Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Në Ungrë çfarë përjetuam


Botuar në gazetën “Illyria”, Nju Jork, më 23 dhjetor 2009

(Reportazhi i dytë nga një udhëtim pune në Arbëri)

Mbrëmja dhe nata e 28 nëntorit do ta kalonim në Çivita. Për çdo shqiptar në Ditën e Flamurit një rast i tillë do të qe më shumë se një fat. Kjo qytezë arbëreshe aq fort ngjason me Krujën sa që përreth, po të hedhësh sytë në luginën poshtë, atje ku ravijëzon në horizont bluja e Jonit, instinktivisht kërkon të gjesh relievin e aeroportit të Rinasit e më tej mizërinë e ndërtesave të Tiranës.
Pas një bisede të përmallshme me shumë pjesëmarrës nga salla e madhe e Muzeut “Gennaro Placco” (Janar Plaku), shkuam e darkuam në restorantin “Agora”. Çivita është një qytezë shumë e vizitueshme. Ka shtatë bujtina të rehatshme dhe shumica e afro njëzetë mijë gjermanëve, anglezëve apo edhe e italianëve që çdo vit vijnë të kalojnë aty disa orë a një mbrëmje, shijojnë në restorante gjellë karakteristike të kuzhinës së lashtë shqiptare.
Siç kishim bërë në Frashinjetë me Papàs Antonio Bellushin ashtu vepruam në Çivita edhe me Demetrio Emmanuelen, drejtorin dhe njëkohësisht themeluesin dyzetë vite më parë të revistës më të madhe dhe më gjithpërfshirëse të arbëreshëve, “Katundi Ynë“. Bisedën e çuam tek ajo që do të ndodhte të nesërmen. Ishte një kryefestë: 90-vjetori i asaj që bashkëkombësit tanë e quajnë Eparkia e Lungros, e cila bashkon nën juridiksionin e saj katundet arbëreshë të Kalabrisë. Duhet të gjendeshe atje ato çaste për të kuptuar, por edhe ndjerë, se ajo qe një ngjarje e denjë të rrinte ngjitur me 28 Nëntorin. Dita e Flamurit dhe jubileu i Eparkisë së Lungros (në arbërisht dhe shqipen moderne do të thotë Peshkopata e Ungrës), kishin një lidhje shumë të fortë, thelbësore, qartësisht të kuptimtë dhe simbolike.

