Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

1957, AMBASADORI SHQIPTAR ME AUTOMATIK NE BAGAZHET E TIJ PERSONALE
FILIP KASTRIOTI, NJË TELEGRAM URIMI PËR ISMAIL QEMALIN
SKËNDERBEU-AVION
POPA E FUNDIT
TË TJERA HOLLËSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMËS ME FAMILJEN POPAJ
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një pallat tjetër i Kastriotëve në Itali


Botuar në “Gazeta Shqiptare”, shtojca “Milosao”, 13 dhjetor 2009

Që kur ishte gjallë, pra kur jetonte pesë-gjashtë vitet e fundit të rezistencës së tij kundër pushtimit osman, Gjergj Kastrioti zotëronte si prona në Itali, në krahinën e Pulies, tre feudo. Ia kishte falur mbreti nga dinastia e fuqishme spanjolle e Aragonëve, Ferrante i Napolit, të cilin e pati ndihmuar të shkatërronte rebelimin e një grupi fisnikësh të kohës, kundërshtarë të tij, të prirë nga princi i Tarantit, Tarantos së sotme. Në 17 janar 1468 Skënderbeu ndërroi jetë dhe e shoqja, Donika, bashkë me djalin e vetëm, Gjonin, u zhvendosën pranë oborrit mbretëror të Napolit. E veja shkonte herë pas here në pronat e tyre, më pas të shkëmbyera me feude të tjerë, por i biri dhe më pas më i zëshmi i Kastriotëve pas gjyshit, nipi Ferrante, me emër të njëllojtë si të mbretit mik dhe aleat, u bënë më të lidhur me pronat dhe qëndrimin e gjatë në to. Ky i fundit qe dukë dhe pronar i fuqishëm i feudit puliez San Pietro në Galatinë. Pallati i tij kështjellë shtatlartë ekziston pothuaj i patrazuar edhe sot, sikundër po ashtu ende ruhen edhe objekte të tjera banimi të blera nga Kastriotët katër-pesë shekuj më parë në Italinë e jugut. Mund t’i gjesh ato të përhapura që nga krahina e Pulias në atë të Salentos, deri edhe në Kalabri, ku qyteti më historik është Kozenca, njëherësh sot edhe një nga kryeqendrat e asaj që thirret Arbëri, pra e dy duzinave të fshatrave dhe qytezave të arbëreshëve. Jo pak nga këto objekte të Kastriotëve janë dëmtuar, ndonjë edhe është shembur nga shteti siç ndodhi gjatë periudhës së fashizmit nën shtysën e ndërtimit të ngrehinave të reja me arkitekturën e fryrë musoliniane.
Duhej të qe mezi i nëntorit të këtij viti kur nëpërmjet botuesit italian Costanzo D’Agostino më mbërriti në postën elektronike lajmi se në Corigliano Calabro, vendbanim kryesisht arbëresh afër Kozencës, ishte përuruar hoteli me emrin “Palazzo Castriota”. Qe me katër yje, shtatëqind e pesëdhjetë metra katrorë dhe me jo më shumë se shtatë apartamente, sigurisht të gjitha mjaft komode. Pronar ishte italiani Luixhi Petrone (Luigi Petrone), i cili pasi e kishte gjetur të rrënuar ndërtesën shumëkatëshe, një gjysmë kështjellë mesjetare, duke përfituar edhe nga një fond mbështetës i Bashkimit Evropian për Kalabrinë, e kishte rindërtuar dhe përshtatur për hotel. Në një korrespondencë private Petrone pati pohuar se “rindërtimi i këtij pallati edhe pse zgjati në kohë (dhjetë vite-shënimi ynë) si edhe kushtoi shumë, më lindi nga dëshira që të shmangej prej shkatërrimit dhe humbjes edhe të një dëshmie tjetër të Kastriotëve. Tashmë kjo seli antike është sërish e gjallë, e hapur për publikun dhe me shkëlqimin e vjetër të rikthyer me të gjithë forcën e dikurshme, përherë plot joshje”.
Luixhi është një italianoverior që e çmon shumë Skënderbeun dhe sa herë që për punë a ndonjë pushim të shkurtër shkon në Romë, nuk mungon të qëndrojë disa çaste para godinës me emrin e heroit të famshëm të shqiptarëve, Pallatit Skënderbej. Ai siç dihet ndodhet në zemër të kryeqytetit italian dhe ka qenë në fund të vitit 1466 bujtina ku Gjergj Kastrioti kaloi tre muajt e vizitës së tij në një pritje të gjatë për të siguruar nga Selia e Shenjtë, por edhe nga ambasadorë të shteteve të tjera, ndihma sa më të mëdha për të përballuar sulmin tashmë të papushuar dhe mjaft agresiv të Portës së Lartë.
