Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Santa Sofia d’Epiro, qyteza e dashurisë


Botuar në gazetën “Illyria”, Nju Jork, 19 janar 2010)

Ndërsa makina, pas një uljeje të butë në grykën e një lugine nisi ngjitjen drejt Santa Sofia d’Epiro, ndjeva menjëherë një shtrëngim të fortë në gjoks. Rruga e hipjes nëpër ato kodrina në afërsi të lumit Crati ishte gjithaq e butë, por me shumë kthesa. Kraharorin me dhimbjen e papritur brenda tij në fillim e shpjegova pikërisht me ato brylime të pafund dhe me idenë se edhe makina jonë po nxitonte. Atë ditë Santa Sofia nuk do të qe e vetmja qendër arbëreshe që do të vizitonim. Madje këtu do të qëndronim pak, sa për të marrë një mbresë.
Porse unë në të vërtetë kisha një përmallim kohëgjatë, të mbajtur fshehur, në sekret të thellë. Ndryshe nga vendbanimet e tjera arbërore në Santa Sofia d’Epiro nuk pata shkuar fizikisht asnjëherë dhe kështu ajo më pati munguar shumë. Të gjitha kontaktet me të deri ato çaste kur po i afrohesha i kisha pasur virtuale. Pata lexuar libra, dëgjuar cd-room me këngë folklorike, parë pamje në dvd dhe në zbulim të imazhit të saj, mjaft herë si të qe kërkimi i një mirazhi, notuar pa fund në dallgimin e madh të internetit.
Ja përse, ndërsa nga minuta në minutë prisnim që më në fund pamja e qytezës të shfaqej mbi një majë kodrine, qesh i bindur se për Santa Sofinë nuk dija pak dhe kjo gjë do të ma lehtësonte jo vetëm shpirtërisht takimin e parë, por edhe mendërisht forcën e përthithjes së të dhënave të reja. Mirëpo ai shtrëngim i fortë në gjoks në vend të fashitej, bëhej përherë e më shumë brejtës, shumë i dhimbshëm. Nuk më vuante vetëm zemra, por çuditërisht edhe vetë eshtrat e brinjëve. Duke e njohur veten aq sa mund të kuptohet vetvetja më në fund zbulova misterin: ai sëmbim dëshmonte atë çudi që më parë nuk e dija. Kisha rënë në dashuri me (Santa) Sofinë.
Kjo pati ndodhur jo aq shumë sepse ky qe një emër i njohur personazhesh në mjaft vepra letrare, po ashtu edhe i shpeshtë në qytetin tim të lindjes apo se një vogëlushe bionde si e larë me ar, në rrethin tim familjar, lindur në Janinë nga bashkëkombës emigrantë të pas vitit 1990, quhet pikërisht Sofia.
Unë kisha rënë në dashuri me atë vendbanim arbëror sepse nga sa prej shumë së largu kisha mësuar qe me të vërtetë qyteza e dashurisë. Femrat këtu kanë një bukuri të rrallë, marramendëse, pothuaj torturuese për kë i kundron. Janë përherë në një buzagaz të magjishëm dhe gjithmonë të mbushura me ndjenjë, me një trazim emocionesh që nuk kanë të fashitur. Rrethinat e Santa Sofisë që prej të paktën dy shekujsh janë të veshura me vreshta. Sa herë notoja në internet kjo mrekulli më ishte dukur jo aq shumë sipërmarrje ekonomike apo lakmi për të fituar. Përherë vera e nxjerrë prej tyre më ngjante se qe vetëm e vetëm musht dashurie. Edhe veshët e rrushit, nëpër veshët e gjetheve të hardhive shumuar si vathë të panumërt, më qenë përngjarë me hiret e vajzave të Santa Sofisë.