ooo

Në mëngjezin e 29 nëntorit makina jonë ngutej për të kapërcyer Ejaninën, një lagje në të dalë të Frashinjetës, pastaj Kastrovilarin, qytezë e rëndësishme arbërore, e sistemuar hijshëm në një luginë. Rreth orës tetë e gjysëm filluam menjëherë të ngjitemi përpjetë një mali. Ungrë ende nuk dukej, por e dinim që bënte ball lart, në një të kthyer qafe, atje ku e rrihte gjithë ditën dielli dhe era e detit. Në rrugëtim, kur hymë në qytezën arbëreshe Firmo, u ndalëm tek busti i Gjergj Kastriotit.
Për Skënderbeun arbëreshët zbatojnë dy rregulla të hekurta: emrin ja vendosin rrugës kryesore dhe piedestalin me në krye pamjen e tij të bronztë e ngulin në sheshin qendror. Përveç heroit të madh dhe të përjetshëm të shqiptarëve në këtë piacë mund të rrijë vetëm kisha, kurse bashkia nëse është me fat. Çdo ndërtesë, institucion apo shenjë karakteristike e identifikuese tjetër e qytezës, përfshi edhe postën e karabinierisë, mund të mos e ketë këtë status.
Kësaj rradhe busti i Gjergj Kastriotit në ball të piedestalit mbante të nderur një ftesë të madhe, në të cilën lajmërohej 90 vjetori i Peshkopatës së Ungrës dhe ora e fillimit të ceremonisë në Katedralen “San Nicola di Mira”. Me një vështrim të shpejtë për sa pamë përreth nuk dalluam ndonjë vend tjetër ku të qe vënë një njoftim i tillë. Ata që e kishin balluar tek trupi i bronztë i Skënderbeut jo vetëm e patën bërë këtë sepse aty ishte qendra e qytezës së tyre dhe për rrjedhim edhe prania më e madhe e njerëzve apo edhe sepse udhëtarët që vinin nga lugina poshtë për të shkuar në Ungrë do të kalonin patjetër aty, por edhe nga që Gjergj Kastrioti dhe ajo festë që do të bëhej atë ditë, qenë pjesë të njëra-tjetrës.
Një prift arbëresh me emrin Mikele Scutari, pra Mihal Shkodrani, famullitar në San Costandino Albanese, ka botuar në vitin 1825 një vjershë, ku mes të tjerash ka shkruar \\\"Maumeta duaj na vrin/ E na erdhëm ndë Litinj/Petkat e t\\\'mirat tona/ I lam gjithë te Korona”. Turqit myslimanë, besimtarët e Muhametit, donin të na vrisnin, thotë poezia, prandaj erdhëm tek latinët, italianët, por ndërkohë lamë në vendlindje të gjitha pronat tona. Në strofën tjetër famullitari Scutari tregon se në atë mërgim të dhimbshëm ata kishin marrë me vete edhe ikonën e Shën Mërisë.
Duke i shkuar sa më afër kohës kur ka ndodhur kjo ikje e madhe dhe dramatike dhe duke bërë një përpjekje të fortë për t’u shkëputur një çast nga momentet e sotme, na duhet të mësohemi përherë e më shumë me idenë se bashkëkombësit tanë të atyre moteve kishin në zemër dhe në mendje dy simbole të mëdha të identitetit të tyre. Qe Gjergj Kastrioti dhe Krishtërimi. Shumë e vështirë të depërtosh në mendësinë e pesëqind viteve më parë, kur nuk kishte akoma as koncept kombi apo shteti unik, për t’i bërë të të njëjtës rëndësi Skënderbeun dhe Jezu Krishtin, megjithatë në mes të shekullit të katërmbëdhjetë, patjetër edhe në gjysmën e tij të dytë, pas vdekjes së udhëheqësit arbëror (1468), këta dy emra dhe simbole kanë qenë një binom i pandarë. Me përfytyrimin depërtuar në atë kohë sot është mjaft e ndërlikuar të thuash se në kryengritjen kundër pushtimit osman çfarë raporti përparësie kishte roli frymëzues dhe prijës i Gjergj Kastriotit, pra lufta e tij e paepur për t’i mbajtur shqiptarët jashtë sundimit, dhe besimi i tyre i fortë tek Krishtërimi.
Patjetër Skënderbeu, njeriu që e mbante këtë emër të dytë si i vlerësuar nga turqit Aleksandri i Madh, qe një i panënshtrueshëm i shumë i madh, i jashtzakonshëm. Ai nuk ishte mos pajtuar vetëm me pushtimin e huaj ushtarak dhe ekonomik osman, pati rebeluar vrullshëm kundër tij, por qe edhe një kryengritës i furishëm kundër fesë myslimane. Gjergj Kastrioti u ngrit njëherësh kundër Sulltanit dhe Muhametit. Madje atëherë perandori, pra sulltani, numri një i pushtetit ekzekutiv, mishëronte edhe autoritetin më të madh shpirtëror, fenë muslimane. Ai konsiderohej mbi tokë si i përfaqësuesi i Muhametit. Atëherë nuk mund të ishe kundër sulltanit pa qenë në të njëjtën kohë edhe kundër besimit islam. Po të ngriheshe kundër pushtimit osman nuk mund të ishe veç një besimtar në Krishtërim.