Nga të dhënat e para në internet për “Palazzo Castriota”, pra një pallat tjetër që lidhet me Skënderbeun, kuptoje se kështjella e vogël e shndërruar në një hotel modern kishte qenë pesë shekuj më parë pronë e Çezare Kastriotit (Cesare Castriota). Madje nuk ishte blerë, por qe ndërtuar prej tij. Sipas shënimeve të para shpjeguese për këtë hotel Çezari ishte nip i Irenës dhe stërnip i Gjergj Kastriotit.
Tashmë, edhe me kaq, qe mjaft e qartë se nuk kishim të bënim me një lajm fals apo të vënë në lëvizje me shkujdesjen a qëllimin e keq të përhapjes së një tufe të dhënash të paqarta a të gënjeshtërta. Në pemën gjenealogjike të Skënderbeut ka patur dy Irena të njohura, të cilat në gjuhën e kohës thirreshin Erina. Njëra qe gruaja e Gjonit, djalit të vetëm të Donika e Gjergj Kastriotit, ardhur nga familja e njohur perandorake e Bizantit, ajo e Paleologëve, realisht edhe bijë e mbretit serb Llazar Brankoviç. Irena e dytë ka qenë vajza e ligjshme e Ferrantes, birit të Gjonit, pra nipit të Skënderbeut, bijë e lindur me gruan e vërtetë Adriana Akuaviva (Adriana Acquaviva ishte bijë e dukës së Nardosë, Belisario Acquaviva) dhe jo me të dashurat e tij të shumta. Çezari qe njëri nga djemtë natyralë të Ferrantes, çka kuptohet jashtëmartesorë, por të cilët duka i trajtoi me të njëjtin status si edhe dy fëmijët e ligjshëm që kishte, Irenën si edhe një djalë me një emër ende të panjohur, i cili qe i pafat dhe ndërroi jetë në moshë fare të vogël.
Në historinë e Kastriotëve në Itali pasardhëset femra të Skënderbeut kanë dy emra të shquara: Irenën e dytë dhe Izabelën. Kjo e fundit qe një poete dhe iluministe me emër të spikatur, kurse Irena ishte një mbrojtëse e madhe e shqiptarëve të emigruar në Italinë e jugut për sa kohë jetoi në shekullin e gjashtëmbëdhjetë (ajo lindi në vitin 1510 dhe ndërroi jetë në 1580). Një pjesë e historisë së mbijetimit të vendbanimeve arbëreshe në Kalabri nuk mund të kuptohet dot pa këtë stërmbesë shpirtmadhe të Gjergj e Donika Kastriotit. Dokumentet e deritanishme të gjendura në Itali provojnë se të paktën në marrëveshjet për sistemimin e bashkëkombësve të saj në qytezat Spezzano Albanese, San Demetrio Corone, San Giorgio e Vaccarizzo ajo është protagonistja kryesore. Ishte po ajo që vëllanë e lindur nga një martesë jashtë kurore e të atit, Çezarin, e mori me vete atje ku edhe u martua. Irena e lidhi jetën me një nga princërit më të fuqishëm të jugut të Italisë, Pietro Antonio Sanseverino, princ i Bizinjanos.
Duke qenë se për sa shkruhej në lajmin që na mbërriti prej vendit fqinj dhe për aq sa qarkullonte e pakët në internet ngjarja e ekzistencës së një pallati tjetër të Kastriotëve dukej gjë e vërtetë, nuk ngurruam të mos humbitnim rastin për të qenë sa më parë në vendngjarje. Shtysa e vërtetë që na bëri të kapërcenin detin e të merrnin rrugën nuk qe më shumë grishja për të qenë të parët që këtë lajm do ta bënim të njohur në Shqipëri se sa një emocion i thellë, i cili në një rast të tillë gjithkushin prej nesh do ta robëronte. Thjesht e patëm këtë mundësi për shkak të punës dhe të urgjencës së një ekspedite të projektuar që më parë në vendbanimet arbëreshe të Kalabrisë. Mjaftonte që nga qytezat e parashikuara për të mbledhur të dhëna, duke përfituar nga e shumta dy orë të lira, të vraponim drejt Corigliano Calabros.
