Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kjo ndodhi në Prishtinë në shtator 1988


Botuar në gazetën “Illyria”, numri special i 28 Nëntorit 2009, Nju Jork

Përfaqësia diplomatike shqiptare në Beograd për disa vite me radhë kishte bërë përpjekje për të kryer një vizitë zyrtare në Prishtinë, por nuk ja kishte dalë dot. U duk si shenjë e mirë ajo që ndodhi në 6 shtator 1988, kur ndërsa ambasadori Kujtim Hysenaj u prit nga kryetari i Kuvendit të Serbisë Boris Joviç atmosfera e takimit qe e ngrohtë. Njeriu i lartë i shtetit më të fortë të Jugosllavisë kishte qenë ambasador në Romë në vitet 1978-79 dhe gjatë bisedës e përdori këtë fakt të karrierës së tij për t’i dëshmuar kolegut të Tiranës sa më shumë afri.
Pas kësaj ngjarjeje nuk vonoi të reagonte Protokolli i Shtetit i Republikës Federative. Njoftoi se dha lejen zyrtare për vizitën e diplomatëve shqiptarë. Ajo do të kryhej në datat 26-27 shtator. Kjo do të thoshte jo dy net, por dy ditë, pra diçka më tepër se njëzetë e katër orë. Po ashtu vizita do të kryhej vetëm në Prishtinë, me takime në vetëm katër institucione dhe pa të drejtën për t’u kontaktuar me të tjerë, njerëz të thjeshtë të ishin apo edhe akademikë e profesorë.
Kur në mëngjesin e vonë të 26 shtatorit ambasadori Kujtim Hysenaj dhe bashkëshortja e tij Mimoza, këshilltari Leonidha Mërtiri dhe një koleg tjetër u nisën nga selia e përfaqësisë në rrugën e njohur beogradase Knjaz Millosha, pas makinës së tyre, siç ishte rregull i përhershëm, ndezi motorët edhe një veturë me brenda civilë jugosllavë. Në pesë-gjatë orët e udhëtimit drejt Kosovës makina shoqëruese nuk iu nda. Diplomatët shqiptarë qenë mësuar me të. Njerëzit brenda saj në të vërtetë asnjëherë nuk i provokonin, ata vetëm i ndiqnin pas, në qytete të ndryshme gjithnjë duke ndërruar jo vetëm makinat por edhe personat. Nuk ishte hera e parë që bashkëpunëtorët e ambasadorit patën hyrë në Kosovë jo për të kryer takime pune, por thjesht në kalim, pa u ndalur, për të shkuar menjëherë drejt kufirit shqiptar, Kukësit. Këto udhëtime qenë një nga mënyrat që diplomatët përdornin jo vetëm për t’u dorëzuar kolegëve të tyre të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të ardhur enkas nga Tirana, ndonjë material të rezervuar por edhe thjesht për të shkuar e kaluar pushimet e vitit pranë familjeve të tyre.
Kur në orët e pasdites së vonë të 26 shtatorit 1988 makina e ambasadës hyri në kufirin e Kosovës i gjithë emocioni që kishin pasur prej ditësh diplomatëve shqiptarë iu mblodh në fyt si një gulç ngashërimi. Kalimtarët buzë rrugëve apo edhe ata të hipur në vetura e çdo mjet tjetër udhëtues nisën t’i përshëndetnin me mall e gëzim të dukshëm. Bënin të gjitha shenjat e mundshme të një entuziazmi të madh e të mezi përmbajtur.
Kur hynë në Prishtinë nata qe e thellë. I mbushur me drita qyteti iu duk i ngrohtë, si një shtëpi e bërë gati për miqtë, duke hapur odën e madhe. Diplomatët provuan ndjenjën se qyteti dhe ata qenë gati t’u hidheshin në qafë njëri-tjetrit.
Në rrugën drejt hotelit vunë re se sytë e bashkëkombësve buzë trotuareve pasi u gëzoheshin me tundje duarsh pamjeve të tyre pas xhamave të veturës, i ngulitnin vështrimet tek flamuri i vogël shqiptar i vënë në krye të makinës. Ndodhte që pastaj sytë e bashkëkombësve ktheheshin sërish në fytyrat e diplomatëve të Shqipërisë, por gjithsesi në rastin më të parë i hiqnin prej andej duke i përqendruar edhe njëherë tjetër tek flamuri i vogël valëvitës.
Para hotelit, ku do të kalonin atë natë, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë, priste Kahremani, shefi i Protokollit i Presidencës së Kosovës. Ora qe afër njëzetë e dy dhe pasi kryen formalitetet e regjistrimit, i thanë natën e mirë pritësve. Pastaj u ngjitën në katin e tretë, ku kishin dhomat. Kujtim Hysenaj dhe Leonidha Mërtiri kur në korridor panë që ishin vetëm dhe nuk i shihte kush me një veprim spontan dhe të kryer njëkohshëm iu hodhën në krah njëri-tjetrit. Ndenjën ashtu për një kohë të gjatë, duke ndjerë se të dyve trupi u dridhej. Qenë emocionet e mallit për Kosovën, një torturë që në Beograd vazhdimisht i mundonte. Kësaj radhe kishin fatin ta shihnin, ta vizitonin zyrtarisht dhe ta preknin “me dorë“.