Sot për një inerci të kuptueshme vijojmë t’i mbetemi ngulëkembës arsyetimit se duke ruajtur të dy emrat, atë të krishterë (Gjergj Kastrioti) dhe atë islam (Skënderbeu) kryeheroi ynë atë kohë dëshmonte tolerancë dhe manovronte në ekuilibret e reja fetare të krijuara në trojet arbërore pas pushtimit osman. Dihet që kryengritja e tij shpërtheu në një Arbëri të pushtuar nga turqit prej afro një gjysmë shekulli më parë dhe ai veproi në një rrethanë kur një pjesë e të krishterëve po konvertoheshin në besimin e ri. Bashkësia e dy emrave Gjergj Kastrioti dhe Skënderbeu, jemi mësuar të bindim veten ne, qe një nga shumë mënyrat që ai zbatoi për të mbajtur në këmbë bashkimin e arbërve. Jemi mësuar të besojmë se kështu arsyetonte edhe Evropa e kohës. Ajo qe tërësisht e krishterë dhe këtë cilësi e kishte përmasë të identitetit të saj disa herë më shumë se e ka sot. Mirëpo e vërteta e plotë, pa e përjashtuar si faktor arsyetimin e mëparshëm, duhet të jetë disi më ndryshe. Evropa, Selia e Shenjtë më e para, por edhe të gjithë ata dhjetra shtete të kohës, e heroizuan prijësin shqiptar dhe ja ruajtën të pavdekshëm po aq emrin e parë sa edhe të dytin jo vetëm sepse tashmë ky i famshëm e pati nisur bëmën e tij legjendare kur e kishte të bashkëngjitur e të merituar titullin Skënderbej, por për t’i dëshmuar të gjithë kontinentit, çdo populli tjetër të krishterë që luftonte për të mos rënë nën sundimin e Portës së Lartë, se bashkëfetari i tyre, shqiptari Gjergj Kastrioti, qe një shembëll për t’u ndjekur dhe adhuruar nga të gjithë pikërisht sepse pati braktisur bujshëm, pa iu trembur syri dhe pa u penduar kurrë, fenë muslimane. Ai ishte kthyer i vendosur në besimin e të parëve, krishtërimin.
Kjo që po shkruajmë mund të shkaktojë lëndim tek ndonjë prej bashkëkombësve tanë muslimanë. Ndokush mund të ndihet i cënuar në dashurinë e sinqertë që ka tek vepra e shembulli i Skënderbeut. Porse arsyetimi që bëmë më sipër nuk ka për qëllim që heroin madhor të të gjithë shqiptarëve ta rikthejë në monopol të krishtërimit, aspak. Thjesht kryem një analizë duke e zhvendosur kohën pesëqind e më shumë vite të shkuara. E madhërishmja është se Gjergj Kastrioti, ky kryeluftëtar lirie dhe kështjellar i qytetërimit evropian, patjetër edhe mbrojtës i zjarrtë i krishtërimit, me veprën e tij të lartë në favor të ruajtjes së identitetit etnik dhe kombëtar pas vdekjes fizike arriti t’i “imponohet” të gjithë shqiptarëve, t’i bëjë ta duan edhe myslimanët. Është e jashtzakonshme dhe mjaft nderuese që populli ynë, numerikisht me shumicë besues të fesë së krijuar nga Muhameti, e cilëson të krishterin e dikurshëm Gjergj Kastrioti si idhullin e vet të padiskutueshëm.
Që sot në tekstet shkollore apo në botime të shumta nuk shkohet gjer tek analiza e mësipërme, e kryer këto çaste në një besim mirëkuptimi me lexuesin e gazetës së dashur për të gjithë ne, “Illyria”, pra që arbërit kur pesëqind vite të shkuara emigronin drejt Italisë merrnin me vete edhe ikonat me Shën Mërinë e Jezu Krishtin, kjo ka ndodhur për një motiv të çiltër e që duhet respektuar. Rilindasit, duke parë se Skënderbeu me kohë ishte heroi i të gjithëve, vendosën që në fazën më sipërore të luftës për çlirim kombëtar ta shpallin atë flamurin e tyre. I gjithë populli shqiptar e pranoi menjëherë dhe as tani dhe as një mijë vite më vonë nuk do të lëkundet nga kjo zgjedhje.
Nuk do të lëkundet sepse mund të kishte ndodhur, në rrethana të tjera, të kishim ruajtur homogjenitetin kristian, bashkësinë me vetëm të krishterë ortodoksë dhe katolikë. Porse që më pas besimit shpirtëror të shqiptarëve iu shtua edhe feja muslimane nuk përbën asnjë kthim prapa. Ka qenë dhe mbetet ecje përpara, zhvillim. Fruti i bukur i saj shihet sot kur duke bërë të bashkëjetojnë në mënyrë shëmbullore të krishterë dhe muslimanë i kemi shtuar identitetit tonë kombëtar një virtut shumë të vyer: kulturën e bashkëjetesës fetare, tolerancën e besimeve të ndryshme shpirtërore.
Këtë gjë tashmë e pohojnë qendrat më të mëdha botërore të analizës si edhe personalitete të rëndësishme opinionbërëse në glob, e vënë në dukje si cilësi shumë media kontinentale. Kjo vlerë e shqiptarëve është bërë e famshme po aq sa ka qënë në mënyrë të vazhduar emri dhe vepra e Skënderbeut. Tashmë në vitet dymijë nëpër Evropë dhe përtej saj lëviz dhe admirohet imazhi i binomit Gjergj Kastrioti-Toleranca fetare e shqiptarëve.