Por këtu në këtë qytezë të bekuar edhe djali është tërë hijeshi, ka trup elegant dhe shumë i dëshiruar të vishet bukur, përherë i gatshëm t’u bëjë vajzave nga një surprizë aq të dëlirë dhe joshëse sa ato menjëherë t’i kërcejnë dhe varen në qafë. Kur bie në dashuri djaloshi sofiot të vjen poshtë dritares me një trëndafil ngjyrëndezur në dorë.
Në Santa Sofia mund të kuptosh sa racë e bukur fizike janë shqiptarët. Jo më kot në këtë qytezë banorëve u është mbushur mendja se janë me një fizionomi ndryshe jo vetëm nga italianët, por edhe prej bashkëkombësve të tyre në vendbanime të tjera, atje ku në këto pesë e më shumë shekuj, jeta e rrethana i ka sjellë ta përziejnë gjakun më shumë se ta me vendasit, latinët. Sofiotët, pra banorët e Santa Sofia d’Epiro, mendojnë se fytyra e tyre ka formë ëmbëlsisht të rrumbullakët dhe ndryshe nga kalabrezët, krahina ku prej shekujsh banojnë, nuk janë me lëkurë disi të ngjyrosur në kafen e njohur të italianëve të jugut, por krejtësisht të bardhë, plot rrëzëllim. Ndërkohë flokët arbëreshët e Santa Sofisë i kanë të gështenjtë të errët, ngjyrë që u piket dhe u fërgëllon edhe në sy.
Sofiotët janë të vetëdijshëm se kjo pamje e veçantë dhe e pangjashme me të tjerët u dëshmon gjallëri dhe inteligjencë. Kurse femrat, ngulin këmbë ata, “ruajnë akoma bukurinë e paraardhëseve të tyre në atdheun e origjinës, Shqipëri”. Madje sofiotët këtë bindje të tyre e mbështesin me atë çfarë ka thënë dy shekuj më parë Bajroni. Ky për shqiptaret, kur bëri vizitën e tij në jug të vendit tonë dhe mes arvanitasve në Greqinë e veriut, pohoi se kishte njohur gratë më të bukura në botë.
Ndërkohë sofiotët pohojnë se vërtet nga bashkëjetesa me italianët arbëreshët i kanë modifikuar tiparet e kahershme me pamje luftarake dhe kryelartësi, por megjithatë ende e ruajnë shumë dukshëm karakterin krenar të racës së tyre. Sipas tyre shqiptarët janë punëtorë dhe fitimtarë në çdo sipërmarrje, përherë në kërkim të një fati më të mirë dhe jete ekonomikisht më të bollshme, duan të jetojnë të qetë, janë mikpritës dhe bujarë, dinë të ruajnë zakonet familjare dhe traditën.
Sofiotët shkojnë edhe më tej: thonë se mes arbëreshëve përherë lindin njerëz me shpirt të befasishëm krijues.

