Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

1957, AMBASADORI SHQIPTAR ME AUTOMATIK NE BAGAZHET E TIJ PERSONALE
FILIP KASTRIOTI, NJË TELEGRAM URIMI PËR ISMAIL QEMALIN
SKËNDERBEU-AVION
POPA E FUNDIT
TË TJERA HOLLËSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMËS ME FAMILJEN POPAJ
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Çiviti, qyteza e magjishme


Reportazhi i tretë për Arbërinë, pjesë e ciklit eksklusiv për gazetën “Illyria”)

Botuar në gazetën “Illyria”, 29 dhjetor 2009

Çiviti është një qytezë e çuditshme, ndoshta një nga më të habishtmet në glob. Bota është e madhe dhe çfarë nuk mban mbi miliarda kilometrat katrore të cipës së saj tokësore e megjithatë në rast se do të ndodhte që vendbanimi arbëresh me vetëm1081 banorë, i gjalluar në afro treqind shtëpi të ndërtuara në një qafë mali në Kalabri të Italisë në lartësinë e 450 metrave, të kishte fatin të binte në duart e një kineasti apo shkrimtari shumë të famshëm atëherë me siguri do të ndodhte mrekullia që paralajmëruam.
Ata që udhëtojnë shumë e dinë sekretin e asaj, e cila mund të quhet “vend që ka histori”. Nuk mund ta ketë një cilësi të tillë një qytet që është krijuar rishtazi. Do ta ketë ende me pak histori jetën e vet një i themeluar dy apo treqind vite më parë. Ndërkohë vendbanimet, qytete të stërmëdhenj qofshin apo edhe qyteza fare të vogla, të cilat kanë një histori jete shumëshekullore e dy apo tre mijëvjeçare, nuk janë të njëllojtë në intensitetin e saj. Mund të ngjajë të jetë dhjetë shekullor e të ruajë më shumë histori se një tjetër me moshë dy apo tre herë më të madhe.
Duke qenë se jetën e një vendbanimi e krijojnë vetë njerëzit, pra po ata edhe e bëjnë historinë e tij, sigurisht që janë sërish po ata që edhe e ruajnë në kujtesën e tyre kolektive. Në rast se kanë ngjarë luftëra të mëdha, tradhti apo krime, patjetër ato janë të regjistruara si të tilla. Në të vërtetë ky është edhe lloji më kryesor të gjurmëve që mbeten lehtësisht e nuk shlyhen. Por në rast se jeta nuk e ka sjellë të ketë ndodhur ndonjë betejë e përgjakshme apo çdo hata tjetër, pra një nga ato që ta sigurojnë ngulimin në histori, si mund bëhet në rastin kur je i braktisur prej një “fat” i tillë dhe megjithatë di të jesh plot me të tillë?
Këtë mister e njëkohësisht mrekulli mund të ta shpjegojë Çiviti, mjafton të jesh i vëmendshëm për atë që është thelbësore dhe të mos hutohesh e jepesh i tëri pas një shëtitjeje “turistike” nëpër rrugicat e saj apo në grykën e lumit Raganelo, një pjate me biftek të madh e një gjumi të thellë në një prej bujtinave. Po u shpëtove grackave të tyre, madje edhe ndonjë ciceroni vendas që jeton aty por nuk e ka kuptuar dot mirë se çfarë çudie është qyteza e tij, atëherë pa dashje kryen një zbulim, të cilin mund t’ua thuash me gëzim gjithë të tjerëve.
Ndoshta një gjë e tillë i ka ndodhur edhe autorit të këtyre radhëve, duke filluar nga ai viti 1998, kur e pa për herë të parë Çivitin, e filmoi dhe e fotografoi, regjistroi intervista, pastaj gdhiu njërën ditë, vijoi me zbardhjen e agimit edhe të ditës tjetër...

