka përparuar dhe tkurrur afatet në realizimin e të gjitha kushteve që ta afrojë këtë ditë hapjeje të kufijve, duke nisur nga plotësimi i Pyetësorit, në thelb një database të dhënash të qarta në cilin nivel standardesh evropiane jemi.
Por këto njeriu i thjeshtë nuk i kupton dot, janë gjëra të ndërlikuara edhe për të arsimuar me shkolla të larta. Ai di që ka mbetur i fundit dhe se duke qenë shqiptar, pra jo fort i dëshiruar të jetë i fundit i klasës, vritet shpirtërisht, mundon veten me pyetje dhe dyshime të kota si ato që cituam më sipër. Duke qenë se përherë është ndjerë evropian dhe nuk i ka ikur kësaj përkatësie, madje edhe në kohë e regjime tepër të vështira, pra që nuk ka për t’ia kthyer shpinën kontinentit mëmë edhe sikur në Bruksel t’ia japin lejen e hyrjes pa vizë vetëm pas dhjetë vitesh, gjithsesi e lëndojnë. Të gjithë popujt kanë nevojë për dashuri, për një zemër që të inkurajon sepse të do, që të fal diçka të cilën ti ato çaste nuk mund ta bësh dot, jo se nuk dëshiron, por sepse tani për tani aq ke forca, aq ke mundësi.
Në Evropë duhet ta dinë ose të paktën në analizat e tyre ta kujtojnë se vetëm po u zgjat shumë ky status i shqiptarit si i fundit i Ballkanit ai do të demoralizohet. Për disa muaj pritje ai të mirëkupton qetësisht, por për një vit është shumë. E pranon për disa muaj sepse e di që edhe dy dekada më parë, edhe dy pesëdhjetë vjeçarë më parë, edhe dy, tre apo katër shekuj të shkuara, ai qe i fundit në gadishull. I fundit jo si qenie njerëzore apo si tërësi identiteti, por për shkak të zhvillimit ekonomik. Shumë vëzhgues të huaj janë gati ta lidhin tërkuzë prapambetjen e ekonomisë të Shqipërisë me atë të kulturës, të diturisë, të shkencës, të krijimit të porteve detare dhe ajrore, përhapjen e udhëve të hekurta, ngritjen e uzinave të mëdha të prodhimit të makinave, hapjen e hershme të universiteteve apo akademive e kështu me radhë. Patjetër një raport mes tyre ka. Pa përparim të hovshëm ekonomik nuk kryhet asnjë nga ato që Shqipërisë i kanë munguar deri aq sa hekurudhën e parë e ndërtoi në fund të viteve dyzetë të shekullit të shkuar dhe universitetin e parë në mes të viteve pesëdhjetë.
Kemi qenë shumë të vonuar, por jo të prapambetur.
Po të ishim të tillë në historinë tonë nuk do të ndodhnin periudha normaliteti të ballafaqimit të mendimit pluralist, pranvera lirie të brendshme politike, sapo të na jepej mundësia, siç janë periudha 1920-1924. Miqve tanë të nderuar në Bruksel apo kudo në qendrat vendimmarrëse të kontinentit u duhet të mos harrojnë se shqiptarët vërtet e kishin ngritur flamurin e shtetit të tyre në nëntor 1912 por Lidhja e Kombeve ua njohu pavarësinë vetëm në dhjetor 1920. Nuk ka përse të mos kujtohet se në vitet 1925-1939 u dëshmua prej tyre një përpjekje e mahnitshme për të ngritur një shtet aq bashkëkohor e properëndimor sa thua kishin një shekull në pavarësim. Koha është një tirane e madhe dhe nuk punon në favor të të gjithëve. Para vitit 1912, për pesë shekuj për shqiptarët ajo “çelësat” i kishte në Stamboll, në vitin 1939 në një regjim fashist në Romë, në 1943 në Berlin, tek një pushtues kontinental dhe genocidist, në vitet 1945-1990 në një ideologji tërësisht falimentuese dhe që la mbrapa një të tretën e botës. Kur iku shqiptarët i la me regjim triskëtimi, sheqeri me listë, qumështi me radhë pas mesnate, kafja vetëm njëqind gram në muaj, vajguri të rendje me bidon pas një autoboti...
Në rast se në kryeqendrën e BE-së, ku sundon parimi gjeostrategjik fatlum se Shqipërinë nuk mund ta lënë kurrë jashtë bashkimit të tyre, nuk ndjejnë plotësisht se pas vitit 1990 vendi ynë ka bërë hapa shumë të mëdhenj, do të na vinte keq. Në dy dekadat e fundit, pas një frenimi të madh që na bënë rrethanat historike, shqiptarët kanë ecur me një ritëm më të madh se përmasa normale e kohës. Mund të duket teprim edhe për bashkëkombës, por autori i këtyre radhëve mendon se ne këto vite kemi ecur përpara kohës.
Dhe patjetër sërish jemi të fundit. Kjo jo sepse duam të rrimë në fund, nga që gjoja e ka fajin kryesor kjo apo ajo parti, por sepse periudhat që na mbajtën mbrapa kanë qenë hapësira të stërmëdha kohe. Ka ekzistuar dhe akoma mbetet nën këmbët tona një gropë e madhe që duhet mbushur. Do të na duhen edhe jo pak vite për të dalë nga ky status i të qenit i fundit, por do të vijë dita kur nuk do të na gjeni më atje, në bisht. Disa shenja janë dhënë që tani.
Ja përse, për këto rrethana të ndërlikuara, ne shqiptarët jemi dhe njëkohësisht nuk jemi të fundit në Ballkan. Pra matematikisht, me disa shifra e tregues specifik eurointegrimi, jemi në fund, por me shpirt dhe mendje për të ardhmen jo. Të gjendur në këtë gjendje të dyzuar, gjithnjë duke dashur të na mirëkuptojnë, një liberalizim i plotë i regjimit të vizave këtë verë, në ditën e parë e plot diell të ngrohtë të korrikut, do të qe një veprim i drejtë dhe inteligjent, shumë largpamës, plot me dashuri të njeriut për njeriun, të evropianit për evropianin, të shumë të zhvilluarit dhe të fortit për atë që po ngrihet në këmbë.
Në 1 korrik 2010 të dy kohët, ajo e Brukselit dhe e Tiranës, përputhen në një takim të lumtur. Të mos e humbasim këtë rast të madh!


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com