Sepse nuk isha vetëm. Në kuturisjen tonë qemë tre vetë: një koleg si edhe një bashkëpunëtor nga Kosova. Sapo ua pata shpjeguar si qëndronte puna ethet për të zbuluar të vërtetën na kapën të treve. Na ndihmoi me një makinë të shpejtë një piktor nga Tirana i emigruar prej shumë vitesh në qytezën arbëreshe San Cosmo Albanese.
Ajo që ndodhi në mbrëmjen e 29 nëntorit 2009 qe rendje duke na u marrë fryma, ndërsa një muzg kokëfortë për të na hequr dritën e nevojshme të shijimit dhe fotografimit të plotë të “Palazzo Castriota” ngutej të binte sa më shpejt mbi fushën e madhe në të cilën vendbanimet italiane me ato të shqiptarëve të pesë shekujve më parë rrinë gati puthitur, të ndarë vetëm nga pak minuta distancë me makinë. Kur Corigliano Calabro u shfaq në horizont kishte formën dhe imazhin më mbresëlënës, më të jashtëzakonshëm, më imponuesin e imagjinuar. Qyteti rrinte mbi një kodër të lartë. Qe një pamje e ngjashme me kalanë e Gjirokastrës apo të Beratit. Dukej sikur këto dy qytete si me magji qenë zhvendosur një çast aty, në tokën e italianëve.
Kur hymë në qytet, duke iu ngjitur të tatëpjetës së tij, disa banorët vendas të cilët i gjetëm pranë një bar-i, shumica të moshuar, para se të na përgjigjeshin se ku ndodhej hoteli më i ri i qytetit të tyre një çast u menduan. Më në fund sqaruan se gjendej në majë, pranë Kështjellës Dukale, një masivi muresh dhe bedenash që i rrinin si kurorë kodrës së madhe të Corigliano Calabros. U ngjitëm me shpejtësi në kulm të qytetit-kala, por tashmë rrugët u bënë shumë të ngushta, pothuaj të pamundura për të ecur aq lirshëm sa të fitonim betejën me natën që në atë fund vjeshte vraponte më shpejt se ne. Kur më në fund e braktisëm makinën dhe duke u ngatërruar nëpër ato rrugica të pafund zgjodhëm më mirë të ecnim në këmbë, pikërisht kur shpresa po na fikej dhe lajmi për ekzistencën e një pallati tjetër të Kastriotëve në Itali na dukej se kishte qenë vetëm një ëndërr a trillim interneti, “Palazzo Castriota” u shfaq i madh përballë nesh. Na u duk tamam si një mik i shtrenjtë që nga maja e kodrës ndërsa na ndiqte me sy si mundoheshim ta gjenim, për të na bërë një surprizë kërceu prej andej drejt e në rrugë, para këmbëve tona.
Kështjellën-hotel e kishin mbështjellë tufa dritash të lëshuara ngrohtësisht nga disa projektorë. Thirrëm të tre nga entuziazmi a ndoshta nga një mall që nuk e përmbanim dot. Nga lodhja e rendjes dihatnim të tre dhe tabelën në hyrje të shkallëve të larta, me në qendër të madhe një shqiponjë me dy krerë dhe fjalët “Palazzo Castriota” njëherësh e lexuam dhe e përkëdhelëm me dorë.
Në mbishkallë, në hyrjen e hotelit, tek porta e xhamtë sërish qe gdhendur butë një shqiponjë dhe disa shenja të stemës së Kastriotëve. Pas qelqeve të saj u gjendëm në një bar luksoz, quhej Salla Don Çezare. Kur i afruam recepsionistes ajo vuri buzën në gaz. Qe një vajzë shumë e bukur, një nga ato që kur flasin u krijohet një gropëz e ëmbël në faqe. I themi se jemi në udhë e sipër për t’u kthyer në San Demetrio Corone, qytezë arbëreshe, ku na prisnin të paktën tre takime pune dhe se deri aty kishim ardhur me një frymë, sepse hoteli mbante emrin e heroit më të dashur që në historinë tonë, të shqiptarëve, kishim. Vajza gëzua që ishte vërtet ashtu, pra që hoteli i tyre mbante shenjën e një njeriu shumë të famshëm dhe iu përgjigj butësisht pyetjeve tona të shkurtra. Quhej Antonieta Veronese dhe tha se drejtoresha thirrej Gloria Borgo.
E gjitha u zhvillua në dy apo tre minuta. Nxitonim. Kur dolëm jashtë “Palazzo Castriota” dukej akoma më shumë i ndriçuar nga projektorët. Kur të hipur në makinë më në fund u gjendëm në këmbët e Corigliano Calabros sipër mbi kështjellë ai pallat u bë i smeraldë. Shkëlqente si një gur i çmuar.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com