ooo

Shtëpitë këtu janë të gjitha të bëra me gur. Nuk ka qenë kështu disa shekuj më parë, kur arbëreshët erdhën dhe u vendosën mbi këtë gji mali. Atëherë banesat e tyre i sajonin me disa trungje të ngulura në tokë dhe gjithkund të mbështjella me kashtë. Kështu e përballnin dimrin dhe sapo niste pranvera strehëve të tyre të thjeshta u vinin zjarrin. Në atë gjendje ende fillimi, kur problemi i tyre qe vetëm mbijetimi, kjo ishte mënyra e vetme t’i shpëtonin një shpenzimi të tepërt: pagimit të taksës së vatrës, asaj që sot quhet taksa e banimit, pra e shtëpisë. Ndërkohë arbëreshët vinin prej një hapësire gjeografike, Ballkanit, ku ligji i vendosur nga lart nderohej shumë më pak se në vendin ku patën emigruar. Megjithatë në ndodhte që ndonjëri prej tyre mëkëmbej ekonomikisht e dëshironte të jetonte në një banesë të gurtë, zotërinjtë vendas nuk e lejonin. Dekada vitesh më pas i toleruan për mure të ndërtuara vetëm me argjilë, kurse si çati sërish do të përdornin kashtën. Shumë më vonë, pas një përpjekjeje të mundimshme për të forcuar pozitat e tyre shoqërore, kur lufta për ekzistencë nuk qe më motivi i parë i jetës dhe të pushtetshmit lokalë jo aq të stërfuqishëm, arbëreshët filluan t’i ndërtojnë shtëpitë me gur.
Në Napoli jeton një inxhinier, studiues i arkitekturës së banesave arbëreshe. Quhet Luço Franko Mashi (Lucio Franco Macsi). Kur më dhuroi librin e tij “Banimet shqiptare në Itali” (“Gli insediamenti Albanesi in Italia”), botim i vitit 2004, dhe në kushtim rreshtoi fjalët “....vijmë prej të njëjtave vise...”, nuk harroi të ngulte këmbë se arkitektura e banesave të arbëreshëve kishte një lloj kryelartësie, dëshire për të qenë i veçantë, ndryshe nga të tjerët. Një çast u duk sikur e gjeti edhe fjalën më të përshtatshme. U shpreh “zotnillëk”. Sipas tij, por këtë mund ta vësh re edhe vetë, një shqiptar nuk mund të bëjë një shtëpi dosido, thjesht të dobishme për të kaluar shpejt e shpejt jetën. Banesa për arbëreshin është njëlloj si kostumi hijerëndë që ruan, si melodia që e këndon me një ceremoni të thekshme. Arbëreshët nuk kanë shtëpi përdhese. Ato janë me kate, me të paktën dy. Në Çiviti, ku arkitektura e kësaj tradite ruhet në formën më afër origjinales, në katin e parë gjendet përherë kuzhina. Këtë ata e thërresin “fukuni”. Në të nuk mungon asnjëherë një oxhak i brendshëm shumë i madh, hijerëndë. Këtë fjalë turke, oxhak, ata sigurisht që nuk e njohin. Përdorin arbëreshen e hijshme, ashtu siç e kanë marrë nga trojet amtare në shekullin e shkëputjes prej tyre, të katërmbëdhjetin. E quajnë vatra.
Nën këtë kuzhinë, pra në një gjysmë kat të nëndheshëm, kanë një të quajtur “Katoqi vikirr”, pra katoin. Përveç se për të ruajtur ndonjë send të nxjerrë përkohësisht nga përdorimi këtë hapësirë në ndonjë rast mund ta përdorin edhe si kuzhinë të dytë, për stinën e ngrohtë. Përherë në këtë banesë nuk mungon “furriqi”, pra furriku për pulat.
Për banim përdoret vetëm kati i dytë. I ajrosur mirë dhe me pamje për të shplodhur sytë, aty përveç dhomave ku priten miq, pushohet, qëndiset, shihet TV apo lexohet, ku edhe flihet, ka përherë një shkallë të brendshme që mes dy kateve spërdridhet plot elegancë. Aty gjendet edhe një ballkon. Këtë e thërresin “llohë”, fjalë latine kjo, jo arbërore. Çivitiotët nuk e kanë bartur dot prej trojeve të tyre për arsyen se nuk e kanë pasur. Në arkitekturat e banesave të njerëzve të thjeshtë ky element është shumë i vonë.
Siç në një reportazh të mëparshëm shkruam, prej katër dekadash në Çiviti botohet gazeta më e madhe në kartë e arbëreshëve, “Katundi Ynë”. Demetrio Emanuele, themeluesi dhe drejtori i saj, nuk ja ka vënë më kot atë emër. Çivitiotët e thërresin katund vendbanimin e tyre edhe pse ajo është një qytezë e mirëfilltë me hotele dhe restorante, rrugë ku qarkullojnë lirisht makinat dhe turizëm që tërheq dhe u bën rehat mbi njëzetë mijë ardhësve. Demetrio dhe bashkëvendësit e tij e ruajnë fjalën Katund, sepse ajo vjen nga trojet amtare. Nuk mund ta humbasin edhe sikur të ndodhte që Çivitin ta mbushnin qiellgërvishtësit. Shumë rrallë e gjen nëpër Arbëri këmbënguljen për këtë fjalë. Kjo edhe dëshmon se prej cilës pjesë të Arbërisë ata e kanë pasur origjinën e tyre, edhe pse jeta në Ballkan duhet t’i ketë detyruar që bashkë me familjet t’i kenë lënë vendlindjet e tyre në një mërgim të mëparshëm, atë në Peloponez të Greqisë, ku shërbenin si luftëtarë me pagesë në mbrojtje të porteve dhe kështjella buzë dhe afër detit, që këtu kishte Republika e Venedikut.
Katuni në Shqipërinë e moçme të para shekullit të pesëmbëdhjetë ka qenë një vendbanim me banorë që në zanafillë merreshin kryesisht me blegtori dhe kishin organizim shoqëror të ndryshëm nga vendbanimi që merrej me veprimtari bujqësore. Sipas studiuesve shqiptarë katune në shekullin e pesëmbëdhjetë, kur ndodhi rezistenca e madhe kundërosmane dhe pas humbjes së saj edhe emigrimi i madh përtej detit, kishte vetëm në një trevë të ngushtë malore e sanxhakut të Shkodrës, kryesisht hapësirë përreth Kelmendit. Në gjithë viset e tjera malore, por edhe në fushë, vendbanimet qenë bujqësore dhe pikërisht për këtë arsye quheshin fshatra. Katunet pak nga pak në shekullin e gjashtëmbëdhjetë u shndërruan në fshatra.
E megjithatë pesë shekuj më vonë në Italinë moderne, në hapësirën e bashkisë së tyre prej 27.11 kilometrash katrorë çivitjotët e ruajnë dhe e nderojnë këtë fjalë në shkallën më të epërme: duke e mëkuar në më të madhen dhe me jetëgjatën gazetë që kanë arbëreshët, “Katundi Ynë”.