ooo

Më në fund Santa Sofia d’Epiro shfaqet në horizont. Ndodhet pikërisht atje ku është fiksuar në qindra fotografi të shpërndara në internet, cd-room dhe dvd: mbi majën e rrumbullakët dhe të rrahur nga dielli të një kodre. Llamburit nga drita. Shumë shtëpi duken si të reja dhe të ngjyrosura me të bardhë. Përreth, diku më tej, dallohen plantacionet me pemët e gështenjave. Ndoshta sa të mbërrijmë deri në atë mahnitje do të udhëtojmë edhe dhjetë minuta të tjera, përherë duke iu ngjitur kodrinave. Unë gjithmonë ndihem me thellë gjoksit atë shtrëngim frymëmarrës. E kam idealizuar aq shumë Santa Sofinë sa druaj mos tani, në atë mëngjes të fund nëntorit 2009, gjithçka më përmbyset prej ndonjë mbrese të parë të rastësishme aspak të pëlqyeshme. Një baltovinë e papritur rruge, çdo pamje e zbrazët e qytezës, një kalimtar që të sheh vëngër apo një banor me padëshirë të të japë një informacion, gjithmonë gjenden dhe kështu ta shuajnë gjithçka të bukur që me vite ke ruajtur në shpirt. Njeriut i ndodhin rëndom aksidente të tilla, duke i fikur mjerisht shumë nga gëzimet e jetës.
Nuk e fsheh: kam ndërkohë në kokë paudhësinë të shoh a është e vërtetë që femrat e Santa Sofisë janë shumë të bukura, me lëkurë të shndritshme dhe buzëqeshje të përhershme, me shtat të harlisur, me në buzë palpitjen e një krenarie të ëmbël dhe këmbë hijshëm të gjata, të lehta në lëvizje sikur bashkë me to zhvendoset butësisht edhe vetë ajri. Kjo që po shkruaj tani lutem që lexuesit të mos i duket si pasion mashkullor, edhe pse është normale kur bëhet fjalë për ta admiruar së largmi një bukuri. Lakmia ime e atyre çasteve në afrim me Santa Sofinë më shumë se prej kthinave të fshehta të shpirtit lind nga dëshira ngulmuese e mendimit për të konfirmuar një dituri që kam marrë. Nuk reshtem nga kërshëria dhe gëzimi që me çfarë pres të shoh do të ndodhë të më pohohet ajo që për këtë vendbanim arbëror nga kërkimet e mia kam mësuar: femra shqiptare si një vlerë themeltare e rezistencës së identitetit të bashkëkombësve tanë në mërgimin e tejgjatë me shekuj. Sepse të ikur në një tokë dhe popull tjetër, ku prej tyre do të merrnin virtyte të tjera, qëndresa e vërtetë mbetej që ndërkohë të mos humbnin cilësitë më të vyera të etnisë së tyre.
Santa Sofia d’Epiro që kur pesë shekuj më parë u zgjodh si vend banimi prej arbëreshëve ka shumë burime ujërash. Qytezën e përshkojnë mes për mes dy përrenj dhe në të ka 29 kroje. Fjala shqiptohet saktësisht kështu: Kroj. Kështu në Santa Sofia ndodhet Kroj i Bukur, Kroj Kaciqit, Kroj i Malit. Nuk ka vende më të bukura për dashuri, tamam si në poemat tona të vjetra, legjenda apo rrëfime popullore. Njëzetë e nëntë kroje në një qytezë do të thotë njëzetë e nëntë herë më shumë dashuri se në çdo vend tjetër.
Ndjenja e hirshme e dashurisë së sofiotes që kur është vajzë e pastaj bëhet nënë ka qenë e mbetet themeli i kësaj rezistence. Nuk ka si shpjegohet ndryshe, veç me këtë dashuri për vetë dashurinë, fakti që në qytezë ruhet me një pasion të përndezur i gjithë riti i dasmës arbërore, saktësisht ashtu siç në emigrimin e tyre e kanë marrë me vete që pesë njëqind vjeçarë më parë. Kjo ceremoni pagane dhe në të gjitha ciklet e saj pothuaj hyjnore nuk dëshmon vetëm sa shumë sofiotet e vlerësojnë në jetë ndjenjën e dëlirë të dashurisë, por edhe sepse janë të vetëdijshme që ajo ndërkohë përbën një vlerë të madhe etnike, është ndër shenjat më kryesore të identitetit kombëtar. Jo më kot po ashtu në Santa Sofia d’Epiro veçanërisht nga femrat mbahet e pa humbur jo vetëm tradita e valles, por ato janë edhe xhelozet më të mëdha për të ruajtur e veshur nëpër ceremonira kostumet popullore. Tek sofiotet ka një lidhje të fortë të vajzave me nënat e tyre dhe ky bashkim dhe vazhdimësi shpirtrash ka ndihmuar mjaft në ruajtjen përherë të freskët dhe të lehtë në transmetimin nga brezi në brez të gjithçkaje që është arbërore. Në rast se gjuha e vjetër shqiptare në Santa Sofia d’Epiro gjallon fort kjo është po ashtu, mbi të gjitha, edhe meritë e madhe e femrës. Deri në dhjetor 1999, kur më në fund nga parlamenti italian u miratua ligji për t’u mësuar në shkollat publike të Arbërisë edhe gjuha e bashkëkombësve tanë të vjetër, brezat e rinj me atë të folme i kanë mëkuar nënat.
Sofiotet e mbushura në kraharor me feminizëm plot sqimë aristokratike grupin e tyre të valleve e thërresin “Shqiponjat”. Pak e vështirë të kuptohet një shqiponjë si gjë delikate, përkundrazi. Megjithatë ai emër atyre vajzave që këtë grup e kanë krijuar që në vitin 1994, u shkon. Aq shumë hijeshi femrore kanë sa nuk kanë nevojë t’i vënë një fjalë tjetër, qoftë kjo edhe e zogut a shpendit më të ëmbël. Ato duan të jenë shqiponja sepse janë shqiptare dhe për këtë pohim publik nuk bëjnë asnjë lëshim. Kur është fjala për mëmëdheun janë të bindura se hireve të tyre nuk u bën dëm asnjë simbol “i ashpër”.