ooo

Atë mëngjez të 29 nëntorit 2009 duke nxituar të kapnim në Ungrë orën nëntë, fillimin e ceremonisë së festimit të 90-vjetorit të themelimit të Peshkopatës së saj, e dinim që po shkonim drejt një ngjarjeje e cila dëshmonte se sa e rëndësishme dhe jetike ka qënë në rezistencën arbërore ndaj pushtimit osman feja e krishterë dhe ritet e saj. Arbëria, në trojet e italianëve kjo hapësirë reale por edhe po aq virtuale, të jep mundësinë ta kuptosh kombin tonë dhe identitetin e tij siç qe në gjendjen e tij të hershme, të pashtresuar dhe pa ndikuar nga qëndrimi shekullor nën Perandorinë Osmane. Këtu e sheh klerikun dhe popullin besimtar ashtu siç ishte pesëqind e më shumë vite të shkuara. Në Arbëri bashkëkombësit tanë të lashtë janë të gjithë të krishterë dhe që në ditët e para të emigrimit, bashkë me luftën e mbijetimit fizik për të gjetur një strehë dhe pak ushqim, në përpjekjet titanike për të ruajtur të gjitha zakonet dhe traditat, vendin e parë e ka zënë mbrojtja që i bënë besimit dhe riteve të fesë së krishterë ortodokse. Në këto anë ajo quhet shkurtimisht Kisha Lindore.
Këtej nuk ka qënë aq shumë problem ruajtja e besimit të krishterë katolik. Ata bashkëkombës arbëreshë që në epokën e Gjergj Kastriotit qenë pasonjës të kësaj feje, duke emigruar në Itali, kryesisht në pjesën veriore të saj dhe sidomos në Republikën e Venedikut, u gjetën nën të njëjtën kishë e në po ato rregulla e rite. Mirëpo pikërisht kjo mërgatë katolike, bartëse e madhe intelektualësh e dijetarësh të shquar, familjesh të spikatura në kulturë e në politikë, pasi lanë pas emra vezullues të veprave të tyre, shumë shpejt u tretën dhe humbën mes popullsisë homogjene katolike italiane.
Ishte feja e krishterë ortodokse që me vullnetin e saj të fortë për të ruajtur cilësinë e veçantë të identitetit shqiptar i ruajti bashkëkombësit tanë nga zhdukja e sigurt. Në rast se sot kemi Arbëri dhe arbëreshë, këtë pasuri të madhe e të gjallë, kjo është meritë e këtij besimi dhe e kësaj kishe. Doemos që nuk ishte Kisha e Krishterë Ortodokse që ruajti identitetin, por qenë më së pari vetë arbëreshët që e ruajtën dhe e forcuan atë, duke i dhënë bijtë më të mirë, më të përgatiturit, të gjithë elitën që kishin.