ooo

Shtëpitë e ngurta të Çiviti ngjajnë me një ansambël të madh kori. Në këtë strehë malore era, duke u fërkuar pas mureve, brylave të banesave dhe nëpër grykat e rrugicave (këtu u thonë “rrugëza”), ndër buzë pullazesh dhe maja oxhakësh, krijon herë pas here, në mbrëmje vonë apo edhe sapo zbardh agu i ditës, melodira që të lënë pa gojë. Ti që e ndjen atë zë të ëmbël duhet të mbash frymën dhe ta dëgjosh gjer në fund. Çiviti është një vend magjepsës. Ai është i të gjitha çudirave. Me fantazinë që ka i kapërcen të gjitha mendjet më të ndezura në punë të imagjinatës.
Çiviti quhet ndryshe edhe “vendi i oxhaqeve”. Autori i këtyre radhëve ka droje se lexuesi do të dyshojë nëse i themi se në këtë qytezë arbëreshe secila banesë ka një oxhak origjinal, të pangjashëm me të shtëpisë ngjitur si edhe me të gjitha të tjerat. Për t’ia provuar këtë çudi, por edhe për ta bindur se nuk bëja romantizëm, redaktorit përgjegjës të “Illyria”, Ruben Avxhiut, bashkë me shkrimin i postova online nga Tirana dhe disa foto të veçanta të tyre. Po ashtu edhe një foto-montazh me oxhaqe çivitiotë, të cilën do ta kishte më të nevojshëm, për të kursyer në gazetë hapësirë botuese, t’ia bashkëngjiste shkrimit.
Në arbërisht i thërrasin “çiminere” dhe studiuesit e kësaj dukurie vetëm çivitiote thonë se prirja për të gatur secila banesë një oxhak ndryshe nuk është vetëm shenjë e qartë identiteti, por edhe kryelartësie e gjithsecilit. Sipas tyre kjo duhet të ketë filluar si traditë dy shekuj të shkuara, por ndërkohë në qytezë ka edhe oxhaqe shumë më të vjetër. Në Çiviti madje gjenden edhe shtëpi të varfra, pra fare të thjeshta e të vogla, por që në asnjërën prej tyre nuk mungon një oxhak i madh dhe i përpunuar me shije të hollë artistike, si prej pasaniku. Këtu ngulin këmbë se një tymtar të njëllojtë asnjë arbëresh çivitiot nuk do ta duronte dot, siç nuk do të pranonte një të bërë shpejt e shpejt. Që kur projektohet, madje që kur ëndërrohet një shtëpi e re, ajo nis më së pari nga vizatimi i siluetës së çimineres. Ka mjaft dëshmi që të bindin se formimi i harmonisë së këtyre oxhaqeve-zotërinj është traditë e ngulitur me kohë. Në mes të shekullit të shkuar, kur dallgoi mania e ndërtimeve me çimento, edhe në Çiviti nisi shembja e çiminereve të vjetër, për të ngritur të rinj, standard. E kuptuan menjëherë gabimin dhe rinisën rregullin e mëparshëm. Kësaj rradhe, të shpëtuar nga “modernizimi”, mbi oxhaqe, për të larguar syrin e keq, çivitiotët vunë shtamba të stilizuara, maska të bëra në tullë të kuqe, ndonjë shishe të qelqtë që përthyen shkëlqimin e diellit dhe po aq hijshëm xixëllon edhe dritëzën e hënës.
Kaq shumë famë kanë tashmë oxhaqet çivitiote sa që edhe mjaft turistë të huaj sapo hyjnë në qytezë kërkojnë t’i shohin e fotografojnë menjëherë. Çiviti për ta është vendi i tyre, i Urës së Djallit dhe i Shtëpive Kodra. Ndërsa për Urën e Djallit dhe plot çudira të tjera çivitiote do të flasim në pjesën e ardhshme të këtij reportazhi, në fillim të janarit të vitit të ri 2010, shpjegojmë tani se çfarë janë këto të quajturat “Shtëpitë Kodra”.