Në mëngjes u nisën për në Presidencë. Kësaj radhe, duke qenë se qe ditë, njerëzit që i përshëndetnin dhe i ngulnin vështrimin me adhurim flamurit të vogël në krye të makinës u shumëfishuan. Bashkëkombësit të cilët tundnin duart që nga makinat e tyre po ashtu, u shtuan. Nuk qenë të paktë ata që e parakalonin veturën e diplomatëve shqiptarë vetëm e vetëm të mund t’i përshëndetnin me duar e t’i shihnin lirisht me sy edhe pasagjerët që kishin në ndenjëset e pasme. U bënë të shumtë fëmijët që vraponin prej trotuareve, i aviteshin tërë hov makinës diplomatike dhe duart e vogla i mbështetnin tek xhamat. Dukej sikur ashtu arrinin t’i preknin fizikisht njerëzit e Shqipërisë me funksion të lartë. Për shoferin këto raste qenë momente mjaft të vështira, sepse duhej të ecte jo vetëm ngadalë, por me kujdesin më të madh mos aksidentohej ndonjë nga vocërrakët e përmallur.
Në Presidencën e Kosovës i priti Remzi Kolgeci. Biseda që në fillim ishte shumë miqësore, plot ngrohtësi. Diplomatët e Shqipërisë e ndiqnin me sy Presidentin dhe sillnin nëpër mend sa shumë herë e kishin lexuar emrin e tij, parë në televizion, në radio dëgjuar zërin, kurse tani bashkëkombësin e njohur e kishin para syve. Kujtim Hysenaj që në fillim i kishte dhuruar një shishe konjaku “Skënderbeu” dhe tjetri, edhe pse pati thënë se nuk pinte asnjë lloj pijeje, e kishte kthyer gotën e parë, të dytën dhe po bëhej gati për të tretën. Në fytyrë nga përjetimi i atyre çasteve të pazakonshme i kishe rënë një ngjyrë e purpurt. Ndërkohë kishte hapur derën dhe zgjatur kokën Kahremani, duke u kujtuar se koha e bisedës së planifikuar kishte kaluar pesë minuta. Remzi Kolgeci nuk iu përgjigj. Pas pak mbaroi biseda për çështjet zyrtare dhe kapërceu në ato shoqërore, deri edhe familjare. Presidenti i Kosovës nisi të thoshte se prej papunësisë së madhe një pjesë e kosovarëve shkonin në Greqi për të blerë mallra dhe pastaj i shisnin në vendin e tyre. Pikërisht për këtë gjë pati shkuar atë ditë në vendin fqinj edhe e shoqja, edhe pse ajo jo për tregti, por për të ndihmuar një shoqe të saj.
Në këtë kohë Remzi Kolgeci kishte kthyer edhe gotën e tretë të konjakut “Skënderbeu” dhe po u thoshte “Shih, këtë gjë nuk e kam bërë kurrë. Po e bëj për ju, gëzimin që më jepni”. Tek dera e porsahapur zgjati edhe njëherë tjetër kokën Kahremani. Tha se qenë bërë njëzetë minuta mbi afat dhe se duhej bërë takimi tjetër. Presidenti sërish nuk iu përgjigj. Vetëm kur pas një çerek ore shefi i Protokollit futi sërish kokën Remzi Kolgeci shfryu “Ja, nuk të lë rehat as Kahremani!”
Më në fund u ndanë. U përqafuan fort.
Takimet e tjera diplomatët e Shqipërisë i bënë në Këshillin Ekzekutiv, Kuvendin e Prishtinës dhe tek Oda Ekonomike. Kur prej ditës kishin mbetur edhe pak çaste dritë hynë në një dyqan. Thjesht dëshironin të blinin ndonjë kujtim. Njerëzit e makinës shoqëruese jugosllave hynë menjëherë pas tyre, madje duke qenë se përreth kishte qytetarë vendas, ata pothuaj u qëndruan trup me trup.
U nisën drejt Beogradit pa rënë plotësisht nata. Ishin të mbushur me emocione dhe trupi ende u dridhej nga sëmbimi i mornicave. Ata ende nuk e dinin se për rastësi apo si mesazh se çfarë do të ndodhte në ditët e pastajme policia serbe atë 27 shtator në krahinën e Llapit kishte arrestuar anëtaret e një grupi ilegal shqiptarësh të Kosovës, i cili akuzohej se kërkonte çlirimin e vendit.
Të nesërmen më 28 shtator gazeta “Nova Makedonia” botoi një shkrim, në të cilin ankohej se çfarë donte në Prishtinë ambasadori i Shqipërisë me flamurin në krye të makinës. Të nesërmen iu përgjigj Protokolli i Shtetit të Republikës Federative të Jugosllavisë, duke e siguruar se gjithçka qe kryer sipas një lejeje të rregullt që diplomatët e Tiranës patën marrë.
Ishte 29 shtator 1988. Jugosllavia nuk kalonte orë të qeta. Sllobodan Millosheviçi po e ndërsente ultranacionalizmin. Vetëm pak ditë më vonë, në 9 tetor, në një miting të ndërkryer prej tij në turmë qe klithur me histeri “Ec përpara Sllobodan, po qe nevoja edhe deri në Tiranë!”
Portat e Kosovës për ambasadën shqiptare në Beograd sërish qenë mbyllur. Ambasadori Kujtim Hysenaj dhe dy diplomatët e tjerë kishin pasur fatin të hynin aty në momentin e fundit.



Ylli Polovina


























































Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com