ooo

Në Ungrë hymë pak minuta para orës nëntë, çast kur do të niste ceremonia. Për një rastësi mbresëlënëse në hyrje të qytezës u ndeshëm me vargun e makinave që, e siguruar nga një skortë e motorizuar e policisë, po sillte edhe autoritetin më të lartë pjesëmarrës në atë ngjarje: Kardinalin Leonardo Sandri, prefekt i asaj që në Selinë e Shenjtë në Romë quhet Congregazione per le Chiese Orientali, pra në shtetin e Vatikanit në një farë mënyre Ministria për Kishat Lindore. Bashkë me të ndodhej edhe monsinjor Maurizio Malvestiti, nënministër i po këtij dikasteri.
Kur më në fund iu afruam qendrës së Ungrës vumë re se e gjithë ajo qe shpallur përkohësisht zonë ushtarake. Kështu pamë se si postbllokun mundi ta kalojë vetëm autokolona e dërgatës së lartë të ardhur nga Roma. Çuditërisht duke na lënë të habitur karabinierët nuk na penguan. Nuk e patëm lajmëruar praninë tonë, pra të një dërgate nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, dhe ata doemos nuk dinin se cilët qemë. Në lëshimin që na u bë me siguri kanë sugjestionuar pamjet tona, ai zakon dhe rregull i rreptë që kemi për t’u futur në kostume blu apo të zinj, këmisha të mbërthyera e shtrënguara nga kravata, arti i të qënit të sigurt në pamje dhe dhuntia për të buzëqeshur.
Kështu çdo gjë e arritëm në kohë, madje për dhjetë minuta depërtuam në brendësi dhe lëvizëm në të dy katet e lartë të godinës së Peshkopatës, saktësisht aty ku hyri Kardinali Sandri dhe ku në një sallë të mbyllur për këdo tjetër nisi takimin kokë më kokë me peshkopin arbëresh Erkole Lupinaçi dhe, siç ato çaste morëm vesh, edhe me peshkopin e Horës së Arbëreshëve Sotìr Ferrara (Palermo, Siçili) dhe arqimandritin e Grottaferratës, padre Emiliano Fabbrikatoren (Romë). Nëpër shkallët e gjëra dhe në të gjitha mjediset e tjera ndodheshin të veshur me rrobat festive të gjithë klerikët e tjerë të Peshkopatës, afro dyzetë. Kishte kudo edhe mjaft nëpunës, qenë të mbështjellë dhe disa herë të shpalosur pothuaj të gjitha flamujt e komunave arbëreshe të Eparkisë së Ungrës, vërtiteshin gazetarë.
Nisëm të fotografonim. Ishte rasti dhe fati të regjistronim “trurin” e kishës sonë arbëreshe. Në këto anë, duke vijuar traditën e pesëqind e më shumë viteve të shkuara një prift nuk është thjesht një ruajtës apo zbatues rigoroz i riteve fetare. Ai njëkohësisht është edhe lider, udhëheqës shpirtëror, dijetar dhe autor librash, studjues, mbrojtës dhe përhapës i gjuhës arbërore, hartues abetareje dhe historian, mbledhës foklori dhe publiçist, madje edhe udhëheqës politik. Edhe sot në katundin arbëresh Falkunara Arbëreshe (Falconara Albanese), prifti famullitar thirret nga besimtarët \\\"Zoti kapedan\\\".
Ata janë figurat kryesore, vetë simbolet e identitetit. Kur i njeh nga afër të prekin me këtë autoritet të madh që kanë, rrezëllim drite që u rri denjësisht si kurorë. Janë të tillë që në mënyrë masive, përjashto vetëm elitën e arbëreshëve profesorë e studjues universitetesh, ata nuk mjaftohen kurrë me vetëm të folurën në gjuhën arbëreshe, por zotërojnë edhe shqipen moderne.