ooo

Ato kanë të bëjnë me të madhin bashkëkombës, piktorin Ibrahim Kodra. Nga qyteti i Milanos, ku prej Shqipërisë që prej mesviteve tridhjetë shkoi të jetonte, ai vinte pambarimisht në vendbanimet arbëreshe, mes tyre edhe në Çiviti. Këtu ai mallëngjehej shumë dhe ka bërë disa piktura. Paskubisti Kodra, talenti që u nderua nga Eliot dhe Pikaso, u mahnit veçanërisht nga mali përballë, të cilin arbëreshët kur qindra vite të shkuara emigruan aty e gjetën me një emër italian dhe nuk e pranuan. I vendosën emrin në gjuhën e tyre. E thirrën Brinja. Është një fenomen i rrallë, ndoshta i vetëm, kur një bashkësi refugjatësh për mall të pashuar ndaj vendit të vet arrin t’i ndërrojë emrin një mali të tërë, kur dihet se në historinë e vendeve dhe të popujve kanë kaluar pushtime të gjata me shekuj dhe sado të fuqishëm e dinakë të kenë qenë sunduesit ata kanë ndryshuar emra qytetesh, në ndonjë rast edhe duke ia ngulitur në histori në atë formë që kanë dashur, por kurrë nuk kanë mundur të ndryshojnë emrin e një lumi apo të një mali. Këtë gjë e kanë bërë në të gjithë Arbërinë (apo edhe në të tërë botën!?) vetëm çivitiotët.
Ibrahim Kodra provonte emocion të madh edhe prej oxhaqeve. Ishte shumë i mahnitur prej tyre. Kështu sa herë që vizatoi apo pikturoi Çivitin në kartë speciale apo në telajo do të qe i pranishëm edhe çiminere. Artisti ynë i shquar ndërroi jetë në vitin 2005 dhe në respekt të thellë të tij, si shenjë mos harrimi, çivitiotët kanë realizuar në qytezë, sipas një projekti të miratuar bashkërisht, Shtëpitë Kodra. Gjashtë prej tyre tashmë ekzistojnë dhe vizitohen posaçërisht nga turistët. Janë përshtatje të banesave ekzistuese, të gjitha të vjetra, me tëra me oxhakun origjinal sipër, silueta arkitektonike mjaft të afërta për t’u stilizuar sipas mënyrës krijuese paskubiste të Ibrahim Kodrës. Banesat e vizatuara dhe të shpallura “Shtëpia Kodra” janë, siç shkruhen e thuhen në arbërisht, “Shpia e Viçiut”, “Shpia e Shabanit”, “Shpia e Torinit Orrovaut”, “Shpia e Rrozinis Llepurinit”, “Shpia e Frangjiskut e Punxhit”...