ooo

Më në fund jemi në hyrje të qytezës. Ora nuk është më shumë se tetë e gjysmë e mëngjesit. Në rrugët kryesore pothuaj nuk ka njërës dhe menjëherë kujtohemi që është fundjavë dhe shumica patjetër pushon. Megjithatë Santa Sofia d’Epiro ka rreth tre mijë banorë e me siguri kush ka pasur punë bujqësie me kohë ka dalë në kodrinat përreth. Përveç vreshtave, gështenjave dhe fiqve (çuditërisht si në vendlindjen time në Berat), këtu ka edhe mjaft pemë ulliri.
Dalim nga makina dhe lëvizim në këmbë. Shpresojmë që një bust të Skënderbeut do ta gjejmë patjetër. Të paktën të bëjmë atje një foto dhe të presim të parin që do të kalojë. Por mrekullia e takimit me sofiotët e parë ngjau shumë shpejt, pas një kthese. Janë katër vetë që po punojnë në forcimin e një tarrace dheu buzë udhe. Shprehen të gatshëm të na informojnë për ku duhet të shkojmë. Mes tyre njëri është më i qeshuri në fytyrë, më i sjellshmi. Thotë se është arkitekt e quhet Luço Franko Mashi (Lucio Franco Masci), i lindur këtu, por tashmë banues në Napoli. Në minutat e mëpasshme do të marrim vesh se është një autor librash, studion arkitekturën arbëreshe në Itali, pra të bukurën. Në Santa Sofia bukuria gëzon statusin e një kulti.
Së bashku marrim rrugën për në bibliotekën e qytezës. Zgjedhim atë drejtim jo thjesht se është vendi i diturisë dhe ku në kohën më të shkurtër do të mësojmë mjaft të reja për Santa Sofinë, por edhe sepse na ndodhi një e papritur. Patëm kërkuar që në fillim që arkitekti Mashi të na shoqëronte deri tek busti i Gjergj Kastriotit, por ky me vetëm tre fjalë na tha se një shenjë e tillë e heroit të famshëm të të gjithë shqiptarëve mungon. Nuk i kërkojmë shpjegim përse kishte ngjarë një hata e tillë, por fryma na u morr. Këtë temë do ta hapnim më pas me të, përgjegjësin e bibliotekës Antonio Franko Mirako (Antonio Franco Miracco) si edhe me këshilltaren e bashkisë për kulturën, por ku qëndron e vërteta për këtë mungesë të pashoqe për një vendbanim arbëresh do ta shkruajmë në pjesën e dytë të këtij reportazhi.
Kështu ajo që autori i këtyre rreshtave e kishte droje se mos i ngjante, pra se do të mjaftonte diçka për t’i prishur shijen e adhurimit së largu të Santa Sofia d’Epiro, ndodhi.




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com