Kur nga disa lëvizje parandjemë që banda muzikore do të niste t’i binte veglave, çfarë do të thoshte se ceremonia ishte në prag, nxituam për në Katedralen “San Nicola di Mira”. Atëherë na doli në rrugë, me një pamje kryelartë dhe në vendin më të dukshëm, busti i Gjergj Kastriotit. Qëndronte para Katendrales. Duhej të kaloje tek ai, pra të përrunjeshe para tij dhe pastaj për t’iu falur Zotit të ngjisje shkallët e larta të kishës. Qe një provë tjetër, tashmë në vetë kryeqendrës e Peshkopatës së Ungrës, se Skënderbeu dhe Krishtërimi në historinë e tyre të pesë shekujve më parë qenë pjesë të pandara të njëra-tjetrës. Pikërisht këtu na thanë edhe një hollësi tjetër, e cila e bënte akoma më të patundur këtë dëshmi. Ceremonia e festimeve për 90-vjetorin e themelimit të Eparkisë së Ungrës nuk kishte nisur atë ditë, më 29 nëntor, por një ditë më parë, në njëzetë e tetë, Ditën e Flamurit ose siç dihet më 1443 edhe dita e çlirimit të Krujës. Nga vetë autoritetet më të larta të ardhura prej Vatikanit ishte mbajtur një meshë në kishën më të re arbëreshe të Peshkopatës të ngritur në vitin 2003, atë të Shpëtimtarit të Shenjtë.
Prej lartësisë imponuese të sheshit mbi shkallët e larta të Katedrales ndoqëm mbërritjen e pjesëmarrëve në ceremoni. Në fillim qe banda, pastaj Kardinali Leonardo Sandri dhe Peshkopi Erkole Lupinaçi. Duke ndjekur ata në dy rreshta të gjatë, ecnin me veshjet e tyre vezulluese të dyzetë klerikët. Pasonin autoritete dhe nëpunës lokalë, besimtarë të mbërritur nga të gjitha anët e Eparkisë, arbëreshë prej vendbanime të tyre të largëta të Siçilisë në jug dhe nga veriu i Italisë.
Në brendësi Katedralja “San Nicola di Mira” qe madhështore. Mesha që nisi akoma edhe më shumë sugjestionuese. Përshendeti fare shkurt kryetari i bashkisë dhe prifti i Ungrës. I treti që foli në një apo dy minuta ishte peshkopi Erkole Lupinaçi. Ai i shprehu mirseardhjen Kardinalit Sandri. Qe ky i fundit që mbajti fjalën kryesore. Prej saj mësuam hollësinë tjetër. Me atë ceremoni nuk festohej vetëm nëntëdhjetë vjetori i Peshkopatës, por edhe pesëdhjetë vjetori i emërimit si prift i arbëreshëve i vetë Erkole Lupinaçit. Kjo kishte ndodhur në 22 nëntor 1959 me laurimin e tij në Kolegjin Papnor Grek të Sant’Atanasio.
Kardinali Leonardo Sandri u kujtoi të pranishmëve sa e shtrenjtë dhe e dobishme qe për Selinë e Shenjtë prania në Italinë e jugut e bashkësisë së shqiptarëve dhe e kishës së tyre të krishterë ortodokse. Pastaj lexoi përshendetjen si edhe bekimin që i dërgonte festuesve Papa Benedikti XVI.
Lexuesi tashmë e ndjen që ky shkrim po bëhet i gjatë dhe autorit i duhet të nxitojë ta mbyllë sa më shpejt. Duke marë këtë vendim të arsyeshëm i vjen keq që nuk gjeti rast këtë herë të dëshmojë se rrallë ka dëgjuar në jetën e tij fjalë më të buruara nga zemra dhe më të ngrohta për arbëreshët, si nga ai mesazh i Papës. Praninë e kishës së krishterë ortodokse që nëpër shekuj kishte mbrojtur identitetin e shqiptarëve në Itali Benedikti XVI e quajti fat dhe u lut që ky shpirt lirie të forcohej përherë e më shumë.
Pas leximit të përshëndetjes së Papa Benediktit XVI nisi riti i Liturgjisë Hyjnore.