Ooo

Çivitiotët të lënë pa mend. Nuk është vetëm rasti Kodra që provon se ata janë të lidhur tepër fort me Shqipërinë, jashtëzakonisht shumë. Në pjesën e dytë të këtij reportazhi do të kemi rast të tregojmë mjaft dëshmi të tjera. Kësaj radhe, duke e mbyllur këtë shkrim, po i bëjmë zë një arbëreshi, emrin e të cilit nuk po e citojmë për ta lënë në kujtesë mes nesh jo si individ, por si një episod të habitshëm, madje si një fenomen.
Në të vërtetë bashkëkombësi ynë i vjetër pranon se nuk e ka shumë qejf punën, në kuptimin e saj më të zakonshëm, pra që në një orë të caktuar të mëngjesit të hershëm të ngrihet nga gjumi, të vishet pa u vonuar dhe të niset për një vend pune dhe prej ku mund të rikthehet në shtëpinë e vet vetëm pas tetë orësh. Jo, ky nuk është një stil i dëshiruar jete për arbëreshin që po e lëmë anonim. Ai është artist. Kompozon këngë, i ekzekuton me instumenta që i bën vetë me mjaft talent dhe njëherësh i këndon krijimet e tij. Çivitioti “dembel” e ka shndërruar të gjithë shtëpinë e tij në një grup muzikor, në një orkestër ku vetë i bie disa veglave, që nga karabuzi e deri tek buzuku e mandolina, i biri gjashtëmbëdhjetë vjeçar përdor kitarën dhe vajza këndon. Kjo e fundit është studente e mirë në Universitetin e Kozencës. Mirëpo gjithsesi dikush nga familja duhet të punojë, sepse në fund të fundit duhet të hanë. Këtë vepër të madhe e kryen e zonja e shtëpisë. Artisti ynë deri disa muaj më parë, ndërsa vazhdon të çohet nga gjumi kur të dojë dhe thotë se ndjen dhimbje në trup sapo i kujtojnë një vend pune, ka përfituar nga pensioni i të ëmës. Por tanimë ajo nuk jeton më dhe ai ndihet ligsht. Ka përhapur fjalë në Çiviti se për të dalë nga ajo gjendje do të shkojë në Gjermani, si emigrant. Në qytetin Hajzenberg ka të motrën.
Mirëpo pikërisht ky personazh i çuditshëm dhe ndopak edhe i qortueshëm të gjitha meloditë që kompozon i ka me motive shqiptare dhe arbëreshe, po ashtu edhe këngët që interpreton e bija. Madje ai ka edhe një tjetër shumë të veçantë, të vetmen në Çiviti. Me antenën e vet satelitore, duke qenë se mendjen e ka të mprehtë dhe duart të arta, kap stacionet shqiptare të Tiranës dhe i ndjek zhvillimet tek ne përditë, pa lënë as lajmet.
“Dembeli” ynë bashkëkombës, të cilin për arsye se atë ditë kur ia pikasëm bëmën dhe donim ta takonim, ndodhej jashtë qytezës, na u duk shumë i këndshëm edhe për një arsye tjetër. Në sallën e Muzeut Etnik të Çivitit qe, gjatë një bashkëbisedimi mes dërgatës nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe vendasve, edhe një zonjë e emigruar nga Tirana, ardhur në ato anë në fillim të viteve nëntëdhjetë. Ishte e re dhe e bukur. Kishte krijuar familje me një italian shumë më të madh në moshë. Ajo në të dy herët që e mori fjalën kritikoi qeveritë shqiptare se nuk jepnin fonde për Arbërinë. Banuese në një qytezë të madhe arbëreshe, dy duzina kilometrash larg Çivitit, ajo vetë kishte hapur një studio, ku me muzikë kuronte fizikisht dhe shpirtërisht të sëmurët.
Kurse çivitioti ynë i fantaksur merrte pjesë në të gjitha koncertet dhe festivalet arbëreshe dhe në këtë lloj pune nuk lodhej kurrë. Sigurisht ato qenë veprimtari vullnetare dhe prej asaj dhuntie muzikore nuk fitonte asnjë qindarkë.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com