ooo

Arbëreshët për të ruajtur në Itali ritet e kishës së tyre të krishterë ortodokse, atë thesar besimi fetar që e sollën me vete pas vdekjes së Skënderbeut dhe ripushtimit të plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, kanë kaluar një rrugë të vështirë. Kur emigruan me valët më të mëdha në vitet 1461, 1467 dhe në 1471, por edhe më pas, u pati ndodhur një rrethanë favorizuese. Në vitin 1439, pra vetëm katër vite pasi shpërtheu kryengritja çlirimtare e Gjergj Kastriotit, qe realizuar Sinodi i Florencës, akti i pajtimit mes Kishës Perëndimore (katolike) dhe asaj Lindore (ortodokse). Kështu ardhësit me besim të krishterë bizantin, duke qenë se ishin edhe luftëtarë të armikut të njëjtë, turqve myslimanë, u pritën nga klerikët latinë si miq. Këta nënshkruan me prijësit e arbërve marrëveshje për të rregulluar të gjitha problemet shoqërore dhe ekonomike midis dy palëve. Ato në gjuhën e kohës quheshin \\\"Capitolazioni\\\". E para firmosje ndodhi në vitin 1471 në Shën Mitër Koronë (San Demetrio Corone), një nga kryeqendrat e Arbërisë. Frashnjita përshëmbëll e ka realizuar këtë marrëveshje në vitin 1491
Në 1521 Papa Leone X shkoi më tej në këtë frymë liberale. Ai lejoi që klerikët me ritin bizantin të mund të celebronin liturgjinë dhe të mund të jepnin sakramentet për arbëreshët edhe në katundet me shumicë latine. Në të njëjtën rrugë eci edhe Papa Pali III. Në vitin 1536 ai i dha lejen e parë një peshkopi arbër të mbante nën juridiksionin e vet të gjitha bashkëkombësit. Në motet 1581-1604 në Itali vinte rregullisht për të shuguruar priftërinjtë peshkopi ortodoks i Ohrit.
Goditja për t’i nënshtruar dhe asgjësuar ndodhi në vitin 1564, kur Papa Pio IV duke i akuzuar arbëreshët \\\"se kishin mendime të rrezikshme dhe heretike\\\" i shtrëngoi bashkësitë e tyre të viheshin nën autoritetin e peshkopëve latinë, madje ky Papë anulloi të gjitha të drejtat e fituara nga paraardhësit e tij duke filluar kështu një periudhë të gjatë e të zymtë me moskuptime, mërira dhe persekutime. Me dhunë dhe kërcënime nisi konvertimi i disa fshatrave arbëreshë nga riti i krishterë ortodoks në atë katolik. Humbja e ritit bizantin shkaktoi menjëherë bjerrjen e gjuhës arbërore dhe pak nga pak edhe humbjen e zakoneve e traditave të sjella nga atdheu i tyre shqiptar.
Kjo periudhë e errët mori fund në vitin 1668, por megjithatë inercia e mohimit të të drejtës së katundeve tashmë me rit të ndërruar vijoi për treqind vite. Vetëm në 1974 ndodhi që Falkunara Arbëreshe iu rikthye identitetit të ritit të vet autokton, sigurisht me bekimin dhe me lejen e Papës.
Sidoqoftë periudha e re e mirëkuptimit kishte krijuar kthesën në fatin e ruajtjes së traditës arbërore. Papa Klemendi XII në vitin 1732 themeloi në katundin arbëresh Shën Benedikti Ulano Kolegjin \\\"Corsini\\\" për edukimin e klerit arbëresh. Në vitin 1794 ky kolegj u vendos në Shën Mitër Korone dhe siç çdo shqiptar e ka mësuar në librat shkollorë ai qe institucioni që luajti rol të madh për ringjalljen e identitetit shqiptar të arbëreshëve në Itali.
Në këtë atmosferë në 13 shkurt të vitit 1919 u themelua Eparkia e Ungrës. Ndërsa tashmë për herë të parë mblidheshin nën juridiksionin e një peshkopi të krishterë ortodoks disa katunde arbëreshe, Papa Benediti XV në dekretin e tij shkroi \\\"Besimtarët katolikë me ritin grek, të cilët banonin më përpara në Epir dhe në Shqipëri, duke ikur dhe u larguar shumë herë nga pushtimi i otomanëve, kanë emigruar në të afërmën Itali, ku kanë qenë të pritur me zemërgjerësi dhe me mikpritje dhe janë vendosur në tokat e Kalabrisë dhe të Siçilisë, duke mbajtur ashtu si ish e drejtë, kostumet dhe zakonet e popullit bizantin, veçanërisht ritet e Kishës së tyre, bashkë me të gjitha ligjet dhe zakonet, që ata kishin pranuar nga Etrat e tyre dhe i kishin mbajtur me një kujdes dhe me një dashuri të pathënëshme gjatë shekujvet\\\".
Kështu peshkopi i parë i Eparkisë së Ungrës u bë Xhovani Mele, arbëresh nga Formoza, më pas Xhovani Stamati, arbëresh nga Platani dhe prej vitit 1987 Erkole Lupinaçi. Atë ditë të 29 nëntorit 2009 morëm vesh se ndërsa ai tashmë kishte mbushur 77 vite jete, do të dilte në pension dhe në vend të tij do të emërohej një klerik i ri arbëresh, i vlerësuar si shumë i talentuar.

ooo

Në mëngjezin e 3 dhjetorit dërgata jonë mes arbëreshëve do të rikthehej në Tiranë. Për një rastësi të gëzueshme po atë ditë, për një takim me Papën Benedikti XVI, kishte shkuar në Romë, i shoqëruar nga metropoliti i Korçës, dy peshkopë dhe kryesekretari i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, Fortlumturia e tij, Imzot Anastasi. Atë ditë ata kishin kryer një takim në Institutin Papnor Lindor me drejtuesit kryesorë të tij. Hirësia e tij Anastasi kishte qenë mjaft i emocionuar, madje pati rikujtuar veprën e albanologut të ndritur të arbëreshëve, Xhuzepe Valentinit. Po ashtu qe shprehur plot besim në të ardhmen e bashkëpunimit e të bashkimit të dy Kishave të Krishtit.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com